JETËSHKRIM
Surpriza të bukura dhe mësime në shërbim të Jehovait
KUR isha i vogël, sa herë shihja një avion që fluturonte lart në qiell, kisha shumë dëshirë të fluturoja për në ndonjë vend ekzotik. Por kjo më dukej një ëndërr e parealizueshme.
Gjatë Luftës II Botërore, prindërit e mi ikën nga Estonia në Gjermani, ku linda unë. Pas kësaj, filluan të përgatiteshin për t’u transferuar në Kanada. Shtëpia jonë e parë ishte pranë Otavës, Kanada, në një kotec të madh pulash të lyer me gëlqere. Ishim shumë të varfër, por të paktën për mëngjes hanim vezë.
Një ditë, Dëshmitarët e Jehovait i lexuan mamasë Zbulesën 21:3, 4. Mamaja u prek aq shumë nga ajo që mësoi, sa filloi të qante. Fara e së vërtetës filloi të rritej në zemrën e prindërve të mi, e të dy përparuan shpejt dhe u pagëzuan.
Edhe pse nuk dinin shumë anglisht, prindërit e morën seriozisht të vërtetën. Thuajse çdo të shtunë, babai dilte në shërbim me mua dhe motrën e vogël, Silvian, ndonëse kishte punuar gjithë natën në një fonderi nikeli në Sadbëri, Ontario. Veç kësaj, çdo javë studionim si familje Kullën e Rojës. Babi dhe mami më rrënjosën në zemër dashurinë për Perëndinë. Kjo më nxiti t’ia kushtoja jetën Jehovait në vitin 1956, kur isha dhjetë vjeç. Dashuria e tyre e thellë për Jehovain më ka dhënë forcë gjatë gjithë jetës.
Kur mbarova shkollën e mesme, u shpërqendrova disi nga shërbimi i Jehovait. Mendoja se po të nisja shërbimin si pionier, nuk do të bëja dot kurrë aq pará sa të realizoja ëndrrën time për të udhëtuar me avion nëpër botë. Gjeta punë si DJ në një stacion radioje dhe e kisha me shumë qejf. Por punoja mbrëmjeve, prandaj humbja rregullisht mbledhjet dhe shoqërohesha me njerëz që nuk e donin Perëndinë. Si përfundim, ndërgjegjja e stërvitur nga Bibla më shtyu të bëja ndryshime.
Më vonë u transferova në Oshavë, Ontario. Atje takova Rei Normanin, motrën e tij Leslin dhe pionierë të tjerë. Ata më bënë të ndihesha i mirëpritur. Shihja sa të lumtur ishin, dhe kjo më nxiti të mendoja për synimet e mia. Ata më inkurajuan të bëhesha pionier dhe në shtator të vitit 1966 nisa shërbimin si pionier. Isha i lumtur dhe po e shijoja jetën. Mirëpo më prisnin disa surpriza që do të ma ndryshonin komplet jetën.
KUR JEHOVAI TË FTON TË BËSH DIÇKA, PËRPIQU TA BËSH
Ndërsa isha në shkollë të mesme, plotësova kërkesën për të shërbyer në Bethelin e Torontos, Kanada. Më vonë, kur isha pionier, më ftuan të
shërbeja për katër vjet në Bethel. Mirëpo më pëlqente shumë Lesli dhe kisha merak se po ta pranoja ftesën, nuk do ta takoja kurrë më. U luta gjatë e me zjarr dhe në fund e pranova ftesën për të shërbyer në Bethel, por isha i trishtuar që po ndahesha nga Lesli.Në Bethel punova në lavanderi dhe më vonë si sekretar. Ndërkohë, Lesli u bë pioniere speciale në Gatinó, Kuebek. Shpesh vrisja mendjen si ishte ajo dhe nëse kisha marrë vendimin e duhur. S’kaloi shumë dhe ndodhi një nga surprizat më të bukura të jetës sime. Rein, vëllanë e Leslit, e ftuan në Bethel dhe ishim shokë dhome. Kjo më dha mundësi të vazhdoja miqësinë me Leslin. U martuam ditën e fundit të caktimit tim 4-vjeçar, më 27 shkurt 1971.
