ARTIKULLI I STUDIMIT 25
KËNGA 7 Jehova, je forca jonë
Mos harro se Jehovai është «Perëndia i gjallë»!
«Jehovai është gjallë!»—PSAL. 18:46.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të shqyrtojmë dobitë që vijnë kur mbajmë ndër mend se Perëndia që adhurojmë është «Perëndia i gjallë».
1. Çfarë na ndihmon të vazhdojmë ta adhurojmë Jehovain, pavarësisht nga sfidat?
«KOHË kritike, të vështira për t’u përballuar»—kështu i përshkruan Bibla ditët tona. (2 Tim. 3:1) Përpos vështirësive që has kushdo në këtë sistem, shërbëtorët e Jehovait përballen edhe me kundërshtime e përndjekje. Çfarë na ndihmon të vazhdojmë ta adhurojmë Jehovain, pavarësisht nga sfida të tilla? Një gjë e rëndësishme është se kemi parë dorën e Jehovait në jetën tonë dhe jemi të sigurt se është «Perëndia i gjallë».—Jer. 10:10; 2 Tim. 1:12.
2. Çfarë do të thotë për ne që Jehovai është Perëndia i gjallë?
2 Jehovai është Perëndia i gjallë—një Person real që na bëhet krah në sprova dhe kërkon mundësi për të na mbështetur. (2 Kron. 16:9; Psal. 23:4) Kur e mbajmë ndër mend këtë, marrim forcë të përballojmë çdo vështirësi që na sjell jeta. Le të shohim si ndodhi kjo në rastin e mbretit David.
3. Çfarë nënkuptojnë fjalët e Davidit se «Jehovai është gjallë»?
3 Davidi e njihte Jehovain dhe mbështetej tek Ai. Kur mbreti Saul dhe armiq të tjerë e ndiqnin këmba-këmbës për ta vrarë, Davidi i lutej Jehovait për ndihmë. (Psal. 18:6) E pasi Perëndia iu përgjigj lutjeve të tij dhe e shpëtoi, Davidit i dolën nga zemra fjalët: «Jehovai është gjallë!» (Psal. 18:46) Me këto fjalë nuk po pranonte thjesht se Perëndia ekziston. Një vepër referimi thotë se Davidi po shprehte bindjen se Jehovai është «një Perëndi i gjallë që vepron vazhdimisht në dobi të populli të vet». Davidi e dinte nga përvoja se Perëndia i tij ishte gjallë, e kjo i jepte zemër që t’i shërbente pa u dorëzuar e ta lëvdonte.—Psal. 18:28, 29, 49.
4. Si nxjerrim dobi kur e shohim Jehovain si Perëndinë e gjallë?
4 Siguria se Jehovai është Perëndia i gjallë na ndihmon t’i shërbejmë me zell. Gjithashtu marrim forcë t’u bëjmë ballë sprovave dhe ndihemi të motivuar të vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë pa u kursyer. E jemi më të vendosur ta mbajmë të fortë miqësinë me Jehovain.
PERËNDIA I GJALLË DO TË TË JAPË FORCË
5. Pse mund t’i përballojmë sprovat me besim të plotë? (Filipianëve 4:13)
5 Mund të përballojmë çdo sprovë, e madhe a e vogël qoftë, nëse nuk harrojmë se Jehovai është gjallë dhe është gati të na bëhet krah. Tekefundit, Perëndia ynë është ku e ku më i madh se çdo problem që hasim. Ai është i Plotfuqishmi dhe mund të na japë forcë të qëndrojmë të patundur. (Lexo Filipianëve 4:13.) Ndaj kemi arsye të forta që t’i përballojmë sprovat me besim të plotë te Jehovai. Kur shohim dorën e Jehovait në sprova më të vogla, nuk kemi më fije dyshimi se do të na mbështetë edhe në sprova më të mëdha.
