ARTIKULLI I STUDIMIT 48
Ruaj gjykimin kur të sprovohet besnikëria
«Ruaj gjykimin në gjithçka.»—2 TIM. 4:5.
KËNGA 123 Besnikë ndaj Jehovait dhe teokracisë
PËRMBLEDHJE a
1. Si mund ta ruajmë gjykimin? (2 Timoteut 4:5)
KUR hasim sfida, mund të na sprovohet besnikëria ndaj Jehovait dhe organizatës së tij. Ç’duhet të bëjmë që t’i përballojmë vështirësitë? Duhet të ruajmë gjykimin dhe të rrimë zgjuar, duke e mbajtur të patundur besimin. (Lexo 2 Timoteut 4:5.) E ruajmë gjykimin duke qëndruar të qetë, duke menduar me kthjelltësi dhe duke bërë çmos t’i shohim gjërat siç i sheh Jehovai. Kështu nuk do të lejojmë që mendimet tona të drejtohen nga ndjenjat.
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Në artikullin e kaluar folëm për tri vështirësi që mund të na vijnë nga jashtë kongregacionit. Në këtë artikull do të shohim tri vështirësi që hasim brenda kongregacionit dhe që mund të na sprovojnë besnikërinë ndaj Jehovait. Ato janë: (1) kur mendojmë se na ka trajtuar padrejtësisht një bashkëbesimtar, (2) kur marrim disiplinë dhe (3) kur e kemi të vështirë të përshtatemi me ndryshimet në organizatë. Si mund ta ruajmë gjykimin dhe t’i qëndrojmë besnikë Jehovait e organizatës së tij kur përballojmë këto sfida?
KUR MENDOJMË SE NJË BASHKËBESIMTAR NA KA TRAJTUAR PADREJTËSISHT
3. Si mund të reagojmë nëse mendojmë se na ka trajtuar padrejtësisht një bashkëbesimtar?
3 A je ndier ndonjëherë i lënduar nga mënyra si të ka trajtuar një bashkëbesimtar, ndoshta një vëlla me përgjegjësi? Ka shumë mundësi që vëllai nuk të lëndoi me dashje. (Rom. 3:23; Jak. 3:2) Prapëseprapë, mënyra si veproi mund të të ketë mërzitur. Ndoshta s’të zinte gjumi ndërsa sillje në mend atë gjë, e mbase edhe fillove të dyshoje: «Nëse një vëlla sillet në këtë mënyrë, a është vërtet kjo organizata e Perëndisë?» Tamam kështu dëshiron Satanai të reagosh. (2 Kor. 2:11) Po të bluajmë mendime të tilla negative, mund të largohemi nga Jehovai dhe nga organizata e tij. Prandaj, nëse mendojmë se na ka trajtuar padrejtësisht një vëlla a një motër, si mund ta ruajmë gjykimin dhe të mos bluajmë mendime të dëmshme?
4. Si e ruajti gjykimin Jozefi kur e trajtuan padrejtësisht, dhe cilat mësime mund të nxjerrim nga shembulli i tij? (Zanafilla 50:19-21)
4 Mos lejo të mbushesh me mllef. Kur Jozefi ishte adoleshent, vëllezërit e mëdhenj silleshin keq me të. Ata e urrenin, e madje disa donin ta vrisnin. (Zan. 37:4, 18-22) Në fund e shitën si skllav. Si pasojë e kësaj, Jozefi hoqi sprova të rënda që zgjatën rreth 13 vjet. Ai mund të kishte dyshuar nëse Jehovai e donte vërtet. Gjithashtu mund të kishte pyetur veten nëse Jehovai e kish braktisur tamam kur kishte më shumë nevojë. Megjithatë, Jozefi nuk u mbush me mllef. Përkundrazi, ruajti gjykimin duke qëndruar i qetë. Kur u krijua mundësia të hakmerrej kundër vëllezërve të tij, nuk e bëri këtë, por u tregoi dashuri dhe i fali. (Zan. 45:4, 5) Jozefi u soll ashtu ngaqë mendonte me kthjelltësi. Në vend që të përqendrohej te problemet e veta, ai pa tablonë e plotë—qëllimin e Jehovait. (Lexo Zanafillën 50:19-21.) Çfarë mund të mësosh nga shembulli i Jozefit? Nëse të kanë trajtuar padrejtësisht, mos u mbush me mllef ndaj Jehovait e mos mendo se të ka braktisur. Në vend të kësaj, medito si po të ndihmon ta përballosh atë sprovë. Veç kësaj, kur të tjerët sillen keq me ty, përpiqu ‘t’i mbulosh me dashuri’ gabimet e tyre.—1 Pjet. 4:8.
