ARTIKULLI I STUDIMIT 37
Mund të kesh besim te vëllezërit e tu
«Dashuria . . . beson çdo gjë, shpreson çdo gjë.»—1 KOR. 13:4, 7.
KËNGA 124 Përherë besnik
PËRMBLEDHJE a
1. Pse nuk çuditemi që shumë njerëz në botë nuk i zënë besë askujt?
NJERËZIT në botën e Satanait nuk dinë kujt mund t’i besojnë. Ata zhgënjehen dita-ditës nga sjellja e biznesmenëve dhe e udhëheqësve politikë e fetarë. Ndodh që t’i zhgënjejnë edhe miqtë, komshinjtë, madje edhe pjesëtarët e familjes. Kjo s’duhet të na çuditë. Bibla kishte parathënë: «Në ditët e fundit . . . . njerëzit do të jenë . . . të pabesë, . . . shpifës, . . . tradhtarë.» Me fjalë të tjera, njerëzit do të pasqyronin personalitetin e perëndisë së këtij sistemi, të cilit nuk mund t’i zësh fare besë.—2 Tim. 3:1-4; 2 Kor. 4:4.
2. (a) Kujt mund t’i besojmë plotësisht, pa pikë ngurrimi? (b) Për çfarë mund të jenë në mëdyshje disa?
2 Megjithatë, si adhurues të Jehovait e dimë se mund të kemi besim absolut te Perëndia ynë. (Jer. 17:7, 8) Jemi të bindur se ai na do dhe se ‘nuk do t’i braktisë kurrë’ miqtë e tij. (Psal. 9:10) Mund të kemi besim edhe te Krishti Jezu, sepse dha jetën për ne. (1 Pjet. 3:18) Gjithashtu e kemi provuar vetë se udhëheqja që jep Bibla është e besueshme. (2 Tim. 3:16, 17) Jemi të sigurt se mund t’i besojmë Jehovait, Jezuit dhe Biblës. Mirëpo, disa mbase janë në mëdyshje nëse mund t’u besojnë gjithmonë vëllezërve e motrave në kongregacion. Nëse e ke këtë mëdyshje, le të shohim pse mund t’u besojmë vëllezërve dhe motrave.
KEMI NEVOJË PËR VËLLEZËRIT E MOTRAT
3. Cilin privilegj të mrekullueshëm kemi? (Marku 10:29, 30)
3 Jehovai na ka zgjedhur të jemi pjesë e familjes mbarëbotërore të adhuruesve të tij. Imagjino çfarë privilegji është ky dhe sa dobi sjell! (Lexo Markun 10:29, 30.) Anembanë botës kemi vëllezër e motra që e duan Jehovain ashtu si ne dhe që përpiqen me të gjitha forcat të jetojnë sipas standardeve të tij. Gjuha, kultura dhe mënyra si vishemi mund të jenë të ndryshme, por ndiejmë një lidhje të ngushtë me ta, madje edhe kur i takojmë për herë të parë. Na e do zemra të jemi me ta, sidomos për të lëvduar dhe për të adhuruar Atin tonë të dashur.—Psal. 133:1.
4. Pse kemi nevojë për vëllezërit e motrat?
4 Sot kemi nevojë më shumë se kurrë të qëndrojmë të bashkuar me vëllezërit dhe motrat. Herë pas here, ata na ndihmojnë të mbajmë barrët tona. (Rom. 15:1; Gal. 6:2) Gjithashtu na japin zemër të vazhdojmë t’i shërbejmë me zell Jehovait e ta mbajmë të fortë miqësinë me Të. (1 Sel. 5:11; Hebr. 10:23-25) Mendo si do të ndiheshim pa mbrojtjen e kongregacionit që na ndihmon të qëndrojmë të palëkundur përballë armiqve tanë të përbashkët—Satana Djallit dhe botës së tij të ligë. Satanai dhe ata që janë nën pushtetin e tij së shpejti do të sulmojnë shërbëtorët e Perëndisë. Përfytyro sa mirënjohës do të ndihemi atëherë që kemi përkrah vëllezërit e motrat!
