Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 45

Si na ndihmon Jehovai të kryejmë shërbimin tonë

Si na ndihmon Jehovai të kryejmë shërbimin tonë

«Ata kanë për ta marrë vesh se mes tyre ka qenë një profet.»—EZEK. 2:5.

KËNGA 67 «Prediko fjalën»

PËRMBLEDHJE a

1. Çfarë mund të presim, por për çfarë mund të jemi të sigurt?

 NDËRSA kryejmë veprën e predikimit, mund të presim që disa të na kundërvihen. E ka shumë gjasa që në të ardhmen kundërshtimet të shtohen. (Dan. 11:44; 2 Tim. 3:12; Zbul. 16:21) Gjithsesi, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na japë ndihmën e nevojshme. Pse? Sepse Jehovai i ka ndihmuar gjithmonë shërbëtorët e tij të përmbushin çdo caktim që u jep, sado i vështirë qoftë. Si një shembull, le të shohim disa ngjarje nga jeta e profetit Ezekiel, i cili u predikoi mërgimtarëve judenj në Babiloni.

2. Si i përshkroi Jehovai njerëzit në territorin e Ezekielit, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Ezekieli 2:3-6)

2 Ç’lloj njerëzish do të kishte Ezekieli në territorin e tij? Jehovai i përshkroi si njerëz «sfidues», «zemërgur» dhe ‘rebelë’. Ata pickonin si gjemba dhe ishin të rrezikshëm si akrepat. Ja pse Jehovai i tha disa herë Ezekielit: «Mos ki frikë.» (Lexo Ezekielin 2:3-6.) Ezekieli arriti ta kryente detyrën për të predikuar ngaqë ishte (1) i dërguar nga Jehovai, (2) i fuqizuar nga fryma e Perëndisë dhe (3) i ushqyer me fjalët e Perëndisë. Si e ndihmuan këto tri gjëra Ezekielin? Po ne sot, si na ndihmojnë?

EZEKIELI—I DËRGUAR NGA JEHOVAI

3. Cilat fjalë duhet t’i kenë dhënë forcë Ezekielit, dhe si e siguroi Jehovai se do ta mbështeste?

3 Jehovai i tha Ezekielit: «Unë po të dërgoj.» (Ezek. 2:3, 4) Ato fjalë duhet t’i kenë dhënë forcë Ezekielit. Pse? Patjetër që ai e mbante mend se Jehovai u kishte thënë diçka të ngjashme Moisiut dhe Isaisë kur i kishte caktuar si profetë të Tij. (Eks. 3:10; Isa. 6:8) Ezekieli e dinte edhe si i kishte ndihmuar Jehovai ata dy profetë që të përballonin vështirësitë në caktime. Prandaj, kur Jehovai i tha dy herë «unë po të dërgoj», profeti Ezekiel kishte arsye të forta për të besuar se Jehovai do ta mbështeste. Veç kësaj, në librin e tij Ezekieli shkruan disa herë: «Fjala e Jehovait m’u drejtua.» (Ezek. 3:16) Ai përsërit shpesh edhe shprehjen: «Fjala e Jehovait m’u drejtua përsëri.» (Ezek. 6:1) Pra Ezekieli s’kishte pikë dyshimi që ishte i dërguar nga Jehovai. Gjithashtu, si bir prifti, ka shumë mundësi që i ati t’i kishte mësuar se gjatë gjithë historisë, Jehovai i kishte siguruar profetët e Tij se do t’i mbështeste. Për shembull Isakut, Jakobit dhe Jeremisë, Jehovai u kishte thënë: «Unë jam me ty.»—Zan. 26:24; 28:15; Jer. 1:8.

