Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 26

Të rrimë gati për ditën e Jehovait

Të rrimë gati për ditën e Jehovait

«Dita e Jehovait vjen tamam si një hajdut natën.»—1 SEL. 5:2.

KËNGA 143 Presim me trupin e zemrën gatitur

PËRMBLEDHJE a

1. Çfarë duhet të bëjmë që t’i mbijetojmë ditës së Jehovait?

 KUR flet për ‘ditën e Jehovait’, Bibla e ka fjalën për një kohë kur Jehovai ekzekuton gjykimin mbi armiqtë dhe shpëton popullin e tij. Në të kaluarën, Jehovai ndëshkoi disa kombe. (Isa. 13:1, 6; Ezek. 13:5; Sof. 1:8) Në kohën tonë, «dita e Jehovait» do të fillojë me sulmin kundër Babilonisë së Madhe dhe do të kurorëzohet me luftën e Armagedonit. Që t’i mbijetojmë asaj «dite», duhet të përgatitemi tani. Jezui na mësoi jo vetëm që duhet të bëhemi gati për ‘shtrëngimin e madh’ por edhe që duhet ‘të rrimë gati’.—Mat. 24:21; Luka 12:40.

2. Si mund të nxjerrim dobi nga 1 Selanikasve?

2 Në letrën e parë të frymëzuar që u shkroi selanikasve, apostulli Pavël përdori disa ilustrime për t’i ndihmuar të krishterët të rrinin gati për ditën e madhe të gjykimit nga Jehovai. Pavli e dinte se dita e Jehovait nuk do të vinte në atë moment. (2 Sel. 2:1-3) Megjithatë i nxiti vëllezërit të përgatiteshin për atë ditë sikur ajo do të vinte të nesërmen. Kjo këshillë vlen edhe për ne. Të shohim si e shpjegoi Pavli (1) si do të vinte dita e Jehovait, (2) cilët do t’i mbijetonin asaj dite dhe (3) si mund të përgatitemi për t’i mbijetuar.

SI DO TË VIJË DITA E JEHOVAIT?

Kur shkroi 1 Selanikasve, apostulli Pavël përdori ilustrime nga të cilat mund të nxjerrim dobi (Shih paragrafin 3)

3. Në ç’kuptim vjen si një hajdut natën dita e Jehovait? (Shihni edhe figurën.)

3 «Si një hajdut natën.» (1 Sel. 5:2) Ky është i pari nga tri ilustrimet që përdori Pavli për të përshkruar ardhjen e ditës së Jehovait. Zakonisht hajdutët veprojnë shpejt dhe në terrin e natës për t’i zënë viktimat në befasi. Po njësoj, dita e Jehovait do të vijë papritur e do ta zërë të papërgatitur shumicën e njerëzve. Madje edhe të krishterët e vërtetë mund të habiten ndërsa shohin sa shpejt rrjedhin ngjarjet. Por ndryshe nga të ligjtë, ne nuk do të shkatërrohemi.

4. Në ç’kuptim u ngjan dhembjeve të lindjes dita e Jehovait?

4 «Si dhembjet e lindjes [] zënë një grua shtatzënë.» (1 Sel. 5:3) Një grua shtatzënë nuk mund ta parashikojë me saktësi kur do t’i fillojnë dhimbjet e lindjes. Ama, nuk dyshon aspak se kjo do të ndodhë. E ka shumë të ngjarë që dhimbjet e lindjes të jenë të papritura, të forta dhe të pandalshme. Po njësoj, ne nuk e dimë në ç’ditë e në ç’orë do të fillojë dita e Jehovait. Prapëseprapë jemi të sigurt se ajo po vjen dhe se gjykimi i Perëndisë mbi të ligjtë do të jetë i beftë e i pashmangshëm.

5. Në ç’kuptim është si agimi shtrëngimi i madh?

5 Si agimi. Në ilustrimin e tretë, Pavli përmend prapë hajdutët që vjedhin natën. Por tani i sheh gjërat nga një këndvështrim tjetër dhe me sa duket e krahason ditën e Jehovait me agimin. (1 Sel. 5:4) Dikush që vjedh natën mund të jetë aq i përqendruar tek ajo që po bën, sa nuk e kupton si ikën koha. Kështu agimi i ditës së re mund ta zërë befas dhe mund të nxjerrë në shesh ç’po bën. Po njësoj, shtrëngimi i madh do t’i demaskojë ata që, si hajdutët, qëndrojnë në errësirë duke mos hequr dorë nga praktika që s’i pëlqejnë Perëndisë. Ndryshe nga ata, ne mund të tregojmë se jemi gati duke flakur tej çdo sjellje që s’i pëlqen Jehovait dhe duke kërkuar me ngulm «çdo lloj mirësie, drejtësie dhe të vërtete». (Efes. 5:8-12) Më tej, Pavli përdor dy ilustrime të lidhura me njëra-tjetrën për të përshkruar ata që nuk do t’i mbijetojnë ditës së Jehovait.

