ARTIKULLI I STUDIMIT 16
«Vëllai yt do të ringjallet»!
«Jezui i tha [Martës]: ‘Vëllai yt do të ringjallet.’»—GJONI 11:23.
KËNGA 151 Ati ynë do të thërrasë
PËRMBLEDHJE a
1. Si e shprehu një djalë besimin e fortë te ringjallja?
NJË djalë që quhet Mate vuan nga një sëmundje e rëndë dhe i është dashur të bëjë shumë operacione. Kur ishte shtatë vjeç, bashkë me familjen po ndiqte një program mujor në JW Broadcasting®. Nga fundi i programit, panë një video muzikore për mikpritjen e njerëzve të dashur që do të kthehen në jetë. b Pas programit, Mateu iu afrua prindërve, i kapi nga duart dhe u tha: «Mami, babi, e shihni? Edhe po të vdes, do të zgjohem kur të ndodhë ringjallja. Ju mund të më prisni, do të shkojë mirë çdo gjë.» A e përfytyron si u ndien ata prindër kur kuptuan sa reale është shpresa e ringjalljes për djalin e tyre?
2-3. Pse na bën mirë të meditojmë për premtimin e ringjalljes?
2 Na bën mirë të meditojmë herë pas here për premtimin e Biblës se do të ketë një ringjallje në të ardhmen. (Gjoni 5:28, 29) Pse? Sepse asnjëherë nuk i dihet kur mund të përballemi me një sëmundje të rrezikshme ose me vdekjen e papritur të një njeriu të dashur. (Ekl. 9:11; Jak. 4:13, 14) Shpresa e ringjalljes mund të na ndihmojë t’u bëjmë ballë këtyre sprovave. (1 Sel. 4:13) Shkrimet na sigurojnë se Ati ynë qiellor na njeh mirë dhe ka dashuri të thellë për ne. (Luka 12:7) Mendo pak sa mirë duhet të na njohë Perëndia Jehova për të na rikrijuar me çdo hollësi të personalitetit e të kujtimeve tona. E çfarë dashurie ka treguar Jehovai duke na dhënë mundësinë të shijojmë jetën pa fund, edhe duke na ringjallur po të jetë nevoja!
3 Në këtë artikull do të shohim në fillim pse mund të besojmë te premtimi i ringjalljes. Pastaj do të shqyrtojmë një tregim besimforcues nga Bibla, ku gjejmë edhe fjalët e shkrimit kryesor të artikullit: «Vëllai yt do të ringjallet.» (Gjoni 11:23) Në fund do të mësojmë si mund ta bëjmë akoma më reale shpresën e ringjalljes.
PSE MUND TË BESOJMË TE PREMTIMI I RINGJALLJES
4. Për çfarë duhet të jemi të sigurt para se t’i besojmë një premtimi? Ilustrojeni.
4 Para se t’i besojmë një premtimi, duhet të jemi të sigurt se ai që e bën premtimin ka edhe dëshirë edhe fuqi, ose aftësi, ta përmbushë. Ta ilustrojmë: imagjino sikur shtëpia jote është dëmtuar keq nga një stuhi. Një mik vjen e të premton: «Do të të ndihmoj unë ta rindërtosh shtëpinë.» E thotë këtë me gjithë zemër dhe je i sigurt se ka dëshirë të të ndihmojë. E nëse është ndërtues i zotë dhe ka mjetet e nevojshme, e di se ka edhe aftësinë të të ndihmojë. Prandaj i beson premtimit të tij. Po ç’të themi për premtimin e Perëndisë se do të ketë një ringjallje? A ka ai dëshirë dhe fuqi ta plotësojë këtë premtim?
5-6. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai ka dëshirë t’i ringjallë të vdekurit?
5 A ka Jehovai dëshirë t’i ringjallë të vdekurit? Absolutisht po! Ai frymëzoi disa shkrimtarë të Biblës që ta hidhnin me shkrim premtimin e tij për një ringjallje në të ardhmen. (Isa. 26:19; Hoz. 13:14; Zbul. 20:11-13) E kur Jehovai bën një premtim, e mban gjithmonë. (Jos. 23:14) Në fakt, ai ka dëshirë të zjarrtë t’i kthejë në jetë të vdekurit. Nga e dimë këtë?
6 Të mendojmë pak për atë që tha patriarku Job. Ai ishte i sigurt se edhe po të vdiste, Jehovai do të kishte mall ta shihte prapë gjallë. (Jobi 14:14, 15.) Jehovai ndien po kaq mall për të gjithë adhuruesit e tij që kanë vdekur. Ai vlon nga dëshira t’i kthejë në jetë plot shëndet e të lumtur. Po ç’të themi për ata miliarda njerëz që kanë vdekur pa pasur mundësi të mësonin të vërtetën për Jehovain? Perëndia ynë i dashur dëshiron t’i ringjallë edhe ata. (Vep. 24:15) Ai dëshiron të kenë mundësi të bëhen miq të tij e të jetojnë përgjithmonë në tokë. (Gjoni 3:16) Është e qartë se Jehovai ka dëshirë t’i kthejë në jetë të vdekurit.