Si çift, na caktuan të shërbenim në një kongregacion të gjuhës frënge në Kuebek. Pas disa vjetësh, në moshën 28-vjeçare, u habita kur më ftuan të shërbeja si mbikëqyrës qarkor. Më dukej vetja tepër i ri dhe i paaftë për caktimin, por fjalët e Jeremisë 1:7, 8 më dhanë zemër. Mirëpo Lesli kishte bërë nja dy aksidente me makinë, si edhe kishte probleme me gjumin. Prandaj vrisnim mendjen nëse do t’ia dilnim dot në veprën qarkore. Megjithatë, ajo tha: «Nëse Jehovai na fton të bëjmë diçka, a nuk duhet të përpiqemi ta bëjmë?» E pranuam caktimin dhe e shijuam veprën udhëtuese për 17 vjet.
Isha goxha i zënë kur shërbeja si mbikëqyrës dhe shpesh s’kisha mjaft kohë për Leslin. Kështu m’u desh të nxirrja një mësim tjetër. Një të hënë në mëngjes herët ra zilja. Te dera s’kishte njeri, vetëm një shportë me një mbulesë tavoline, ca fruta, djathë, bukë, një shishe verë, gota dhe një shënim anonim, ku shkruhej: «Bëj një piknik me gruan.» Ishte ditë e bukur me diell. Por i shpjegova Leslit se kisha disa fjalime për të përgatitur, ndaj s’mund të shkonim. Ajo më mirëkuptoi, por u trishtua pak. Kur u ula të përgatitesha, filloi të më ngacmonte ndërgjegjja. Mendova për atë që thotë Efesianëve 5:25, 28. A nuk më inkurajonin ato fjalë nga Jehovai që të tregoja konsideratë për ndjenjat e gruas sime? Pasi u luta, i thashë Leslit: «Hajde dalim.» Ajo u gëzua shumë. Shkuam me makinë në një vend të bukur buzë lumit, shtruam mbulesën dhe shijuam një nga ditët më të këndshme të jetës sonë. Edhe fjalimet nuk ngelën pa përgatitur.
Caktimet në veprën qarkore ishin të gëzueshme dhe të shumta, që nga Kolumbia Britanike deri në Njufaundlend. Ëndrra ime për të udhëtuar po bëhej realitet. Kisha menduar të bëja kërkesën për Shkollën e Galadit, por nuk doja të shkoja në një vend tjetër si misionar. Misionarët më dukeshin njerëz specialë, dhe nuk ndihesha i kualifikuar. Veç kësaj, kisha frikë se mos më dërgonin
në ndonjë vend të Afrikës ku kishte sëmundje dhe luftë. Ndihesha i lumtur aty ku isha.FTESË SURPRIZË PËR NË ESTONI DHE VENDET BALTIKE
Në vitin 1992, Dëshmitarët e Jehovait mund të predikonin prapë publikisht në disa vende që kishin qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Prandaj vëllezërit na pyetën nëse do të ishim të gatshëm të transferoheshim në Estoni si misionarë. U befasuam, por gjithsesi u lutëm për këtë. Përsëri menduam: «Nëse Jehovai na fton të bëjmë diçka, a nuk duhet të përpiqemi ta bëjmë?» E pranuam caktimin dhe thashë me vete: «Epo fundja nuk po shkojmë në Afrikë!»
Filluam menjëherë të mësonim estonisht. Pas disa muajsh në Estoni, vëllezërit na kërkuan të shërbenim në veprën qarkore. Duhej të vizitonim 46 kongregacione dhe disa grupe në tri shtete baltike e në Kaliningrad, Rusi. Kjo do të thoshte se duhej të mësonim edhe pak letonisht, lituanisht dhe rusisht. Nuk ishte e lehtë. Megjithatë, vëllezërit e motrat kënaqeshin kur shihnin përpjekjet tona dhe na ndihmonin. Në vitin 1999, Estonia u bë zyrë dege, dhe u caktova të shërbeja në komitet bashkë me vëllezërit Tomas Edur, Lembit Rajli dhe Tomi Kauko.
