Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse burri që Boazi e quajti «filan» tha se po të martohej me Ruthën, ‘do të rrënonte’ trashëgiminë e vet? (Rutha 4:1, 6)

Në kohët kur u shkrua Bibla, nëse një burrë i martuar vdiste pa lënë fëmijë, lindnin disa pyetje që donin përgjigje: Ç’do të ndodhte me tokën që mund të kishte pasur në pronësi? A do të shuhej fare emri i familjes së tij? Ligji i Moisiut u jepte përgjigje këtyre pyetjeve.

Ç’ndodhte me tokën nëse pronari i saj vdiste ose varfërohej dhe e shiste tokën? Një vëlla ose një i afërm i ngushtë mund ta riblinte atë tokë. Kështu toka do të mbetej pronë e familjes.—Lev. 25:23-28; Num. 27:8-11.

Po emri i familjes së të ndjerit, si ruhej? Me anë të ‘detyrës që i takonte kunatit’, ose martesës me kunatin, siç ndodhi në rastin e Ruthës. Një burrë martohej me vejushën e të vëllait për të lënë një trashëgimtar që do të mbante emrin e të ndjerit e do të trashëgonte pronën e tij. Nëpërmjet asaj mase të dashur, Jehovai kujdesej edhe për vejushën.—Ligj. 25:5-7; Mat. 22:23-28.

Të marrim rastin e Naomit. Ajo ishte martuar me një burrë që quhej Elimelek. Kur i shoqi dhe dy djemtë e saj vdiqën, shtëpia mbeti pa një burrë që të kujdesej për familjen. (Rutha 1:1-5) Pasi u kthye në Judë, Naomi e udhëzoi nusen e saj Ruthën që t’i kërkonte Boazit ta riblinte tokën. Ai ishte një i afërm i ngushtë i Elimelekut. (Rutha 2:1, 19, 20; 3:1-4) Por Boazi e dinte se dikush tjetër, që në Bibël quhet ‘filani’, ishte i afërm më i ngushtë. Prandaj ai i afërm ishte i pari që kishte të drejtën e riblerësit.—Rutha 3:9, 12, 13.

Në fillim, ‘filani’ ishte i gatshëm të ndihmonte. (Rutha 4:1-4) Edhe pse do të bënte ca shpenzime, ai e dinte se Naomi nuk mund të lindte një fëmijë që do të trashëgonte tokën e Elimelekut. Kështu, si përfundim, ajo tokë do t’i shtohej trashëgimisë së filanit, pra dukej një investim i mirë.

Por kur kuptoi se duhej edhe të martohej me Ruthën, filani ndërroi mendje. Ai tha: «Unë nuk mund ta riblej, se rrezikoj të rrënoj trashëgiminë time.» (Rutha 4:5, 6) Pse ndërroi mendje?

Nëse filani ose dikush tjetër martohej me Ruthën dhe ajo lindte një djalë, ai djalë do të trashëgonte tokën e Elimelekut. Si ‘do t’ia rrënonte’ kjo ‘trashëgiminë’ filanit? Bibla nuk e tregon, por ja disa mundësi:

  • Së pari, dukej se do t’i harxhonte kot paratë, sepse në fund toka e Elimelekut nuk do të ishte e tija, por do ta trashëgonte djali i Ruthës.

  • Së dyti, do të kishte përgjegjësinë të mbante me bukë e të kujdesej edhe për Naomin, edhe për Ruthën.

  • Së treti, nëse filani kishte fëmijë, trashëgimia e tyre do të ndahej me fëmijët e tjerë që mund t’i lindnin atij dhe Ruthës.

  • Së katërti, nëse filani nuk kishte fëmijë dhe Rutha lindte një djalë, ai djalë do të trashëgonte edhe tokën e Elimelekut, edhe tokën e filanit. Kështu, si përfundim, toka e filanit do t’i përkiste një fëmije që mbante emrin e Elimelekut, jo emrin e tij. Filani nuk donte të rrezikonte trashëgiminë e vet për të ndihmuar Naomin. Ai zgjodhi t’ia linte atë përgjegjësi riblerësit që vinte pas tij, Boazit. E Boazi e mori mbi supe përgjegjësinë, sepse donte ‘që emri i të ndjerit të rivendosej në trashëgiminë e tij’.—Rutha 4:10.

Me sa duket, filanit i interesonte më shumë të ruante emrin dhe trashëgiminë e vet. Ai u drejtua nga egoizmi. Por me gjithë përpjekjet që bëri, emri i filanit u mbulua nga pluhuri i harresës. Veç kësaj humbi privilegjin e veçantë që mori Boazi. Emrin e Boazit sot e gjejmë në listën e paraardhësve të Mesisë, Jezu Krishtit. Çfarë pasojash të trishtueshme për filanin ngaqë u drejtua nga egoizmi dhe nuk shfrytëzoi mundësinë për të ndihmuar dikë në nevojë!—Mat. 1:5; Luka 3:23, 32.