7-8. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai ka fuqi t’i ringjallë të vdekurit?
7 Po a ka Jehovai edhe fuqinë t’i ringjallë të vdekurit? Pa pikë dyshimi! Jehovai është «i Plotfuqishmi». (Zbul. 1:8) Pra, ai ka fuqi të mposhtë çfarëdo armiku, madje edhe vdekjen. (1 Kor. 15:26) Sa shumë forcë e ngushëllim marrim nga kjo! Të mendojmë për shembullin e motrës Ema Arnold. Ajo dhe familja e saj hasën sprova të rënda besimi gjatë Luftës II Botërore. Që të ngushëllonte të bijën për humbjen e të afërmve në kampet naziste të përqendrimit, Ema i tha: «Nëse vdekja do ta mbante përjetësisht njerëzimin nën darën e saj, i bie të jetë më e fortë se Perëndia, apo jo?» Pa dyshim, asgjë nuk është më e fortë se Jehovai! Perëndia i plotfuqishëm që krijoi jetën është i aftë t’i kthejë në jetë ata që kanë vdekur.
8 Një arsye tjetër pse jemi të sigurt se Perëndia është i aftë t’i ringjallë të vdekurit është se ai ka një kujtesë të pakufishme. Jehovai thërret me emër çdo yll. (Isa. 40:26) Po ashtu, ruan në kujtesë njerëzit që kanë vdekur. (Jobi 14:13; Luka 20:37, 38) Ai mund të kujtojë pa problem hollësitë më të vogla për ata që do të ringjallë, duke përfshirë kodin gjenetik, gjërat që kanë përjetuar në jetë dhe kujtimet e tyre.
9. Pse i beson premtimit të Jehovait për një ringjallje në të ardhmen?
9 Është e qartë se mund t’i besojmë premtimit të Jehovait për një ringjallje në të ardhmen, sepse e dimë që ai ka edhe dëshirën, edhe fuqinë ta plotësojë. Të shohim një arsye tjetër pse mund t’i besojmë këtij premtimi: Jehovai ka kthyer njerëz në jetë edhe më parë. Në kohët kur u shkrua Bibla, ai u dha fuqi disa burrave besnikë, ndër të cilët edhe Jezui, për të ringjallur të vdekurit. Le të shqyrtojmë historinë e njërës prej ringjalljeve që kreu Jezui, e cila është dokumentuar te kapitulli 11 i Gjonit.
JEZUI HUMB NJË MIK TË SHTRENJTË
10. Çfarë ndodh ndërsa Jezui po predikon larg Betanisë, në anën tjetër të Jordanit, dhe çfarë bën ai? (Gjoni 11:1-3)
10 Lexo Gjonin 11:1-3. Imagjino çfarë ndodh në Betani nga fundi i vitit 32 të e.s. Në atë fshat Jezui ka miq të ngushtë—Lazarin dhe dy motrat e tij, Marinë e Martën. (Luka 10:38-42) Por Lazari ka zënë shtratin dhe motrat e tij janë të merakosura. Ato i çojnë fjalë Jezuit që është matanë Jordanit, rreth dy ditë rrugë larg Betanisë. (Gjoni 10:40) Mjerisht, Lazari vdes pak a shumë në kohën që i mbërrin lajmi Jezuit. Ndonëse e di se miku i tij sapo ka vdekur, Jezui qëndron aty ku është edhe dy ditë e pastaj niset për në Betani. Kështu, në kohën që arrin atje, Lazari ka katër ditë që ka vdekur. Jezui ka ndër mend të bëjë diçka për të mirën e miqve të tij dhe për lavdinë e Perëndisë.—Gjoni 11:4, 6, 11, 17.
11. Çfarë mësimi nxjerrim për miqësinë nga kjo ngjarje?
11 Nga kjo ngjarje nxjerrim një mësim për miqësinë. Mendo për këtë: kur i dërguan fjalë Jezuit, Maria dhe Marta nuk i kërkuan të shkonte në Betani. Thjesht i thanë se miku i tij i shtrenjtë ishte sëmurë. (Gjoni 11:3) Kur Lazari vdiq, Jezui mund ta kishte ringjallur nga larg. Por ai zgjodhi të shkonte në Betani për të qenë me miket e tij, Marinë dhe Martën. A ke një mik që do të të bëhej krah pa ia kërkuar? Atëherë je i sigurt se mund të mbështetesh tek ai për ndihmë «në ditë të vështira». (Prov. 17:17) Ashtu si Jezui, qofsh një mik i tillë për të tjerët! Tani le t’i kthehemi historisë dhe të shohim ç’ndodh më pas.