5. Si e ruajti gjykimin Mikeasi kur u ndie i lënduar nga mënyra si e trajtuan?
5 Të mendojmë për atë që ndodhi me Mikeasin, b një plak në Amerikën e Jugut. Ai kujtonte një rast kur iu duk se e trajtuan ashpër disa vëllezër me përgjegjesi. Mikeasi tha: «S’kisha provuar kurrë një stres të tillë. Më kishte pushtuar ankthi. S’vija dot gjumë në sy dhe qaja se ndihesha krejt i pafuqishëm.» Prapëseprapë, e ruajti gjykimin dhe bëri çmos t’i mbante nën kontroll ndjenjat. Ai lutej shpesh dhe i kërkonte Jehovait t’i jepte frymën e shenjtë dhe forcë për ta përballuar sfidën. Gjithashtu kërkonte në botimet tona informacione që mund ta ndihmonin. Çfarë mund të mësosh nga shembulli i tij? Nëse ndihesh i lënduar nga një vëlla a një motër, ruaj qetësinë dhe përpiqu të mbash nën kontroll çdo ndjenjë negative. Mbase nuk i di rrethanat që mund ta kenë shtyrë të fliste ose të vepronte ashtu. Prandaj fol me Jehovain në lutje dhe kërkoji të të ndihmojë ta vësh veten në vendin e vëllait a të motrës. Kjo mund të të ndihmojë të mos dyshosh për motivet e tjetrit dhe ta anashkalosh fyerjen. (Prov. 19:11) Mos harro se Jehovai e di mirë në çfarë situate ndodhesh dhe do të të japë forcën e nevojshme për ta përballuar.—2 Kron. 16:9; Ekl. 5:8.
KUR MARRIM DISIPLINË
6. Pse është e rëndësishme ta shohim disiplinën e Jehovait si shprehje të dashurisë së tij? (Hebrenjve 12:5, 6, 11)
6 Disiplina mund të jetë e dhimbshme. Por nëse përqendrohemi vetëm te dhimbja që ndiejmë, mund ta minimizojmë disiplinën me mendimin se ishte e padrejtë ose tepër e ashpër. Kjo mund të na pengojë të kuptojmë diçka shumë të rëndësishme—që disiplina është shprehje e dashurisë së Jehovait. (Lexo Hebrenjve 12:5, 6, 11.) E kur lejojmë të na drejtojnë ndjenjat e pakëndshme, i japim mundësi Satanait t’i shfrytëzojë këto ndjenja. Ai do që ta hedhim poshtë disiplinën dhe, më keq akoma, të largohemi dalëngadalë nga Jehovai e nga kongregacioni. Si mund ta ruash gjykimin nëse ke marrë disiplinë?
7. (a) Siç tregohet në figurë, si e përdori Jehovai Pjetrin pasi pranoi disiplinën? (b) Çfarë mëson nga shembulli i Pjetrit?
