JETËSHKRIM
Me kënaqësi kam mësuar dhe kam ndihmuar të tjerët të mësojnë për Jehovain
JAM rritur në Iston të Pensilvanisë, SHBA. Tek rritesha, synimi im ishte të ndiqja shkollën e lartë e të bëhesha dikushi. Më pëlqente të mësoja dhe isha shumë i mirë në lëndët shkencore. Më 1956-ën, një organizatë e të drejtave civile më dha 25 dollarë ngaqë kisha notat më të larta mes studentëve zezakë. Më vonë, synimet e mia ndryshuan. Pse?
MËSOJ PËR JEHOVAIN
Në fillim të viteve ‘40, prindërit e mi nisën të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. E ndërprenë studimin, por nëna vazhdoi të merrte revistat Zgjohuni! dhe Kulla e Rojës. Më 1950-ën familja ime pranoi ftesën për të ndjekur një kongres që u mbajt në qytetin e Nju-Jorkut.
Jo shumë kohë më pas, nisi të na vizitonte vëlla Lorenc Xhefrisi. Ai u përpoq të më mësonte të vërtetën. Fillimisht, nuk isha dakord me të për faktin që Dëshmitarët e Jehovait nuk përfshihen në çështjet politike dhe ushtarake. Argumenti im ishte se po të refuzonin gjithë amerikanët të shkonin në luftë, armiqtë do të na sulmonin e do të pushtonin gjithë shtetin. Vëlla Xhefrisi më tha: «Si mendon, çfarë do të bënte Perëndia Jehova nëse të gjithë njerëzit në Amerikë do t’i shërbenin Atij, dhe armiqtë të vinin e t’i sulmonin?» Ajo që më tha për këtë e çështje të tjera më ndihmuan të kuptoja se kundërshtimet e mia ishin të pabaza. Kjo më ngjalli shumë kureshtje për të vërtetën.
Kalova orë të tëra duke lexuar numra të vjetër të revistave Kulla e Rojës e Zgjohuni! që nëna i kishte ruajtur në qilar. Me kalimin kohës e kuptova se po mësoja të vërtetën ndaj, e pranova ftesën e vëlla Xhefrisit për të studiuar Biblën dhe nisa të ndiqja të gjitha mbledhjet. E vërteta më preku zemrën, dhe u bëra lajmëtar i lajmit të mirë. Synimet e mia ndryshuan kur kuptova se «dita e madhe e Jehovait [ishte] afër». (Sof. 1:14) Hoqa dorë nga synimi për të ndjekur shkollën e lartë. Doja t’i ndihmoja të tjerët të mësonin të vërtetën.
Mbarova shkollën e mesme më 13 qershor 1956 dhe tri ditë më vonë u pagëzova në një
asamble qarkore. As që më shkonte në mendje sa shumë do të më bekonte Jehovai ngaqë për gjithë jetën zgjodha të mësoja e të ndihmoja të tjerët të mësonin për Jehovain.MËSOJ DHE NDIHMOJ TË TJERËT TË MËSOJNË NDËRSA SHËRBEJ SI PIONIER
Gjashtë muaj pas pagëzimit u bëra pionier i rregullt. Shërbimi i Mbretërisë dhjetor 1956 kishte një artikull me temë: «A mund të shërbesh aty ku ka më shumë nevojë?» Ishte pyetje fiks për mua. Dëshiroja të ndihmoja aty ku nuk kishte shumë predikues të lajmit të mirë.—Mat. 24:14.
U transferova në Exhfild të Karolinës së Jugut. Kongregacioni kishte vetëm katër lajmëtarë. Me mua u bëmë pesë. Mbledhjet i mbanim te një nga dhomat e shtëpisë së një vëllai. Çdo muaj bëja 100 orë shërbim. Isha shumë i zënë sepse merrja drejtimin në shërbim dhe mbaja pjesë në mbledhje. Sa më shumë i bëja këto, aq më shumë mësoja për Jehovain.
Një grua me të cilën studiova Biblën ishte pronare e një shërbimi funeralesh në Xhonston, një qytezë ca kilometra më tutje. Ajo më bëri një nder të madh, më mori në punë part-time dhe na la të përdornim një ndërtesë të vogël si Sallë Mbretërie.
Vëlla Xholi Xhefrisi, djali i vëllait që më bëri studimin, u transferua nga Bruklini, Nju-Jork, dhe u bë shoku im i shërbimit. Jetuam në një shtëpi-rimorkio, të cilën na e la në përdorim një vëlla.
Rrogat në atë zonë ishin të ulëta. Paguheshim dy a tre dollarë në ditë. Një ditë, kisha harxhuar edhe qindarkat e fundit për ca ushqime që bleva. Kur dola nga dyqani një burrë mu afrua dhe më pyeti: «Ke dëshirë të punosh? Të jap një dollar në orë.» Më dha një punë treditore, të pastroja një shesh ndërtimi. Dukej qartë që Jehovai po më ndihmonte të qëndroja në Exhfild. Edhe pse kisha të ardhura të pakta, shkova të ndiqja kongresin ndërkombëtar që u mbajt në qytetin e Nju-Jorkut në vitin 1958.