Njohëm shumë Dëshmitarë që kishin qenë të internuar në Siberi. Ndonëse i kishin trajtuar egërsisht në burgje dhe i kishin ndarë nga familja, ata nuk ishin njerëz të mbushur me mllef. E kishin ruajtur gëzimin dhe zellin për shërbimin. Kjo na ndihmoi të kuptonim se ishte e mundur t’i përballonim rrethanat e vështira pa humbur gëzimin.
Pas shumë vitesh të mbushura me punë dhe me fare pak pushime, Lesli filloi të ndihej e rraskapitur. Nuk e kuptuam menjëherë se kjo rraskapitje vinte nga fibromialgjia. Menduam seriozisht të ktheheshim në Kanada. Kur na ftuan në Shkollën për Anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe Gratë e tyre në Paterson, Nju-Jork, SHBA, nuk isha i sigurt nëse mund ta ndiqnim. Megjithatë, pasi u lutëm me zjarr, e pranuam ftesën. Jehovai e bekoi atë vendim. Në fakt, gjatë asaj shkolle Lesli më në fund mori trajtimin e nevojshëm mjekësor. Si rezultat, arritëm t’u ktheheshim aktiviteteve normale.
SURPRIZË TJETËR—KONTINENT TJETËR
Një mbrëmje në vitin 2008 kur isha në Estoni, më telefonuan nga selia botërore dhe më pyetën nëse mund të pranoja një caktim në Kongo. Mbeta i shtangur, sidomos ngaqë më thanë se duhej të përgjigjesha brenda së nesërmes. Si fillim nuk ia përmenda Leslit këtë, sepse e dija që do të rrinte gjithë natën zgjuar. Kështu isha unë që nuk vura gjumë në sy, ndërsa i lutesha Jehovait rreth shqetësimeve të mia për transferimin në Afrikë.
Të nesërmen kur i tregova Leslit, arsyetuam: «Jehovai po na fton të shkojmë në Afrikë. Nëse nuk e provojmë, nga e dimë që nuk mund ta bëjmë
dhe ta shijojmë këtë gjë?» Kështu, pas 16 vjetësh në Estoni, fluturuam për në Kinshasë, Kongo. Zyra e degës ishte një oazë gjelbërimi dhe paqeje. Një nga gjërat e para që vuri në dhomë Lesli ishte një kartolinë të cilën e mbante që kur kishim ikur nga Kanadaja. Atje shkruhej: «Lulëzo aty ku je mbjellë.» Pasi takuam vëllezërit, drejtuam studime të Biblës dhe provuam kënaqësitë e shërbimit si misionarë, na u ripërtëri gëzimi. Me kalimin e kohës, patëm privilegjin të bënim vizita të degës në 13 vende të tjera të Afrikës. Kjo na dha mundësinë të shihnim larminë dhe bukurinë e njerëzve. Çdo frikë që kisha pasur, u shua, dhe falënderuam Jehovain që na kishte dërguar të shërbenim në Afrikë.Në Kongo na ofronin lloj-lloj ushqimesh, si insektet, që mendoja se nuk do t’i futnim dot në gojë. Por shihnim që vëllezërit i hanin me shije, ndaj i provuam. Dhe bëmë mirë se na shijuan edhe ne.
Patëm mundësi t’u jepnim zemër dhe t’u çonim ndihma humanitare vëllezërve në lindje të vendit, ku grupet guerile sulmonin fshatrat dhe lëndonin gra e fëmijë. Shumica e vëllezërve kishin fare pak materialisht. Megjithatë, shpresa e tyre e palëkundur te ringjallja, dashuria për Jehovain dhe besnikëria që tregonin ndaj organizatës së tij na preknin thellë. Shembulli i tyre na nxiti të shqyrtonim arsyet pse i shërbenim Jehovait dhe të forconim besimin tonë. Disa vëllezër kishin humbur shtëpitë dhe të mbjellat. Kjo më kujtonte sa shpejt mund t’i humbasim gjërat materiale dhe sa të çmuara janë thesaret nga Jehovai. Pavarësisht nga problemet e rënda, vëllezërit rrallë ankoheshin. Qëndrimi i tyre na jepte forcë t’i përballonim me guxim vështirësitë tona dhe problemet shëndetësore.