CILËT NUK DO T’I MBIJETOJNË DITËS SË JEHOVAIT?

6. Në ç’kuptim po flenë shumica e njerëzve? (1 Selanikasve 5:6, 7)

6 «Ata që flenë.» (Lexo 1 Selanikasve 5:6, 7.) Pavli tha se ata që nuk do t’i mbijetojnë ditës së Jehovait janë si njerëzit që flenë. Ata s’e kanë idenë ç’ndodh përreth dhe nuk e dinë se koha po kalon. Prandaj nuk e kuptojnë se po ndodhin ngjarje të rëndësishme dhe s’mund të reagojnë. Shumica e njerëzve sot janë në gjumë. (Rom. 11:8) Ata mbyllin sytë para dëshmive që tregojnë se po jetojmë në «ditët e fundit» dhe se shtrëngimi i madh është te pragu. Kur ndodhin ngjarje të rëndësishme botërore, disa mund të zgjohen e mund të tregojnë njëfarë interesi për mesazhin e Mbretërisë. Megjithatë, shumë prej tyre nuk rrinë zgjuar, por bien prapë në gjumë. Edhe disa që besojnë se do të ketë një ditë gjykimi, mendojnë se ajo është mjaft larg. (2 Pjet. 3:3, 4) Kurse ne e kuptojmë se nga dita në ditë po bëhet më urgjente të zbatojmë këshillën e frymëzuar për të qëndruar zgjuar.

7. Në ç’kuptim janë si të dehurit ata që do të provojnë zemërimin e furishëm të Perëndisë?

7 «Ata që dehen.» Apostulli i krahasoi me të dehurit ata që do të provojnë zemërimin e furishëm të Perëndisë. Kur janë të dehur, njerëzit reagojnë me plogështi ndaj gjërave që ndodhin përreth dhe marrin vendime të pamenda. Në mënyrë të ngjashme, të ligjtë nuk reagojnë ndaj paralajmërimeve të Perëndisë. Ata zgjedhin të jetojnë në një mënyrë që i çon drejt shkatërrimit. Kurse shërbëtorët e Perëndisë nxiten të ruajnë gjykimin, të mendojnë me kthjelltësi. (1 Sel. 5:6) Sipas një studiuesi të Biblës, të mendosh me kthjelltësi do të thotë të kesh «një gjendje mendore të qetë e të ekuilibruar, që të lejon t’i peshosh e t’i vlerësosh gjërat drejt dhe të ndihmon të marrësh vendimin e duhur». Pse duhet të ruajmë qetësinë dhe ekuilibrin? Sepse kjo na ndihmon të mos përzihemi në çështjet e sotme politike ose sociale. Presioni që të mbajmë anë në këto çështje do të shtohet sa më shumë të afrohet dita e Jehovait. Por s’ka pse të na zërë ankthi se si do të reagojmë. Fryma e Perëndisë mund të na ndihmojë të mendojmë me qetësi e në mënyrë të ekuilibruar dhe të marrim vendime të mençura.—Luka 12:11, 12.

Ç’MUND TË BËJMË QË TË PËRGATITEMI PËR DITËN E JEHOVAIT?

Ndonëse shumë njerëz sot i shpërfillin paralajmërimet, ne rrimë gati për ditën e Jehovait duke veshur parzmoren e besimit e të dashurisë dhe helmetën e shpresës (Shih paragrafët 8, 12)

8. Çfarë ilustrimi përdoret te 1 Selanikasve 5:8 për cilësitë që do të na ndihmojnë të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin? (Shihni edhe figurën.)

8 ‘Të veshim parzmoren dhe helmetën. ‘ Pavli na krahason me ushtarë që janë syçelë dhe të veshur për betejë. (Lexo 1 Selanikasve 5:8.) Në kohë lufte pritet që një ushtar të jetë gati për betejë në çdo moment. Njësoj është me ne. Që të qëndrojmë gati për ditën e Jehovait, ne veshim parzmoren e besimit e të dashurisë dhe helmetën e shpresës. Këto cilësi mund të na ndihmojnë shumë.

