A e dini?
A është Mordekai një figurë historike?
NJË jude që quhej Mordeká luan rol kyç në ngjarjet e një libri të Biblës, librit të Esterës. Ai ishte një mërgimtar jude që punonte në pallatin mbretëror të Persisë në fillim të shekullit të pestë p.e.s. ‘në ditët e mbretit Asuer’. (Sot mendohet se ky mbret ishte Kserksi I.) Mordekai bëri të dështonte një komplot për të vrarë mbretin. Nga mirënjohja, mbreti mori masa që Mordekai të nderohej publikisht. Më vonë, pas vdekjes së Hamanit, një armiku të Mordekait dhe të judenjve të tjerë, mbreti e caktoi Mordekain në postin e kryeministrit. Kjo i dha mundësi Mordekait të nxirrte një dekret që i shpëtonte nga gjenocidi judenjtë në Perandorinë Perse.—Est. 1:1; 2:5, 21-23; 8:1, 2; 9:16.
Në fillim të shekullit të 20-të, disa historianë thoshin se libri i Esterës është histori e trilluar dhe se Mordekai nuk ka ekzistuar kurrë. Mirëpo në vitin 1941, arkeologët gjetën dëshmi që mund të mbështetin atë që thotë Bibla për Mordekain. Çfarë gjetën?
Ata zbuluan një dokument pers me shkrim kuneiform ku përmendet një burrë i quajtur Marduka (një variant i emrit Mordeká). Ai punonte në qytetin e Shushanit si administrator, ka të ngjarë si llogaritar. Sipas Artur Ungnadit, specialist për historinë e Lindjes, ky mbishkrim kuneiform ishte deri atëherë «i vetmi rast, përveç Biblës, ku përmendet Mordekai».
Qysh nga koha kur Ungnadi shkroi ato fjalë, studiuesit kanë përkthyer mijëra dokumente të tjera perse me shkrim kuneiform. Ndër to janë pllakat e Persepolit, që u gjetën në ca rrënoja afër mureve të qytetit, aty ku ndodhej më parë Thesari. Këto pllaka datojnë nga koha e mbretërimit të Kserksit I. Janë shkruar në gjuhën elamite dhe përmbajnë disa emra që gjenden në librin e Esterës. a
Disa nga pllakat e Persepolit përmendin një burrë të quajtur Marduka, i cili shërbente si skrib ose sekretar i mbretit në pallatin e Shushanit gjatë mbretërimit të Kserksit I. Në një pllakë thuhet se Marduka ishte përkthyes. Kjo hollësi përkon me atë që thotë Bibla për Mordekain. Ai ishte një funksionar në oborrin e mbretit Asuer (Kserksi I) dhe fliste të paktën dy gjuhë. Mordekai ulej rregullisht te porta e mbretit në pallatin e Shushanit. (Est. 2:19, 21; 3:3) Ajo portë mbretërore ishte një ndërtesë madhështore ku punonin zyrtarët e pallatit.
Mes Mardukës që përmendin këto pllaka dhe Mordekait që përmend Bibla ka ngjashmëri interesante. Ata jetuan në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend dhe shërbyen në poste zyrtare në të njëjtin vend pune. Të gjitha këto ngjashmëri që nxjerrin në pah zbulimet arkeologjike, me sa duket tregojnë që Marduka ishte Mordekai i librit të Esterës.
a Në vitin 1992, historiani Edvin Jamauçi botoi një artikull ku përmendeshin dhjetë emra nga dokumentet e Persepolit që gjenden edhe në librin e Esterës.