7 Pranoje disiplinën dhe bëj ndryshimet e nevojshme. Jezui e ndreqi Pjetrin më shumë se një herë në sy të apostujve të tjerë. (Mar. 8:33; Luka 22:31-34) Kushedi sa siklet ose turp do të ketë ndier Pjetri! Megjithatë, Pjetri i qëndroi besnik Jezuit. Ai e pranoi disiplinën dhe mësoi nga gabimet e veta. Si rezultat, Jehovai e shpërbleu Pjetrin për besnikërinë dhe i ngarkoi përgjegjësi me peshë në kongregacion. (Gjoni 21:15-17; Vep. 10:24-33; 1 Pjet. 1:1) Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Pjetrit? Kur shohim përtej sikletit që na shkakton disiplina, pranojmë korrigjimin dhe bëjmë ndryshimet e nevojshme, atëherë i sjellim dobi vetes dhe të tjerëve. Kështu bëhemi edhe me të dobishëm për Jehovain dhe për vëllezërit tanë.
8-9. Si u ndie në fillim Bernardo pasi mori disiplinë, por çfarë e ndihmoi të ndreqte mënyrën si mendonte?
8 Të shohim ç’ndodhi me Bernardon, një vëlla në Mozambik. Ai u çemërua si plak. Si u ndie në fillim? Bernardo thotë: «Ushqeja mëri sepse nuk më pëlqeu disiplina që mora.» Ai kishte merak si do ta shihnin të tjerët në kongregacion dhe pranon: «M’u deshën disa muaj që ta shihja nga këndvështrimi i duhur situatën dhe të kisha prapë besim te Jehovai dhe tek organizata e tij.» Çfarë e ndihmoi të kishte pikëpamjen e duhur?
9 Bernardo ndreqi mënyrën si mendonte. Ai shpjegon: «Kur shërbeja si plak, e përdorja Hebrenjve 12:7 që të ndihmoja të tjerët të kishin pikëpamjen e duhur për disiplinën e Jehovait. Tani i bëra vetes pyetjen: ‘Kush duhet ta zbatojë këtë shkrim?’ Të gjithë shërbëtorët e Jehovait —pra edhe unë.» Pastaj bëri hapa të tjerë që të kishte prapë besim te Jehovai dhe tek organizata e tij. Ai programoi më shumë kohë për të lexuar Biblën e për të menduar thellë rreth saj. Ndonëse kishte akoma merak si e shihnin vëllezërit e motrat, dilte me ta në shërbim dhe komentonte në mbledhje. Me kalimin e kohës, u emërua sërish plak. Nëse edhe ti ke marrë disiplinë si Bernardo, përpiqu të shohësh përtej sikletit që të shkakton disiplina, pranoje këshillën dhe bëj ndryshimet e nevojshme. c (Prov. 8:33; 22:4) Duke vepruar kështu, mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të shpërblejë për besnikërinë që ke vazhduar të tregosh ndaj tij dhe organizatës së tij.
KUR E KEMI TË VËSHTIRË TË PËRSHTATEMI ME NDRYSHIMET NË ORGANIZATË
10. Cili ndryshim organizativ mund t’u ketë sprovuar besnikërinë disa burrave izraelitë?
10 Besimi ynë mund të sprovohet edhe nga ndryshimet në organizatë. Madje po të mos bëjmë kujdes, mund të lejojmë që këto ndryshime të na ndajnë nga Jehovai. Për shembull, të shohim si mund të ketë ndikuar te disa izraelitë një ndryshim organizativ nën Ligjin e Moisiut. Para se Jehovai të jepte Ligjin, kryefamiljarët kryenin detyra priftërore. Ata ndërtonin altarë dhe i paraqitnin flijime Jehovait për familjet e tyre. (Zan. 8:20, 21; 12:7; 26:25; 35:1, 6, 7; Jobi 1:5) Mirëpo kur Jehovai dha Ligjin, kryefamiljarët duhej të hiqnin dorë nga ai privilegj. Jehovai emëroi priftërinj nga familja e Aronit për të paraqitur flijime. Pas atij ndryshimi organizativ, nëse një kryefamiljar që nuk ishte pasardhës i Aronit kryente detyra priftërore, mund të ekzekutohej. d (Lev. 17:3-6, 8, 9) Mos ndoshta ky ndryshim ishte një nga arsyet pse Korahu, Datani, Abirami dhe 250 krerë sfiduan autoritetin e Moisiut dhe të Aronit? (Num. 16:1-3) Nuk e dimë me siguri. Por cilado të ishte arsyeja, Korahu dhe përkrahësit e tij nuk i qëndruan besnikë Jehovait. Çfarë mund të bësh nëse të sprovohet besnikëria nga ndryshimet në organizatë?
