Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 47

Mos lejo asgjë të të ndajë nga Jehovai

Mos lejo asgjë të të ndajë nga Jehovai

«Unë, o Jehova, kam besim te ti.»—PSAL. 31:14.

KËNGA 122 Asgjë s’më lëkund!

PËRMBLEDHJE a

1. Nga e dimë se Jehovai dëshiron të ketë një lidhje të ngushtë me ne?

 JEHOVAI na fton të lidhim një miqësi të ngushtë me të. (Jak. 4:8) Ai dëshiron të jetë Perëndia ynë, Ati ynë dhe Miku ynë. Jehovai u përgjigjet lutjeve tona dhe na ndihmon në kohë të vështira. Gjithashtu përdor organizatën e tij që të na mësojë dhe të na mbrojë. Po ç’duhet të bëjmë që të afrohemi me Jehovain?

2. Si mund të afrohemi me Jehovain?

2 Afrohemi me Jehovain duke iu lutur dhe duke lexuar e medituar për Fjalën e tij. Kur i bëjmë këto, na gufon zemra nga dashuria dhe mirënjohja për të. Ndihemi të motivuar t’i bindemi dhe ta lëvdojmë, pasi ai e meriton plotësisht. (Zbul. 4:11) Sa më mirë ta njohim Jehovain, aq më shumë besim do të kemi tek Ai dhe tek organizata që përdor për të na ndihmuar.

3. Si përpiqet Djalli të na ndajë nga Jehovai, por ç’do të na ndihmojë të mos largohemi kurrë nga Perëndia ynë dhe organizata e tij? (Psalmi 31:13, 14)

3 Mirëpo Djalli përpiqet të na ndajë nga Jehovai, sidomos kur hasim vështirësi. Çfarë strategjie ndjek? Ai përpiqet të na e gërryejë pak nga pak besimin te Jehovai dhe tek organizata e Tij. Megjithatë mund të mbrohemi nga taktikat e Djallit. Nëse besimi ynë te Jehovai është i palëkundur, s’do t’i kthejmë shpinën Perëndisë tonë dhe organizatës së tij.—Lexo Psalmin 31:13, 14.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Në këtë artikull, do të shohim tri vështirësi që mund të na vijnë nga jashtë kongregacionit; secila prej tyre mund të na e gërryejë besimin te Jehovai dhe tek organizata e tij. Si mund të na ndajnë nga Jehovai këto vështirësi? Dhe ç’mund të bëjmë që përpjekjet e Satanait të shkojnë kot?

KUR NA BIEN SPROVA

5. Si mund të na e gërryejnë sprovat besimin te Jehovai dhe tek organizata e tij?

5 Hera-herës kalojmë sprova, si kundërshtimi nga familja ose humbja e punës. Si mund të na e gërryejnë sprova të tilla besimin tek organizata e Jehovait dhe të na ndajnë prej tij? Kur heqim sprova për një kohë të gjatë, mund të ndihemi të pashpresë e të shkurajuar. Satanai i shfrytëzon këto raste dhe përpiqet të na futë dyshimin se Jehovai nuk na do. Djalli do që të mendojmë se fajin për vuajtjet tona e ka Jehovai ose organizata e Tij. Diçka e ngjashme u ndodhi disa izraelitëve në Egjipt. Në fillim, ata e besuan se Jehovai kishte caktuar Moisiun dhe Aronin për t’i çliruar nga skllavëria. (Eks. 4:29-31) Por më vonë, kur faraoni ua nxiu më shumë jetën, ia hodhën fajin Moisiut dhe Aronit për problemet e tyre, duke u thënë: «Për fajin tuaj faraoni dhe shërbëtorët e tij na urrejnë, dhe ju u keni vënë shpatën në dorë që të na vrasin.» (Eks. 5:19-21) Sa gjë e trishtueshme që bënë me faj shërbëtorët besnikë të Perëndisë! Nëse ke kohë që po lufton me sprova, si mund ta mbash të fortë besimin te Jehovai dhe tek organizata e tij?

