Pyetje nga lexuesit
Pse nxjerrim përfundimin se fjala «do t’i ruash» te Psalmi 12:7 lidhet me «të munduarit» (vargu 5) dhe jo me «fjalët e Jehovait» (vargu 6)?
Konteksti tregon se në këtë varg bëhet fjalë për njerëzit.
Te Psalmi 12:1-4, thuhet se «besnikët janë zhdukur nga njerëzia». Të shohim tani Psalmin 12:5-7, vargjet ku përqendrohet pyetja:
«‘Të munduarit shtypen,
të varfrit psherëtijnë
ndaj unë do të ngrihem,—thotë Jehovai.
Nga duart e atyre që i përbuzin, do t’i shpëtoj.’
Të kulluara janë fjalët e Jehovait;
si argjendi në furrë balte rafinuar, si argjendi shtatë herë pastruar.
Ti, o Jehova, do t’i ruash ata;
do t’i mbrosh përherë nga ky brez i lig.»
Vargu 5 tregon çfarë do të bëjë Perëndia për «të munduarit». Ai do t’i shpëtojë.
Vargu 6 shton se ‘fjalët e Jehovait janë të kulluara, si argjend i rafinuar’. Adhuruesit e Jehovait bashkohen me gjithë zemër me këtë mendim.—Psal. 18:30; 119:140.
Tani le të shqyrtojmë vargun tjetër, Psalmin 12:7: «Ti, o Jehova, do t’i ruash ata; do t’i mbrosh përherë nga ky brez i lig.» Për kë bëhet fjalë këtu?
Meqë një varg më sipër flitet për «fjalët e Jehovait», disa mund të arrijnë në përfundimin se Perëndia ‘ruan’ fjalët e tij. Patjetër, Jehovai e ka ruajtur Biblën, edhe përkundër përpjekjeve të shumta të kundërshtarëve për ta ndaluar e shkatërruar.—Isa. 40:8; 1 Pjet. 1:25.
Gjithsesi, po aq e vërtetë është edhe ajo që thuhet në vargun 5. Jehovai i ka ndihmuar e i ka shpëtuar «të munduarit» e ‘të shtypurit’ dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.—Jobi 36:15; Psal. 6:4; 31:1, 2; 54:7; 145:20.
Pra, për kë bëhet fjalë në vargun 7?
Nga konteksti kuptojmë se këtu flitet për njerëzit.
Psalmi 12:1 tregon se «besnikët» vuanin ngaqë gënjeshtrat dhe pandershmëria kishin marrë dhenë. Më pas thuhet se Jehovai do të ngrihet kundër atyre që e keqpërdorin gjuhën. Ky psalm na siguron se mund të besojmë që Jehovai do të veprojë në dobi të popullit të tij, sepse fjalët e tij janë të kulluara.
Pra, vargu 7 tregon se Jehovai do t’i ruajë e do t’i mbrojë të munduarit që janë viktima të të ligjve.
Përemri «ata» te ky varg del në tekstin hebraik masoretik. Kurse Septuaginta greke përdor dy herë përemrin «ne», duke nënkuptuar se këtu bëhet fjalë për besnikët që janë të munduar e të shtypur. Së fundi, vargu 7 thotë se Jehovai do t’i mbrojë besnikët «nga ky brez i lig», nga njerëzit që ngrenë në qiell poshtërsinë. (Psal. 12:7, 8) Te Targumet aramaike, vargu 7 thotë: «Ti, o Zot, do t’i ruash të drejtët, do t’i mbrosh përherë nga ky brez i lig. Të ligjtë vërshojnë nga çdo anë, si shushunja që u thithin gjakun bijve të njerëzve.» Kjo është një dëshmi më shumë se te Psalmi 12:7 nuk flitet për fjalët e Jehovait.
Ja pse ky varg i mbush me shpresë «besnikët», u jep sigurinë se Perëndia do të veprojë për ta.