Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 15

Çfarë mund të mësojmë nga mrekullitë e Jezuit?

Çfarë mund të mësojmë nga mrekullitë e Jezuit?

«Ai përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar.»—VEP. 10:38.

KËNGA 13 Krishti është modeli ynë

PËRMBLEDHJE a

1. Në cilat rrethana e kreu Jezui mrekullinë e parë?

 PËRFYTYRO pak atë që ndodh në vjeshtën e vitit 29 të e.s. kur Jezui nis shërbimin. Jezui dhe e ëma, Maria, bashkë me disa dishepuj të tij janë ftuar në një dasmë në Kanë, një fshat në veri të Nazaretit, qytetit të Jezuit. Maria është mike e familjes, prandaj siç duket është mes atyre që kujdesen për mysafirët. Por gjatë dasmës lind një problem që mund ta vërë në siklet të madh familjen dhe çiftin e ri: mbaron vera. b Mbase numri i mysafirëve është më i madh nga ç’pritej. Maria shkon me të shpejtë tek i biri dhe i thotë: «Nuk kanë më verë.» (Gjoni 2:1-3) Çfarë bën Jezui? Diçka të jashtëzakonshme—e kthen ujin në ‘verë të mirë’ me anë të një mrekullie.—Gjoni 2:9, 10.

2-3. (a) Si e përdori Jezui fuqinë për të kryer mrekulli? (b) Si mund të nxjerrim dobi nga shqyrtimi i mrekullive të Jezuit?

2 Jezui bëri edhe shumë mrekulli të tjera gjatë shërbimit të tij. c Fuqinë për të kryer mrekulli e përdori që të ndihmonte dhjetëra mijë veta. Për shembull, vetëm dy nga mrekullitë e tij—njëra ku ushqeu 5.000 burra dhe tjetra ku ushqeu 4.000 burra—mund të kenë përfshirë mbi 27.000 veta gjithsej, po të llogaritim edhe gratë e fëmijët që ishin atje. (Mat. 14:15-21; 15:32-38) Në të dyja rastet, Jezui shëroi edhe shumë të sëmurë. (Mat. 14:14; 15:30, 31) Imagjino sa u mahnitën turmat nga mrekullitë që bëri Jezui për t’i shëruar dhe për t’i ushqyer!

3 Mrekullitë e Jezuit kanë domethënie të madhe për ne sot. Në këtë artikull do të shohim disa mësime besimforcuese që mund të nxjerrim nga këto mrekulli. Pastaj do të shqyrtojmë si mund të imitojmë përulësinë dhe dhembshurinë që tregonte Jezui kur bënte mrekulli.

MËSIME PËR JEHOVAIN DHE JEZUIN

4. Si nxjerrim dobi nga mrekullitë e Jezuit?

4 Nga mrekullitë e Jezuit nxjerrim mësime besimforcuese jo vetëm për të, por edhe për Atin e tij. Në fund të fundit, Jehovai ishte Burimi i fuqisë që u desh për të kryer ato mrekulli. Veprat 10:38 thotë: ‘Perëndia e mirosi Jezuin me frymë të shenjtë e i dha fuqi, dhe ai përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e Djallit, sepse Perëndia ishte me të.’ Të mos harrojmë edhe se në çdo gjë që tha e bëri—pra edhe në mrekullitë që kreu—Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur mendimet dhe ndjenjat e Atit të tij. (Gjoni 14:9) Të shohim tri mësime që nxjerrim nga mrekullitë e Jezuit.

