Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 17

Jehovai do të të ndihmojë mes të papriturave të jetës

Jehovai do të të ndihmojë mes të papriturave të jetës

«Hallet e të drejtit s’kanë të sosur, por Jehovai e çliron nga të gjitha.»—PSAL. 34:19.

KËNGA 44 Përgjërimi i shpirtit

PËRMBLEDHJE a

1. Për çfarë jemi të sigurt?

 SI ADHURUES të Jehovait, jemi të bindur se ai na do dhe dëshiron të bëjmë jetën më të mirë që është e mundur. (Rom. 8:35-39) Jemi të sigurt edhe se parimet e Biblës na sjellin gjithnjë dobi kur i zbatojmë. (Isa. 48:17, 18) Por ç’ndodh nëse na bien vështirësi që nuk i presim?

2. Çfarë problemesh mund të hasim, dhe cilat pyetje mund të na lindin nga kjo?

2 Të gjithë shërbëtorët e Jehovait hasin probleme. Për shembull, një pjesëtar i familjes mund të na zhgënjejë në ndonjë mënyrë. Mund të kemi probleme shëndetësore serioze që nuk na lënë të bëjmë aq sa duam në shërbim të Jehovait. Mund të përjetojmë pasojat e rënda të një katastrofe natyrore. Ose mund të na përndjekin për shkak të bindjeve tona. Kur na bien sprova të tilla, ndoshta pyesim veten: «Pse po më ndodh kjo? Mos kam bërë diçka të gabuar? A do të thotë kjo se Jehovai nuk po më bekon?» Nëse je ndier ndonjëherë kështu, mos u shkurajo. Shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait kanë luftuar me ndjenja të ngjashme.—Psal. 22:1, 2; Hab. 1:2, 3.

3. Çfarë mund të mësojmë nga Psalmi 34:19?

3 Lexo Psalmin 34:19. Vër re dy pika të rëndësishme te ky psalm: (1) Njerëzve të drejtë u bien halle. (2) Jehovai na çliron nga sprovat. Si na çliron Jehovai? Një mënyrë është duke na ndihmuar të kemi një pikëpamje realiste për jetën në këtë sistem. Ndonëse na premton se do të gjejmë gëzim në shërbim të tij, ai nuk na garanton një jetë pa telashe sot. (Isa. 66:14) Jehovai na nxit të përqendrohemi tek e ardhmja—te koha kur do të bëjmë atë jetë që ai dëshiron ta gëzojmë përgjithnjë. (2 Kor. 4:16-18) Ndërkohë, po na ndihmon të ecim para çdo ditë pa u dorëzuar.—Vajt. 3:22-24.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Le të shohim çfarë mund të mësojmë nga shembujt e adhuruesve besnikë të Jehovait në lashtësi dhe në ditët tona. Siç do ta shohim, mund të hasim probleme të papritura. Por kur e lëmë veten me besim në duart e Jehovait, ai do të na mbështetë në çdo rast. (Psal. 55:22) Ndërsa shqyrtojmë këta shembuj, pyet veten: «Si do të kisha reaguar në një situatë të ngjashme? Si ma forcon besimin te Jehovai ky shembull? Cilat mësime mund të zbatoj në jetën time?»

NË LASHTËSI

Për 20 vjet me radhë, Jehovai e bekoi Jakobin ndërsa punonte pa u lodhur për ungjin e tij hileqar, Labanin (Shih paragrafin 5)

5. Çfarë vështirësish hasi Jakobi për shkak të Labanit? (Shih figurën e kopertinës.)