Ditën e dytë të kongresit ndodhi një surprizë e bukur. Takova Rubi Uadlingtonin. Ajo shërbente si pioniere e rregullt në Galatin, Tenesi. Meqë të dyve na pëlqente shërbimi si misionarë, ndoqëm mbledhjen e Galadit që u mbajt në atë kongres. Më pas, nisëm t’i shkruanim letra njëri-tjetrit. Një herë më ftuan të mbaja një fjalim për publikun në Galatin. Me atë rast i propozova Rubit për martesë. U transferova në kongregacionin e saj dhe u martuam në vitin 1959.
MËSOJ DHE NDIHMOJ TË TJERËT TË MËSOJNË NË KONGREGACION
Kur isha 23 vjeç u caktova si shërbyes kongregacioni (tani quhet koordinator i trupit të pleqve) në Galatin. Ishim kongregacioni i parë që
Çarls Tompsoni vizitoi si mbikëqyrës qarkor. Kishte shumë përvojë por, prapëseprapë, më pyeti se për çfarë kishin nevojë vëllezërit dhe si vepronin mbikëqyrësit e tjerë qarkorë. Prej tij mësova se është mirë të pyesësh e të mbledhësh të gjitha faktet para se të trajtosh një çështje.Në maj të vitit 1964 më ftuan në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë, që u mbajt në Lansingun e Jugut, Nju-Jork. Vëllezërit që drejtuan shkollën më ndihmuan të mësoja më shumë për Jehovain e të afrohesha më shumë me të.
MËSOJ DHE NDIHMOJ TË TJERËT TË MËSOJNË NË VEPRËN QARKORE DHE KRAHINORE
Në janar të vitit 1965, Rubi dhe unë morëm ftesën për të shërbyer në veprën qarkore. U caktuam në një qark që shtrihej në një zonë shumë të madhe, nga Noksvilli i Tenesisë deri thuajse në Riçmond të Virxhinias. Përfshinte kongregacione të Karolinës së Veriut, Kentakit dhe Virxhinias Perëndimore. Vizitoja vetëm kongregacionet e zezakëve, sepse në atë kohë ligjet për ndarjen raciale në jug të Shteteve të Bashkuara nuk lejonin që zezakët të mblidheshin bashkë me të bardhët. Vëllezërit ishin të varfër dhe mësuam ta ndanim me nevojtarët atë pak që kishim. Një mbikëqyrës qarkor me shumë vite përvojë më mësoi diçka shumë të rëndësishme: «Ji vëlla. Mos shko në një kongregacion sikur të ishe shefi. Mund t’i ndihmosh të tjerët vetëm nëse të shohin si vëllanë e tyre.»
Gjatë një vizite në një kongregacion të vogël, Rubi nisi të studionte me një grua të re në moshë e cila kishte një vajzë një vjeçe. Në rastet kur askush në kongregacion nuk mund të drejtonte studimin me të, Rubi e bënte studimin me anë të letrave. Gjatë vizitës tjetër gruaja erdhi në të gjitha mbledhjet. Më pas, dy pionieret speciale që u caktuan në atë kongregacion vazhduan studimin me të dhe pak kohë më vonë ajo u pagëzua. Nja 30 vite më vonë, në vitin 1995, në Bethelin e Patersonit, një motër e re në moshë takoi Rubin. Ishte vajza e asaj gruaje më të cilën kishte studiuar Rubi. Bashkë me burrin ishin studentë të klasës së 100-të të shkollës së Galadit.
Qarku ynë i dytë ishte në Floridën qendrore. Na duhej një makinë në atë kohë, ndaj e blemë një me çmim shumë të mirë. Por që javën e parë iu prish pompa e ujit. S’kishim para ta riparonim. I telefonova një vëllai që mendova se mund të na ndihmonte. Ai ia dha makinën njërit prej punëtorëve të tij që ta riparonte dhe nuk donte të paguanim. Na tha thjesht «është e paguar». Madje na dha edhe ca para me vete. Ky ishte një shembull prekës i kujdesit që tregon Jehovai për shërbëtorët e tij. Na kujtoi që të ishim edhe ne bujarë me të tjerët.
Sa herë vizitonim një kongregacion, qëndronim në shtëpitë e vëllezërve. Si rezultat, kemi zënë shumë miq të mirë. Një ditë, po përgatitja raportin e kongregacionit, por m’u desh të largohesha dhe e lashë raportin e papërfunduar në makinën e shkrimit. Kur u ktheva në mbrëmje, mora vesh se djali trevjeçar i asaj familjeje më kishte «dhënë një dorë» që ta përfundoja raportin. Me humor, ia kujtova këtë episod për vite me radhë.
Më 1971-shin, u caktova të shërbeja si mbikëqyrës krahinor në qytetin e Nju-Jorkut. Ngelëm si të shastisur. Isha vetëm 34 vjeç kur nisa atë caktim. Vëllezërit më dhanë një mirëseardhje të ngrohtë si i pari mbikëqyrës krahinor zezak.