SHIJOJMË SHËRBIMIN NË AZI
Më pas ndodhi një surprizë tjetër. Vëllezërit na kërkuan të transferoheshim në degën e Hong-Kongut. S’e kishim imagjinuar ndonjëherë të jetonim në Azi. Por e kishim parë dorën e dashur të Jehovait në çdo caktim, ndaj e pranuam ftesën.
Në vitin 2013, me lot në sy lamë miqtë tanë dhe bukuritë e Afrikës, pa e ditur ç’na priste.Hong-Kongu, një qytet i zhurmshëm dhe kozmopolitan, ishte një ndryshim i madh. Gjuha kantoneze ishte një sfidë. Gjithsesi, vëllezërit na mirëpritën me ngrohtësi dhe ushqimet tradicionale na pëlqenin shumë. Vepra po merrte vrull, por çmimet e pronave po kapnin majat. Ndaj, Trupi Udhëheqës me mençuri vendosi të shiste pjesën më të madhe të pronave të degës. Pak më vonë, në vitin 2015, u transferuam në Korenë e Jugut, ku shërbejmë deri më sot. Këtu na duhet të mësojmë një gjuhë tjetër sfiduese. Ndonëse kemi akoma goxha punë, marrim zemër ngaqë vëllezërit e motrat shohin se po përparojmë në gjuhën koreane.
MËSIME QË KEMI NXJERRË
Të zësh miq nuk është gjithnjë e lehtë, por kemi mësuar se po të marrim iniciativën për t’i mikpritur të tjerët, mund t’i njohim më shpejt. Kemi parë se vëllezërit e motrat kanë shumë më tepër pika të përbashkëta sesa ndryshime. E Jehovai na ka krijuar në mënyrë të mrekullueshme me aftësinë që t’i hapim dyert e zemrës e të mbajmë brenda saj shumë miq.—2 Kor. 6:11.
Kemi parë sa e nevojshme është t’i pranojmë të tjerët ashtu siç i pranon Jehovai dhe të dallojmë dëshmitë se Jehovai na do e na udhëheq në jetë. Sa herë ndiheshim të shkurajuar ose dyshonim nëse të tjerët na vlerësonin, lexonim përsëri kartolinat a letrat zemërdhënëse nga miqtë tanë. E themi me plot gojën se Jehovai u është përgjigjur lutjeve tona, duke na siguruar se na do dhe duke na dhënë forcë.
Ndër vite, unë dhe Lesli kemi mësuar sa e rëndësishme është të gjejmë kohë për njëri-tjetrin, sado të zënë të jemi. Kemi kuptuar edhe sa rëndësi ka të qeshim me veten, sidomos kur përpiqemi të mësojmë një gjuhë të re. E çdo mbrëmje përpiqemi të kujtojmë diçka të bukur për të cilën mund ta falënderojmë Jehovain.
Të them të drejtën, s’ma merrte kurrë mendja se mund të bëhesha misionar ose të jetoja në vende të tjera. Por kam provuar çfarë gëzimi është kur sheh se me mbështetjen e Jehovait, gjithçka është e mundur. Më vijnë ndër mend fjalët e profetit Jeremia: «Ti ma prishe mendjen, o Jehova.» (Jer. 20:7) Vërtet, ai na ka përkëdhelur me surpriza të bukura dhe bekime të paimagjinueshme. Madje më plotësoi edhe dëshirën për të udhëtuar me avion. Kemi fluturuar në më shumë vende se ç’mund ta imagjinoja kur isha i vogël, duke vizituar degë të ndryshme në pesë kontinente. Jam shumë mirënjohës edhe që Lesli ka qenë e gatshme të më mbështetë në të gjitha caktimet.
I kujtojmë vazhdimisht vetes për kë dhe pse po i bëjmë këto gjëra. Bekimet që gëzojmë sot janë thjesht një grimcë e jetës së përhershme kur Jehovai ‘të hapë dorën dhe plotësojë dëshirën e çdo krijese’.—Psal. 145:16.