5. Pse disa mund të ngurrojnë t’u besojnë vëllezërve dhe motrave?
5 Mirëpo disa e kanë të vështirë t’u besojnë vëllezërve e motrave, mbase ngaqë një bashkëbesimtar përhapi diçka që ia kishin thënë në konfidencë ose nuk mbajti një premtim. Ose ndoshta dikush në kongregacion tha a bëri diçka që i lëndoi thellë. Përvoja të tilla mund t’ua bëjnë të vështirë t’u besojnë të tjerëve. Çfarë mund të na ndihmojë, pra, të kemi më shumë besim te vëllezërit e motrat?
DASHURIA USHQEN BESIMIN TE TË TJERËT
6. Si na ndihmon dashuria të kemi më shumë besim te vëllezërit? (1 Korintasve 13:4-8)
6 Dashuria është themeli i besimit te të tjerët. Kapitulli i 13-të i letrës së parë të korintasve na e drejton vëmendjen te disa aspekte të dashurisë që na ndihmojnë ta forcojmë besimin te të tjerët ose të kemi prapë besim te ta. (Lexo 1 Korintasve 13:4-8.) Për shembull, vargu 4 thotë se «dashuria është e duruar dhe plot mirësi». Jehovai është i duruar me ne edhe kur mëkatojmë kundër tij. Prandaj, edhe ne duhet të jemi të duruar me vëllezërit tanë nëse thonë a bëjnë gjëra që na acarojnë ose na lëndojnë. Vargu 5 shton: «[Dashuria] nuk provokohet, nuk e mban llogari të keqen.» Nuk duam ‘ta mbajmë llogari të keqen’, duke i regjistruar në mendje gabimet e vëllezërve që t’ua numërojmë në të ardhmen. Eklisiastiu 7:9 na nxit ‘të mos fyhemi shpejt’. Është shumë më mirë të zbatojmë atë që thotë Efesianëve 4:26: «Perëndimi i diellit të mos ju gjejë ende të inatosur.»
7. Si na ndihmojnë parimet e Mateut 7:1-5 të kemi më shumë besim te vëllezërit?
7 Një gjë tjetër që na ndihmon të kemi më shumë besim te vëllezërit e motrat, është t’i shohim siç i sheh Jehovai. Perëndia i do dhe nuk i mban shënim gabimet e tyre. As ne nuk duhet ta bëjmë këtë. (Psal. 130:3) Në vend që të përqendrohemi te të metat e tyre, duhet të bëjmë çmos të dallojmë cilësitë e bukura dhe të mendojmë për gjërat e mira që mund të bëjnë. (Lexo Mateun 7:1-5.) Nuk dyshojmë te motivet e tyre, sepse dashuria «beson çdo gjë». (1 Kor. 13:7) Kjo nuk do të thotë se Jehovai pret t’u besojmë verbërisht të tjerëve, por pret t’u besojmë ngaqë kanë treguar se e meritojnë besimin tonë. b
8. Si mund ta zhvillosh besimin te vëllezërit e tu?
8 Për të zhvilluar besim te të tjerët duhet kohë. Çfarë mund të të ndihmojë të kesh besim te vëllezërit e tu? Përpiqu t’i njohësh mirë. Bisedo me ta në mbledhjet e kongregacionit. Dil me ta në shërbim. Ji i duruar me ta dhe jepu mundësi të tregojnë se janë të besueshëm. Në fillim, ndoshta do të zgjedhësh me kujdes për cilat gjëra personale do t’i hapesh dikujt që sapo ke nisur ta njohësh. Ndërsa e njeh më mirë, mund të ndihesh më rehat t’i hapesh për ndjenjat e tua. (Luka 16:10) Por çfarë mund të bësh nëse një vëlla që i ke besuar, të zhgënjen? Mos u dorëzo shpejt duke humbur krejt besimin tek ai, por lër të kalojë ca kohë. E mos lejo që veprimet e pak vetave të të bëjnë mosbesues ndaj vëllezërve të tjerë. Një gjë që do të të ndihmojë në këtë pikë, është shqyrtimi i shembujve të shërbëtorëve besnikë të Jehovait që, ndonëse mbetën të zhgënjyer nga disa, vazhduan të kishin besim te të tjerët.
