ARTIKULLI I STUDIMIT 40
«Çojnë shumë veta në drejtësi»
«Ata që çojnë shumë veta në drejtësi, do të shndritin si yjet, në jetë të jetëve.»—DAN. 12:3.
KËNGA 151 Ati ynë do të thërrasë
PËRMBLEDHJE a
1. Cilat ngjarje emocionuese do të ndodhin gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar?
ÇFARË dite e mrekullueshme do të jetë kur të fillojë ringjallja këtu në tokë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit! Të gjithë ata që u ka rrëmbyer vdekja dikë, kanë mall t’i shohin prapë njerëzit e tyre të dashur. Kështu ndihet edhe Jehovai. (Jobi 14:15) Imagjino harenë dhe gëzimin kur çdokush në tokë të përqafojë prapë njerëzit e vet të dashur. Siç e mësuam në artikullin e kaluar, «të drejtët», të cilët i kanë emrat të shkruar në librin e jetës, do të kenë «një ringjallje jete». (Vep. 24:15; Gjoni 5:29) Ndoshta shumë nga njerëzit tanë të dashur do të jenë ndër të parët që do të kthehen në jetë kur të ndodhë ringjallja në tokë. b Veç kësaj, «të padrejtët», ata që nuk patën mundësi ta njihnin ose ta adhuronin Jehovain para se të vdisnin, do të kthehen në jetë në «një ringjallje gjykimi».
2-3. (a) Në harmoni me Isainë 11:9, 10, çfarë do të mësojnë të ringjallurit kur të zhvillohet programi më i madh i arsimimit në histori? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Të gjithë të ringjallurit do të kenë nevojë të marrin njohuri. (Isa. 26:9; 61:11) Prandaj do të zhvillohet programi më i madh i arsimimit në historinë njerëzore. (Lexo Isainë 11:9, 10.) Pse? Sepse të padrejtët e ringjallur do të duhet të mësojnë për Jezu Krishtin, për Mbretërinë, për shpërblesën dhe për çështjen universale që lidhet me emrin e Jehovait dhe sovranitetin e tij. Madje edhe të drejtët do të duhet të mësojnë çfarë ka zbuluar gradualisht Jehovai rreth qëllimit të tij për tokën. Disa nga këta shërbëtorë besnikë vdiqën shumë kohë para se të përfundonin gjithë librat e Biblës. Pra, edhe të padrejtët, edhe të drejtët do të kenë shumë për të mësuar.
3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë këto pyetje: Si do të zhvillohet ky program madhështor arsimimi? Si do ta përcaktojë reagimi i njerëzve ndaj atij programi nëse emrat e tyre do të shkruhen përfundimisht në librin e jetës? Përgjigjet e këtyre pyetjeve na interesojnë shumë. Siç do ta shohim, disa profeci mbresëlënëse të dokumentuara te libri i Danielit dhe i Zbulesës na ndihmojnë ta përditësojmë mënyrën si e shpjegonim atë që ndodh kur ringjallen të vdekurit. Së pari, le të shohim ngjarjet emocionuese të parathëna në profecinë e Danielit 12:1, 2.
«ATA QË FLENË NË PLUHURIN E TOKËS, DO TË ZGJOHEN»
4-5. Çfarë tregon Danieli 12:1 për kohën e fundit?
4 Lexo Danielin 12:1. Libri i Danielit na tregon radhën e disa ngjarjeve emocionuese që do të ndodhin në kohën e fundit. Për shembull, Daniel 12:1 thotë se Mikaeli, që është Jezu Krishti, «po vepron në dobi të popullit» të Perëndisë. Kjo pjesë e profecisë filloi të përmbushej në vitin 1914, kur Jezui u emërua Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë.
5 Por, Danielit iu tha edhe se Jezui ‘do të ngrihej’ ose ‘do të vepronte’ gjatë ‘një kohe vuajtjesh, të atillë që nuk ka pasur që nga lindja e kombeve e deri në atë kohë’. Kjo «kohë vuajtjesh» është ‘shtrëngimi i madh’ që përmendet te Mateu 24:21. Jezui do të hidhet në veprim për të mbrojtur popullin e Perëndisë në fund të kësaj kohe vuajtjesh, pra në Armagedon. Libri i Zbulesës e quan këtë grup një shumicë e madhe ‘që del nga shtrëngimi i madh’.—Zbul. 7:9, 14.