11. Çfarë mësojmë nga shembulli i disa levitëve kehathitë?
11 Mbështet plotësisht çdo ndryshim në organizatë. Gjatë udhëtimit në shkretëtirë, kehathitët kryenin një caktim special. Sa herë që zhvendosej kampi i izraelitëve, disa kehathitë mbartnin arkën e besëlidhjes para gjithë popullit. (Num. 3:29, 31; 10:33; Jos. 3:2-4) Çfarë privilegji! Mirëpo, kur izraelitët u vendosën në Tokën e Premtuar, situata ndryshoi. Nuk kishte më nevojë që Arka të lëvizej rregullisht. Kështu, gjatë mbretërimit të Davidit e të Solomonit, disa kehathitë u caktuan të shërbenin si këngëtarë, disa si derëtarë e të tjerë të punonin në depo. (1 Kron. 6:31-33; 26:1, 24) Shkrimet nuk tregojnë se kehathitët u ankuan ose kërkuan ndonjë rol më të rëndësishëm, meqë kishin pasur një caktim special. Çfarë mund të mësosh nga shembulli i tyre? Mbështet me gjithë zemër çdo ndryshim që bën organizata e Jehovait, duke përfshirë edhe ato që ndikojnë te caktimi yt. Gjej gëzim në çfarëdo caktimi që të jepet. Mos harro se caktimi nuk pasqyron vlerën tënde si person. Jehovai çmon bindjen tënde shumë më tepër se çfarëdo caktimi që ke.—1 Sam. 15:22.
12. Si u ndie Zaina kur ndryshoi caktim?
12 Të shohim shembullin e Zainës, një motër në Lindjen e Mesme që ndryshoi caktim dhe humbi një privilegj shërbimi të shtrenjtë për të. Zainën e caktuan të shërbente si pioniere pasi kishte shërbyer në Bethel për më shumë se 23 vjet. Ajo thotë: «U shokova kur mora vesh për ndryshimin e caktimit. Ndihesha e padobishme dhe nuk më shqitej nga mendja pyetja: ‘Ku gabova?’» Mjerisht, disa vëllezër e motra në kongregacion ia ngacmonin edhe më shumë plagën, duke i thënë: «Po të kishe qenë në lartësinë e duhur, organizata do të të kishte mbajtur atje.» Për njëfarë kohe Zaina ishte aq e shkurajuar, sa qante çdo natë. Megjithatë thotë: «Nuk ia lejova kurrë vetes që të dyshoja tek organizata ose të dyshoja se Jehovai më do.» Si arriti ta ruante gjykimin Zaina?
13. Si i mposhti Zaina ndjenjat negative?
13 Zaina arriti t’i mposhtte ndjenjat negative. Si? Ajo lexonte në botimet tona artikuj që tregonin si mund ta përballonte atë situatë. E ndihmoi goxha artikulli «Mund t’i bësh ballë shkurajimit!» në Kullën e Rojës të 1 shkurtit 2001. Ky artikull tregon se edhe një shkrimtar i Biblës, Marku, mund të ketë luftuar me ndjenja të ngjashme kur ndryshoi caktim. Zaina kujton: «Shembulli i Markut ishte ilaçi i duhur për të mposhtur shkurajimin.» Veç kësaj, Zaina mbajti lidhje të ngushta me miqtë e saj. Nuk u izolua e as lejoi t’i vinte gjynah për veten. Ajo kuptoi qartë se organizata e Jehovait udhëhiqet nga fryma e tij shenjtë dhe se ata që marrin drejtimin merakosen shumë për të. Por njëkohësisht kuptoi se organizata e Jehovait duhet të bëjë atë që është më e mira që të kryhet vepra e Tij.