6. Kur kalojmë sprova, çfarë na nxit të bëjmë shembulli i profetit Habakuk? (Habakuku 3:17-19)

6 Zbrazja zemrën Jehovait në lutje dhe mbështetu me besim tek ai. Profeti Habakuk kaloi shumë sprova. E me sa duket, filloi të dyshonte nëse Jehovai interesohej për të. Prandaj ia zbrazi zemrën në lutje, duke i thënë: «Deri kur, o Jehova, do të të thërras për ndihmë, e ti nuk do të dëgjosh? . . . Pse e toleron shtypjen?» (Hab. 1:2, 3) Jehovai iu përgjigj lutjes nga zemra të shërbëtorit të tij besnik. (Hab. 2:2, 3) Pasi meditoi si e kishte shpëtuar Jehovai popullin e Tij, Habakukut iu përtëri gëzimi. Ndihej i sigurt se Jehovai merakosej për të dhe do ta ndihmonte t’i bënte ballë çdo sprove. (Lexo Habakukun 3:17-19.) Mësimi për ne? Kur kalon sprova, lutju Jehovait dhe tregoji si ndihesh. Pastaj mbështetu tek ai me besim. Kështu mund të jesh i sigurt se do të të japë forcën e nevojshme për të treguar qëndrueshmëri. E kur të provosh si të mbështet Jehovai, do të të forcohet besimi tek ai.

7. Si u përpoq t’ia gërryente besimin Shirlit një i afërm, por çfarë e ndihmoi që të mos e humbte besimin te Jehovai?

7 Vazhdo të ndjekësh programin tënd teokratik. Tamam kjo e ndihmoi Shirlin, një motër në Papua Guinenë e Re, kur përballoi probleme. b Familja e Shirlit ishte e varfër dhe, sado që rropateshin, ndonjëherë nuk kishin mjaft për të ngrënë. Një i afërm u përpoq t’ia gërryente besimin te Jehovai me këto fjalë: «Ti thua se të ndihmon fryma e shenjtë e Perëndisë. Po ku e ke ndihmën?! Ja, familja është akoma e varfër. Po humb kohën kot me predikime.» Shirli pranon: «Fillova të vrisja mendjen: ‘A interesohet Perëndia për ne, apo jo?’ Prandaj iu luta menjëherë Jehovait dhe i tregova çdo mendim që më shqetësonte. Vazhdova të lexoja Biblën dhe botimet tona, të predikoja e të ndiqja mbledhjet.» S’kaloi shumë dhe Shirli e dalloi se Jehovai po kujdesej për familjen e saj. Ata nuk vuanin nga uria dhe ishin të lumtur. Shirli thotë: «E kuptova se Jehovai po u përgjigjej lutjeve të mia.» (1 Tim. 6:6-8) Nëse ndjek me vendosmëri programin tënd teokratik, edhe ti nuk do të lejosh që sprovat ose dyshimet të të ndajnë nga Jehovai.

KUR PËRNDIQEN VËLLEZËRIT PËRGJEGJËS

8. Çfarë mund të ndodhë me vëllezërit përgjegjës në organizatën e Jehovait?

8 Nëpërmjet medias dhe rrjeteve sociale, armiqtë tanë përhapin gënjeshtra ose informacione të shtrembëruara për vëllezërit përgjegjës në organizatën e Jehovait. (Psal. 31:13) Disa vëllezër i kanë arrestuar dhe i kanë akuzuar si kriminelë. Të krishterët në shekullin e parë hasën një situatë të ngjashme kur apostullin Pavël e akuzuan dhe e arrestuan padrejtësisht. Si reaguan ata?

9. Si reaguan disa të krishterë kur u burgos apostulli Pavël?

9 Kur apostullin Pavël e burgosën në Romë, disa të krishterë të shekullit të parë nuk e mbështetën më. (2 Tim. 1:8, 15) Pse? Mos ndoshta u vinte turp të shoqëroheshin me Pavlin ngaqë njerëzit e shihnin si kriminel? (2 Tim. 2:8, 9) Apo kishin frikë se mos i përndiqnin edhe ata? Cilado të ishte arsyeja, imagjino si duhet të jetë ndier Pavli. Ai kishte hequr gjithë ato sprova dhe madje kishte vënë kokën në rrezik për ta. (Vep. 20:18-21; 2 Kor. 1:8) Mos qofshim kurrë si ata që e braktisën Pavlin atëherë kur kishte nevojë! Ç’duhet të mbajmë parasysh kur përndiqen vëllezërit përgjegjës?

10. Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur përndiqen vëllezërit përgjegjës, dhe pse?

10 Të mos harrojmë arsyen pse na përndjekin dhe kush i shkakton përndjekjet. Te 2 Timoteut 3:12 thuhet: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim ndaj Perëndisë në unitet me Krishtin Jezu, do të përndiqen.» Prandaj s’ka pse të habitemi që vëllezërit përgjegjës janë shënjestër e sulmeve të Satanait. Synimi i tij është që me këto sulme t’u thyejë integritetin e të na frikësojë ne.—1 Pjet. 5:8.

