Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Jehovai u kushtoi vëmendje lutjeve të mia

Jehovai u kushtoi vëmendje lutjeve të mia

NJË natë, kur isha vetëm 10 vjeç, ngrita sytë të vështroja yjet që vezullonin në qiell. Ajo pamje më nxiti të bija në gjunjë e të lutesha. Sapo kisha mësuar për Jehovain, e megjithatë ia zbraza çdo merak që kisha thellë në zemër. Pikërisht me atë lutje zuri fill miqësia ime e ngushtë me Perëndinë Jehova, ‘Dëgjuesin e lutjes’, një miqësi që zgjati për tërë jetën. (Psal. 65:2) Më lejoni t’ju tregoj pse iu luta një Perëndie që e kisha njohur rishtazi.

NJË VIZITË QË MË NDRYSHOI JETËN

Linda më 22 dhjetor 1929, në Novil, një fshat i vogël i përbërë nga 9 ferma pranë Bastonjës, në Ardenet belge. E kujtoj me nostalgji fëmijërinë në fermë me prindërit. Bashkë me vëllanë e vogël, Remonin, milnim lopët dhe ndihmonim kur korreshin prodhimet. Në fshatin tonë ishim shumë të lidhur dhe i venim menjëherë në ndihmë njëri-tjetrit.

Duke punuar me familjen në fermën tonë

Prindërit e mi, Emili dhe Alisa, ishin katolikë të devotshëm dhe shkonin në meshë çdo të diel. Mirëpo, aty rreth vitit 1939, në fshatin tonë erdhën disa pionierë nga Anglia dhe i ofruan tim eti një abonim në revistën Ngushëllim (tani Zgjohuni!). Babai e dalloi menjëherë tingullin e së vërtetës dhe filloi të lexonte Biblën. Kur nuk shkoi më në meshë, fqinjët tanë dikur miqësorë u shndërruan në kundërshtarë të flaktë. Ata i bënin presion babait që të mos e braktiste fenë katolike, e kjo ndezi sa e sa debate të zjarrta.

Më pikonte në shpirt kur shikoja se në çfarë trysnie gjendej babai. Prandaj iu përgjërova Perëndisë ta ndihmonte, duke bërë lutjen e ndier që përmenda në fillim të artikullit. Më hovte zemra nga gëzimi kur shihja si fashitej dalëngadalë kundërshtimi. Tashmë s’kisha pikë dyshimi se Jehovai është ‘Dëgjuesi i lutjes’.

JETA GJATË LUFTËS

Më 10 maj 1940 Belgjikën e pushtoi Gjermania naziste dhe, si pasojë, pati një eksod në masë. Si familje shkuam në jug të Francës. Gjatë rrugës, u gjendëm disa herë në vende të rrezikshme, ku forcat gjermane zhvillonin luftime të ashpra me forcat franceze.

Kur u kthyem në fermë, zbuluam se shumicën e zotërimeve na e kishin plaçkitur. Na priste vetëm qeni ynë, Bobi. Për shkak të atyre ndodhive, pyesja veten: «Pse ka luftëra dhe vuajtje?»

Miqësia ime me Jehovain u bë më e ngushtë në adoleshencë

Në atë periudhë na inkurajuan shumë vizitat e vëllait Emil Shranc, a një pionier e plak besnik. Ai na shpjegoi qartë nga Bibla pse ka vuajtje dhe iu përgjigj pyetjeve të tjera që kisha për jetën. Miqësia ime me Jehovain sa vinte e forcohej dhe u binda se ai është Perëndi i dashurisë.

Edhe pse lufta s’kishte mbaruar ende, kishim mundësi t’i takonim vëllezërit e të flitnim me ta. Në gusht të vitit 1943, në fermën tonë erdhi vëlla Zhoze-Nikolá Minei, që të mbante një fjalim. Ai pyeti: «Kush dëshiron të pagëzohet?» Unë dhe im atë ngritëm dorën. U pagëzuam në një lumë të vogël pranë fermës sonë.