MËSO NGA ATA QË VAZHDUAN TË KISHIN BESIM TE TË TJERËT
9. (a) Si e ruajti besimin te masat e Jehovait për adhurimin e pastër Hana, pavarësisht nga mëkatet e disa përfaqësuesve të tij? (b) Çfarë të mëson shembulli i Hanës për besimin që duhet të kemi te masat e Jehovait për ta adhuruar? (Shih figurën.)
9 A je zhgënjyer ndonjëherë nga sjellja e një vëllai me përgjegjësi? Nëse po, mund të nxjerrësh dobi nga shembulli i Hanës. Në kohën e saj, ai që merrte drejtimin në adhurimin e Jehovait në Izrael ishte kryeprifti Eli. Por familja e tij nuk ishte një shembull i mirë. Ndonëse bijtë e tij, që shërbenin si të emëruar nga Perëndia, silleshin vazhdimisht në mënyrë të turpshme dhe imorale, ai vetëm sa i qortoi me butësi. Jehovai nuk e hoqi menjëherë Eliun nga detyra. Prapëseprapë, Hana vazhdoi t’i respektonte masat e Perëndisë për adhurimin e pastër e të shkonte në tabernakull ndërkohë që Eliu shërbente si kryeprift. Teksa shihte Hanën që lutej me shpirt të vrerosur, Eliu nxori përfundimin e gabuar se ajo ishte e dehur. Pa u ndalur që të sigurohej për faktet, ai e kritikoi atë grua që e kishte zemrën copë. (1 Sam. 1:12-16) Hana ishte zotuar se po të lindte një djalë, do t’ia jepte Jehovait. E ishte e gatshme ta mbante zotimin, ndonëse kjo nënkuptonte që i biri do të shërbente në tabernakull, nën kujdesin e Eliut. (1 Sam. 1:11) A duhej ndrequr ajo çështje që lidhej me bijtë e Eliut? Po, dhe Jehovai e ndreqi në kohën e duhur. (1 Sam. 4:17) Ndërkohë, Perëndia e shpërbleu Hanën me një djalë, Samuelin.—1 Sam. 1:17-20.
10. Nga e dimë se mbreti David vazhdoi të kishte besim te të tjerët, edhe pse pati një përvojë të hidhur?
10 A je ndier ndonjëherë i tradhtuar nga një mik i ngushtë? Nëse po, mendo për rastin e mbretit David. Ai kishte një mik që quhej Ahithofel. Mirëpo kur djali i Davidit, Absalomi, u orvat të uzurponte fronin e të atit, Ahithofeli u bashkua me Absalomin në rebelim. Pra, Davidi humbi edhe mbështetjen e të birit, edhe të një njeriu që e quante mik. Ç’goditje e rëndë duhet të ketë qenë për të! Megjithatë, Davidi nuk lejoi që ajo tradhti ta pengonte të kishte besim te të tjerët. Ai vazhdoi t’i besonte një miku tjetër besnik, Hushait, që nuk mori pjesë në revoltë. Davidi kishte arsye të forta për të pasur besim tek ai. Hushai tregoi se ishte një mik i mirë, e madje vuri kokën në rrezik për të ndihmuar Davidin.—2 Sam. 17:1-16.