9. Si na mbron besimi?

9 Parzmorja i mbronte zemrën ushtarit. Besimi dhe dashuria mbrojnë zemrën tonë të figurshme. Ato do të na ndihmojnë të vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë dhe të ndjekim Jezuin. Besimi na siguron se Jehovai do të na shpërblejë ngaqë e kërkojmë me gjithë zemër. (Hebr. 11:6) Gjithashtu na nxit t’i qëndrojmë besnikë Kreut tonë, Jezuit, edhe nëse na duhet të kalojmë vështirësi. Duke mësuar nga shembujt e sotëm të atyre që e kanë mbajtur integritetin edhe përballë përndjekjeve e problemeve ekonomike, mund t’i përballojmë me besim të fortë sprovat e jetës. Veç kësaj, mund të shmangim grackën e materializmit duke imituar ata që e kanë thjeshtuar jetën për të vënë në vend të parë Mbretërinë. b

10. Si na ndihmon dashuria për Perëndinë e për të tjerët që të tregojmë qëndrueshmëri?

10 Edhe dashuria është jetësore që të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin. (Mat. 22:37-39) Dashuria për Perëndinë na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri në veprën e predikimit pavarësisht nga problemet që mund të hasim. (2 Tim. 1:7, 8) Gjithashtu, nga dashuria për ata që nuk janë shërbëtorë të Jehovait, vazhdojmë të predikojmë në territorin tonë ose edhe të japim dëshmi me telefon e me letra. Nuk i humbim shpresat se një ditë njerëzit do të ndryshojnë dhe do të fillojnë të bëjnë atë që është e drejtë.—Ezek. 18:27, 28.

11. Si na ndihmon dashuria për bashkëbesimtarët? (1 Selanikasve 5:11)

11 Të duam të tjerët përfshin edhe të duam vëllezërit e motrat. E tregojmë këtë dashuri ‘duke i dhënë zemër njëri-tjetrit e duke e forcuar’. (Lexo 1 Selanikasve 5:11.) Ashtu siç bëjnë ushtarët kur luftojnë krah për krah, ne i japim zemër njëri-tjetrit. Natyrisht, mund të ndodhë që një ushtar ta dëmtojë pa dashje një tjetër në zjarrin e luftës, por nuk do ta bënte kurrë me qëllim këtë. Po njësoj, ne nuk do t’i lëndonim kurrë me dashje vëllezërit e motrat, e as do ta kthenim të keqen me të keqe. (1 Sel. 5:13, 15) Tregojmë dashuri edhe duke respektuar vëllezërit që drejtojnë në kongregacion. (1 Sel. 5:12) Kur Pavli shkroi këtë letër, kongregacioni në Selanik ishte formuar nga më pak se një vit. Ka shumë gjasa që burrat e emëruar të mos kishin përvojë dhe bënin gabime. Gjithsesi, ata meritonin respekt. Ndërsa afrohet shtrëngimi i madh, ndoshta do të jemi akoma më të varur nga drejtimi i pleqve. Mund të humbim lidhjet me selinë botërore e me zyrën e degës; prandaj është e rëndësishme të mësojmë t’i duam dhe t’i respektojmë pleqtë tanë sot. Çfarëdo që të ndodhë, le të ruajmë gjykimin e të mos përqendrohemi te të metat e tyre, por te fakti që Jehovai po i udhëheq këta burra besnikë nëpërmjet Krishtit.

12. Si na e mbron mendjen shpresa jonë?

12 Ashtu si helmeta që i mbronte kokën ushtarit, shpresa e shpëtimit na mbron mendjen. Kur shpresa jonë është e fortë, e kuptojmë se çdo gjë që ofron kjo botë s’ka pikë vlere. (Filip. 3:8) Shpresa na ndihmon të ruajmë qetësinë dhe ekuilibrin. Kështu ndodhi me Uollasin dhe Lorindën, që shërbejnë në Afrikë. Brenda tri javësh, vdiqën mamaja e Lorindës dhe babai i Uollasit. Për shkak të pandemisë së COVID-19, ishte e pamundur të ktheheshin në shtëpi që të ishin me familjen. Uollasi shkroi: «Shpresa e ringjalljes më ndihmon t’i mendoj jo ashtu siç ishin në ditët e tyre të fundit në këtë botë, por ashtu siç do të jenë në ditët e tyre të para në botën e re. Kjo shpresë më qetëson kur më mbytin ndjenjat e trishtimit ose të pikëllimit.»

13. Ç’mund të bëjmë që të marrim frymën e shenjtë?

13 ‘Të mos e shuajmë zjarrin e frymës.’ (1 Sel. 5:19) Pavli e krahasoi frymën e shenjtë me një zjarr që digjet brenda nesh. Kur kemi frymën e Perëndisë, vlojmë nga zelli dhe entuziazmi për atë që është e drejtë e na përtërihen forcat për t’i shërbyer Jehovait. (Rom. 12:11) Ç’mund të bëjmë që të marrim frymën e shenjtë? Mund të lutemi, të studiojmë Fjalën e frymëzuar të Perëndisë dhe të jemi pjesë e organizatës së tij të drejtuar nga fryma. Të gjitha këto na ndihmojnë të kultivojmë ‘frytin e frymës së shenjtë’.—Gal. 5:22, 23.

