ARTIKULLI I STUDIMIT 19
Si ta forcojmë besimin te premtimi i Jehovait për një botë të re?
«Mos vallë [Jehovai] e thotë diçka dhe nuk e bën?!»—NUM. 23:19.
KËNGA 142 Spirancë është shpresa jonë!
PËRMBLEDHJE a
1-2. Çfarë duhet të bëjmë ndërsa presim botën e re?
SA MIRËNJOHËS i jemi Jehovait për premtimin që ta zëvendësojë këtë sistem me një botë të re të drejtë! (2 Pjet. 3:13) Ndonëse nuk e dimë ditën fiks kur do të bëhet realitet bota e re, provat tregojnë se nuk do të presim edhe shumë.—Mat. 24:32-34, 36; Vep. 1:7.
2 Derisa të vijë ajo ditë, të gjithë duhet ta forcojmë besimin te ky premtim, sado kohë të kemi në të vërtetën. Pse? Sepse edhe një besim i fortë mund të dobësohet. Në fakt, apostulli Pavël e quajti mungesën e besimit ‘mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’. (Hebr. 12:1) Që të mos lejojmë të na dobësohet besimi, duhet t’i shqyrtojmë rregullisht dëshmitë që tregojnë se së shpejti bota e re do të jetë një realitet.—Hebr. 11:1.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Në këtë artikull, do të shqyrtojmë tri mënyra si ta forcojmë besimin te premtimi i Jehovait për një botë të re: (1) duke menduar thellë për shpërblesën, (2) duke medituar për fuqinë e Jehovait dhe (3) duke u kushtuar sa më shumë kohë aktiviteteve teokratike. Më tej do të shohim si na e forcon besimin sot mesazhi që i dha Jehovai Habakukut. Por, në fillim të ndalemi te disa situata që mund të hasim tani e që kërkojnë besim të fortë te premtimi për një botë të re.
SITUATA QË KËRKOJNË BESIM TË FORTË
4. Cilat vendime kërkojnë besim të fortë?
4 Çdo ditë marrim vendime që kërkojnë besim të fortë. Për shembull, marrim vendime në lidhje me shoqërinë, zbavitjen, arsimimin, martesën, fëmijët dhe punën. Bëjmë mirë të pyesim veten: «A tregojnë zgjedhjet e mia se jam i sigurt që ky sistem është i përkohshëm dhe do të zëvendësohet së shpejti nga bota e re e Perëndisë? Apo mos ndoshta zgjedhjet që bëj ndikohen nga njerëzit që jetojnë sikur vdekja të jetë fundi i gjithçkaje?» (Mat. 6:19, 20; Luka 12:16-21) Duke e forcuar besimin se bota e re është te pragu, do të marrim vendimet më të mençura.
5-6. Pse na duhet besim i fortë në kohë sprovash? Ilustrojeni.
5 Veç kësaj, hasim sprova që kërkojnë besim të fortë. Mbase përballemi me përndjekje, sëmundje kronike ose gjëra të tjera që mund të na shkurajojnë. Në fillim ndoshta e përballojmë një sprovë plot vendosmëri. Por nëse sprova vazhdon gjatë, siç ndodh shpesh, do të na duhet besim i fortë që të tregojmë qëndrueshmëri dhe të vazhdojmë t’i shërbejmë me gëzim Jehovait.—Rom. 12:12; 1 Pjet. 1:6, 7.
6 Ndërsa kalojmë një sprovë, mund të ndihemi sikur bota e re e Jehovait s’ka për të ardhur kurrë. A do të thotë kjo se kemi besim të dobët? Jo medoemos. Të bëjmë një ilustrim. Mes një dimri të ftohtë acar, mund të ndihemi sikur vera s’ka për të ardhur kurrë. E megjithatë, vera vjen! Po njësoj, kur na mbyt shkurajimi, mund të ndihemi sikur bota a re s’do të vijë kurrë. Ama kur kemi besim të fortë, jemi të sigurt se premtimet e Perëndisë do të plotësohen. (Psal. 94:3, 14, 15; Hebr. 6:17-19) Duke pasur këtë siguri, mund të vazhdojmë ta vëmë në vend të parë në jetë adhurimin e Jehovait.