4. Cilat mendime inkurajuese duhet t’i kenë dhënë forcë Ezekielit?

4 Si do të reagonte shumica e izraelitëve ndaj predikimit të Ezekielit? Jehovai tha: «Shtëpia e Izraelit nuk do të pranojë të të dëgjojë, ngaqë nuk duan të më dëgjojnë mua.» (Ezek. 3:7) Duke hedhur poshtë Ezekielin, populli do të hidhte poshtë Jehovain. Ato fjalë e siguruan Ezekielin se kur populli ta hidhte poshtë, kjo s’do të tregonte se nuk e kishte kryer mirë caktimin si profet. Po ashtu, Jehovai e siguroi Ezekielin se kur të përmbusheshin mesazhet e gjykimit që do të shpallte, populli ‘kishte për ta marrë vesh se mes tyre kish qenë një profet’. (Ezek. 2:5; 33:33) Pa dyshim, ato mendime inkurajuese i dhanë Ezekielit forcën e nevojshme për ta çuar deri në fund caktimin e tij.

TË DËRGUAR NGA JEHOVAI SOT

Njësoj si Ezekieli, mund të hasim indiferentizëm dhe kundërshtime, por e dimë se Jehovai është me ne (Shih paragrafët 5-6)

5. Siç tregon Isaia 44:8, nga buron forca jonë?

5 Edhe neve na jep forcë siguria se jemi dërguar nga Jehovai për të kryer caktimin tonë. Ai na ka nderuar duke na quajtur «dëshmitarët» e tij. (Isa. 43:10) Çfarë privilegji i pakrahasueshëm! Ashtu siç nxiti Ezekielin «mos ki frikë», Jehovai na nxit edhe ne: «Mos u tmerroni.» Pse nuk ka arsye t’u frikësohemi kundërshtarëve tanë? Sepse, njësoj si Ezekieli, jemi dërguar nga Jehovai dhe kemi mbështetjen e Tij.—Lexo Isainë 44:8.

6. (a) Si na siguron Jehovai se do të na mbështetë? (b) Çfarë na jep zemër e forcë?

6 Jehovai na siguron se do të na mbështetë. Për shembull, pak para se të thoshte «ju jeni dëshmitarët e mi», Jehovai tha: «Kur të kalosh përmes ujërave, unë do të jem me ty, kur të kalosh përmes lumenjve, ata nuk do të të rrëmbejnë. Kur të ecësh përmes zjarrit, nuk do të zhuritesh, as flakët nuk do të të përcëllojnë.» (Isa. 43:2) Gjatë shërbimit, ndonjëherë hasim pengesa që janë si ujëra të rrëmbyera dhe sprova që djegin si zjarr. Prapëseprapë, falë ndihmës së Jehovait, vazhdojmë të predikojmë pa u dorëzuar. (Isa. 41:13) Ashtu si në ditët e Ezekielit, shumica e njerëzve sot e hedhin poshtë mesazhin që predikojmë. Megjithatë, ne mbajmë ndër mend se kjo nuk tregon që s’e kemi kryer mirë caktimin si Dëshmitarë të Perëndisë. Jemi të sigurt se Jehovai kënaqet tej mase kur sheh që vazhdojmë të predikojmë me besnikëri mesazhin e tij, e kjo na jep zemër e forcë. Apostulli Pavël tha: «Secili do ta marrë shpërblimin sipas veprës së vet.» (1 Kor. 3:8; 4:1, 2) Një motër që shërben si pioniere prej vitesh, thotë: «Më mbush me gëzim siguria se Jehovai shpërblen përpjekjet tona.»

EZEKIELI—I FUQIZUAR NGA FRYMA E PERËNDISË

Në një vegim, Ezekieli sheh karrocën qiellore të Jehovait, e kjo i forcon sigurinë se Jehovai do ta ndihmojë të kryejë shërbimin e tij (Shih paragrafin 7)

7. Si duhet të jetë ndier Ezekieli sa herë meditonte për vegimin që kishte parë? (Shih figurën e kopertinës.)

7 Ezekieli kuptoi sa e fuqishme është fryma e Perëndisë. Në një vegim, ai pa me sytë e tij si vepronte fryma e shenjtë tek engjëjt e fuqishëm dhe te rrotat gjigante të një karroce qiellore. (Ezek. 1:20, 21) Si reagoi Ezekieli? Ai vetë shkroi: «Kur e pashë këtë, u përkula me fytyrë përtokë.» Ezekieli mbeti aq i mahnitur, sa u përkul thellë deri në tokë. (Ezek. 1:28) Më vonë, sa herë që meditonte për atë vegim mbresëlënës, Ezekielit duhet t’i jetë forcuar siguria se me ndihmën e frymës së Perëndisë mund ta kryente shërbimin e tij.

