ARTIKULLI I STUDIMIT 18
T’i japim zemër njëri-tjetrit në mbledhje
«Le të interesohemi për njëri-tjetrin . . . , t’i japim zemër njëri-tjetrit.»—HEBR. 10:24, 25.
KËNGA 88 Më mëso udhët e tua
PËRMBLEDHJE a
1. Pse komentojmë në mbledhje?
PSE i ndjekim mbledhjet e kongregacionit? Mbi të gjitha, për t’i dhënë lavdi Jehovait. (Psal. 26:12; 111:1) I ndjekim mbledhjet edhe që t’i japim zemër njëri-tjetrit në këto kohë të vështira. (1 Sel. 5:11) Kur ngremë dorën dhe komentojmë, i plotësojmë të dyja këto qëllime.
2. Çfarë mundësish kemi që të komentojmë në mbledhjet tona?
2 Çdo javë kemi mundësi të komentojmë në mbledhjet tona. Për shembull, në fundjavë mund të marrim pjesë me komente gjatë Studimit të Kullës së Rojës në kongregacion. Në mbledhjen e mesjavës, mund të komentojmë në pjesën Xhevahire nga Bibla, gjatë Studimit të Biblës në Kongregacion dhe në pjesë të tjera me pyetje-përgjigje.
3. Me cilat vështirësi mund të luftojmë, dhe si mund të na ndihmojë Hebrenjve 10:24, 25?
3 Të gjithë dëshirojmë të lëvdojmë Jehovain dhe t’u japim zemër bashkëbesimtarëve. Por kur duam të komentojmë, mund të hasim vështirësi. Disa mund të kenë ankth të komentojnë. Të tjerë mund të kenë shumë qejf të bëjnë komente, por nuk u jepet fjala aq shpesh sa do të donin. Si mund t’i kapërcejmë këto vështirësi? Mund të na ndihmojë ajo që u shkroi apostulli Pavël hebrenjve. Kur foli për rëndësinë e mbledhjeve, ai tha se meraku ynë kryesor duhet të jetë «t’i japim zemër njëri-tjetrit». (Lexo Hebrenjve 10:24, 25.) Kur mbajmë parasysh që mund t’u japim zemër të tjerëve qoftë edhe me një koment të thjeshtë ku shprehim besimin tonë, do ta kemi më të lehtë të ngremë dorën për të komentuar. E nëse nuk na jepet shpesh fjala, mund të jemi të lumtur që do të kenë mundësi motra e vëllezër të tjerë të komentojnë.—1 Pjet. 3:8.
4. Cilat janë tri pikat që do të shqyrtojmë në këtë artikull?
4 Në këtë artikull do të shohim në fillim si mund t’i japim zemër njëri-tjetrit në një kongregacion të vogël, ku ka pak komentues. Pastaj do të shohim si mund t’i japim zemër njëri-tjetrit në një kongregacion të madh, ku e ngrenë dorën shumë veta për të komentuar. Në fund do të shohim çfarë mund të bëjmë që përmbajtja e komenteve tona të jetë vërtet inkurajuese.
T’I JAPIM ZEMËR NJËRI-TJETRIT NË NJË KONGREGACION TË VOGËL
5. Si mund t’i japim zemër njëri-tjetrit kur jemi pak veta në mbledhje?
5 Në një grup ose kongregacion të vogël, drejtuesi nuk ka mundësi të zgjedhë mes një numri të madh komentuesish. Në disa raste, mund t’i duhet të presë derisa të ngrejë dorën dikush. Mbledhja mund të duket sikur po zvarritet pa fund, e kjo nuk është aq inkurajuese. Ç’mund të bësh? Ji i gatshëm ta ngresh dorën shpesh. Kështu mund t’i nxitësh edhe të tjerët të marrin pjesë më shumë.
6-7. Ç’mund të bëjmë që të kemi më pak ankth kur komentojmë?
