A e dini?
Pse përsëriten disa fraza në Bibël?
ME RASTE shkrimtarët e Biblës përsëritën fjalë për fjalë të njëjtat fraza. Shqyrto tri arsye pse mund ta kenë bërë këtë.
Koha e shkrimit. Në Izraelin e lashtë, pjesa më e madhe e njerëzve nuk kishin një kopje personale të Ligjit. Shumicën e kohës kombi e dëgjonte Ligjin kur mblidheshin në tabernakull. (Ligj. 31:10-12) Dhe ka shumë të ngjarë të mos mungonin shpërqendrimet ndërsa dëgjonin dhe rrinin në këmbë me orë të tëra mes asaj turme të madhe. (Neh. 8:2, 3, 7) Në raste të tilla, përsëritja e frazave kyçe patjetër që ia bënte më të lehtë t’i fiksonin shkrimet dhe t’i zbatonin. Për më tepër, përsëritja e fjalëve të caktuara duhet t’i ketë ndihmuar të kujtonin çështje të detajuara, si rregullat dhe vendimet gjyqësore të Perëndisë.—Lev. 18:4-22; Ligj. 5:1.
Stili i shkrimit. Rreth 10 për qind e Biblës përbëhet nga këngë. Këtu përfshihen Psalmet, Kënga e Solomonit dhe Vajtimet. Hera-herës kënga përmbante edhe një refren që nxirrte në pah temën kryesore të këngës dhe i ndihmonte dëgjuesit të mësonin përmendsh fjalët. Për shembull, vini re fjalët e Psalmit 115:9-11: «O Izrael, ki besim te Jehovai! Ai është ndihma dhe mburoja jote. O shtëpi e Aronit, ki besim te Jehovai! Ai është ndihma dhe mburoja jote. Ju që nderoni thellësisht Jehovain, kini besim te Jehovai! Ai është ndihma dhe mburoja juaj.» Përsëritja e këtyre fjalëve duhet t’i ketë ndihmuar këngëtarët që të ngulitnin në mendje e në zemër të vërteta të çmuara.
Theksimi i çështjeve me peshë. Nganjëherë shkrimtarët e Biblës përsëritnin fraza kyçe. Për shembull, kur Jehovai i udhëzoi izraelitët të mos hanin gjak, e nxiti Moisiun ta përsëriste disa herë arsyen. Perëndia dëshironte të theksonte se jeta e çdo krijese është në gjak, pra se gjaku përfaqëson jetën. (Lev. 17:11, 14) Më vonë, apostujt dhe pleqtë në Jerusalem u shkruan të krishterëve për gjërat që duhej të shmangnin që të mos i sillnin pakënaqësi Perëndisë; ata theksuan se duhej të rrinin larg nga gjaku.—Vep. 15:20, 29.
Jehovai nuk kishte si qëllim që përsëritja e shprehjeve nga Shkrimet të kthehej në zakon. Për shembull, Jezui tha: «Kur të lutesh, mos përsërit gjithnjë të njëjtat gjëra.» (Mat. 6:7) Më pas, ai na dha disa ide si të lutemi për çështje që janë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. (Mat. 6:9-13) Prandaj, edhe pse nuk duam të bëhemi përsëritës në lutjet tona duke thënë gjithmonë të njëjtat fjalë, jemi të lirë të lutemi për të njëjtat çështje sa herë të duam.—Mat. 7:7-11.
Ka arsye të vlefshme pse në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë përsëriten fjalë e shprehje të caktuara. Në fakt, kjo është një nga mënyrat e shumta si na mëson të nxjerrim dobi Mësuesi ynë i Madh.—Isa. 48:17, 18.