12. Çfarë i premton Jezui Martës, dhe pse ky nuk është një premtim bosh? (Gjoni 11:23-26)
12 Lexo Gjonin 11:23-26. Kur merr vesh se Jezui është afër Betanisë, Marta nxiton ta takojë dhe i thotë: «Zotëri, po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur.» (Gjoni 11:21) Vërtet, ai mund ta kishte shëruar Lazarin. Por Jezui ka ndër mend të bëjë diçka akoma më mbresëlënëse. Ai premton: «Vëllai yt do të ringjallet.» Pastaj i jep Martës një arsye më shumë për t’i besuar premtimit të tij, duke i thënë: «Unë jam ringjallja dhe jeta.» Pra Perëndia i ka dhënë fuqi mbi jetën dhe vdekjen. Më parë, Jezui ka kthyer në jetë një vajzë pak pasi kishte vdekur; ka ringjallur edhe një djalë, me sa duket po atë ditë që vdiq. (Luka 7:11-15; 8:49-55) Por a mund të ringjallë ai dikë që ka vdekur nga katër ditë dhe që ka nisur t’i kalbet trupi?
«LAZAR, EJA JASHTË!»
13. Siç tregon Gjoni 11:32-35, si reagon Jezui kur sheh Marinë dhe të tjerët duke qarë? (Shih edhe figurën.)
13 Lexo Gjonin 11:32-35. Imagjino çfarë ndodh më pas. Maria, motra tjetër e Lazarit, shkon të takojë Jezuin. Ajo i thotë të njëjtat fjalë si e motra: «Zotëri, po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur.» Marinë dhe njerëzit që janë me të i ka mbytur trishtimi. Kur i sheh dhe i dëgjon të qajnë, Jezuit i sëmbon në zemër. Nga dhembshuria e thellë që ndien për miqtë e tij, nuk i mban dot lotët. Ai e kupton çfarë plage të dhimbshme hap vdekja e një njeriu të dashur. Pa dyshim që vlon nga dëshira ta zhdukë shkakun e lotëve të tyre!
14. Çfarë na mëson për Jehovain mënyra si reagoi Jezui kur pa Marinë duke qarë?
14 Mënyra si reagoi Jezui kur pa Marinë duke qarë na mëson se Jehovai është Perëndi i zemërdhembshurisë. Pse mund ta themi këtë? Siç e pamë në artikullin e kaluar, Jezui pasqyron në mënyrë të përsosur mendimet dhe ndjenjat e Atit të tij. (Gjoni 12:45) Prandaj, kur lexojmë se Jezuit iu dhimbsën aq shumë miqtë e tij të pikëlluar sa qau, mund të nxjerrim përfundimin se edhe Jehovai preket thellë kur derdhim lot të hidhur. (Psal. 56:8) A nuk të nxit kjo të kesh dëshirë të afrohesh më shumë me Perëndinë tonë zemërdhembshur?
15. Siç tregon Gjoni 11:41-44, çfarë ndodh te varri i Lazarit? (Shih edhe figurën.)
15 Lexo Gjonin 11:41-44. Pasi mbërrin te varri i Lazarit, Jezui kërkon të heqin gurin që është në hyrje të tij. Marta kundërshton duke thënë se tani trupi duhet të mbajë erë. Jezui ia kthen: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?» (Gjoni 11:39, 40) Pastaj Jezui ngre sytë nga qielli dhe lutet para të gjithëve. Ai dëshiron t’ia japë Jehovait gjithë lavdinë për atë që do të ndodhë. Pas kësaj, Jezui thërret: «Lazar, eja jashtë!» Dhe ja, Lazari del nga varri! Jezui sapo ka bërë diçka që për disa dukej e pamundur. c
16. Si na e forcon besimin te shpresa e ringjalljes ngjarja e dokumentuar në kapitullin 11 të Gjonit?
16 Ngjarja e dokumentuar në kapitullin 11 të Gjonit na e forcon besimin te shpresa e ringjalljes. Si? Të kujtojmë premtimin që i bëri Jezui Martës: «Vëllai yt do të ringjallet.» (Gjoni 11:23) Njësoj si Ati i tij, Jezui ka dëshirë dhe fuqi ta plotësojë këtë premtim. Lotët e tij treguan se digjet nga dëshira ta zhdukë vdekjen dhe të fshijë gjithë pikëllimin që sjell ajo. E në momentin kur Lazari doli nga varri, Jezui provoi edhe një herë se ka fuqi t’i kthejë në jetë të vdekurit. Të mendojmë edhe çfarë i kujtoi Jezui Martës: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?» (Gjoni 11:40) Kemi arsye të forta që të besojmë se Perëndia do ta plotësojë premtimin për t’i kthyer në jetë të vdekurit. Por çfarë mund të bëjmë që shpresa e ringjalljes të jetë akoma më reale për ne?