8-9. (a) Çfarë i dha forcë Ezekielit të ngrihej? (b) Si vazhdoi t’i jepte forcë Jehovai Ezekielit për të shërbyer në një territor të vështirë?

8 Jehovai e urdhëroi Ezekielin: «Bir njeriu, çohu në këmbë që të të flas.» Ai urdhër bashkë me frymën e Perëndisë i dhanë Ezekielit forcën e nevojshme që të ngrihej. Ai shkroi: «Fryma e Perëndisë hyri tek unë dhe më ngriti në këmbë.» (Ezek. 2:1, 2) Kohë më vonë, madje gjatë gjithë shërbimit të tij, Ezekielin e udhëhoqi «dora» e Perëndisë—pra fryma e Tij e shenjtë. (Ezek. 3:22; 8:1; 33:22; 37:1; 40:1, shën.) Fryma e Perëndisë i dha forcë për detyrën që i ishte ngarkuar—t’u predikonte njerëzve «kokëshkëmb e zemërgur» në territorin e tij. (Ezek. 3:7) Jehovai i tha Ezekielit: «Unë ta kam bërë fytyrën po aq të fortë sa fytyra e tyre dhe ballin po aq të fortë sa balli i tyre. E kam bërë ballin tënd si diamanti, më të fortë se guri i strallit. Mos ki frikë nga ata dhe mos u tmerro nga fytyrat e tyre.» (Ezek. 3:8, 9) Me fjalë të tjera, Jehovai po i thoshte Ezekielit: «Mos lejo të të shkurajojë kokëfortësia e këtyre njerëzve. Do të të jap forcë unë.»

9 Pas kësaj, fryma e Perëndisë e çoi Ezekielin në territorin ku do të predikonte. «Fuqia e Jehovait që vepronte tek unë, ishte e madhe»,—shkroi Ezekieli. Profetit iu desh një javë për ta përvetësuar mesazhin që duhej të shpallte, që ai të depërtonte thellë brenda tij. (Ezek. 3:14, 15) Pastaj Jehovai e udhëzoi të shkonte te një rrafshinë, dhe atje «fryma e Perëndisë hyri tek [ai]». (Ezek. 3:23, 24) Tani Ezekieli ishte gati të fillonte shërbimin.

TË FUQIZUAR NGA FRYMA E PERËNDISË SOT

Ashtu si Ezekieli, çfarë na ndihmon sot të kryejmë shërbimin tonë? (Shih paragrafin 10)

10. Çfarë ndihme na nevojitet për të predikuar, dhe pse?

10 Çfarë ndihme na nevojitet që të kryejmë veprën e predikimit? Për të gjetur përgjigjen, të kujtojmë ç’ndodhi me Ezekielin. Para se të fillonte predikimin, fryma e Perëndisë i dha forcën që i nevojitej. Sikurse Ezekieli, edhe ne arrijmë ta kryejmë veprën e predikimit vetëm me ndihmën e frymës së Perëndisë. Pse e themi këtë? Sepse Satanai lufton kundër nesh me synimin që të ndalojë veprën e predikimit. (Zbul. 12:17) E nga këndvështrimi njerëzor, mbase dukemi thjesht si një kafshatë për Satanain. Megjithatë, ne po e mundim me anë të veprës së predikimit! (Zbul. 12:9-11) Si? Kur dalim në shërbim, tregojmë se nuk na frikësojnë kërcënimet e Satanait. Çdo herë që predikojmë, Satanai pëson një disfatë. Pra, çfarë përfundimi mund të nxjerrim nga fakti që arrijmë ta kryejmë veprën e predikimit edhe përballë kundërshtimeve? Përfundimin që po na jep fuqi fryma e shenjtë dhe që kemi miratimin e Jehovait.—Mat. 5:10-12; 1 Pjet. 4:14.