Si mbikëqyrës krahinor, u kënaqa duke i ndihmuar të tjerët të mësonin për Jehovain çdo fundjavë në asambletë qarkore. Shumë mbikëqyrës qarkor kishin më shumë përvojë se mua. Njëri prej tyre më kishte bërë fjalimin e pagëzimit. Një vëlla tjetër, Teodor Xharazi, më vonë u bë anëtar i Trupit Udhëheqës. Kishte dhe shumë vëllezër me përvojë që shërbenin në Bethelin e Bruklinit. Isha shumë mirënjohës që mbikëqyrësit qarkorë dhe bethelitët më bënë të ndihesha shumë rehat. E pashë nga afër se ata ishin barinj të dashur që mbështeteshin te Fjala e Perëndisë dhe e mbështetnin me besnikëri organizatën. Përulësia e tyre ma bëri të lehtë të shërbeja si mbikëqyrës krahinor.
RIKTHEHEM NË VEPRËN QARKORE
Në vitin 1974, Trupi Udhëheqës caktoi një grup tjetër mbikëqyrësish qarkorë në veprën krahinore. Tani duhej të shërbeja prapë si mbikëqyrës qarkor, këtë herë në Karolinën e Jugut. Ishte bukur se në atë kohë kongregacionet dhe qarqet me zezakë dhe të bardhë nuk ishin më të ndarë dhe kjo i kënaqi shumë vëllezërit.
Nga fundi i 1976-ës, isha caktuar në një qark në Xhorxha, mes Atlantës dhe Kolumbusit. Më kujtohet si sot kur mbajta fjalimin e funeralit për pesë fëmijë zezakë që vdiqën kur disa zjarrvënës u dogjën shtëpinë. Mamaja u shtrua në spital për shkak të dëmtimeve që pësoi. Dëshmitarë të Jehovait, zezakë e të bardhë, vërshonin pa mbarim në spital për t’i ngushëlluar. Dashuria e vëllezërve të linte pa fjalë. Dhembshuri si ajo mund t’i ndihmojë shërbëtorët e Perëndisë të durojnë edhe rrethanat më të vështira.
MËSOJ DHE NDIHMOJ TË TJERËT TË MËSOJNË NË BETHEL
Në vitin 1977 na kërkuan të shërbejmë në Bethelin e Bruklinit për disa muaj që të ndihmonim me një projekt. Aty nga fundit i projektit, dy anëtarë të Trupit Udhëheqës më takuan dhe më pyetën nëse Rubi dhe unë do të ishim të gatshëm të shërbenim si bethelitë. E pranuam ftesën.
Për 24 vite shërbeva në Repartin e Shërbimit, ku vëllezërit shpesh u përgjigjen pyetjeve komplekse e delikate. Përgjatë viteve, Trupi Udhëheqës ka dhënë udhëzime në harmoni me parimet e Biblës. Kjo ka shërbyer si bazë për t’iu përgjigjur shumë pyetjeve, por edhe për të stërvitur mbikëqyrësit qarkorë, pleqtë dhe pionierët. Ky material stërvitor ka ndihmuar shumë vëllezër të rriten në pjekuri dhe kjo e ka forcuar organizatën e Jehovait.
Nga viti 1995 deri në vitin 2018, vizitova mjaft zyra degësh si përfaqësues i selisë botërore, që dikur quheshin mbikëqyrës zone. Takohesha me Komitetet e Degëve, bethelitët dhe misionarët që t’i inkurajoja dhe t’i ndihmoja për ndonjë shqetësim që mund të kishin. Si rrjedhojë, Rubi dhe unë kemi marrë shumë zemër nga historitë personale që kemi dëgjuar. Për shembull, në vitin 2000 vizituam Ruandën. U prekëm thellë kur dëgjuam çfarë kishin përjetuar vëllezërit dhe familja Bethel gjatë gjenocidit të vitit 1994. Shumë kishin humbur njerëzit e tyre të dashur. Mes gjithë asaj tragjedie, vëllezërit kishin qëndruar me besim, shpresë e gëzim.
Tani jemi te të tetëdhjetat. Gjatë 20 viteve të fundit kam shërbyer në Komitetin e Degës të Shteteve të Bashkuara. Nuk e ndoqa ndonjëherë shkollën e lartë, ama kam marrë arsimimin më të lartë të mundshëm nga Jehovai dhe nga organizata e tij. Kjo më ka ndihmuar të jem i pajisur për t’u mësuar të tjerëve të vërtetat e Biblës të cilat mund t’u sjellin dobi të përjetshme. (2 Kor. 3:5; 2 Tim. 2:2) Kam parë si i ka ndihmuar Bibla njerëzit të përmirësojnë jetën dhe të zhvillojnë një marrëdhënie të ngushtë me Krijuesin e tyre. (Jak. 4:8) Sa herë mundemi, Rubi dhe unë vazhdojmë të inkurajojmë të tjerët ta çmojnë privilegjin që të mësojnë për Jehovain dhe që të ndihmojnë të tjerët të mësojnë të vërtetat e Biblës. Ky është privilegji më i madh që mund të gëzojë një shërbëtor i Jehovait!