5. Çfarë e motivonte Jezuin të kryente mrekulli? (Mateu 20:30-34)

5 Së pari, Jezui dhe Ati i tij na duan me gjithë shpirt. Kur ishte në tokë, Jezui e tregoi se i do njerëzit nga thellësia e shpirtit duke e përdorur fuqinë për të kryer mrekulli që t’u lehtësonte vuajtjet. Në një rast, dy të verbër iu përgjëruan për ndihmë. (Lexo Mateun 20:30-34.) «I shtyrë nga keqardhja», Jezui i shëroi. Folja greke që këtu është përkthyer «i shtyrë nga keqardhja» nënkupton një dhembshuri të madhe që e ndien thellë në trup. Kjo dhembshuri e thellë—që është një shprehje e dashurisë—e shtyu Jezuin edhe të ushqente të uriturit e të shëronte një të lebrosur. (Mat. 15:32; Mar. 1:41) Mund të jemi të sigurt se Jehovai, Perëndia i «zemërdhembshurisë», dhe Biri i tij na duan me gjithë shpirt dhe ndiejnë dhimbje kur vuajmë. (Luka 1:78; 1 Pjet. 5:7) Pa dyshim, atyre u digjet zemra t’u japin fund të gjitha problemeve që mundojnë njerëzimin!

6. Çfarë fuqie i ka dhënë Perëndia Jezuit?

6 Së dyti, Perëndia i ka dhënë Jezuit fuqinë të zgjidhë të gjitha problemet e njerëzimit. Me anë të mrekullive të tij, Jezui tregoi se ka fuqi të zgjidhë probleme që nuk do t’i zgjidhnim dot kurrë me forcat tona. Për shembull, ai ka fuqinë të na shpëtojë duke zhdukur shkakun rrënjësor të problemeve të njerëzimit—mëkatin e trashëguar dhe pasojat e tij, si sëmundjet e vdekjen. (Mat. 9:1-6; Rom. 5:12, 18, 19) Bëmat e mrekullueshme të Jezuit janë provë se ai mund të shërojë «çdo lloj» sëmundjeje, madje edhe të kthejë në jetë të vdekurit. (Mat. 4:23; Gjoni 11:43, 44) Gjithashtu ka fuqinë të fashitë stuhi të egra dhe të mundë frymëra të liga. (Mar. 4:37-39; Luka 8:2) Sa na e qetëson zemrën fakti që Jehovai i ka dhënë Birit të tij një fuqi të tillë!

7-8. (a) Për çfarë na sigurojnë mrekullitë e Jezuit? (b) Çfarë mrekullie po pret me padurim së shpejti në botën e re?

7 Së treti, mund të jemi plotësisht të sigurt se së shpejti do të gëzojmë bekimet e premtuara nën Mbretërinë e Perëndisë. Mrekullitë që kreu Jezui kur jetoi në tokë tregojnë ç’do të bëjë në një masë shumë më të madhe si Mbreti qiellor i Mbretërisë së Perëndisë. Vetëm mendo çfarë do të përjetojmë së shpejti nën qeverisjen e Krishtit. Do të gëzojmë shëndet të përsosur, sepse ai do të zhdukë çdo sëmundje që ka munduar njerëzimin. (Isa. 33:24; 35:5, 6; Zbul. 21:3, 4) Kurrë nuk do të jemi të uritur e as do të vuajmë nga pasojat e tmerrshme të katastrofave natyrore. (Isa. 25:6; Mar. 4:41) Do të fluturojmë nga gëzimi kur të mirëpresim njerëzit tanë të dashur që do të dalin nga ‘varret përkujtimore’. (Gjoni 5:28, 29, shën.) Cilën mrekulli në veçanti po pret me padurim në botën e re?

8 Kur bënte mrekulli, Jezui tregonte përulësi e dhembshuri të madhe—cilësi që bëjmë mirë t’i imitojmë. Të shohim dy shembuj, duke nisur nga dasma në Kanë.