6. Çfarë do të ndodhë pasi shumica e madhe t’i mbijetojë shtrëngimit të madh? Shpjegoni. (Shih edhe «Pyetje nga lexuesit» në këtë numër që flet për ringjalljen në tokë.)
6 Lexo Danielin 12:2. Çfarë do të ndodhë pasi shumica e madhe t’i mbijetojë asaj kohe vuajtjesh? Kjo profeci nuk flet për një ringjallje të figurshme të shërbëtorëve të Perëndisë gjatë ditëve të fundit, siç mendonim në të kaluarën. c Përkundrazi flet për ringjalljen e të vdekurve në botën e re. Pse dalim në këtë përfundim? Fjala ‘pluhur’ te Danieli 12:2 përdoret edhe te Jobi 17:16 si një sinonim i fjalës «Varr». Kjo tregon se Danieli 12:2 flet për ringjalljen e mirëfilltë që do të ndodhë pasi të kenë mbaruar ditët e fundit dhe lufta e Armagedonit.
7. (a) Në ç’kuptim disa do të ringjallen për «jetë të përhershme»? (b) Pse ringjallja e tyre është ‘një ringjallje më e mirë’?
7 Por çfarë nënkuptojnë fjalët e Danielit 12:2 që disa do të ringjallen për «jetë të përhershme»? Nënkuptojnë se të ringjallurit që i njohin, ose vazhdojnë t’i njohin, Jehovain e Jezuin dhe që u binden gjatë 1.000 vjetëve, do të marrin si përfundim jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Kjo do të jetë ‘një ringjallje më e mirë’ se ajo e njerëzve që u kthyen në jetë në të kaluarën. (Hebr. 11:35) Pse? Sepse ata njerëz të papërsosur vdiqën përsëri.
8. Në ç’kuptim disa do të ringjallen «për poshtërim e përçmim të përhershëm»?
8 Mirëpo, jo të gjithë të ringjallurit do të duan të arsimohen nga Jehovai. Profecia e Danielit thotë se disa do të ringjallen «për poshtërim e përçmim të përhershëm». Ngaqë do të shfaqin një qëndrim rebel, emrat e tyre nuk do të shkruhen në librin e jetës dhe ata nuk do ta marrin jetën e përhershme. Përkundrazi, përfundimi i tyre do të jetë ‘përçmim i përhershëm’, pra do të shkatërrohen një herë e mirë. Kështu, Danieli 12:2 po tregon çfarë do të ndodhë në fund me gjithë të ringjallurit në bazë të asaj që do të bëjnë pas ringjalljes. d (Zbul. 20:12) Disa do të marrin jetën e përhershme, kurse të tjerët jo.
«ÇOJNË SHUMË VETA NË DREJTËSI»
9-10. Ç’do të ndodhë tjetër pas shtrëngimit të madh, dhe cilët «do të ndriçojnë si hapësira qiellore»?
9 Lexo Danielin 12:3. Ç’do të ndodhë tjetër pas asaj ‘kohe vuajtjesh’? Ashtu si Danieli 12:2, edhe vargu 3 flet për diçka që do të ndodhë pas shtrëngimit të madh.
10 Cilët «do të ndriçojnë si hapësira qiellore»? Mund ta kuptojmë nga këto fjalë të Jezuit te Mateu 13:43: «Në atë kohë të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.» Në kontekstin e këtyre fjalëve, Jezui po fliste për «bijtë e Mbretërisë», për vëllezërit e tij të mirosur që do të shërbejnë përkrah tij në Mbretërinë qiellore. (Mat. 13:38) Pra, nxjerrim përfundimin se Danieli 12:3 flet për të mirosurit dhe veprën që do të kryejnë ata gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar.