6 Po nëse edhe vetëm mendimi për të komentuar të fut ankth? Mjaft veta ndihen kështu. Prapëseprapë, që t’i inkurajosh më shumë vëllezërit e motrat, pse të mos provosh disa mënyra për ta pakësuar ankthin? Si mund ta bësh këtë?
7 Mund të nxjerrësh dobi nga disa sugjerime që kanë dalë më parë në Kullën e Rojës. b Për shembull, përgatitu mirë. (Prov. 21:5) Sa më mirë ta njohësh materialin, aq më rehat do të ndihesh të komentosh. Gjithashtu, bëj komente të shkurtra. (Prov. 15:23; 17:27) Nëse përgjigjja që do të japësh është e shkurtër, do të kesh më pak ankth. Veç kësaj, vëllezërit e motrat mund ta kuptojnë më lehtë një koment të shkurtër, ndoshta vetëm me një a dy fjali, sesa një koment të gjatë ku shtjellohen shumë ide. Kur bën komente të shkurtra me fjalët e tua, tregon se je përgatitur mirë dhe se e ke kuptuar qartë materialin.
8. Si i sheh Jehovai përpjekjet tona me gjithë shpirt?
8 Po nëse i ke ndjekur disa nga këto sugjerime, por prapë je goxha në ankth e nuk bën dot më shumë se një a dy komente? Ji i sigurt se Jehovai i vlerëson përpjekjet e tua me gjithë shpirt për të bërë atë që mundesh. (Luka 21:1-4) Të japësh më të mirën nuk do të thotë t’i ngarkosh vetes një barrë të papërballueshme. (Filip. 4:5) Përcakto çfarë mund të bësh, vër synimin ta bësh dhe lutu për një zemër të qetë. Në fillim, synimi yt mund të jetë të bësh një koment të shkurtër.
T’I JAPIM ZEMËR NJËRI-TJETRIT NË NJË KONGREGACION TË MADH
9. Pse mund të jetë e vështirë të komentosh në një kongregacion të madh?
9 Nëse je në një kongregacion me shumë lajmëtarë, mund të hasësh një vështirësi tjetër. Ndoshta ka aq shumë vëllezër e motra që ngrenë dorën për të komentuar, saqë shpesh nuk ta japin fjalën. Daniela, për shembull, ka pasur gjithmonë qejf të bëjë komente. c Ajo e sheh këtë si pjesë të adhurimit që i bën Jehovait, si një mënyrë për t’u dhënë zemër të tjerëve dhe si një mënyrë për të fiksuar më mirë në mendje të vërtetat e Biblës. Por kur u transferua në një kongregacion më të madh, i jepej më rrallë mundësia të komentonte—në disa raste, as edhe një herë gjatë gjithë mbledhjes. Ajo thotë: «Më kapte mërzia. Ndihesha sikur më kishin hequr një privilegj. E kur kjo ndodh shpesh, fillon të dyshosh se mos ta bëjnë me qëllim.»
10. Ç’mund të bëjmë që të kemi më shumë raste për të komentuar?
10 A je ndier ndonjëherë si Daniela? Nëse po, ndoshta të vjen të dorëzohesh dhe thjesht të dëgjosh mbledhjen. Por mos hiq dorë. Vazhdo të përpiqesh të komentosh. Ç’mund të bësh? Mund të jetë e dobishme të përgatitësh disa komente për çdo mbledhje. Kështu, nëse nuk të jepet fjala nga fillimi i mbledhjes, do të kesh mundësi të tjera të komentosh gjatë mbledhjes. Kur përgatitesh për Studimin e Kullës së Rojës, mendo si lidhet secili paragraf me temën e artikullit. Në këtë mënyrë, ka shumë gjasa të kesh komente me vlerë gjatë gjithë artikullit. Gjithashtu, mund të përgatitësh komente për paragrafët ku flitet për të vërteta të thella që janë më të vështira për t’u shpjeguar. (1 Kor. 2:10) Pse? Sepse gjatë asaj pjese të artikullit mund të ketë më pak komentues. Po nëse i ke zbatuar këto sugjerime dhe pas disa mbledhjesh akoma nuk ke pasur mundësi të komentosh? Mund të flasësh me drejtuesin para mbledhjes dhe t’i tregosh cilës pyetje do të doje t’i përgjigjeshe.
