Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 23

KËNGA 28 Miqësia me Jehovain—Gjithçka që zemra do!

Jehovai na ka ftuar të jemi mysafirët e tij!

Jehovai na ka ftuar të jemi mysafirët e tij!

«Tenda ime do të jetë mbi ta, unë do të jem Perëndia i tyre.»EZEK. 37:27.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të na thellojë çmueshmërinë për ftesën e Jehovait që të jemi mysafirë në tendën e tij të figurshme, si edhe për kujdesin që na tregon si Mikpritësi ynë.

1-2. Çfarë ftese u bën Jehovai adhuruesve të tij besnikë?

 «KUSH është Jehovai për ty?» Po të ta bënin këtë pyetje, mbase do të thoshe: «Jehovai është Ati im, Perëndia im dhe Miku im.» Mund të përmendje edhe tituj ose përshkrime të tjera për Jehovain. Por, a do të thoshe edhe: «Jehovai është Mikpritësi im.»

2 Mbreti David e krahasoi miqësinë e Jehovait me adhuruesit besnikë me marrëdhënien mes një mikpritësi dhe mysafirëve të tij. Ai pyeti: «O Jehova, kush mund të jetë mysafir në tendën tënde? Kush mund të banojë në malin tënd të shenjtë?» (Psal. 15:1) Nga këto fjalë të frymëzuara mësojmë se mund të bëhemi mysafirë të Jehovait—miq të tij. A nuk është një nder i pashoq të marrësh këtë ftesë nga Jehovai?

JEHOVAI DËSHIRON TË JEMI MYSAFIRËT E TIJ

3. Kush ishte mysafiri i parë i Jehovait, dhe si ndiheshin për njëri-tjetrin Jehovai dhe mysafiri i tij?

3 Para se të krijonte gjithçka, Jehovai ishte vetëm. Por në njëfarë momenti, mikpriti në «tendën» e tij Birin e parëlindur. Jehovai gjente ëndje në rolin e ri si Mikpritës. Bibla thotë se Biri ishte ‘kënaqësia më e madhe’ e Jehovait. Dhe ai mysafir i parë ‘gëzohej gjithë kohës në prani’ të Jehovait.—Prov. 8:30.

4. Si e zgjeroi dalëngadalë Jehovai tendën e tij?

4 Më pas Jehovai krijoi engjëjt e i ftoi edhe ata të ishin mysafirë të tij. Engjëjt quhen «bijtë e Perëndisë», dhe Shkrimet tregojnë se ndihen të lumtur që janë pranë Jehovait. (Jobi 38:7; Dan. 7:10) Për mjaft kohë, miq të Perëndisë ishin vetëm krijesat që jetonin me të në qiell. Më vonë, Jehovai e zgjeroi tendën për të mirëpritur edhe njerëzit që krijoi në tokë. Disa prej atyre që shijuan mikpritjen e tij ishin Enoku, Noeja, Abrahami dhe Jobi. Bibla tregon se këta adhurues të vërtetë ishin miq të Perëndisë, njerëz që ecën «me Perëndinë e vërtetë».—Zan. 5:24; 6:9; Jobi 29:4; Isa. 41:8.

5. Çfarë mund të mësojmë nga profecia e Ezekielit 37:26, 27?

5 Ndër shekuj, Jehovai ka vazhduar t’i ftojë miqtë e vet që të shijojnë mikpritjen e tij. (Lexo Ezekielin 37:26, 27.) Për shembull, nga profecia e Ezekielit mësojmë se Perëndia dëshiron me gjithë zemër që adhuruesit e tij besnikë të kenë një miqësi të ngushtë me të. Ai premtoi se do të bënte «një besëlidhje paqeje» me ta. Profecia fliste për një kohë kur ata me shpresë qiellore dhe ata me shpresë tokësore do të ishin të bashkuar në tendën e tij si «një kope e vetme». (Gjoni 10:16) Kjo kohë është pikërisht sot!

PERËNDIA KUJDESET PËR NE KUDO QË JEMI

6. Si bëhet dikush mysafir në tendën e Jehovait, dhe deri ku shtrihet tenda e Tij?

6 Në kohët kur u shkrua Bibla, tenda ishte një vend për t’u çlodhur dhe për t’u mbrojtur nga vapa ose moti i keq. E çdo mysafir në tendë mund të ishte i sigurt se mikpritësi do të kujdesej për të me merak. Kur ia kushtojmë jetën Jehovait, bëhemi mysafirë në tendën e tij. (Psal. 61:4) Shijojmë një banket me ushqim besimforcues dhe shoqërinë e mysafirëve të tjerë të Jehovait. Tenda e Tij shtrihet në çdo cep të tokës. Mund të kesh shkuar në ndonjë vend tjetër, mbase për të ndjekur një kongres special, dhe takove të tjerë që kanë privilegjin të jenë mysafirë në tendën e Perëndisë. Ajo tendë shtrihet kudo që ka adhurues besnikë të Jehovait.—Zbul. 21:3.