5 Shërbëtorët e Jehovait në lashtësi hasën vështirësi që nuk i pritnin. Të marrim rastin e Jakobit. I ati e urdhëroi të martohej me një nga vajzat e Labanit, një i afërm që adhuronte Jehovain. Gjithashtu e siguroi se Jehovai do ta bekonte pa masë. (Zan. 28:1-4) E Jakobi bëri gjënë e duhur. U largua nga Kanani dhe udhëtoi për në shtëpinë e Labanit që kishte dy vajza—Lean dhe Rakelën. Jakobi ra në dashuri me vajzën e vogël të Labanit, Rakelën, dhe pranoi të punonte shtatë vjet për babanë e saj para se ta merrte për grua. (Zan. 29:18) Por gjërat nuk shkuan siç shpresonte Jakobi. Me dredhi, Labani i dha për grua vajzën e madhe, Lean. Një javë më vonë, Labani e lejoi të martohej me Rakelën, me kusht që të punonte edhe shtatë vjet të tjera për të. (Zan. 29:25-27) Edhe në marrëdhënie pune, Labani u tregua i padrejtë me Jakobin. Ai e shfrytëzoi Jakobin për 20 vjet gjithsej!—Zan. 31:41, 42.

6. Çfarë hallesh të tjera i ranë Jakobit?

6 Jakobit i ranë edhe halle të tjera. Ai kishte një familje të madhe, por djemtë e tij nuk shkonin gjithmonë mirë me njëri-tjetrin. Madje e shitën si skllav vëllanë e tyre, Jozefin. Dy nga djemtë e Jakobit, Simeoni dhe Levi, e turpëruan familjen dhe njollosën emrin Jehovait. Veç kësaj, gruaja e dashur e Jakobit, Rakela, vdiq ndërsa po lindte fëmijën e dytë. E për shkak të një zie buke të rëndë, Jakobit iu desh të shpërngulej për në Egjipt në moshë të thyer.—Zan. 34:30; 35:16-19; 37:28; 45:9-11, 28.

7. Si ia tregoi Jehovai Jakobit se gëzonte miratimin e Tij?

7 Mes gjithë atyre peripecive, Jakobi nuk e humbi kurrë besimin te Jehovai dhe te premtimet e Tij. E Jehovai i tregoi Jakobit se gëzonte miratimin e Tij. Për shembull, me gjithë mashtrimet e Labanit, Jehovai e bekoi Jakobin nga ana materiale. Veç kësaj, kushedi si do t’i ketë gufuar zemra nga mirënjohja për Jehovain kur u ribashkua me Jozefin—me djalin që Jakobi e dinte të vdekur prej kohësh! Falë miqësisë së ngushtë me Jehovain, Jakobi i përballoi me sukses sprovat. (Zan. 30:43; 32:9, 10; 46:28-30) Kur mbajmë një miqësi të ngushtë me Jehovain, edhe ne mund t’i përballojmë me sukses sprovat e papritura.

8. Çfarë shpresonte të bënte mbreti David?

8 Mbreti David nuk arriti të bënte çdo gjë që shpresonte në shërbim të Jehovait. Për shembull, Davidit i digjej zemra t’i ndërtonte një tempull Perëndisë së tij. Atë dëshirë ia shprehu profetit Natan, i cili i tha: «Bëj gjithçka ke në zemër, se Perëndia i vërtetë është me ty.» (1 Kron. 17:1, 2) Mund ta imagjinojmë si do t’ia kenë ngritur zemrën peshë Davidit ato fjalë. Ndoshta filloi të bënte plane menjëherë për atë projekt madhështor.

9. Si reagoi Davidi ndaj lajmit zhgënjyes që mori?

9 S’kaloi shumë dhe profeti i Jehovait i solli një lajm zhgënjyes. «Po atë natë», Jehovai i tha Natanit se ai që do t’i ndërtonte tempullin nuk do të ishte Davidi, por një nga djemtë e tij. (1 Kron. 17:3, 4, 11, 12) Si reagoi Davidi kur mori këtë lajm? Ai u përshtat duke e ndryshuar synimin. U përqendrua te mbledhja e fondeve dhe materialeve që do t’i nevojiteshin të birit, Solomonit, për projektin.—1 Kron. 29:1-5.