11. Çfarë na nxit të bëjmë Filipianëve 2:4?
11 Lexo Filipianëve 2:4. Nën frymëzim, apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët të kërkonin të mirën e të tjerëve. Si mund ta zbatojmë këtë këshillë gjatë mbledhjeve? Duke mbajtur parasysh se, ashtu si ne, edhe të tjerët duan të marrin pjesë në mbledhje.
12. Cila është një mënyrë e mirë si t’u japim zemër të tjerëve në mbledhje? (Shih edhe figurën.)
12 Mendoje kështu: gjatë një bisede me miqtë, a do flisje aq shumë sa të mos u lije radhë fare? Patjetër që jo! Dëshiron që ata të marrin pjesë në bisedë. Po njësoj, në mbledhje duam që sa më shumë veta të kenë shansin të komentojnë. Në fakt, një nga mënyrat më të mira për t’i inkurajuar vëllezërit e motrat është t’u japim mundësi të shprehin besimin e tyre. (1 Kor. 10:24) Të shohim si mund ta bëjmë këtë.
13. Si mund t’u japim mundësi për të komentuar më shumë vetave?
13 Një gjë që mund të bëjmë është të japim komente të shkurtra, e kështu të lëmë kohë që të komentojnë më shumë veta. Pleqtë dhe lajmëtarë të tjerë me përvojë mund të lënë shembullin. Edhe kur bën një koment të shkurtër, mos fol për shumë pika. Nëse përmend çdo pikë të paragrafit, të tjerët nuk do të kenë për çfarë të komentojnë. Për shembull, në këtë paragraf jepen dy sugjerime—bëj komente të shkurtra dhe mos përmend shumë pika. Nëse të jepet fjala që të bësh komentin e parë për këtë paragraf, pse të mos flasësh vetëm për njërën pikë?
14. Ç’mund të na ndihmojë të vendosim sa shpesh do ta ngremë dorën për të komentuar? (Shih edhe figurën.)
14 Tregohu i matur kur vendos sa shpesh do ta ngresh dorën për të komentuar. Nëse e ngremë dorën tepër shpesh, mbase drejtuesi do të ndihet nën presion të na japë fjalën shumë herë, ndonëse ka të tjerë që nuk kanë arritur akoma të komentojnë. Kjo mund t’i shkurajojë që të mos e ngrenë dorën fare.—Ekl. 3:7.
15. (a) Si duhet të reagojmë nëse nuk na jepet mundësia të komentojmë? (b) Si mund të tregojë drejtuesi konsideratë për të gjithë? (Shih kutinë « Nëse je drejtues».)
15 Kur ka shumë lajmëtarë që ngrenë dorën gjatë një pjese, mbase nuk na jepet mundësia të komentojmë aq shpesh sa do të donim. Në disa raste, ndoshta drejtuesi nuk arrin të na e japë fjalën as edhe një herë. Vërtet, mund të ndihemi të zhgënjyer, por të përpiqemi të mos fyhemi duke menduar se ka diçka me ne.—Ekl. 7:9.
16. Si mund t’u japim zemër atyre që komentojnë?
16 Nëse nuk të jepet mundësia të komentosh aq shpesh sa do të doje, pse të mos dëgjosh me vëmendje komentet e të tjerëve dhe në fund të mbledhjes t’i lavdërosh për to? Lavdërimet e tua mund të jenë po aq inkurajuese për vëllezërit e motrat sa komentet që do të bëje. (Prov. 10:21) Të japim lavdërime është një mënyrë tjetër për të inkurajuar njëri-tjetrin.