Në dhjetor të 1944-s ushtria gjermane nisi sulmin e fundit të madh në frontin perëndimor—i njohur gjerësisht si Beteja e Bulges. Meqë jetonim pranë vendit ku po zhvilloheshin luftimet, nuk dolëm nga qilari për rreth një muaj. Një ditë, kur dola për t’u hedhur ushqim kafshëve, fermën tonë e bombarduan, dhe një nga predhat shkatërroi çatinë e hambarit. Një ushtar amerikan në stallën aty afër bërtiti: «Shtrihu në tokë!» Vrapova dhe u shtriva afër ushtarit, i cili më vuri në kokë helmetën e tij për të më mbrojtur.

PËRPAROJ NË TË VËRTETËN

Në ditën e dasmës

Pas luftës, komunikonim rregullisht me vëllezërit dhe motrat e një kongregacioni në Liezh, rreth 90 kilometra në veri. Me kalimin e kohës formuam një grup të vogël studimi në Bastonjë. Fillova punë te tatimet dhe pata mundësi të studioja për drejtësi. Më vonë punova si nëpunës në një zyrë noterie. Në vitin 1951, në Bastonjë organizuam një asamble të vogël qarkore. Ishin të pranishëm rreth 100 veta, ndër ta edhe një pioniere shumë e zellshme, Eli Rojtëri. Ajo kishte bërë 50 kilometra me biçikletë që të vinte në asamble. S’kaloi shumë dhe u dashuruam e u fejuam. Eli kishte marrë ftesën për të ndjekur Shkollën e Galadit në Shtetet e Bashkuara. Ajo u shkroi vëllezërve në selinë botërore, që t’u shpjegonte pse i duhej ta refuzonte ftesën. Vëlla Nori, i cili në atë kohë merrte drejtimin mes popullit të Jehovait, iu përgjigj me përzemërsi Elit se mbase një ditë do ta ndiqte Galadin bashkë me të shoqin. Në shkurt të vitit 1953 u martuam.

Eli me djalin tonë, Serzhin

Po atë vit, bashkë me Elin ndoqëm Asamblenë «Shoqëria e Botës së Re» në stadiumin Jenki, Nju-Jork. Aty takova një vëlla që më ofroi një punë të mirë dhe më ftoi të imigroja në Shtetet e Bashkuara. Pasi iu lutëm Jehovait për këtë çështje, me Elin vendosëm ta refuzonim ofertën dhe të ktheheshim në Belgjikë. Donim që të mbështetnim grupin tonë të vogël me rreth 10 lajmëtarë në Bastonjë. Vitin pasues u lumturuam tej mase nga ardhja në jetë e djalit tonë, Serzhit. Mjerisht, shtatë muaj më vonë, Serzhi u sëmur dhe vdiq. Ia shprehnim Jehovait në lutje hidhërimin e thellë që ndienim dhe morëm shumë forcë nga shpresa e sigurt e ringjalljes.

SHËRBIMI NË KOHË TË PLOTË

Në tetor 1961, gjeta një punë në kohë të pjesshme që do të më jepte mundësinë të shërbeja si pionier. Megjithatë, po atë ditë, më telefonoi shërbëtori i degës në Belgjikë. Ai më pyeti nëse isha i gatshëm të shërbeja si shërbëtor qarkor (tani quhet mbikëqyrës qarkor). I kërkova nëse mund të shërbenim si pionierë para se të pranonim caktimin. Vëllezërit e miratuan kërkesën tonë dhe, pasi shërbyem si pionierë për 8 muaj, filluam veprën qarkore në shtator 1962.

Pas dy vitesh në veprën qarkore, na ftuan të shkonim në Bruksel për të shërbyer në Bethel. Nisëm shërbimin atje në tetor 1964. Ky caktim i ri u hapi derën shumë bekimeve. Në vitin 1965 vëllai Nor vizitoi Bethelin tonë. U surprizova kur pak pas kësaj më emëruan shërbëtor dege. Më vonë, me Elin na ftuan të ndiqnim klasën e 41-të të Shkollës së Galadit. Fjalët që kishte thënë vëlla Nori 13 vjet më parë u bënë realitet! Pas diplomimit u kthyem në Bethelin e Belgjikës.