10. Si e bekoi Jehovai Davidin?

10 Menjëherë pasi e njoftoi Davidin se nuk do ta ndërtonte ai tempullin, Jehovai bëri një besëlidhje me të. I premtoi se një nga pasardhësit e tij do të mbretëronte përgjithmonë. (2 Sam. 7:16) Imagjino sa i lumtur do të ndihet Davidi në botën e re, gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, kur të mësojë se Mbreti, Jezui, vjen nga familja e tij! Kjo ngjarje na ndihmon të kuptojmë që edhe nëse nuk bëjmë dot për Jehovain çdo gjë që shpresonim, Perëndia ynë mund të ketë rezervuar për ne bekime të tjera që as na i merr mendja.

11. Si i bekoi Jehovai të krishterët e shekullit të parë ndonëse Mbretëria nuk erdhi atëherë kur e pritnin? (Veprat 6:7)

11 Të krishterët e shekullit të parë u përballën me pasiguri të ndryshme. Për shembull, ata mezi prisnin të vinte Mbretëria e Perëndisë, por nuk e dinin se kur do të ndodhte kjo. (Vep. 1:6, 7) Çfarë bënë ndërkohë? U zhytën plotësisht te vepra e predikimit. Ndërsa lajmi i mirë përhapej, panë prova të qarta se Jehovai po i bekonte përpjekjet e tyre.—Lexo Veprat 6:7.

12. Çfarë bënë të krishterët e shekullit të parë kur ra një zi buke?

12 Më pas, ra një zi buke e madhe «në gjithë tokën e banuar». (Vep. 11:28) Ajo preku edhe të krishterët e shekullit të parë. Imagjino sa vështirësi do t’u ketë sjellë ajo zi buke e rëndë. Pa dyshim, kryefamiljarët ishin të shqetësuar se si do t’i siguronin gjërat e nevojshme familjes. Po të rinjtë që kishin plane për të zgjeruar shërbimin? Ndoshta vrisnin mendjen nëse duhej t’i shtynin për më vonë ato plane. Të krishterët u përshtatën, pavarësisht nga rrethanat e tyre. Vazhduan të predikonin në çdo mënyrë që mundeshin. Gjithashtu ndanin me kënaqësi ç’të kishin me bashkëbesimtarët në Jude.—Vep. 11:29, 30.

13. Çfarë bekimesh patën të krishterët gjatë një zie buke?

13 Çfarë bekimesh patën të krishterët gjatë asaj zie buke? Ata që morën ndihmë ekonomike, provuan dorën e Jehovait në jetën e tyre. (Mat. 6:31-33) Me siguri do të jenë ndier më afër bashkëbesimtarëve që u kishin shkuar në ndihmë. Ata që bënë dhurata ose që ndihmuan në mënyra të tjera, provuan lumturinë që vjen kur u jep të tjerëve. (Vep. 20:35) Jehovai i bekoi të gjithë ndërsa përshtateshin me rrethanat e reja.

14. Çfarë i ndodhi Barnabës dhe apostullit Pavël, dhe cili ishte rezultati? (Veprat 14:21, 22)

14 Të krishterët e shekullit të parë hasnin shpesh përndjekje, e ndonjëherë kur nuk e prisnin fare. Të kujtojmë ç’i ndodhi Barnabës dhe apostullit Pavël ndërsa predikonin në zonën e Listrës. Në fillim, ata që dëgjuan mesazhin e tyre i mikpritën me ngrohtësi. Por më vonë, tamam disa prej atyre që i mikpritën, e qëlluan me gurë Pavlin dhe e lanë në rrugë me mendimin se kishte vdekur, pasi kundërshtarët ‘u kishin mbushur mendjen turmave’. (Vep. 14:19) Megjithatë, Barnaba e Pavli vazhduan të predikonin diku tjetër. Rezultati? Bënë «mjaft dishepuj», dhe me fjalët e shembullin e tyre forcuan bashkëbesimtarët. (Lexo Veprat 14:21, 22.) Shumë veta nxorën dobi ngaqë Barnaba dhe Pavli nuk u dorëzuan përballë përndjekjes së papritur. Ndërsa bëjmë pa u dorëzuar veprën që na ka caktuar Jehovai, ai do të vazhdojë të na bekojë.

NË DITËT TONA

15. Çfarë mëson nga shembulli i vëlla Aleksandër Mekmilënit?