SI TA BËJMË AKOMA MË REALE SHPRESËN E RINGJALLJES
17. Çfarë duhet të mbajmë ndër mend kur lexojmë historitë e ringjalljeve në Bibël?
17 Lexo dhe medito për ringjalljet e së kaluarës. Bibla flet për tetë veta që u ringjallën në tokë. d Pse të mos e studiosh me kujdes secilin rast? Ndërsa e bën këtë, mbaj parasysh se ata ishin burra, gra e fëmijë që kanë ekzistuar vërtet. Përpiqu të mësosh nga historitë e tyre. Mendo si e nxjerr në pah secili shembull dëshirën dhe fuqinë e Perëndisë për të kthyer në jetë të vdekurit. Mbi të gjitha, medito për ringjalljen më të rëndësishme në histori—ringjalljen e Jezuit. Mos harro se kishte qindra dëshmitarë okularë për ringjalljen e tij dhe se ajo është një themel i fortë për besimin tonë.—1 Kor. 15:3-6, 20-22.
18. Si mund të përfitosh sa më shumë nga këngët për shpresën e ringjalljes? (Shih edhe shënimin.)
18 Përfito sa më shumë nga ‘këngët e adhurimit’ ku përmendet shpresa e ringjalljes. e (Efes. 5:19) Ato na e bëjnë më reale ringjalljen dhe na e forcojnë besimin te kjo shpresë e çmuar. Dëgjoji këto këngë, praktikoji dhe diskutoni për kuptimin e vargjeve gjatë adhurimit familjar. Skaliti vargjet në mendje dhe në zemër. Pastaj, po të hasësh një sprovë që të rrezikon jetën ose po të humbësh një njeri të dashur, fryma e Jehovait do të të ndihmojë t’i kujtosh këto këngë, e kështu do të marrësh zemër e forcë.
19. Çfarë mund të imagjinojmë për ringjalljen? (Shih kutinë « Çfarë pyetjesh do t’u bëje?»)
19 Vër në punë imagjinatën. Jehovai na ka dhënë aftësinë ta përfytyrojmë veten në botën e re. Një motër thotë: «Kaloj kaq shumë kohë duke e imagjinuar veten në botën e re, sa gati-gati mund të ndiej aromën e trëndafilave që çelin në Parajsë.» Imagjino të takosh besnikët e lashtësisë. Kë pret me padurim të takosh? Çfarë pyetjesh do t’i bësh? Përfytyro edhe të takosh prapë njerëzit e dashur që kanë rënë në gjumin e vdekjes. Imagjino hollësitë e takimit me ta—fjalët e para që do t’u thuash, përqafimet e ngrohta dhe lotët e gëzimit.
20. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?
20 Sa mirënjohës i jemi Jehovait për premtimin e ringjalljes! Jemi të sigurt se ky premtim do të bëhet realitet, sepse Jehovai ka dëshirë dhe fuqi ta plotësojë. Qofshim të vendosur të vazhdojmë ta forcojmë besimin te kjo shpresë e vyer! Kështu do të afrohemi përherë e më shumë me Perëndinë tonë, që i ka premtuar secilit nga ne: njerëzit e tu të dashur do të ringjallen!
KËNGA 147 Jeta pa fund nuk është ëndërr
a Nëse të ka rrëmbyer vdekja një njeri të dashur, pa dyshim që premtimi i ringjalljes ta ngushëllon zemrën. Por si do t’ua shpjegoje të tjerëve pse beson te ky premtim? Dhe si mund ta bësh më reale shpresën tënde te ringjallja? Qëllimi i këtij artikulli është të na ndihmojë të gjithëve ta forcojmë besimin te shpresa e ringjalljes.
b Videoja muzikore titullohet Në prag është parajsa dhe doli në programin e nëntorit 2016.
d Shih kutinë «Tetë ringjallje të dokumentuara në Bibël» në Kullën e Rojës të 1 gushtit 2015, f. 4.
e Shih te libri «Zemra ime i këndon Jehovait» këngët: «Përfytyro agimin e jetës së re» (kënga 139), «Mbaji sytë e zemrës te çmimi!» (kënga 144) dhe «Ati ynë do të thërrasë» (kënga 151). Shih edhe në jw.org këngët «Në prag është parajsa», «Në jetën e vërtetë» dhe «Sodit, ç’mrekulli!»