Ndonëse Pavli ishte në vargonj, Onesifori e mbështeti me guxim. Sot, vëllezërit dhe motrat i mbështetin bashkëbesimtarët e burgosur, siç tregohet në këtë inskenim (Shih paragrafët 11-12)

11. Çfarë mësojmë nga shembulli i Onesiforit? (2 Timoteut 1:16-18)

11 Vazhdo t’i mbështetësh dhe t’u qëndrosh besnik vëllezërve që përndiqen. (Lexo 2 Timoteut 1:16-18.) Onesifori, një i krishterë i shekullit të parë, reagoi ndryshe kur Pavlin e futën në burg. Atij ‘nuk i erdhi turp për vargonjtë’ e Pavlit. Përkundrazi, Onesifori bëri çmos ta gjente dhe pastaj kërkoi mënyra praktike si ta mbështeste, duke vënë në rrezik edhe jetën. Mësimi për ne? S’duhet të lejojmë që frika nga njeriu të na trembë ose të na pengojë t’i mbështetim vëllezërit që përndiqen. Përkundrazi, duam t’i mbrojmë e t’u bëhemi krah. (Prov. 17:17) Ata kanë nevojë për dashurinë dhe për mbështetjen tonë.

12. Ç’mësojmë nga vëllezërit e motrat në Rusi?

12 Të mendojmë si u bëhen krah vëllezërit e motrat në Rusi bashkëbesimtarëve të dashur që burgosen. Kur disa i çojnë para gjyqit, shumë vëllezër e motra shkojnë në gjykatë për t’i mbështetur. Mësimi për ne? Kur vëllezërit përgjegjës i njollosin me shpifje, i arrestojnë ose i përndjekin, mos u tremb. Lutu për ta, kujdesu për pjesëtarët e familjes së tyre dhe kërko mënyra të tjera praktike si t’i mbështetësh.—Vep. 12:5; 2 Kor. 1:10, 11.

KUR NA TALLIN

13. Si mund të na e gërryejnë talljet besimin te Jehovai dhe tek organizata e tij?

13 Të afërmit ose shokët e punës a të shkollës që s’janë në të vërtetën, mund të na tallin ngaqë marrim pjesë në veprën e predikimit ose ngaqë jetojmë sipas normave morale të larta të Jehovait. (1 Pjet. 4:4) Ata mund të thonë: «Ti më pëlqen. Ama, feja që ndjek është tepër strikte dhe e shkëputur nga realiteti.» Disa mund të na kritikojnë për mënyrën si veprojmë me të përjashtuarit, duke thënë: «E si mund të pretendoni se jeni njerëz të dashur?!» Komente si këto mund të mbjellin në mendjen tonë farat e dyshimit, e ndoshta fillojmë të dyshojmë: «Mos po kërkon ca si shumë nga unë Jehovai? A na e kufizon tepër lirinë organizata e tij?» Nëse gjendesh në një situatë të tillë, si mund të qëndrosh i lidhur ngushtë me Jehovain dhe me organizatën e tij?

Jobi nuk u besoi gënjeshtrave të të ashtuquajturve miq që e tallnin. Përkundrazi, ishte i vendosur të mbante integritetin ndaj Jehovait (Shih paragrafin 14)

14. Si duhet të reagojmë kur të tjerët na tallin ngaqë jetojmë sipas standardeve të Jehovait? (Psalmi 119:50-52)

14 Ji i vendosur të jetosh sipas standardeve të Jehovait. Jobi jetonte sipas standardeve të Jehovait, ndonëse e tallnin për këtë. Madje një nga ata që pretendonin se ishin miq të Jobit, u përpoq t’i mbushte mendjen se Perëndisë nuk i interesonte fare nëse jetonte sipas standardeve të Tij. (Jobi 4:17, 18; 22:3) Por Jobi nuk i besoi ato gënjeshtra. Ai e dinte se standardet e Jehovait për të mirën dhe të keqen janë të drejta dhe ishte i vendosur të jetonte sipas tyre. Nuk lejoi që të tjerët t’ia thyenin integritetin. (Jobi 27:5, 6) Mësimi për ne? Mos lejo që talljet të të bëjnë të dyshosh nëse standardet e Jehovait janë të drejta. A nuk e ke provuar sa e sa herë në jetën tënde se standardet e Jehovait janë të drejta dhe të sjellin dobi? Ji i vendosur të jesh gjithnjë pjesë e organizatës që përkrah këto standarde. Atëherë talljet, sado të shumta e nga kushdo qofshin, nuk do të të ndajnë kurrë nga Jehovai.—Lexo Psalmin 119:50-52.