11. Si tregoi besim një shërbëtor i Nabalit?
11 Të mendojmë edhe për shembullin e një shërbëtori të Nabalit. Davidi dhe luftëtarët e tij ishin treguar të gjindshëm duke mbrojtur shërbëtorët e një izraeliti që quhej Nabal. Pas ca kohësh, Davidi i kërkoi Nabalit të pasur t’u jepte luftëtarëve të tij ca ushqime, ç’të kishte. Kur Nabali nuk pranoi t’ia plotësonte atë kërkesë të arsyeshme, Davidi u inatos aq shumë sa vendosi të vriste çdo mashkull të shtëpisë së Nabalit. Një shërbëtor i tha Abigailës, gruas së Nabalit, se çfarë kishte ndodhur. Si pjesë e asaj familjeje, ai e dinte se jeta e tij ishte në duart e Abigailës. Por në vend që t’ia mbathte, ai pati besim se Abigaila do t’ia dilte ta ndreqte situatën, sepse të gjithë e njihnin si një grua të mençur. Ajo që ndodhi më pas tregoi se besimi i tij nuk ishte pa baza. Abigaila veproi me kurajë dhe u përpoq t’ia ndërronte mendjen Davidit që të mos bënte sipas planit të tij. (1 Sam. 25:2-35) Ajo kishte besim se Davidi do të tregohej i arsyeshëm.
12. Si e tregoi Jezui se kishte besim te dishepujt e tij, edhe pse bënin gabime?
12 Jezui kishte besim te dishepujt e tij, edhe pse bënin gabime. (Gjoni 15:15, 16) Kur Jakovi dhe Gjoni i kërkuan pozita të veçanta në Mbretëri, Jezui nuk dyshoi për motivet pse po i shërbenin Jehovait dhe as ua hoqi privilegjin si apostuj të tij. (Mar. 10:35-40) Më vonë, të gjithë dishepujt e braktisën Jezuin natën e arrestimit. (Mat. 26:56) Gjithsesi, Jezui nuk e humbi kurrë besimin te ta. Ndonëse i njihte mirë të metat e tyre, «i deshi ata deri në fund». (Gjoni 13:1) Madje pasi u ringjall, Jezui u ngarkoi 11 apostujve besnikë një përgjegjësi me peshë: të merrnin drejtimin në veprën e bërjes së dishepujve dhe të kujdeseshin për delet e tij të dashura. (Mat. 28:19, 20; Gjoni 21:15-17) Besimi i tij tek ata njerëz të papërsosur nuk doli i kotë. Të gjithë i shërbyen me besnikëri deri në fund të jetës së tyre në tokë. Kështu, Hana, Davidi, shërbëtori i Nabalit, Abigaila dhe Jezui na lanë një shembull të shkëlqyer që të kemi besim te njerëzit, ndonëse të papërsosur.
MËSO T’U BESOSH PRAPË VËLLEZËRVE TË TU
13. Çfarë mund të na pengojë t’u besojmë të tjerëve?
13 A të ka ndodhur t’i besoje diçka konfidenciale një vëllai, por më vonë more vesh se e kishte shpërdoruar besimin tënd? Kjo mund të jetë shumë lënduese. Një herë, një motër iu hap një plaku për diçka personale. Të nesërmen, gruaja e plakut e mori në telefon që ta inkurajonte, pra e dinte çfarë i kishte thënë motra plakut në mirëbesim. S’do mend që motrës iu lëkund besimi tek ai plak. Megjithatë veproi me mençuri dhe kërkoi ndihmë që të kishte prapë besim te pleqtë. Foli me një plak tjetër, dhe ai e ndihmoi të rifitonte besimin te ta.
14. Çfarë e ndihmoi një vëlla që të kishte prapë besim te vëllezërit?
14 Një vëlla kishte prej kohësh një mosmarrëveshje me dy pleq që mendonte se nuk mund t’u besonte. Mirëpo filloi të mendonte për fjalët e një vëllai që respektonte jashtë mase. Ishte një pohim i thjeshtë, por shumë domethënës: «Armiku është Satanai, jo vëllezërit tanë.» Vëllai i bloi mirë në mendje ato fjalë, iu lut Jehovait për ndihmë dhe si përfundim arriti të bënte paqe me të dy pleqtë.