NJË MËSIM PËR PËRULËSINË

9. Pse bëri një mrekulli Jezui në dasmën e Kanës? (Gjoni 2:6-10)

9 Lexo Gjonin 2:6-10. A ishte i detyruar Jezui të bënte diçka kur mbaroi vera në dasmë? Jo. Nuk kishte ndonjë profeci që parathoshte se Mesia do të bënte verë me anë të një mrekullie. Megjithatë, imagjino si do të ndiheshe sikur të mbaronin pijet në dasmën tënde. Ka shumë mundësi që Jezuit iu dhimbs ajo familje, sidomos dhëndri dhe nusja, e nuk donte të ndiheshin në siklet. Prandaj, siç u përmend në fillim, bëri një mrekulli: ktheu afro 390 litra ujë në verë të cilësisë më të mirë. Ndoshta Jezui siguroi verë me aq bujari që t’u mbetej ca për më vonë, ose edhe për ta shitur si një ndihmë ekonomike për çiftin e ri. Sa i lehtësuar do të jetë ndier çifti i sapomartuar!

Ta imitojmë Jezuin duke mos u mburrur për arritjet tona (Shih paragrafët 10-11) e

10. Cilat janë disa hollësi domethënëse të ngjarjes së dokumentuar te kapitulli 2 i Gjonit? (Shih edhe figurën.)

10 Të ndalemi te disa hollësi domethënëse të kësaj ngjarjeje, që e gjejmë te kapitulli 2 i Gjonit. A e vure re se qypat e gurit nuk i mbushi Jezui me ujë? Në vend që të tërhiqte vëmendjen te vetja, ai u tha shërbëtorëve t’i mbushnin qypat. (Vargjet 6, 7) Gjithashtu, pasi e ktheu ujin në verë, Jezui nuk i çoi personalisht ca verë të parit të gostisë, por u tha shërbëtorëve ta bënin këtë. (Vargu 8) E pa dyshim që Jezui nuk ngriti një kupë verë në sy të mysafirëve duke u mburrur: «Pa shijojeni njëherë këtë verën që sapo bëra!»

11. Ç’mund të mësojmë nga mrekullia e Jezuit në Kanë?

11 Ç’mund të mësojmë nga kjo mrekulli e Jezuit, kthimi i ujit në verë? Mësojmë si të tregojmë përulësi. Jezui nuk u mburr për atë mrekulli; në fakt, ai nuk mburrej kurrë për arritjet e tij. Përkundrazi, me përulësi e vazhdimisht ia jepte gjithë lavdinë dhe meritat Atit të tij. (Gjoni 5:19, 30; 8:28) Nëse imitojmë Jezuin duke mbajtur një pikëpamje të përulur për veten, nuk do të mburremi për arritjet tona. Çfarëdo që të bëjmë në shërbim të Jehovait, të mos mburremi për veten, por për Perëndinë e mrekullueshëm që kemi privilegjin t’i shërbejmë. (Jer. 9:23, 24) Le t’i japim Jehovait meritën që i takon. Në fund të fundit, çfarë të mirash do të arrinim të bënim pa ndihmën e Tij?!—1 Kor. 1:26-31.

12. Cila është një mënyrë tjetër si mund ta imitojmë përulësinë e Jezuit? Ilustrojeni.

12 Të shohim një mënyrë tjetër si mund ta imitojmë përulësinë e Jezuit. Imagjino këtë situatë: një plak harxhon goxha kohë duke ndihmuar një shërbëtor kongregacioni në moshë të re ndërsa përgatit fjalimin e parë publik. Si rezultat, vëllai i ri mban një fjalim inkurajues që e kënaq kongregacionin. Pas mbledhjes, dikush shkon te plaku dhe i thotë: «Çfarë fjalimi të shkëlqyer bëri vëlla filani, ë?» A ka nevojë që plaku të thotë «po, por harxhova gjithë atë kohë për ta ndihmuar»? Apo mund të thotë me përulësi «po, vërtet, jam shumë krenar për të»? Kur jemi të përulur, nuk e ndiejmë të nevojshme të marrim meritat për të mirat që u bëjmë të tjerëve. Jemi të kënaqur me faktin që Jehovai e sheh dhe e vlerëson atë që bëjmë. (Krahaso Mateun 6:2-4; Hebr. 13:16) S’ka dyshim se ia gëzojmë zemrën Jehovait kur imitojmë Jezuin dhe tregojmë përulësi.—1 Pjet. 5:6.

NJË MËSIM PËR DHEMBSHURINË

13. Çfarë sheh Jezui pranë qytetit të Nainit, dhe çfarë bën? (Luka 7:11-15)

13 Lexo Lukën 7:11-15. Përfytyro pak këtë ngjarje që ndodhi aty nga mesi i shërbimit të Jezuit. Ai ka udhëtuar për në Nain, një qytet galileas jo larg Shunemit, qytetit ku profeti Elise i ringjalli djalin një gruaje rreth 900 vjet më parë. (2 Mbret. 4:32-37) Kur i afrohet portës, Jezui sheh një kortezh funerali që po del nga qyteti. Është një pamje që të këput shpirtin—një vejushe i ka vdekur fëmija i vetëm. Por nëna e pikëlluar nuk është vetëm; me të është një turmë e madhe nga qyteti. Jezui e ndal kortezhin dhe bën diçka të jashtëzakonshme për nënën e pikëlluar—i kthen në jetë të birin! Kjo është e para nga tri ringjalljet që bëri Jezui, të cilat janë dokumentuar në ungjij.

Ta imitojmë Jezuin duke marrë iniciativën që t’u tregojmë dhembshuri të pikëlluarve (Shih paragrafët 14-16)

14. Cilat janë disa hollësi domethënëse të ngjarjes së dokumentuar te kapitulli 7 i Lukës? (Shih edhe figurën.)

14 Të ndalemi te disa hollësi domethënëse të kësaj ngjarjeje të dokumentuar te kapitulli 7 i Lukës. Aty thuhet se Jezui «e vuri re» nënën e pikëlluar, e pas kësaj «u shty nga keqardhja për të». (Vargu 13) Pra, nga ajo që pa—ndoshta ajo nënë që qante ndërsa ecte afër trupit të të birit—iu mbush zemra me dhembshuri. Jezui jo vetëm ndjeu keqardhje për atë nënë, por edhe e tregoi dhembshurinë që ndiente. I foli asaj nëne, pa dyshim me ton të ngrohtë, dhe i tha: «Mos qaj më!» Pastaj mori iniciativën që të bënte diçka. E ktheu në jetë djalin dhe «ia dha së ëmës».—Vargjet 14, 15.

15. Ç’mund të mësojmë nga mrekullia e Jezuit pranë Nainit?

15 Ç’mund të mësojmë nga kjo mrekulli e Jezuit, ringjallja e birit të vejushës? Mësojmë si t’u tregojmë dhembshuri atyre që janë të hidhëruar nga vdekja e një njeriu të dashur. Natyrisht, ne nuk i kthejmë dot në jetë të vdekurit siç bëri Jezui. Por, njësoj si Jezui, mund ta ushqejmë dhembshurinë për të pikëlluarit duke qenë vëzhgues të mirë. Mund të marrim iniciativën t’u tregojmë dhembshuri duke thënë e duke bërë çfarë mundemi për t’i ndihmuar e për t’i ngushëlluar. d (Prov. 17:17; 2 Kor. 1:3, 4; 1 Pjet. 3:8) Edhe ca fjalë të thjeshta ose diçka e vogël që bëjmë, mund të kenë goxha peshë.

16. Çfarë të mëson përvoja e një nëne që i kishte vdekur vajza nga pak kohë, siç tregon inskenimi në figurë?

16 Të shohim një shembull. Vite më parë, ndërsa kongregacioni po këndonte gjatë mbledhjes, një motër vuri re në një rresht tjetër një nënë që po qante. Në këngë përmendej shpresa e ringjalljes, dhe motra e dinte se asaj nëne i kishte vdekur vajza para pak kohësh. Prandaj shkoi menjëherë tek ajo, i hodhi krahun në qafë dhe e kënduan bashkë pjesën tjetër të këngës. Më vonë ajo nënë tha: «Më gufoi zemra nga dashuria për vëllezërit dhe motrat.» Ishte shumë e lumtur që kishte shkuar në mbledhje. «Vendi ku mund të gjejmë ndihmë është atje, në Sallën e Mbretërisë»,—tha ajo. Jemi të sigurt se Jehovai i vëren e i çmon edhe gjërat e thjeshta që bëjmë për t’u treguar dhembshuri të pikëlluarve që e kanë «shpirtin të dërrmuar».—Psal. 34:18.

NJË PROJEKT STUDIMI BESIMFORCUES

17. Çfarë kemi mësuar në këtë artikull?

17 Tregimet e ungjijve për mrekullitë e Jezuit mund të jenë një projekt studimi që na forcon besimin. Ato na mësojnë se Jehovai dhe Jezui na duan me gjithë shpirt, se Jezui ka fuqinë të zgjidhë tërë problemet e njerëzimit dhe se mund të kemi besim të plotë që shumë shpejt do të gëzojmë bekimet e premtuara nën Mbretërinë e Perëndisë. Ndërsa i studion me kujdes këto tregime, pse të mos meditosh për mënyrat si mund t’i imitosh cilësitë e Jezuit? Ndoshta mund të programosh një projekt studimi personal ose një adhurim familjar që përqendrohet te mrekulli të tjera të Jezuit. Përpiqu të nxjerrësh mësime prej tyre dhe pastaj fol me të tjerët për atë që mësove. Përfytyro çfarë bisedash inkurajuese mund të vijnë nga kjo!—Rom. 1:11, 12.

18. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

18 Aty nga fundi i shërbimit në tokë, Jezui bëri ringjalljen e tretë nga tri ringjalljet e dokumentuara në Shkrime. Por kjo ishte ndryshe nga të tjerat—ai ringjalli një mik të shtrenjtë dhe e bëri këtë në rrethana të pazakonta. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga ajo që tregon Bibla për këtë mrekulli? Si mund ta forcojmë besimin te shpresa e ringjalljes? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në artikullin tjetër.

KËNGA 20 Dhe Birin tënd të shtrenjtë

a Ai fashiti një furtunë të egër, shëroi të sëmurë dhe ktheu në jetë të vdekur. Është drithëruese të lexosh për mrekullitë që kreu Jezui! Këto ngjarje nuk u shkruan në Bibël që thjesht të kënaqemi duke i lexuar, por që të mësojmë prej tyre. Ndërsa shqyrtojmë disa nga këto mrekulli, do të shohim ç’na mësojnë për Jehovain dhe Jezuin, e kështu do të na forcohet besimi. Gjithashtu do të ndalemi te disa cilësi që bëjmë mirë t’i zhvillojmë.

b Një studiues i Biblës shpjegon: «Mikpritja në Lindje shihej si një detyrë e shenjtë dhe nuk mjaftonte të siguroje thjesht aq sa nevojitej. Mikpritja e vërtetë, sidomos në një dasmë, kërkonte që të kishte bollëk.»

c Në ungjij lexojmë për më shumë se 30 mrekulli të Jezuit. Por ai bëri edhe mjaft mrekulli të tjera që në Shkrime përmenden si grup. Në një rast, një ‘qytet i tërë’ shkoi te Jezui dhe ai «shëroi shumë njerëz që vuanin nga sëmundje të ndryshme».—Mar. 1:32-34.

d Për sugjerime se çfarë mund të thuash ose të bësh për t’i ngushëlluar të hidhëruarit, shih artikullin «Të ngushëllojmë të pikëlluarit, siç bëri Jezui», në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 2010.

e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui është në sfond, ndërkohë që dhëndri e nusja bashkë me mysafirët shijojnë verën e mirë që ka bërë ai.