Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

«Doja t’i shërbeja Jehovait»

«Doja t’i shërbeja Jehovait»

NDËRSA largoheshim, përshëndetnim me dorë grupin e vogël që kishim vizituar në fshatin Granbur, thellë në pyjet e shiut në Surinam. Pastaj nisëm lundrimin me varkë në lumin Tapanahon. Teksa kalonim nëpër pragjet e lumit, helika e motorit goditi një shkëmb. Menjëherë bashi i varkës u fundos dhe ne përfunduam nën ujë. Sa s’po më dilte zemra vendit! Edhe pse kisha vite që udhëtoja me varkë si mbikëqyrës qarkor, s’dija not.

Para se t’ju rrëfej ç’ndodhi më vonë, po ju tregoj si nisa të shërbeja në kohë të plotë.

Linda në vitin 1942 në Kurasao, një ishull mahnitës në Karaibe. Babai ishte me origjinë nga Surinami, por u transferua në atë ishull për të punuar. Ai ishte një nga Dëshmitarët e parë të Jehovait që u pagëzuan në Kurasao nja dy vite para se të lindja unë. a Babai na bënte çdo javë studimin e Biblës, edhe pse nuk e kishte gjithmonë të lehtë me ne. Kur isha 14 vjeç, u transferuam në Surinam, që ai të kujdesej për mamanë e tij të moshuar.

NDIKIMI I SHOQËRISË SË MIRË

Në Surinam, fillova të shoqërohesha me të rinj në kongregacion që ishin të zellshëm në shërbim të Jehovait. Ishin pak më të rritur se unë dhe shërbenin si pionierë të rregullt. Kur tregonin për shërbimin, u shkëlqente fytyra nga gëzimi. Gjithashtu, pas mbledhjeve, bisedoja me miqtë e mi për tema të ndryshme nga Bibla—ndonjëherë ndërsa rrinim ulur nën qiellin plot yje. Ata miq më ndihmuan të kuptoja çfarë doja të bëja me jetën time: doja t’i shërbeja Jehovait. Prandaj, kur isha 16 vjeç u pagëzova dhe kur isha 18 vjeç fillova shërbimin si pionier i rregullt.

MËSIME TË VYERA

Kur shërbeja si pionier në Paramaribo

Ndërsa shërbeja si pionier, nxora shumë mësime të vyera që më ndihmuan gjatë gjithë shërbimit në kohë të plotë. Për shembull, një ndër mësimet e para ishte sa rëndësi ka të stërvitim të tjerët. Kur fillova si pionier, një misionar që quhej Uillem van Seijli b më mbante afër dhe më mësonte si t’i kryeja caktimet teokratike. Në atë kohë s’e kisha idenë sa shumë nevojë kisha për stërvitje. Vitin pasues më emëruan pionier special, e pastaj fillova të merrja drejtimin në grupe të izoluara thellë në pyjet e shiut në Surinam. Sa e çmoj stërvitjen që më dhanë vëllezërit fiks në kohën e duhur! Që atëherë jam përpjekur të imitoj shembullin e tyre duke lënë kohë për të stërvitur të tjerët.

Një mësim i dytë që nxora ishte avantazhi që ka një jetë e thjeshtë por e planifikuar mirë. Në fillim të çdo muaji, ulesha me shokun e shërbimit dhe planifikonim çfarë furnizimesh na duheshin për javët e ardhshme. Pastaj njëri nga ne bënte udhëtimin e gjatë për në kryeqytet, që të blinte gjërat e nevojshme. Duhej t’i shpenzonim me kujdes lekët e muajit dhe të tregoheshim nikoqirë, që furnizimet të zgjasnin për gjithë muajin. Po të na mbaronte ndonjë gjë në pyjet e shiut, vështirë se do të gjenim dikë të na ndihmonte. Mendoj se ky mësim që nxora në moshë të re, pra që të bëja një jetë të thjeshtë e të planifikuar mirë, më ka ndihmuar gjatë gjithë jetës të përqendrohem te shërbimi i Jehovait.

Mësimi i tretë ishte sa dobi ka t’i mësosh njerëzit në gjuhën e amtare. Gjatë fëmijërisë flisja gjuhët holandeze, angleze, papiamento dhe sranantongo (e njohur edhe si gjuha sranan), gjuha që flet shumica e popullsisë në Surinam. Por në pyjet e shiut, njerëzit reagonin më mirë kur u predikoja lajmin e mirë në gjuhën e nënës. S’e kisha kollaj të flisja disa nga këto gjuhë, si për shembull gjuhën saramakan që përdor tone të larta dhe të ulëta. Ama, ia vlente barra qiranë të përpiqesha. Gjatë viteve pata mundësi t’u mësoja të vërtetën shumë vetave vetëm ngaqë flisja në gjuhën e tyre amtare.