Pyet veten: «A tregoj me vepra se dua të vazhdoj të marr frymën e Perëndisë?» (Shih paragrafin 14)

14. Çfarë nuk duhet të bëjmë që Perëndia të vazhdojë të na japë frymën e tij? (Shihni edhe figurën.)

14 Pasi Perëndia na jep frymën e tij të shenjtë, duhet të bëjmë kujdes që ‘të mos e shuajmë zjarrin e frymës’. Ai ua jep frymën e tij vetëm atyre që vazhdojnë ta mbajnë mendjen te gjërat e pastra dhe të kenë një sjellje të pastër. Perëndia nuk do të vazhdonte të na jepte frymën e tij nëse do të ushqenim mendime të ndyra dhe do të vepronim sipas tyre. (1 Sel. 4:7, 8) Që të vazhdojmë të marrim frymën e shenjtë duhet edhe ‘të mos i trajtojmë me përçmim profecitë’. (1 Sel. 5:20) Në këtë varg, «profecitë» janë mesazhet që na jep Perëndia nëpërmjet frymës së tij, si ato për ditën e Jehovait dhe për faktin që mbetet fare pak kohë para se të vijë fundi. Ne nuk e shohim ditën e Jehovait si një ditë të largët, duke menduar se Armagedoni s’do të vijë gjatë jetës sonë. Përkundrazi, tregojmë se presim që ajo të vijë shpejt—pra e mbajmë gjithnjë në mend—duke vazhduar të kemi një sjellje të pastër e duke qenë përditë ‘të përkushtuar ndaj Perëndisë në çdo gjë që bëjmë’.—2 Pjet. 3:11, 12.

‘TË SIGUROHEMI PËR TË GJITHA GJËRAT’

15. Ç’mund të bëjmë që të mos mashtrohemi nga informacionet e shtrembëruara dhe nga propaganda e demonëve? (1 Selanikasve 5:21)

15 Në të ardhmen e afërt, kundërshtarët e Perëndisë do të bëjnë një lloj deklarate për «paqe dhe siguri». (1 Sel. 5:3) Propaganda e frymëzuar nga demonët do të mbushë tokën e do të mashtrojë shumicën e njerëzve. (Zbul. 16:13, 14) Po ne, si do të reagojmë? Nuk do të mashtrohemi nëse ‘sigurohemi për [ose ‘i vëmë në provë’] të gjitha gjërat’. (Lexo 1 Selanikasve 5:21.) Fjala greke e përkthyer «sigurohuni» përdorej për provën që u bëhej metaleve të çmuara për të parë nëse ishin vërtet të tilla. Pra, duhet ta vëmë në provë atë që dëgjojmë ose lexojmë për të kuptuar nëse është e vërtetë. Ishte e rëndësishme që selanikasit ta bënin këtë. Aq më e rëndësishme është ta bëjmë edhe ne këtë sa më shumë afrohet shtrëngimi i madh. Në vend që ta pranojmë me naivitet atë që na thonë të tjerët, përdorim aftësinë për të menduar që t’i krahasojmë gjërat që lexojmë a dëgjojmë me ato që thonë Bibla dhe organizata e Jehovait. Kështu nuk do të mashtrohemi nga propaganda e demonëve ose nga dredhitë e tyre.—Prov. 14:15; 1 Tim. 4:1.

16. Çfarë shprese të sigurt kemi, dhe çfarë jemi të vendosur të bëjmë?

16 Si grup, shërbëtorët e Perëndisë do t’i mbijetojnë shtrëngimit të madh. Por, si individë nuk e dimë ç’do të sjellë e nesërmja. (Jak. 4:14) Gjithsesi, pavarësisht nëse i mbijetojmë shtrëngimit të madh apo vdesim para tij, do të marrim si shpërblim jetën e përhershme po të qëndrojmë besnikë. Të mirosurit do të jenë me Krishtin në qiell. Delet e tjera do të jetojnë në tokën parajsore. Le të përqendrohemi të gjithë te shpresa jonë e mrekullueshme dhe të rrimë gati për ditën e Jehovait!

KËNGA 150 Jehovai të premton çlirim

a Te kapitulli 5 i 1 Selanikasve, gjejmë disa ilustrime dhe krahasime të cilat flasin për ditën e Jehovait që po vjen. Çfarë është «dita e Jehovait» dhe si do të vijë? Cilët do të mbijetojnë? Cilët nuk do të mbijetojnë? Si mund të përgatitemi për të? Ndërsa shqyrtojmë çfarë tha apostulli Pavël, këto pyetje do të marrin përgjigje.