MBROJ TË DREJTAT LIGJORE TË POPULLIT TË JEHOVAIT

Ndër vite kam pasur privilegjin ta përdor arsimimin tim si jurist për të mbrojtur lirinë e adhurimit në Evropë dhe gjetkë. (Filip. 1:7) Për shkak të kësaj pune, kam takuar autoritete nga mbi 55 vende ku vepra jonë ishte e kufizuar ose e ndaluar. Në vend që të tërhiqja vëmendjen tek eksperienca ime në fushën ligjore, prezantohesha si «njeri i Perëndisë». Përherë i kam kërkuar drejtim në lutje Jehovait, sepse e di që «zemra e mbretit [ose e gjykatësit] është si rrëke uji në dorën e Jehovait; Ai e drejton nga t’i pëlqejë».—Prov. 21:1.

Një nga eksperiencat që më ka lënë mbresa të veçanta, ishte biseda me një anëtar të Parlamentit Evropian. Pasi kisha kërkuar disa herë një takim, më në fund pranoi. Ai tha: «Ke pesë minuta, asnjë sekondë më tepër.» Ula kokën dhe nisa të lutesha. Ai u nervozua dhe më pyeti ç’po bëja. Ngrita kokën dhe i thashë: «Falënderova Perëndinë, sepse ti je një nga shërbëtorët e tij.» «Ku e ke fjalën»,—më pyeti. I tregova Romakëve 13:4 dhe meqë ishte protestant, ky varg nga Bibla i tërhoqi vëmendjen. Çfarë ndodhi më pas? Folëm për gjysmë ore, dhe takimi ishte goxha i suksesshëm. Madje ai u shpreh se kishte respekt për veprën që kryenin Dëshmitarët e Jehovait.

Gjatë viteve, populli i Jehovait ka zhvilluar shumë beteja ligjore në Evropë për çështje si asnjanësia e krishterë, kujdestaria e fëmijëve, taksat, etj. Kam pasur privilegjin të marr pjesë në shumë prej tyre dhe të shoh me sytë e mi fitoren e suksesin që na ka dhënë Jehovai. Dëshmitarët e Jehovait kanë fituar mbi 140 çështje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut!

MË TEPËR LIRI ADHURIMI NË KUBË

Gjatë viteve 90 kam punuar me vëllezërit Filip Bramli, nga selia botërore, dhe Valter Farneti, nga Italia, që motrat e vëllezërit të adhuronin më lirisht në Kubë, vend ku vepra jonë ishte e kufizuar. Një herë i shkrova ambasadës kubane në Belgjikë dhe u takova me zyrtarin që ishte caktuar të shqyrtonte kërkesën tonë. Takimet e para nuk patën shumë sukses për t’i sqaruar keqkuptimet që kishin çuar në kufizimin e veprës atje.

Me Filip Bramlin dhe Valter Farnetin gjatë një prej vizitave tona në Kubë, në vitet 90

Pasi iu lutëm Jehovait për drejtim, bëmë një kërkesë për të dërguar në Kubë 5.000 Bibla dhe na e aprovuan. Biblat mbërritën në destinacion dhe iu shpërndanë vëllezërve, e kjo na bindi se Jehovai po i bekonte përpjekjet tona. Pastaj bëmë kërkesë që të dërgonim 27.500 Bibla të tjera. Edhe ajo u miratua. Ndihesha tejet i lumtur që i ndihmuam bashkëbesimtarët e shtrenjtë në Kubë të kishin Biblat e tyre.

Kam shkuar mjaft herë në Kubë për t’i ndihmuar vëllezërit e motrat të fitonin më tepër të drejta ligjore për veprën. E gjatë atyre udhëtimeve krijova marrëdhënie të mira me shumë zyrtarë të qeverisë.