6. Cilat ngjarje të adoleshencës ia forcuan Davidit besimin te Jehovai?
6 Le të shohim dy ngjarje nga jeta e Davidit që ia forcuan besimin te Jehovai. Gjatë adoleshencës, kur ishte bari, një ari dhe një luan i morën nga një dele nga kopeja e të atit. Në secilin rast, Davidi u tregua i guximshëm, i ndoqi kafshët e egra dhe i shpëtoi delet. Ama nuk i mori për vete meritat e fitores. Ai e dinte se ia kishte dalë mbanë vetëm falë Jehovait. (1 Sam. 17:34-37) Davidi nuk i harroi kurrë ato ngjarje. E ndërsa i bluante në mendje, i shtohej siguria se Perëndia i gjallë do t’i jepte forcë edhe në të ardhmen.
7. Si e ndihmoi këndvështrimi i duhur Davidin që të luftonte kundër Goliadit?
7 Më vonë, ndoshta kur ishte ende adoleshent, Davidi shkoi në kampin ushtarak të izraelitëve. Ai pa se ushtarëve u kishte hyrë frika në palcë ngaqë një gjigant filistin, Goliadi, kishte dalë ‘të sfidonte forcat ushtarake të Izraelit’. (1 Sam. 17:10, 11) Ata ishin të tmerruar sepse po përqendroheshin tek ai gjigant dhe te fjalët përbuzëse që thoshte në fushëbetejë. (1 Sam. 17:24, 25) Mirëpo Davidi e pa situatën nga një këndvështrim tjetër. Ai e kuptoi se Goliadi nuk po sfidonte thjesht forcat ushtarake të Izraelit, por «forcat ushtarake të Perëndisë së gjallë». (1 Sam. 17:26) Davidi mendoi para së gjithash për Jehovain. Ai kishte besim se, ashtu siç e kishte ndihmuar kur ishte bari, do ta ndihmonte edhe në këtë situatë. I bindur për mbështetjen e Perëndisë, Davidi luftoi kundër Goliadit, e pa dyshim doli fitimtar!—1 Sam. 17:45-51.
8. Si mund ta forcojmë sigurinë se Jehovai do të na ndihmojë kur të hasim sprova? (Shihni edhe figurën.)
8 Edhe ne mund t’i përballojmë me sukses sprovat nëse nuk harrojmë se Perëndia i gjallë është gati të na vijë në ndihmë. (Psal. 118:6) Mund ta forcojmë besimin te Jehovai duke shqyrtuar se çfarë ka bërë në të kaluarën. Lexo histori nga Bibla që të kujtojnë si i shpëtoi Jehovai adhuruesit e tij. (Isa. 37:17, 33-37) Gjithashtu lexo e shiko raporte në sitin jw.org që tregojnë si i ka mbështetur Jehovai vëllezërit e motrat në kohët tona. Veç kësaj, sill ndër mend rastet kur Jehovai të ka ndihmuar ty personalisht. S’ka rëndësi nëse nuk të ka ndodhur ndonjë ngjarje spektakolare, si të ndeshesh me një ari ose një luan. Pse? Sepse në të vërtetë Jehovai ka bërë shumë gjëra për ty! Ai të ka tërhequr duke të ftuar të bëhesh mik i tij. (Gjoni 6:44) Madje edhe tani, po vazhdon të ecësh në të vërtetën vetëm falë ndihmës së tij. Pse të mos i kërkosh Jehovait të të ndihmojë të kujtosh momentet kur ai iu përgjigj lutjeve të tua, kur të siguroi fiks atë që të nevojitej në çastin e duhur ose kur u kujdes për ty gjatë një situate të vështirë? Ndërsa i bluan në mendje raste të tilla, do të të forcohet siguria se Jehovai do të vazhdojë të të gjendet pranë.
9. Si duhet t’i shohim sprovat? (Proverbat 27:11)
9 Nëse e shohim Jehovain si Perëndinë e gjallë, do të kemi pikëpamjen e duhur për sprovat. Në ç’kuptim? Do t’i konsiderojmë si pjesë e një çështjeje më të madhe mes Jehovait dhe Satanait. Djalli pretendon se kur të jemi në vështirësi, do t’i kthejmë shpinën Jehovait. (Jobi 1:10, 11; lexo Proverbat 27:11.) Ama, kur qëndrojmë besnikë edhe në sprova, tregojmë se e duam Jehovain dhe dëshmojmë se Djalli është gënjeshtar. A je duke hasur kundërshtim nga qeveritë, vështirësi ekonomike, apati në predikim a ndonjë sprovë tjetër? Nëse po, mos harro se situata që po kalon të jep mundësinë t’i gëzosh zemrën Jehovait. Mos harro edhe se ai s’do të lejojë kurrë të sprovohesh përtej limiteve të tua. (1 Kor. 10:13) Jehovai do të të japë forcë që të qëndrosh besnik në sprova.