15 Para vitit 1914, shërbëtorët e Jehovait kishin shpresa të mëdha. Për shembull, të mendojmë për vëllanë Aleksandër Mekmilën. Si shumë të tjerë në atë kohë, vëlla Mekmilëni mendonte se do të merrte shumë shpejt shpërblimin qiellor. Në një fjalim që mbajti në shtator të 1914-ës, ai tha: «Ka shumë gjasa që ky të jetë fjalimi i fundit publik që mbaj.» S’do mend që ai nuk ishte fjalimi i fundit. Më vonë, vëlla Mekmilëni shkroi: «Mbase disa nga ne u ngutëm pak kur menduam se do të shkonim menjëherë në qiell.» Pastaj shtoi: «Ajo që duhet të bëjmë është të zhytemi në veprën e Zotërisë.» E vëlla Mekmilëni u dha me zell pas shërbimit. Ai pati privilegjin të inkurajonte plot vëllezër që ishin në burg për shkak të asnjanësisë. Gjithashtu ndiqte me besnikëri mbledhjet e kongregacionit edhe në moshë të thyer. Si nxori dobi ngaqë e përdori kohën me mençuri ndërsa priste shpërblimin e tij? Pak para se të vdiste në vitin 1966, vëlla Mekmilëni shkroi: «Besimi im sot është më i fortë se kurrë.» Çfarë shembulli i shkëlqyer për të gjithë ne—sidomos nëse kemi përballuar sprova nga më shumë kohë se ç’e pritnim!—Hebr. 13:7.

16. Cilën sfidë të papritur hasën Herbert Xhenings dhe gruaja e tij? (Jakovi 4:14)

16 Shumë shërbëtorë të Jehovait vuajnë nga probleme shëndetësore të papritura. Për shembull, në jetëshkrimin e tij, vëlla Herbert Xhenings b flet për një kohë kur ai dhe e shoqja e shijonin caktimin si misionarë në Ganë. Por me kalimin e kohës u diagnostikua me një çrregullim të rëndë humori. Duke përdorur fjalët e Jakovit 4:14, vëlla Xhenings e quajti atë situatë «një ‘e nesërme’ që nuk e pritnim». (Lexoje.) Ai shkroi: «Duke përballuar realitetin, morëm masa që të largoheshim nga Gana dhe nga miqtë tanë të shumtë të ngushtë e të ktheheshim në Kanada [për trajtim mjekësor].» Jehovai e ndihmoi vëllanë Xhenings dhe gruan e tij që të vazhdonin t’i shërbenin me besnikëri me gjithë sfidën që po hasnin.

17. Si nxorën dobi disa vëllezër e motra nga shembulli i vëllait Xhenings?

17 Komentet e çiltra të vëllait Xhenings në jetëshkrimin e tij kanë ndikuar thellë te shumë të tjerë. Një motër shkroi: «Asgjë nuk më ka prekur kaq shumë sa ky artikull. . . . Kur lexova për vëlla Xheningsin, që i ishte dashur të linte caktimin e tij që të kujdesej për shëndetin, kjo më ndihmoi që ta shihja situatën time në mënyrë të drejtpeshuar.» Po ashtu, një vëlla shkroi: «Pasi kisha shërbyer për dhjetë vjet si plak kongregacioni, m’u desh të hiqja dorë nga ky privilegj për shkak të një sëmundjeje mendore. Ndjenja e dështimit ishte kaq e fortë brenda meje, sa e kisha tepër të vështirë të lexoja artikujt me jetëshkrime. . . . Por këmbëngulja e vëllait Xhenings më dha vërtet zemër.» Këto histori na kujtojnë se kur hasim probleme të papritura, mund t’u japim zemër të tjerëve. Edhe kur jeta nuk shkon ashtu siç kishim shpresuar, prapëseprapë mund të jemi një shembull i gjallë besimi dhe qëndrueshmërie.—1 Pjet. 5:9.