15. Pse e tallnin të afërmit Brixhitën?

15 Të marrim rastin e një motre në Indi që quhet Brixhita. Pjesëtarët e familjes e tallnin për shkak të besimit. Pak pasi u pagëzua në vitin 1997, burri i saj që nuk ishte Dëshmitar humbi punën. Prandaj, ai vendosi që bashkë me gruan dhe dy vajzat të jetonin me prindërit e tij, që banonin në një qytet tjetër. Por Brixhitën e prisnin sprova edhe më të mëdha. Ngaqë i shoqi ishte pa punë, asaj i duhej të punonte në kohë të plotë për të mbajtur familjen. Veç kësaj, kongregacioni më i afërt ishte 350 kilometra larg. Mjerisht, familja e burrit e kundërshtonte për shkak të besimit. Situata u rëndua aq shumë, sa familjes së Brixhitës iu desh të transferohej përsëri. Ca kohë më vonë, burri i saj vdiq papritur. Më pas, një nga vajzat vdiq nga kanceri kur ishte vetëm 12 vjeçe. Si të mos mjaftonin këto, të afërmit ia nxinin jetën duke ia hedhur fajin asaj për tragjeditë. I thoshin se po të mos ishte bërë Dëshmitare e Jehovait, nuk do t’i kishin rënë gjithë ato të zeza. Prapëseprapë, ajo vazhdoi të kishte besim te Jehovai e të qëndronte pranë organizatës së tij.

16. Çfarë bekimesh pati Brixhita ngaqë qëndroi e lidhur ngushtë me Jehovain dhe me organizatën e tij?

16 Meqë Brixhita e kishte goxha larg kongregacionin, një mbikëqyrës qarkor e nxiti të predikonte në zonën ku jetonte dhe t’i mbante mbledhjet në shtëpinë e saj. Në fillim Brixhitës iu duk tepër e vështirë kjo. Megjithatë, e ndoqi këshillën e mbikëqyrësit. U fliste për lajmin e mirë të tjerëve, mbante mbledhjet në shtëpinë e saj dhe bënte rregullisht adhurimin familjar me vajzat. Cilat ishin rezultatet? Brixhita arriti të fillonte shumë studime dhe mjaft studentë të saj u pagëzuan. Në vitin 2005 nisi të shërbente si pioniere e rregullt. Besimi i saj te Jehovai dhe besnikëria ndaj organizatës së tij u shpërblyen. Vajzat po i shërbejnë me besnikëri Jehovait dhe tani ka dy kongregacione në zonën ku predikonte. Brixhita është e bindur se Jehovai i dha forcë të përballonte sprovat e të duronte talljet e të afërmve.

QËNDROJI BESNIK JEHOVAIT DHE ORGANIZATËS SË TIJ

17. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?

17 Satanai do që të mendojmë se Jehovai do të na braktisë në kohë sprovash dhe se qëndrimi në organizatën e Tij vetëm sa do të na e vështirësojë jetën. Satanai do edhe të frikësohemi kur vëllezërit përgjegjës i njollosin me shpifje, i përndjekin ose i burgosin. E nëpërmjet talljeve, do që të na gërryejë besimin te standardet e Jehovait dhe tek organizata e Tij. Megjithatë, ne e dimë mirë çfarë taktikash të liga përdor dhe nuk mashtrohemi. (2 Kor. 2:11) Kështu, ji vendosur t’i flakësh tej gënjeshtrat e Satanait e t’i qëndrosh besnik Jehovait dhe organizatës së Tij. Mos harro se Jehovai nuk ka për të të braktisur kurrë. (Psal. 28:7) Prandaj mos lejo asgjë të të ndajë nga Jehovai!—Rom. 8:35-39.

18. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

18 Në këtë artikull u ndalëm te disa vështirësi që mund të vijnë nga jashtë kongregacionit. Por, besimi ynë te Jehovai dhe tek organizata e tij mund të sprovohet edhe nga vështirësi që hasim brenda kongregacionit. Si mund t’i përballojmë me sukses vështirësi të tilla? Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin tjetër.

KËNGA 118 «Na jep më shumë besim»

a Për të qëndruar besnikë në këto ditë të fundit, duhet të vazhdojmë të kemi besim te Jehovai dhe tek organizata e tij. Djalli përpiqet t’i shfrytëzojë sprovat që të na e shkatërrojë besimin. Në këtë artikull do të shohim tri vështirësi që shfrytëzon Djalli dhe ç’mund të bëjmë që përpjekjet e tij të shkojnë kot.

b Disa emra janë ndryshuar.