11-12. Cilën vepër do të kryejnë 144.000-ët gjatë 1.000 vjetëve?
11 Si do të çojnë «shumë veta në drejtësi» të mirosurit? Duke bashkëpunuar ngushtësisht me Jezu Krishtin do të drejtojnë programin e arsimimit që do të zhvillohet në mbarë tokën gjatë 1.000 vjetëve. Ata 144.000 jo vetëm do të qeverisin si mbretër, por edhe do të shërbejnë si priftërinj. (Zbul. 1:6; 5:10; 20:6) Si priftërinj, do të ndihmojnë në «shërimin e kombeve»—pra që njerëzit të bëhen prapë të përsosur dalëngadalë. (Zbul. 22:1, 2; Ezek. 47:12) Sa gëzim do t’u sjellë kjo të mirosurve!
12 Cilët do të jenë ndër ata «shumë veta» që do të çohen në drejtësi? Do të jenë të ringjallurit, të mbijetuarit e Armagedonit, si edhe fëmijët që mund të lindin në botën e re. Në fund të Mijëvjeçarit, të gjithë njerëzit në tokë do të jenë të përsosur. Po në cilin moment do të shkruhen një herë e mirë me bojë, jo me laps, emrat e tyre në librin e jetës?
PROVA PËRFUNDIMTARE
13-14. Çfarë duhet të bëjnë të gjithë njerëzit e përsosur në tokë para se të marrin jetën e përhershme?
13 Të mos harrojmë se fakti që dikush është i përsosur nuk do të thotë se do ta fitojë automatikisht jetën e përhershme. Mendo për Adamin dhe Evën. Ata ishin të përsosur por, para se të merrnin jetën e përhershme, duhej të tregonin se i bindeshin Perëndisë Jehova. Mirëpo mjerisht, nuk iu bindën.—Rom. 5:12.
14 Si do të jenë njerëzit në tokë në fund të 1.000 vjetëve? Të tërë do të jenë bërë të përsosur. A do ta përkrahin të gjithë ata njerëz të përsosur qeverisjen e Jehovait përgjithmonë? Apo disa do të jenë si Adami dhe Eva, që edhe pse ishin të përsosur, u treguan jobesnikë? Si do të marrin përgjigje këto pyetje?
15-16. (a) Kur do të kenë mundësi të gjithë njerëzit të tregojnë besnikëri ndaj Jehovait? (b) Si do të përfundojë ajo provë?
15 Satanai do të burgoset për 1.000 vjet. Gjatë asaj kohe, nuk do të jetë në gjendje të mashtrojë askënd. Mirëpo, në fund të 1.000 vjetëve, Satanai do të lirohet nga burgu i tij dhe do të përpiqet t’i mashtrojë njerëzit e përsosur. Gjatë asaj prove, të gjithë njerëzit e përsosur në tokë do të kenë mundësi ta tregojnë qartë qëndrimin e tyre në çështjen që lidhet me emrin dhe sovranitetin e Perëndisë. (Zbul. 20:7-10) Mënyra si do të reagojnë atëherë përballë përpjekjeve të Satanait, do të përcaktojë nëse emrat e tyre do të shkruhen një herë e përgjithmonë në librin e jetës.
16 Një numër i papërcaktuar njerëzish do të jenë jobesnikë si Adami dhe Eva e do ta hedhin poshtë sovranitetin e Jehovait. Ç’do të ndodhë me ta? Zbulesa 20:15 thotë: «Kush nuk u gjend i shkruar në librin e jetës, u vërvit në liqenin e zjarrtë.» Pra këta rebelë do të shfarosen një herë e mirë. Megjithatë, shumica e njerëzve të përsosur do ta kalojnë provën përfundimtare. Emrat e tyre do të shkruhen përgjithmonë në librin e jetës.