NDIHMOJMË VËLLEZËRIT NË RUANDË

Në vitin 1994, në Ruandë u vranë mizorisht mbi 1.000.000 njerëz në gjenocidin kundër fisit tutsi. Mjerisht edhe disa nga motrat e vëllezërit tanë i vranë. Shpejt një grup vëllezërish u caktuan që të siguronin ndihma humanitare për Dëshmitarët atje.

Kur mbërritëm në kryeqytet, në Kigali, i gjetëm zyrën e përkthimit dhe depon e literaturës të bëra shoshë nga breshëria e plumbave. Dëgjuam mjaft histori tragjike për vëllezër e motra që i kishin vrarë me hanxharë. Ama na treguan edhe plot histori të vëllezërve që kishin ndihmuar me dashuri njëri-tjetrin. Për shembull, takuam një vëlla nga fisi tutsi, i cili ishte fshehur në një gropë të nëndheshme për 28 ditë. Atë e kishte mbrojtur një familje Dëshmitarësh nga fisi hutu. Në një mbledhje në Kigali u dhamë zemër nga Shkrimet mbi 900 bashkëbesimtarëve.

Majtas: Një libër i shpuar nga një plumb në zyrën tonë të përkthimit

Djathtas: Duke punuar për të siguruar ndihmë

Më pas kaluam kufirin për në Zaire (tani Republika Demokratike e Kongos), për të kërkuar një grup të madh Dëshmitarësh nga Ruanda që ishin nisur për në kampet e refugjatëve afër qytetit të Gomës. Por nuk po i gjenim, ndaj iu lutëm Jehovait të na drejtonte tek ata. Pastaj pamë një burrë që po vinte drejt nesh dhe e pyetëm nëse njihte ndonjë Dëshmitar të Jehovait. «Po, unë jam Dëshmitar,—u përgjigj ai.—Do t’ju çoj me kënaqësi te komiteti i ndihmës.» Pasi bëmë një mbledhje inkurajuese me komitetin e ndihmës, u takuam me rreth 1.600 refugjatë që t’i ngushëllonim e t’i forconim. Gjithashtu u lexuam një letër nga Trupi Udhëheqës. Vëllezërit e motrat u prekën thellë kur dëgjuan fjalët zemërdhënëse: «Lutemi vazhdimisht për ju. E dimë se Jehovai nuk ka për t’ju braktisur.» Sa të vërteta dolën ato fjalë të Trupit Udhëheqës! Sot në Ruandë ka mbi 30.000 Dëshmitarë që i shërbejnë të lumtur Jehovait në unitet.

I VENDOSUR TË QËNDROJ BESNIK

Në vitin 2011, humba Elin tim të dashur, pasi kishim qenë të martuar për gati 58 vjet. Ia shprehja Jehovait në lutje pikëllimin e thellë që ndieja, dhe ai më ngushëllonte. Gjithashtu merrja zemër kur u flisja të tjerëve për lajmin e mirë për Mbretërinë.

Ndonëse jam te të 90-at, akoma dal në predikim çdo javë. Gjithashtu e kam kënaqësi të ndihmoj Departamentin Ligjor këtu në Belgjikë, t’u jap të tjerëve nga eksperienca ime dhe të inkurajoj të rinjtë në familjen Bethel.

Rreth 84 vjet të shkuar, iu luta për herë të parë Jehovait. Ajo lutje ishte pikënisja e një jete fantastike që më afroi gjithnjë e më tepër me të. Jam tejet mirënjohës që Jehovai u ka kushtuar vëmendje lutjeve të mia gjatë gjithë jetës!—Psal. 66:19. b

a Jetëshkrimi i vëllait Shranc është botuar në Kullën e Rojës të 15 shtatorit 1973, f. 570-574, anglisht.

b Vëlla Marsel Zhilei ra në gjumin e vdekjes më 4 shkurt 2023, ndërsa po përgatitej ky artikull.