11. Si na ndihmon fryma e Perëndisë, dhe ç’duhet të bëjmë që të vazhdojmë të marrim frymën e tij?

11 Të kujtojmë edhe që Jehovai ‘ia bëri të fortë fytyrën dhe ballin’ Ezekielit. Kjo na siguron që fryma e Perëndisë mund të na fuqizojë të mposhtim çdo vështirësi në shërbim. (2 Kor. 4:7-9) Çfarë duhet të bëjmë, pra, që të vazhdojmë të marrim frymën e Perëndisë? Duhet të vazhdojmë t’i lutemi me ngulm Jehovait për frymën e tij, të sigurt se do të na i dëgjojë lutjet. Jezui i mësoi dishepujt e tij: «Vazhdoni të kërkoni, . . . vazhdoni të kërkoni me ngulm, . . . vazhdoni të trokitni.» Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve të tilla dhe «do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë».—Luka 11:9, 13; Vep. 1:14; 2:4.

EZEKIELI—I USHQYER ME FJALËT E PERËNDISË

12. Në bazë të Ezekielit 2:9–3:3, nga vinte rrotulla dhe çfarë përmbante?

12 Ezekieli jo vetëm merrte fuqi nga fryma e Perëndisë, por edhe ushqehej me fjalët e Tij. Në një vegim, ai pa një dorë që mbante një rrotull. (Lexo Ezekielin 2:9–3:3.) Nga vinte ajo rrotull? Çfarë përmbante? Si u ushqye Ezekieli prej saj? Rrotulla vinte nga froni i Perëndisë. Ka shumë mundësi që Jehovai t’ia ketë dhënë rrotullën Ezekielit nëpërmjet njërit prej katër engjëjve që kishte parë më përpara. (Ezek. 1:8; 10:7, 20) Rrotulla përmbante fjalët e Perëndisë—një mesazh të gjatë gjykimi që Ezekieli duhej t’ua shpallte mërgimtarëve rebelë. (Ezek. 2:7) Ai mesazh zinte të dyja anët e rrotullës.

13. Çfarë urdhri i dha Jehovai Ezekielit për rrotullën, dhe pse Ezekielit iu duk e ëmbël rrotulla?

13 Jehovai i tha profetit të tij ta hante rrotullën e ‘të mbushte barkun me të’. Ezekieli u bind dhe e hëngri të gjithën. Ç’kuptim kishte kjo pjesë e vegimit? Ezekieli duhej ta përvetësonte plotësisht mesazhin që do të predikonte. Ai mesazh duhej të bëhej pjesë e tij, pra duhej të depërtonte në skutat më të thella të qenies së tij. Kur e bëri këtë, ndodhi diçka e papritur. Ezekieli pa që rrotulla «ishte e ëmbël si mjalti». (Ezek. 3:3) Pse iu duk e ëmbël? Sepse për Ezekielin ishte një kënaqësi—një ndjenjë «e ëmbël» mjaltë—të kishte nderin të përfaqësonte Jehovain. (Psal. 19:8-11) Ndihej mirënjohës që Jehovai e kishte miratuar dhe e kishte zgjedhur si profetin e tij.

14. Çfarë e ndihmoi Ezekielin të ishte gati për caktimin?

14 Më vonë, Jehovai i tha: «Pranoji me gjithë zemër e vërua veshin të gjitha fjalëve të mia.» (Ezek. 3:10) Pra, Jehovai e udhëzoi Ezekielin ta fiksonte në kujtesë atë që shkruhej në rrotull dhe ta bluante në mendje. Kur e bëri këtë, fjalët e rrotullës i ushqyen besimin. Veç kësaj, ato ishin një mesazh i fuqishëm që duhej t’ia çonte popullit. (Ezek. 3:11) Me mesazhin e Perëndisë në zemër e në gojë, Ezekieli ishte gati të niste caktimin e tij dhe ta çonte gjer në fund.—Krahaso Psalmin 19:14.