7. Nga cili qëndrim duhet të ruhemi?
7 Të mendojmë edhe për një aspekt tjetër ku na duhet besim i fortë—vepra e predikimit. Shumë nga ata që u predikojmë, mendojnë se ‘lajmi i mirë’ për botën e re të Perëndisë është tepër i bukur për të qenë i vërtetë. (Mat. 24:14; Ezek. 33:32) Të mos lejojmë kurrë të infektohemi nga qëndrimi i tyre skeptik. Që të mos ndodhë kjo, duhet të vazhdojmë ta forcojmë besimin. Të shohim tri mënyra si mund të bëjmë këtë.
MENDO THELLË PËR SHPËRBLESËN
8-9. Pse na forcohet besimi kur meditojmë për shpërblesën?
8 Një mënyrë si ta forcojmë besimin është duke menduar thellë për shpërblesën. Shpërblesa është një garanci se premtimet e Perëndisë do të bëhen realitet. Kur i bluajmë mirë në mendje arsyet pse u sigurua shpërblesa dhe sa shumë sakrifikoi Jehovai, na forcohet besimi se premtimi i Perëndisë për të jetuar pa fund në një botë më të mirë do të plotësohet pa fije dyshimi. Pse ndodh kështu?
9 Po ja, mendo pak çfarë sakrifikoi Jehovai për të siguruar shpërblesën. Ai dërgoi nga qielli Birin e shtrenjtë të parëlindur, mikun më të ngushtë, që të lindte si njeri i përsosur. Kur ishte në tokë, Jezui duroi lloj-lloj vështirësish, e në fund pati një vdekje të dhimbshme. Çfarë çmimi të lartë pagoi Jehovai! Perëndia ynë i dashur nuk do të lejonte kurrë që Biri i tij të vuante e të vdiste thjesht që të kishim një jetë më të mirë, por fare të shkurtër. (Gjoni 3:16; 1 Pjet. 1:18, 19) Përderisa pagoi një çmim kaq të lartë, Jehovai do të sigurohet që jeta pa fund në botën e re të bëhet realitet.
MEDITO PËR FUQINË E JEHOVAIT
10. Sipas Efesianëve 3:20, çfarë është i aftë të bëjë Jehovai?
10 Një mënyrë e dytë si ta forcojmë besimin është të meditojmë për fuqinë e Jehovait. Ai ka fuqi të plotësojë çdo gjë që premton. Vërtet, njerëzve mund t’u duket i pamundur plotësimi i premtimit për një jetë pa fund në një botë të re. Por shpesh Jehovai premton gjëra që njerëzit nuk do t’i realizonin dot kurrë. Fundja, ai është Perëndia i Plotfuqishëm. (Jobi 42:2; Mar. 10:27) A do të prisnim që ai të bënte thjesht premtime të rëndomta?!—Lexo Efesianëve 3:20.
11. Përmendni një nga premtimet e jashtëzakonshme të Perëndisë. (Shih kutinë « Premtime të jashtëzakonshme që u plotësuan».)
11 Mendo për disa gjëra në dukje të pamundura që u premtoi Jehovai shërbëtorëve të tij në të shkuarën. Abrahamit dhe Sarës u premtoi se do të bëheshin me një djalë në pleqëri. (Zan. 17:15-17) Gjithashtu i tha Abrahamit se do t’u jepte pasardhësve të tij vendin e Kananit. Gjatë gjithë atyre viteve që pasardhësit e Abrahamit, izraelitët, ishin skllevër në Egjipt, duhet të jetë dukur sikur ai premtim nuk do të realizohej kurrë. Por premtimi i Jehovait u plotësua! Kohë më vonë, Jehovai tha se Elizabeta e moshuar do të lindte një fëmijë. Gjithashtu i tha Marisë, një virgjëreshe, se do të lindte Birin e tij. Ardhjen e tij Jehovai e kishte premtuar mijëra vjet më parë në kopshtin e Edenit. Kështu u plotësua edhe një premtim tjetër!—Zan. 3:15.
12. Çfarë theksojnë Josiu 23:14 dhe Isaia 55:10, 11 për fuqinë e Jehovait?
12 Kur meditojmë për premtimet që ka bërë dhe ka mbajtur Jehovai gjatë gjithë historisë, na forcohet besimi se ai ka fuqi ta sjellë botën e re. (Lexo Josiun 23:14; Isainë 55:10, 11.) Me këtë besim më të fortë, mund të jemi më të aftë t’i ndihmojmë të tjerët të kuptojnë se bota e re nuk është një ëndërr ose një fantazi. Kur premtoi një qiell të ri dhe një tokë të re, vetë Jehovai tha: «Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.»—Zbul. 21:1, 5.
MBUSHE JETËN ME AKTIVITETE TEOKRATIKE
13. Si na e forcojnë besimin mbledhjet e kongregacionit? Shpjegoni.
13 Një mënyrë e tretë si ta forcojmë besimin është t’u kushtojmë sa më shumë kohë aktiviteteve që na afrojnë me Jehovain. Të mendojmë, për shembull, si nxjerrim dobi nga mbledhjet e kongregacionit. Ana, e cila ka shërbyer prej dekadash në forma të ndryshme të shërbimit në kohë të plotë, thotë: «Mbledhjet më ndihmojnë që besimi im të ketë themele të forta. Edhe nëse vëllai që mban pjesën nuk është ndonjë mësues i zotë ose nuk po flet për ndonjë gjë të re, shpesh do të thotë diçka që më ndihmon ta kuptoj më mirë një të vërtetë të Biblës dhe që ma forcon besimin.» b Pa dyshim që besimi ynë forcohet edhe nga komentet e vëllezërve dhe motrave.—Rom. 1:11, 12; 10:17.
14. Si na e forcon besimin shërbimi?
14 Besimi ynë bëhet më i fortë edhe kur marrim pjesë në shërbim. (Hebr. 10:23) Barbara, që i shërben Jehovait nga më shumë se 70 vjet, thotë: «Për mua, vepra e predikimit ka qenë gjithmonë besimforcuese. Sa më shumë flas me të tjerët për premtimet e mrekullueshme të Jehovait, aq më i fortë e më i gjallë bëhet besimi im.»
15. Si na e forcon besimin studimi personal? (Shih edhe figurat.)
15 Një aktivitet tjetër që na forcon besimin është studimi personal. Suzanës i duket e dobishme ta programojë mirë studimin. Ajo thotë: «Të dielën studioj artikullin e Kullës së Rojës për javën tjetër. Të hënën dhe të martën përgatitem për mbledhjen e mesjavës. Kurse ditët që mbeten, kam një projekt studimi personal.» Duke mbajtur një program të mirë studimi, Suzana e forcon dita-ditës besimin. Irenës, që ka shërbyer për dekada të tëra në selinë botërore, i forcohet besimi nga studimi i profecive të Biblës. Ajo thotë: «Më duket e mahnitshme që profecitë e Jehovait janë plotësuar deri në hollësinë më të vogël.» c
«PA DYSHIM DO TË DALË I VËRTETË»
16. Pse janë domethënëse për ne sot fjalët që i tha Jehovai Habakukut? (Hebrenjve 10:36, 37)
16 Disa shërbëtorë të Jehovait kanë shumë kohë që po presin fundin e këtij sistemi. Nga këndvështrimi njerëzor, mund të duket se plotësimi i premtimit të Perëndisë po vonon. Por Jehovai di çdo merak që kanë shërbëtorët e tij, prandaj e siguroi profetin Habakuk: «Vegimi është ende për kohën e caktuar dhe po shkon me nxitim drejt fundit, e nuk do të dalë i rremë. Edhe sikur të vonojë, prite plot shpresë, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë, jo, nuk do të vonojë!» (Hab. 2:3) A e dha Perëndia këtë garanci vetëm për Habakukun? Apo fjalët e tij janë domethënëse edhe për ne sot? Nën frymëzim, apostulli Pavël tregoi se këto fjalë vlejnë edhe për të krishterët që presin plot shpresë botën e re. (Lexo Hebrenjve 10:36, 37.) Po, edhe nëse duket sikur çlirimi ynë po vonon, mund të jemi të sigurt që premtimi i Jehovait «pa dyshim do të dalë i vërtetë, jo, nuk do të vonojë»!
17. Si e zbatoi një motër këshillën që i dha Jehovai Habakukut?
17 Shumë shërbëtorë të Jehovait e kanë zbatuar këshillën e tij që ‘të presin plot shpresë’. Disa madje kanë pritur për dekada të tëra. Luiza, për shembull, filloi t’i shërbente Jehovait në vitin 1939. Ajo thotë: «Në atë kohë, mendoja se Armagedoni do të vinte para se të mbaroja gjimnazin. Por s’ndodhi ashtu. Gjatë viteve, kam nxjerrë dobi nga ato që i quaj ‘historitë e atyre që pritën’—tregimet e Biblës për Noenë, Abrahamin, Jozefin e të tjerë që iu desh të pritnin gjatë para se të merrnin shpërblimin e premtuar nga Jehovai. Kam vazhduar ta pres plot shpresë plotësimin e premtimeve. Kjo më ka ndihmuar që, ashtu si shumë të tjerë, të mos më lëkundet siguria se bota e re është fare afër.» Njësoj ndihen mjaft veta që kanë një kohë të gjatë në shërbim të Jehovait!
18. Kur vëzhgojmë krijimin, si na forcohet besimi se bota e re do të vijë?
18 Vërtet, bota e re nuk është akoma realitet. Por mendo për disa gjëra të tjera që janë realitet—yjet, pemët, kafshët dhe njerëzit që ke përreth. Askush nuk do të dyshonte se të gjitha këto janë reale. Ndonëse ka pasur një kohë kur ato nuk ekzistonin, tani i shohim me sytë tanë sepse Jehovai i krijoi. (Zan. 1:1, 26, 27) Perëndia ynë ka për qëllim edhe të sjellë një botë të re, e do ta përmbushë qëllimin e tij! Në botën e re, njerëzit do të gëzojnë jetën pa fund me shëndet të përsosur. Në kohën që ka caktuar Perëndia, bota e re do të jetë po aq reale sa universi që na rrethon.—Isa. 65:17; Zbul. 21:3, 4.
19. Si mund ta forcosh besimin?
19 Ndërkohë shfrytëzo çdo mundësi që ke për ta forcuar besimin. Thello çmueshmërinë për shpërblesën. Medito për fuqinë e Jehovait. Mbushe jetën me aktivitete teokratike. Duke bërë kështu, mund të jesh mes atyre që «nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet».—Hebr. 6:11, 12; Rom. 5:5.
KËNGA 139 Përfytyro agimin e jetës së re
a Shumë veta sot nuk besojnë te premtimi i Biblës për një botë të re. Mendojnë se është thjesht një ëndërr, një përrallë, diçka tepër e bukur për të qenë e vërtetë. Kurse ne jemi të sigurt se të gjitha premtimet e Jehovait do të plotësohen. Megjithatë, që ta mbajmë të patundur besimin, duhet të vazhdojmë ta forcojmë. Ky artikull tregon si ta bëjmë këtë.
b Disa emra janë ndryshuar.
c Shumë artikuj për profecitë e Biblës mund të gjenden te tema «Profecitë» në Treguesin e botimeve Watch Tower. Shih, për shembull, artikullin «Gjithçka që Jehovai parathotë del e vërtetë» te Kulla e Rojës e 1 janarit 2008.