7. Pse mund të themi se besnikët që kanë vdekur janë akoma mysafirë në tendën e Jehovait? (Shihni edhe figurën.)

7 Po ç’të themi për besnikët që kanë vdekur? A janë akoma mysafirë në tendën e Jehovait? Po! Pse mund ta themi këtë? Sepse ata janë gjallë në kujtesën e Jehovait. Jezui shpjegoi: «Që të vdekurit do të ringjallen, e tregoi edhe Moisiu në tregimin për shkurren me gjemba, ku e quan Jehovain ‘Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit’. Ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse për të, të gjithë ata janë gjallë.»—Luka 20:37, 38.

Edhe besnikët që kanë vdekur, janë akoma mysafirë në tendën e Perëndisë (Shih paragrafin 7)


DOBITË DHE PËRGJEGJËSITË SI MYSAFIRË

8. Cilat dobi nxjerrim ngaqë jemi mysafirë në tendën e Jehovait?

8 Një tendë mund të jetë një vend për t’u çlodhur ose për t’u mbrojtur nga moti i keq. Po njësoj, tenda e Jehovait i mbron mysafirët e tij nga çdo gjë që mund t’u dëmtojë miqësinë me të dhe nga pasiguria për të ardhmen. Kur qëndrojmë afër Jehovait, Satanai nuk na shkakton dot asnjë dëm të përhershëm. (Psal. 31:23; 1 Gjon. 3:8) Në botën e re Jehovai do të vazhdojë t’i mbrojë miqtë e tij besnikë jo vetëm nga çdo gjë që u rrezikon miqësinë me të, por edhe nga vdekja.—Zbul. 21:4.

9. Si pret Jehovai të sillen mysafirët e tij?

9 Është nder i pashoq të jesh mysafir në tendën e Jehovait—të gëzosh me të një miqësi të ngushtë që mund të zgjatë në përjetësi. Si duhet të sillemi nëse duam të vazhdojmë të jemi mysafirë të tij? Nëse dikush të fton në shtëpi, patjetër që dëshiron të dish si të jesh një mysafir i mirë. Për shembull, nëse pret të heqësh këpucët para se të hysh brenda, do të ishe i gatshëm ta bëje këtë. Po njësoj, ne duam të dimë çfarë kërkon Jehovai nga ata që dëshirojnë të qëndrojnë në tendën e tij si mysafirë. Dashuria për Jehovain na shtyn të bëjmë gjithçka që kemi në dorë ‘për t’i pëlqyer plotësisht’. (Kolos. 1:10) E ndërkohë që e shohim Jehovain si Mikun tonë, nuk harrojmë që është edhe Perëndia e Ati ynë, ndaj është i denjë ta respektojmë me gjithë zemër. (Psal. 25:14) Duhet ta mbajmë në mendje këtë dhe të kemi gjithmonë nderim të thellë për Jehovain. Kjo do të na ndihmojë të mos bëjmë asgjë që do ta ofendonte. Pa diskutim që duam ‘të jemi modestë ndërsa ecim me Perëndinë tonë’.—Mik. 6:8.

PAANSHMËRIA E JEHOVAIT NË SHKRETËTIRË

10-11. Si doli në pah paanësia e Jehovait te mënyra si i trajtoi izraelitët në shkretëtirën e Sinait?

10 Jehovai i trajton me paanësi mysafirët e tij. (Rom. 2:11) Kjo del në pah te mënyra si veproi me izraelitët në shkretëtirën e Sinait.

11 Pasi e çliroi popullin e tij nga skllavëria në Egjipt, Jehovai emëroi priftërinj për të shërbyer në tabernakull. Gjithashtu caktoi levitë që të kryenin detyra të tjera në atë tendë të shenjtë. A u kujdes më shumë Jehovai për ata që shërbenin në tabernakull ose që banonin pranë tij? Jo! Jehovai nuk mban me hatër.

12. Si shfaqi paanshmëri Jehovai si Mikpritësi i kombit të tij të sapoformuar? (Eksodi 40:38) (Shihni edhe figurën.)

12 Çdo izraelit mund të ishte mik i ngushtë i Jehovait, pavarësisht se çfarë caktimi special mund të kishte ose sa larg tabernakullit jetonte. Për shembull, Jehovai u sigurua që gjithë kombi të arrinte t’i shihte shtyllën e resë dhe shtyllën e zjarrit mbi tabernakull. (Lexo Eksodin 40:38.) Kur reja fillonte të lëvizte në një drejtim tjetër, edhe ata që jetonin më larg se të gjithë nga tabernakulli, arrinin ta shihnin. Kështu mund të mblidhnin plaçkat, të çmontonin tendat dhe të largoheshin bashkë me pjesën tjetër të popullit. (Num. 9:15-23) Të gjithë mund t’i dëgjonin buçimat e qarta të dy trumbetave prej argjendi, që jepnin sinjalin se duhej të niseshin për udhë. (Num. 10:2) Pra, të jetoje afër tabernakullit nuk tregonte se e kishe Jehovain mik më të ngushtë. Përkundrazi, çdo pjesëtar i kombit të sapoformuar mund të ishte mysafir i Jehovait dhe mund të ndihej i sigurt se ai do t’i printe e do ta mbronte. Edhe sot, në çfarëdo vendi të globit të jetojmë, mund të gëzojmë dashurinë, kujdesin dhe mbrojtjen e Jehovait.