TË USHQYER ME FJALËT E PERËNDISË SOT

15. Që të mos dorëzohemi në shërbim, çfarë duhet ‘të pranojmë me gjithë zemër’?

15 Që të mos dorëzohemi në shërbim, edhe ne duhet të vazhdojmë të ushqehemi me fjalët e Perëndisë. Duhet ‘të pranojmë me gjithë zemër’ çdo gjë që na thotë Jehovai. Sot Jehovai na flet nëpërmjet Fjalës së tij të shkruar, Biblës. Ç’duhet të bëjmë që Fjala e Perëndisë të vazhdojë të ndikojë te mendimet, ndjenjat dhe motivet tona?

16. Çfarë duhet të bëjmë me Fjalën e Perëndisë, dhe si mund ta futim në zemrën tonë?

16 Ashtu siç ushqehemi fizikisht kur hamë dhe bluajmë ushqimin, po ashtu ushqehet besimi ynë kur studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe e bluajmë në mendje. Nuk e harrojmë mësimin që na jep Jehovai me rrotullën e vegimit. Ai do që ‘ta mbushim barkun’ me Fjalën e tij, pra ta përvetësojmë plotësisht. Këtë mund ta bëjmë duke u lutur, duke lexuar dhe duke medituar. Në fillim, lutemi që ta përgatitim zemrën për të mirëpritur mendimet e Perëndisë. Pastaj, lexojmë një pjesë nga Bibla. Më pas, ndalemi që të meditojmë ose ta bluajmë në mendje atë që lexuam. Cili do të jetë rezultati? Sa më shumë të meditojmë, aq më shumë do ta përvetësojmë ose do ta futim në zemër Fjalën e Perëndisë.

17. Pse është jetësore të meditojmë për atë që lexojmë në Bibël?

17 Pse është jetësore të lexojmë Biblën dhe të meditojmë për të? Sepse kjo na jep kurajën ose forcën e nevojshme që të predikojmë sot mesazhin për Mbretërinë, si edhe mesazhin fshikullues të gjykimit që mund të shpallim në të ardhmen e afërt. Gjithashtu, meditimi për cilësitë tërheqëse të Jehovait do të na thellojë dita-ditës miqësinë me të. Si rezultat, do të shijojmë diçka të ëmbël mjaltë—pra do të ndiejmë paqe në shpirt dhe kënaqësi të thellë.—Psal. 119:103.

TË MOTIVUAR TË QËNDROJMË DERI NË FUND

18. Çfarë do t’u duhet të pranojnë njerëzve në territorin tonë, dhe pse?

18 Ndryshe nga Ezekieli, ne nuk jemi frymëzuar nga Perëndia që të profetizojmë. Gjithsesi jemi të vendosur të vazhdojmë të përhapim mesazhin e frymëzuar që ka ruajtur Jehovai në Fjalën e tij të shkruar, derisa ai të thotë se vepra ka përfunduar. Kur të vijë koha e gjykimit, njerëzit në territorin tonë nuk do të kenë asnjë arsye të thonë që nuk morën ndonjë paralajmërim ose që Perëndia i shpërfilli. (Ezek. 3:19; 18:23) Përkundrazi, do t’u duhet ta pranojnë se mesazhi që predikonim vinte nga Perëndia.

19. Çfarë do të na japë forcë për të kryer shërbimin tonë?

19 Çfarë do të na japë forcë për të kryer shërbimin tonë? Janë po ato tri gjëra që i dhanë forcë Ezekielit: ne vazhdojmë të predikojmë se jemi të sigurt që jemi dërguar nga Jehovai, që marrim fuqi nga fryma e tij e shenjtë dhe që ushqehemi me Fjalën e Perëndisë. Kështu, me ndihmën e Jehovait, jemi të motivuar të kryejmë shërbimin tonë dhe të qëndrojmë «deri në fund».—Mat. 24:13.

KËNGA 65 Përparo!

a Në këtë artikull do të ndalemi te tri gjëra që e ndihmuan profetin Ezekiel të kryente caktimin për të predikuar. Ndërsa shqyrtojmë si e ndihmoi Jehovai profetin e tij, do të na forcohet siguria se do të na ndihmojë edhe ne që të kryejmë shërbimin tonë.