Natyrisht, kam bërë edhe gafa që krijonin situata të sikletshme. Për shembull, në një rast doja të pyesja një studente të Biblës që fliste gjuhën saramakan si ndihej, meqë kishte pasur dhimbje barku. Por në fakt e pyeta nëse ishte shtatzënë! S’do mend që s’i pëlqeu fare pyetja ime. Pavarësisht nga gafa të tilla, në caktimet e mia përpiqesha gjithmonë t’u flisja të tjerëve në gjuhën amtare.

MARR MBI SUPE PËRGJEGJËSI TË TJERA

Në vitin 1970 më emëruan mbikëqyrës qarkor. Atë vit u shfaqa shumë grupeve të izoluara në pyjet e shiut programin me diapozitiva «Vizitë në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait». Që të shkonim tek ato grupe, unë dhe disa vëllezër lundronim në lumenjtë e pyjeve të shiut me një varkë të gjatë druri. Në varkë merrnim një gjenerator, një bidon me karburant, llamba me benzinë dhe pajisjen e projektimit. Kur mbërrinim në destinacion, i transportonim të gjitha pajisjet në vendin ku do të shfaqnim programin. Ama, ajo që nuk harroj kurrë nga ato udhëtime është sa shumë u pëlqenin ato programe njerëzve në zonat e izoluara. Më mbushej zemra me gëzim kur ndihmoja të tjerët të mësonin për Jehovain dhe për pjesën tokësore të organizatës së tij. Kur i shihja që lidhnin miqësi me Jehovain, çdo sakrificë që bëja në shërbim të tij ishte e papërfillshme.

THURIM LITARIN TRESH

Në shtator 1971 u martova me Etelën

Ndonëse e kuptoja që beqaria ishte një avantazh në shërbimin që bëja, prapë ndieja se kisha nevojë për një shoqe jete. Prandaj fillova të lutesha specifikisht që të gjeja një bashkëshorte e cila do t’i përballonte me gëzim parehatitë e shërbimit në kohë të plotë në pyjet e shiut. Një vit më vonë, nisa të njihesha me Etelën, një pioniere speciale me një frymë vetëmohuese. Që në fëmijëri, Etela e admironte apostullin Pavël dhe dëshironte të jepte pa u kursyer në shërbim njësoj si ai. U martuam në shtator 1971 dhe filluam të shërbenim në veprën qarkore si çift.

Etela nuk kishte pasur shumë të mira materiale kur ishte e vogël, prandaj e pati të lehtë të përshtatej me veprën udhëtuese në pyjet e shiut. Për shembull, kur përgatiteshim për të vizituar kongregacione thellë në pyje, merrnim me vete pak gjëra. Rrobat i lanim në lumenj, e aty laheshim edhe vetë. Gjithashtu hanim ç’të na vinin para vëllezërit ku strehoheshim—iguana, pirana ose çdo gjë tjetër që mund të kishin zënë në pyll a në lumë. Kur s’kishte pjata, hanim në gjethe bananesh. Kur s’kishte lugë e pirunë, hanim me gishta. Etela dhe unë mendojmë se sakrificat që kemi bërë së bashku në shërbim të Jehovait na kanë ndihmuar të thurim një litar tresh mjaft të fortë. (Ekl. 4:12) S’do t’i këmbenim ato përvoja me asgjë në botë!

Historia që ju tregova në fillim ndodhi kur po ktheheshim nga një zonë e izoluar në pyjet e shiut. Ndërsa varka kalonte përmes pragjeve të lumit, për një moment u fundos, por doli shpejt në sipërfaqe. Shyqyr që kishim veshur jelekët e shpëtimit dhe nuk ramë nga varka! Por ajo ishte mbushur me ujë, prandaj zbrazëm në lumë enët me ushqime dhe i përdorëm për të nxjerrë ujin nga varka.

Meqë kishim mbetur pa ushqim, filluam të peshkonim teksa lundronim. Por s’po zinim gjë për qamet. Prandaj iu lutëm Jehovait të na jepte ushqimin për atë ditë. Sapo mbaruam lutjen, një nga vëllezërit hodhi grepin dhe zuri një peshk aq të madh, sa u ngopëm të gjithë atë darkë.

BASHKËSHORT, BABA DHE MBIKËQYRËS UDHËTUES

Pas 5 vitesh në veprën udhëtuese, unë dhe Etela patëm një bekim të papritur—do të bëheshim prindër. U ndieva i lumtur kur mora lajmin, por nuk isha i sigurt çfarë do të sillte e ardhmja. Të dy donim me gjithë zemër që, po të ishte e mundur, të vazhdonim shërbimin në kohë të plotë. Në vitin 1976 lindi djali ynë Etnieli. Dy vite e gjysmë më vonë na lindi djali i dytë, Xhovani.