GJATË ‘KOHËS SË FUNDIT’
17. Çfarë do të ndodhte në kohën tonë, sipas asaj që i tha engjëlli Danielit? (Danieli 12:4, 8-10)
17 Është drithëruese të mendosh për këto ngjarje të së ardhmes! Por kur foli me Danielin, një engjëll i tregoi edhe disa gjëra të rëndësishme që do të ndodhnin në kohën tonë, «në kohën e fundit». (Lexo Danielin 12:4, 8-10; 2 Tim. 3:1-5) Engjëlli i tha Danielit: «Njohuria e vërtetë do të bëhet e bollshme.» Pra, populli i Perëndisë do t’i kuptonte akoma më mirë profecitë e librit të tij. Pastaj engjëlli shtoi se gjatë asaj kohe ‘të ligjtë do të vepronin me ligësi dhe asnjë i lig nuk do të kuptonte’.
18. Ç’do të ndodhë së shpejti me të ligjtë?
18 Sot duket sikur të ligjtë ia hedhin pa u lagur, ndonëse veprojnë me ligësi. (Mal. 3:14, 15) Por së shpejti, Jezui do t’i gjykojë «cjeptë» dhe do t’i ndajë nga «delet». (Mat. 25:31-33) Këta të ligj nuk do t’i mbijetojnë shtrëngimit të madh, as do të ringjallen për të jetuar në botën e re. Emrat e tyre nuk do të shkruhen në ‘librin e kujtimit’ të përmendur te Malakia 3:16.
19. Çfarë duhet të tregojmë sot, dhe pse? (Malakia 3:16-18)
19 Tani është koha të tregojmë me vepra se nuk jemi mes të ligjve. (Lexo Malakinë 3:16-18.) Jehovai po mbledh ata njerëz që për të janë ‘një pronë e veçantë’, ose ‘një zotërim i çmuar’. Pa diskutim që duam të jemi edhe ne mes tyre.
20. Cili ishte premtimi i fundit që iu bë Danielit, dhe pse e pret me zjarr përmbushjen e atij premtimi?
20 Po jetojmë vërtet në kohë emocionuese. Por kemi para ngjarje shumë më të mrekullueshme. Së shpejti do të shohim me sytë tanë fundin e gjithë ligësisë. Më pas do të shohim përmbushjen e premtimit që i bëri Jehovai Danielit: «Në fund të ditëve do të ngrihesh për të marrë pjesën tënde.» (Dan. 12:13) A po e pret me zjarr ditën kur ‘do të ngrihen’, ose do të kthehen në jetë, Danieli dhe njerëzit e tu të dashur? Nëse po, bëj çmos të qëndrosh besnik sot. Kështu mund të jesh i sigurt se emri yt do të mbetet përgjithmonë në librin e jetës të Jehovait!
KËNGA 80 ‘Shijojeni vetë sa i mirë është Jehovai’
a Ky artikull përmban një përditësim në lidhje me programin madhështor të arsimimit për të cilin flitet te Danieli 12:2, 3. Do të shohim kur do të zhvillohet ky program dhe cilët do të marrin pjesë në të. Do të shqyrtojmë edhe si do t’i përgatitë ky program arsimimi njerëzit në tokë për provën përfundimtare në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.
b Ringjallja mund të fillojë me ata që vdiqën besnikë në ditët e fundit, të pasuar nga brezi para tyre, e kështu me radhë derisa të ringjallen të gjithë ata që janë në kujtesën e Jehovait. Nëse ndodh kështu, çdo brez do të ketë mundësinë të mirëpresë të gjithë ata që i kishin njohur personalisht. Sido që të jetë, Shkrimet tregojnë se ringjallja qiellore do të ndodhë «sipas radhës», prandaj mund të nxjerrim përfundimin se edhe ringjallja tokësore do të ndodhë në mënyrë të organizuar.—1 Kor. 14:33; 15:23.
c Ky është një përditësim i shpjegimit të mëparshëm që gjendet te kapitulli 17 i librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit! dhe te Kulla e Rojës e 1 korrikut 1987, f. 21-25, anglisht.
d Ndryshe nga kjo, fjalët «të drejtët» e «të padrejtët» te Veprat 24:15 dhe shprehjet «ata që bënë gjëra të mira» e «ata që bënë gjëra të poshtra» te Gjoni 5:29 përqendrohen te sjellja e të ringjallurve para se të vdisnin.