PERËNDIA I GJALLË DO TË TË SHPËRBLEJË
10. Çfarë do të bëjë Perëndia i gjallë për adhuruesit e tij?
10 Jehovai është Shpërblyesi i atyre që e adhurojnë. (Hebr. 11:6) Ai na fal paqe e gëzim në zemër sot dhe do të na japë jetën e përhershme në të ardhmen. Mund t’i varim shpresat te Jehovai, të sigurt se ai ka si dëshirën, edhe fuqinë që të na shpërblejë. E kjo siguri na nxit të vazhdojmë të bëjmë maksimumin për të, njësoj si shërbëtorët besnikë të Perëndisë në të kaluarën. Ndër ta ishte edhe Timoteu në shekullin e parë.—Hebr. 6:10-12.
11. Çfarë e motivonte Timoteun të punonte pa u lodhur në kongregacion? (1 Timoteut 4:10)
11 Lexo 1 Timoteut 4:10. Timoteu i varte shpresat te Perëndia i gjallë, i sigurt se do ta shpërblente. Ja pse përpiqej me mish e me shpirt për Jehovain e për të tjerët. Në ç’mënyrë? Apostulli Pavël e inkurajoi Timoteun që të përmirësonte aftësitë si mësues dhe si orator. Gjithashtu e nxiti të bëhej shembull për bashkëbesimtarët, si për të rinjtë edhe për të moshuarit. Veç kësaj, i dha disa caktime të vështira, që përfshinin t’u jepte këshilla të drejtpërdrejta, por të dashura atyre që kishin nevojë. (1 Tim. 4:11-16; 2 Tim. 4:1-5) Timoteu mund të ishte i sigurt që edhe nëse të tjerët nuk e vinin re punën e tij ose nuk e vlerësonin, Jehovai do ta shpërblente patjetër.—Rom. 2:6, 7.
12. Çfarë i motivon pleqtë të përpiqen me shpirt në caktimet e tyre? (Shihni edhe figurën.)
12 Edhe pleqtë sot mund të jenë të sigurt se Jehovai e vëren dhe e çmon punën e tyre të shkëlqyer. Përveç veprës baritore, mësimdhënies dhe predikimit, shumë pleq ndihmojnë në projekte ndërtimi dhe në raste katastrofash. Të tjerë shërbejnë në Grupet e Vizitave te Pacientët ose në Komitetet e Lidhjes me Spitalet. Pleqtë që janë të gatshëm të kryejnë caktime të tilla, e dinë se nuk punojnë për një institucion njerëzor, por shërbejnë për kongregacionin që e ka krijuar Jehovai. Ndaj përpiqen me shpirt në caktimet e tyre dhe kanë besim të plotë se Perëndia do t’i shpërblejë për çka po bëjnë.—Kolos. 3:23, 24.
13. Si ndihet Jehovai për përpjekjet që bëjmë ndërsa e adhurojmë?
13 Sigurisht, jo të gjithë mund të shërbejmë si pleq. Ama të gjithë mund t’i japim diçka Jehovait. Perëndia ynë e çmon kur bëjmë më të mirën për t’i shërbyer. Ai e vëren kur dhurojmë për veprën mbarëbotërore, sado modeste qofshin dhurimet tona. Kënaqet kur përpiqemi fort të kapërcejmë ndrojtjen dhe ngremë dorën për të komentuar, si edhe kur anashkalojmë fyerjet e i falim të tjerët. Edhe nëse nuk arrin të bësh aq sa do të doje për Jehovain, mos ki fije dyshimi se Ai e çmon. Ti po bën më të mirën dhe Jehovai të do për këtë e do të të shpërblejë.—Luka 21:1-4.