Kur mbështetemi te Jehovai, pasiguritë e jetës mund të na afrojnë më shumë me të (Shih paragrafin 18)

18. Siç tregon inskenimi në figurë, çfarë mësojmë nga shembulli i një vejushe në Nigeri?

18 Shumë shërbëtorë të Jehovait kanë vuajtur për shkak të emergjencave, si pandemia e COVID-19. Për shembull, një vejushe nga Nigeria i kishin mbetur fare pak ushqime dhe pará. Një mëngjes, vajza e pyeti ç’do të hanin pasi të kishin gatuar grushtin e fundit të orizit. Ajo i tha vajzës se nuk u kishin mbetur më ushqim e pará, por duhej të imitonin vejushën e Zarefatit—të përgatitnin vaktin e fundit dhe ta linin veten me besim të plotë në duart e Jehovait. (1 Mbret. 17:8-16) As kishin filluar të mendonin se ç’do të hanin për drekë, kur bashkëbesimtarët u sollën një pako me ndihma. Pakoja kishte ushqime për më shumë se dy javë. Motra e pa qartë me sa vëmendje i kishte dëgjuar Jehovai fjalët që i tha vajzës. Pra, kur mbështetemi te Jehovai, pasiguritë e jetës faktikisht mund të na afrojnë edhe më shumë me të.—1 Pjet. 5:6, 7.

19. Çfarë përndjekje hasi vëlla Aleksei Jershovi?

19 Vitet e fundit, plot vëllezër e motra kanë hasur përndjekje të papritura. Mendo për vëlla Aleksei Jershovin, që jeton në Rusi. Kur vëlla Jershovi u pagëzua në vitin 1994, populli i Jehovait atje gëzonte njëfarë lirie për të adhuruar Perëndinë. Mirëpo vite më vonë, situata në Rusi ndryshoi. Më 2020-ën, policët hynë me forcë dhe kontrolluan shtëpinë e vëlla Jershovit e i konfiskuan shumë zotërime. Disa muaj më pas, qeveria ngriti akuza penale kundër tij. Si të mos mjaftonte kjo, akuzat bazoheshin te regjistrime video të dikujt që ishte hequr për më shumë se një vit sikur i interesonte të studionte Biblën. Çfarë pabesie!

20. Si e ka forcuar vëlla Jershovi miqësinë me Jehovain?

20 A ka ardhur ndonjë e mirë nga peripecitë që kaloi vëlla Jershovi? Po. Miqësia e tij me Jehovain është bërë më e fortë. Ai thotë: «Bashkë me gruan lutemi më shpesh. E kuptoj se nuk do të qëndroja dot pa ndihmën e Jehovait.» Gjithashtu shton: «Studimi personal më ndihmon kur ndihem i shkurajuar. Bluaj në mendje shembujt e shërbëtorëve besnikë nga e kaluara. Ka plot tregime në Bibël që tregojnë sa e rëndësishme është të ruash qetësinë dhe të besosh te Jehovai.»

21. Çfarë kemi mësuar në këtë artikull?

21 Çfarë kemi mësuar në këtë artikull? Jeta në këtë sistem ka plot të papritura. Prapëseprapë, Jehovai i ndihmon gjithmonë shërbëtorët e tij kur mbështeten tek ai. Siç thuhet në shkrimin kryesor të artikullit, «hallet e të drejtit s’kanë të sosur, por Jehovai e çliron nga të gjitha». (Psal. 34:19) Qofshim të vendosur të vazhdojmë të përqendrohemi te fuqia e Jehovait për të na mbështetur, jo te vështirësitë tona! Atëherë, ashtu si apostulli Pavël do të themi: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filip. 4:13.

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

a Ndonëse jeta në këtë sistem mund të sjellë vështirësi të papritura, jemi të sigurt se Jehovai do t’i mbështetë adhuruesit e tij besnikë. Si i ka ndihmuar Jehovai shërbëtorët e tij në të kaluarën? Si po na bëhet krah sot? Disa shembuj nga Bibla e nga ditët tona do të na e forcojnë besimin se po të mbështetemi te Jehovai, ai do të na ndihmojë edhe ne.