MËNYRA TË TJERA PËR T’I DHËNË ZEMËR NJËRI-TJETRIT
17. (a) Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të përgatitin komente të përshtatshme? (b) Sipas videos, cilët janë katër hapa për të përgatitur një koment? (Shih shënimin.)
17 Cila është një mënyrë tjetër si mund t’i japim zemër njëri-tjetrit në mbledhje? Nëse je prind, ndihmoji fëmijët të përgatitin komente të përshtatshme për moshën e tyre. (Mat. 21:16) Ndonjëherë në mbledhje diskutohen tema serioze, si problemet martesore ose çështjet morale, por prapë mund të ketë një a dy paragrafë ku mund të komentojnë fëmijët. Gjithashtu ndihmoji fëmijët të kuptojnë pse ka shumë mundësi të mos ua japin fjalën sa herë që ngrenë dorën. Ky shpjegim mund t’i ndihmojë të mos zhgënjehen kur zgjidhen të tjerë të komentojnë.—1 Tim. 6:18. d
18. Ç’mund të bëjmë që të mos e drejtojmë vëmendjen te vetja kur komentojmë? (Proverbat 27:2)
18 Të gjithë mund të përgatitim komente besimforcuese që nderojnë Jehovain dhe u japin zemër bashkëbesimtarëve. (Prov. 25:11) Edhe pse ndonjëherë mund të tregojmë shkurtimisht diçka nga përvoja jonë, duhet të frenohemi që të mos flasim tepër për veten. (Lexo Proverbat 27:2; 2 Kor. 10:18) Në vend të kësaj, të bëjmë çmos ta drejtojmë vëmendjen te Jehovai, te Fjala e tij dhe te populli i tij. (Zbul. 4:11) Natyrisht, nëse pyetja e paragrafit na fton të japim një koment personal, është me vend ta bëjmë këtë. Një shembull e gjejmë në paragrafin tjetër.
19. (a) Cili do të jetë rezultati nëse tregojmë konsideratë për të gjithë në mbledhje? (Romakëve 1:11, 12) (b) Çfarë çmon personalisht në lidhje me privilegjin për të komentuar?
19 Ndonëse nuk ka rregulla të prera si të bëjmë komente, të gjithë mund të përpiqemi t’u japim zemër të tjerëve me pjesëmarrjen tonë. Kjo mund të nënkuptojë të komentojmë pak më shpesh. Ose mund të nënkuptojë të jemi të kënaqur me aq mundësi sa na jepen për të komentuar dhe të jemi të gëzuar që të tjerët e vlerësojnë njësoj si ne këtë privilegj. Duke menduar para së gjithash për të mirën e të tjerëve, të gjithë mund ‘të inkurajohemi nga njëri-tjetri’ në mbledhje.—Lexo Romakëve 1:11, 12.
KËNGA 93 Atë, bekoje mbledhjen tonë!
a Kur komentojmë në mbledhje, i japim zemër njëri-tjetrit. Mirëpo, disa kanë ankth të komentojnë. Të tjerë kanë qejf, por do të donin t’u jepej më shpesh mundësia për të komentuar. Në secilin rast, si mund të tregojmë konsideratë për njëri-tjetrin që të inkurajohemi të gjithë? Dhe si mund të bëjmë komente që i nxitin vëllezërit dhe motrat të shfaqin dashuri e të bëjnë vepra të shkëlqyera? Artikulli do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.
b Për sugjerime të tjera, shih Kullën e Rojës të janarit 2019, f. 8-13, dhe të 1 shtatorit 2003, f. 19-22.
c Emri është ndryshuar.
d Shih në jw.org videon Bëhu mik i Jehovait—Përgatite komentin.
e Shih Kullën e Rojës të 15 korrikut 2013, f. 32, dhe të 1 shtatorit 2003, f. 21-22.
f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në një kongregacion të madh, një vëlla që ka komentuar u jep mundësi edhe të tjerëve të marrin pjesë në mbledhje.