QËNDRO I LIDHUR NGUSHTË ME PERËNDINË E GJALLË
14. Si na ndihmon miqësia e ngushtë me Jehovain t’i qëndrojmë besnikë? (Shihni edhe figurën.)
14 Nëse Jehovai është real për ne, do ta kemi më të lehtë t’i qëndrojmë besnikë. Kështu ndodhi në rastin e Jozefit. Ai refuzoi me vendosmëri të kryente imoralitet. Jehovai ishte real për të dhe nuk dëshironte ta hidhëronte. (Zan. 39:9) Që Jehovai të jetë real edhe për ne, duhet të lëmë kohë që t’i lutemi dhe të studiojmë Fjalën e tij. Kështu do të forcojmë miqësinë me të. Kur, ashtu si Jozefi, e kemi Jehovain mikun tonë të ngushtë, nuk do të duam të bëjmë asgjë që e lëndon.—Jak. 4:8.
15. Ç’mund të mësojmë nga ajo që ndodhi me izraelitët në shkretëtirë? (Hebrenjve 3:12)
15 Ata që harrojnë se Jehovai është Perëndia i gjallë mund të largohen kollaj prej tij. Të mendojmë për atë që u ndodhi izraelitëve kur ishin në shkretëtirë. Ata e dinin fare mirë se Jehovai ekzistonte, por nisën të dyshonin nëse do t’u siguronte gjërat e nevojshme. Madje pyetën: «A është Jehovai mes nesh, apo jo?» (Eks. 17:2, 7) Si pasojë u rebeluan kundër Perëndisë. Ky është një shembull paralajmërues për ne dhe nuk duam kurrsesi të imitojmë mosbindjen e tyre.—Lexo Hebrenjve 3:12.
16. Çfarë mund të na e sprovojë besimin?
16 Kjo botë na e bën të vështirë të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain. Shumë njerëz e hedhin poshtë idenë se Perëndia ekziston. Shpesh duket sikur atyre që i shpërfillin kërkesat e Tij, u shkon jeta vaj. Gjëra të tilla mund të na e sprovojnë besimin. Edhe pse nuk do të mohonim kurrë se Perëndia ekziston, mund të na lindë dyshimi nëse ai do të na mbështetë. Edhe shkrimtarin e Psalmit 73 e brenin dyshime të tilla. Ai shihte që njerëzit përreth i shpërfillnin ligjet e Perëndisë, e prapëseprapë e shijonin jetën. Ndaj filloi të dyshonte nëse ia vlente t’i shërbente Perëndisë.—Psal. 73:11-13.
17. Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain?
17 Çfarë e ndihmoi psalmistin ta ndreqte pikëpamjen? Ai meditoi për fundin që i priste ata që e harronin Jehovain. (Psal. 73:18, 19, 27) Gjithashtu mendoi për dobitë që vijnë kur i shërben Perëndisë. (Psal. 73:24) Edhe ne mund të mendojmë thellë për gjithë bekimet që na ka dhënë Jehovai. Të përfytyrojmë pastaj sa ndryshe do të ishte jeta jonë nëse nuk do t’i shërbenim atij. Kështu do ta kemi më kollaj të qëndrojmë besnikë e do të ndihemi si psalmisti, i cili tha: «Për mua, është gjë e mirë t’i afrohem Perëndisë.»—Psal. 73:28.
18. Pse mund ta presim të ardhmen pa frikë?
18 Mund t’ia dalim mbanë në çfarëdo sprove që hasim në këto ditë të fundit, sepse jemi «skllevër të një Perëndie të gjallë e të vërtetë». (1 Sel. 1:9) Perëndia ynë është një Person real, që u bëhet krah adhuruesve të tij. Ai e tregoi këtë me shërbëtorët e tij në të kaluarën dhe e tregon edhe me ne sot. Së shpejti do të përjetojmë shtrëngimin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në tokë. Ama nuk do të jemi vetëm. (Isa. 41:10) Qofshim të vendosur të themi plot guxim «Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë»!—Hebr. 13:5, 6.
KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri