Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse pas lindjes së Jezuit, Jozefi dhe Maria nuk u kthyen në qytetin e tyre, në Nazaret, por qëndruan në Betlehem?

Bibla nuk e thotë arsyen. Megjithatë tregon disa hollësi interesante që mund të kenë ndikuar te zgjedhja e tyre.

Një engjëll i tha Marisë se do të mbetej shtatzënë dhe do të lindte një djalë. Kur engjëlli i dha këtë mesazh, Maria dhe Jozefi jetonin në Nazaret të Galilesë, në qytetin e Jozefit. (Luka 1:26-31; 2:4) Pas kthimit nga Egjipti, ata shkuan përsëri në Nazaret. Jezui u rrit atje dhe u bë nazareas. (Mat. 2:19-23) Prandaj, me të drejtë i lidhim që të tre—Jezuin, Jozefin dhe Marinë—me Nazaretin.

Maria kishte një të afërme që quhej Elizabeta, e cila jetonte në Jude. Ajo ishte gruaja e priftit Zakaria dhe më pas u bë e ëma e Gjon Pagëzorit. (Luka 1:5, 9, 13, 36) Pasi shkoi për vizitë tek Elizabeta dhe qëndroi tre muaj me të në Jude, Maria u kthye në Nazaret. (Luka 1:39, 40, 56) Kështu, Maria e njihte disi rajonin e Judesë.

Më vonë, Jozefi iu bind dekretit që izraelitët «të regjistroheshin» secili në qytetin e vet. Prandaj, Jozefi udhëtoi nga Nazareti për në Betlehem, që ishte ‘qyteti i Davidit’ dhe qyteti ku do të lindte Mesia sipas profecisë. (Luka 2:3, 4; 1 Sam. 17:15; 20:6; Mik. 5:2) Pasi Maria lindi Jezuin në Betlehem, patjetër që Jozefi nuk pretendonte që ajo të bënte udhëtimin e gjatë për në Nazaret me foshnjën e sapolindur. Ata qëndruan në Betlehem, që ishte rreth nëntë kilometra larg Jerusalemit. Kështu do ta kishin më të lehtë ta çonin foshnjën në tempull për të paraqitur blatimin sipas Ligjit.—Lev. 12:2, 6-8; Luka 2:22-24.

Engjëlli i Perëndisë i kishte thënë Marisë se biri i saj do të ulej në «fronin e Davidit» dhe ‘do të mbretëronte’. Mos ndoshta Jozefi dhe Maria kuptuan sa domethënëse ishte që Jezui lindi në qytetin e Davidit? (Luka 1:32, 33; 2:11, 17) Atyre mbase iu duk gjë e mençur të qëndronin aty dhe të prisnin derisa Perëndia t’u tregonte çfarë donte të bënin më pas.

Nuk e dimë sa kohë kishin në Betlehem Jozefi dhe Maria kur shkuan atje disa astrologë. Gjithsesi, atëherë familja jetonte në një shtëpi dhe djali nuk ishte më foshnjë, por «fëmijë». (Mat. 2:11) Me sa duket, në vend që të ktheheshin në Nazaret, ata kishin qëndruar në Betlehem mjaft kohë sa të kishin shtëpinë e tyre.

Herodi urdhëroi «të vritnin gjithë djemtë në Betlehem . . . nga dy vjeç e poshtë». (Mat. 2:16) Pasi mori një paralajmërim nga Perëndia për këtë dekret, Jozefi i çoi Marinë dhe Jezuin në Egjipt, ku qëndruan derisa vdiq Herodi. Më vonë, Jozefi u kthye me familjen në Nazaret. Po pse nuk u shkuan përsëri në Betlehem? Sepse donin të shmangnin Arkelaun, birin tiranik të Herodit që sundonte në Jude, dhe të vepronin në harmoni me paralajmërimin e Perëndisë. Në Nazaret, Jezui mund të ishte i mbrojtur ndërsa Jozefi e rriste si adhurues të vërtetë të Perëndisë.—Mat. 2:19-22; 13:55; Luka 2:39, 52.

Me sa duket, Jozefi vdiq para se Jezui të hapte rrugën për jetën në qiell. Pra Jozefi do të ringjallet në tokë. Kështu shumë veta do të kenë mundësi ta takojnë dhe të mësojnë më shumë për arsyen pse ai dhe Maria qëndruan në Betlehem pas lindjes së Jezuit.