Tabernakulli, që ndodhej në mes të kampit, dëshmonte për paanshmërinë e Jehovait (Shih paragrafin 12)


SHEMBUJ TË PAANSHMËRISË SË JEHOVAIT SOT

13. Cila është një mënyrë si tregohet i paanshëm Jehovai sot?

13 Disa shërbëtorë të Jehovait jetojnë afër selisë botërore ose një zyre dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Të tjerë shërbejnë në këto godina. Si rezultat, mund të marrin pjesë në shumë aktivitete që zhvillohen atje dhe të shoqërohen me vëllezërit që marrin drejtimin. Disa të tjerë shërbejnë si mbikëqyrës udhëtues ose në forma të tjera të shërbimit special në kohë të plotë. Nëse për momentin nuk je ndër këta vëllezër e motra—ashtu si pjesa më e madhe e adhuruesve të Jehovait—ji i sigurt se Jehovai i do të gjithë ata që ka pranuar si mysafirë. Ai merakoset për secilin prej tyre. (1 Pjet. 5:7) Jehovai u jep të gjithë shërbëtorëve të tij ushqimin besimforcues, drejtimin dhe mbrojtjen që u nevojitet.

14. Cila është një mënyrë tjetër si e tregon Jehovai se është Mikpritës i paanshëm?

14 Cila është një mënyrë tjetër si e tregon Jehovai se është Mikpritës i paanshëm? Duke u siguruar që njerëzit kudo përqark globit të kenë mundësi ta lexojnë Fjalën e tij. Në fillim Shkrimet e Shenjta u shkruan në tri gjuhë: hebraisht, aramaisht dhe greqisht. Mos ndoshta ata që arrijnë ta lexojnë Biblën në gjuhët origjinale kanë një marrëdhënie më të ngushtë me Jehovain? Aspak.—Mat. 11:25.

15. Çfarë dëshmie kemi se Jehovai është i paanshëm? (Shihni edhe figurën.)

15 Miratimi i Jehovait nuk varet nga arsimimi që kemi ose nga aftësia për të kuptuar gjuhët origjinale të Biblës. Ai ua vë në dispozicion mençurinë e tij të gjithë njerëzve përreth botës, jo vetëm atyre që janë shumë të arsimuar. Fjala e tij e frymëzuar, Bibla, është përkthyer në mijëra gjuhë. Kështu, kudo që jetojnë, njerëzit mund të nxjerrin dobi nga mësimet e saj dhe mund të mësojnë si të bëhen miq të Jehovait.—2 Tim. 3:16, 17.

Pse përkthimi i Biblës në mijëra gjuhë dëshmon për paanshmërinë e Jehovait? (Shih paragrafin 15)


VAZHDO TË JESH NJË MYSAFIR QË E KËNAQ JEHOVAIN

16. Sipas Veprave 10:34, 35, ç’duhet të bëjmë që të vazhdojmë të jemi mysafirë të Jehovait?

16 Është një nder i pakrahasueshëm që Jehovai të na presë si mysafirë në tendën e tij. Ai është Mikpritësi më zemërmirë, më i dashur dhe më bujar në univers. Gjithashtu është i paanshëm dhe na mirëpret krahëhapur të gjithëve, pavarësisht nga vendi ku jetojmë, shtresa shoqërore, arsimimi, raca, fisi, mosha a gjinia. Ama, Jehovai pranon si mysafirë vetëm ata që jetojnë sipas standardeve të tij.—Lexo Veprat 10:34, 35.

17. Ku mund të gjejmë më shumë hollësi se si të jemi mysafirë në tendën e Jehovait?

17 Te Psalmi 15:1, Davidi ngriti këto pyetje: «O Jehova, kush mund të jetë mysafir në tendën tënde? Kush mund të banojë në malin tënd të shenjtë?» E i frymëzuar nga Jehovai, Davidi u dha përgjigje këtyre pyetjeve. Në artikullin tjetër do të ndalemi te disa kërkesa specifike që duhet të plotësojmë që ta kënaqim Jehovain e të vazhdojmë të jemi miq të tij.

KËNGA 32 Merr anën e Jehovait!