Gjatë një pagëzimi në lumin Tapanahon pranë Godo-Holos në Surinamin Lindor—1983

Për të plotësuar nevojat e territorit të Surinamit, zyra e degës i rregulloi gjërat që unë të vazhdoja shërbimin si mbikëqyrës qarkor ndërkohë që rritnim fëmijët. Kur djemtë ishin të vegjël, më caktuan si mbikëqyrës në qarqe me më pak kongregacione. Zakonisht kjo më jepte mundësinë të shërbeja dy javë në muaj si mbikëqyrës udhëtues dhe pjesën tjetër të muajit si pionier në kongregacionin ku ishim caktuar. Etela dhe djemtë më shoqëronin kur vizitoja kongregacione aty afër. Mirëpo, kur shërbeja në kongregacione dhe asamble thellë në pyjet e shiut, udhëtoja vetëm.

Në veprën qarkore, udhëtoja shpesh me varkë për të vizituar kongregacionet e izoluara

Më duhej t’i organizoja mirë punët që të përmbushja të gjitha përgjegjësitë e mia. Sigurohesha që të mbanim studimin familjar çdo javë. Kur shkoja për të vizituar kongregacionet në pyje, studimin familjar me fëmijët e bënte Etela. Por, sa herë ishte e mundur i bënim gjërat bashkë si familje. Gjithashtu, unë dhe Etela zbaviteshim rregullisht me djemtë—qoftë me lojëra të ndryshme, qoftë me vizita në vende interesante. Shpesh unë rrija deri natën vonë, që të përgatitesha për caktimet teokratike. Kurse Etela, si gruaja e zonjë e përshkruar te Proverbat 31:15, ngrihej pa gdhirë që të kishim mundësi të lexonim shkrimin e ditës si familje dhe të hanim mëngjesin bashkë, para se çunat të shkonin në shkollë. Sa mirënjohës jam për një grua kaq vetëmohuese e cila më ka ndihmuar gjithmonë të përmbush përgjegjësitë që më ka dhënë Jehovai!

Si prindër, punuam me mish e me shpirt që t’i ndihmonim djemtë ta donin Jehovain dhe shërbimin. Dëshironim që ata ta zgjidhnin vetë shërbimin në kohë të plotë si karrierën e tyre, jo ngaqë kjo ishte dëshira jonë. Përherë u theksonim sa gëzime vijnë kur shërben në kohë të plotë. Pa anashkaluar vështirësitë, u theksonim si na kishte ndihmuar dhe bekuar Jehovai si familje. Siguroheshim edhe që djemtë të kalonin kohë me Dëshmitarë që vinin në vend të parë në jetë Jehovain.

Jehovai na siguroi çdo gjë të nevojshme ndërsa rritnim fëmijët. Patjetër, unë përpiqesha gjithmonë të bëja pjesën time. Përvoja që fitova në beqari kur shërbeja si pionier special në pyjet e shiut, më mësoi të planifikoja që më parë për nevojat materiale. Megjithatë, kishte raste që, edhe pse përpiqeshim fort, s’kishim çdo gjë që na nevojitej. Në ato raste, besoj se Jehovai ndërhynte për të na ndihmuar. Për shembull, në fund të viteve 80 e nga fillimi i viteve 90, në Surinam kishte një luftë civile. Në ato vite, ndonjëherë nuk kishim as gjërat bazë. Prapëseprapë, Jehovai na siguronte ç’na nevojitej.—Mat. 6:32.

ASNJË PISHMANLLËK

Nga e majta në të djathtë: me bashkëshorten time, Etelën

Djali i madh, Etnieli, me të shoqen, Natalinë

Djali i vogël, Xhovani, me të shoqen, Kristalin

Gjatë gjithë jetës, Jehovai është kujdesur për ne dhe na ka ndihmuar të jemi të lumtur dhe të kënaqur. Djemtë kanë qenë një bekim i madh për ne. Çfarë privilegji ishte t’i rritnim me dëshirën për t’i shërbyer Jehovait! Na gufon zemra që edhe ata zgjodhën ta bënin shërbimin në kohë të plotë karrierën e tyre. Etnieli dhe Xhovani janë diplomuar në shkolla teokratike dhe tani po shërbejnë në zyrën e degës në Surinam bashkë me gratë e tyre.

Tani unë dhe Etela jemi të moshuar, por prapëseprapë jemi zhytur në shërbimin si pionierë specialë. Aq të zënë jemi, sa akoma s’kam gjetur kohë për të mësuar notin! Ama, s’kam asnjë pishmanllëk. Kur kthej kokën pas, e them me plot gojën se vendimi që mora në rini për ta bërë shërbimin në kohë të plotë karrierën time, ishte një nga vendimet më të shkëlqyera të jetës.

b Jetëshkrimi i Uillem van Seijlit, «Realiteti i ka tejkaluar ato që prisja», është botuar në revistën Zgjohuni! të tetorit 1999