14. Me cilat ndryshime organizative e pati të vështirë të përshtatej Vladoja, dhe çfarë e ndihmoi?
14 Vlado, një plak kongregacioni 73-vjeçar në Slloveni, nuk e pati të lehtë kur kongregacioni i tij u shkri me një tjetër dhe u mor vendimi të mos përdorej më Salla e tyre e Mbretërisë. Ai thotë: «S’e kuptoja pse s’do të përdorej më një Sallë Mbretërie aq e bukur. U ndieva keq, sepse e kishim rinovuar sallën kohët e fundit. Unë jam marangoz dhe kisha bërë disa nga mobiliet e reja. Gjithashtu, ai riorganizim kërkonte të bëheshin shumë ndryshime që nuk ishin të lehta për ne lajmëtarët e moshuar.» Çfarë e ndihmoi Vladon të mbështeste drejtimin që u dha? Ai shpjegon: «Kur përshtatesh me ndryshimet që bën organizata e Jehovait, vijnë gjithmonë bekime. Ndryshime të tilla na përgatitin për ndryshime akoma më të mëdha në të ardhmen.» Nëse kongregacioni yt është shkrirë me një tjetër ose të ka ndryshuar caktimi, a e ke të vështirë të përshtatesh me ndryshimet? Ji i sigurt se Jehovai i kupton ndjenjat e tua. Kur i mbështet ndryshimet dhe i qëndron besnik Jehovait e organizatës që po përdor ai, do të korrësh patjetër bekime.—Psal. 18:25.
RUAJ GJYKIMIN NË GJITHÇKA
15. Si mund ta ruajmë gjykimin kur hasim vështirësi brenda kongregacionit?
15 Ndërsa i afrohemi gjithnjë e më shumë fundit të këtij sistemi, mund të presim të përballemi me vështirësi brenda kongregacionit. Këto vështirësi mund të na sprovojnë besnikërinë ndaj Jehovait. Prandaj duhet të ruajmë gjykimin. Nëse mendon se të ka trajtuar padrejtësisht një bashkëbesimtar, mos lejo të mbushesh me mllef. Nëse merr disiplinë, përpiqu të shohësh përtej sikletit që të shkakton ajo, pranoje këshillën dhe bëj ndryshimet e nevojshme. E kur organizata e Jehovait bën ndryshime që ndikojnë te ti personalisht, mbështeti me gjithë zemër dhe bindju drejtimit.
16. Si mund t’i qëndrosh besnik Jehovait dhe organizatës së Tij?
16 Ti mund të vazhdosh të kesh besim te Jehovai dhe tek organizata e tij edhe kur të sprovohet besnikëria. Por që ta bësh këtë, duhet të ruash gjykimin, pra duhet të qëndrosh i qetë, të mendosh me kthjelltësi dhe t’i shohësh gjërat siç i sheh Jehovai. Studio dhe medito për shembuj nga Bibla që përballuan me sukses vështirësi të ngjashme me të tuat. Lutju Jehovait për ndihmë. E mos u izolo kurrë nga kongregacioni. Kështu, çfarëdo që të ndodhë, Satanai nuk do të të ndajë dot nga Jehovai dhe nga organizata e Tij.—Jak. 4:7.
KËNGA 126 Rri syçelë, i fuqishëm, i patundur
a Besnikëria jonë ndaj Jehovait dhe organizatës së tij mund të sprovohet, sidomos kur hasim vështirësi brenda kongregacionit. Në këtë artikull do të shohim tri nga këto vështirësi dhe çfarë mund të bëjmë për t’i qëndruar besnikë Jehovait dhe organizatës së tij.
b Disa emra janë ndryshuar.
c Mund të gjesh sugjerime të tjera të dobishme në artikullin «A ke shërbyer dikur? A mund të shërbesh përsëri?» në Kullën e Rojës të 15 gushtit 2009, f. 30.
d Ligji kërkonte që nëse kryefamiljarët donin të thernin një kafshë shtëpiake për të ngrënë mish, duhej ta çonin kafshën në shenjtërore. Bëheshin përjashtime për ata kryefamiljarë që jetonin shumë larg shenjtërores.—Ligj. 12:21.