15. Pse mund të duhet kohë për të pasur prapë besim te të tjerët? Jepni një shembull.
15 A ke humbur ndonjëherë një privilegj në shërbim të Jehovait? Kjo mund të jetë mjaft e dhimbshme. Greta dhe mamaja e saj ishin Dëshmitare besnike në Gjermaninë naziste gjatë viteve 30 kur vepra jonë ishte e ndaluar. Greta kishte privilegjin të shtypte kopje të Kullës së Rojës për bashkëbesimtarët. Mirëpo, kur vëllezërit morën vesh se i ati ishte kundërshtar i së vërtetës, ia hoqën atë privilegj nga frika se mos babai i saj i tradhtonte duke u zbuluar armiqve të dhëna për kongregacionin. Por sprovat e Gretës nuk mbaruan me aq. Gjatë gjithë Luftës II Botërore, vëllezërit nuk u jepnin Gretës dhe mamasë së saj kopje të revistave dhe nuk u flitnin me gojë kur i ndeshnin rrugës. Kjo i lëndoi tmerrësisht ato motra! Plagët ishin të thella, dhe Greta tha se iu desh goxha kohë që t’i falte ata vëllezër e t’u besonte prapë. Por, me kalimin e kohës e pranoi se Jehovai duhej t’i kishte falur, prandaj duhej t’i falte edhe ajo. c
«Armiku është Satanai, jo vëllezërit tanë»
16. Pse duhet të bëjmë çmos të kapërcejmë çdo pengesë që na dobëson besimin te vëllezërit?
16 Nëse ke pasur edhe ti një përvojë të tillë të dhimbshme, bëj përpjekje që të rifitosh besimin te të tjerët. Kjo mund të kërkojë kohë, por përpjekjet do t’ia vlejnë. Të bëjmë një ilustrim: nëse na ndodh të helmohemi nga një ushqim, do të kemi më shumë kujdes se çfarë hamë. Megjithatë, një ushqim i prishur nuk do të na pengojë të mos hamë më kurrë. Po njësoj, nuk duhet të lejojmë që një përvojë e keqe të na dobësojë besimin te të gjithë vëllezërit e motrat që e dimë se janë të papërsosur. Nëse përpiqemi të kemi prapë besim tek ata, do të jemi më të lumtur dhe do ta kemi më të lehtë të përqendrohemi tek ajo që mund të bëjmë ne për t’i kontribuar një atmosfere mirëbesimi në kongregacion.
17. Pse është shumë e rëndësishme të kemi besim te vëllezërit, dhe çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
17 Ndonëse në botën e Satanait besimi te të tjerët është gjë e rrallë, në familjen tonë mbarëbotërore mbizotëron besimi i bazuar te dashuria për njëri-tjetrin. Ky besim na ndihmon të kemi gëzim e unitet sot dhe do të jetë një mbrojtje gjatë kohëve të vështira që kemi para. Po nëse je zhgënjyer thellë nga dikush dhe tani e ke të vështirë t’i besosh? Përpiqu t’i shohësh gjërat me syrin e Jehovait, zbato parimet e Biblës, zhvillo dashuri të thellë për vëllezërit e tu dhe mëso nga shembujt e Biblës. Është e mundur ta shërojmë zemrën e lënduar dhe të kemi prapë besim te të tjerët. Kur e bëjmë këtë, do të kemi kënaqësinë të shijojmë shoqërinë e miqve të shumtë, ‘që të bëhen më të afërt se një vëlla’. (Prov. 18:24, shën.) Gjithsesi, besimi duhet të jetë reciprok. Në artikullin tjetër, do të shohim si mund të tregojmë se e meritojmë besimin e vëllezërve tanë.
KËNGA 99 Miliona vëllezër
a Duhet të kemi besim te vëllezërit tanë. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë, sepse hera-herës na zhgënjejnë. Në këtë artikull do të shohim si mund të na ndihmojë zbatimi i parimeve të Biblës dhe meditimi për shembujt e së kaluarës që ta forcojmë besimin te bashkëbesimtarët ose të kemi prapë besim tek ata nëse na zhgënjejnë.
b Bibla paralajmëron se disa në kongregacion mund të mos jenë të denjë për besimin tonë. (Jud. 4) Në raste të rralla, vëllezër të rremë mund të përpiqen t’i mashtrojnë të tjerët duke thënë «mësime të shtrembëruara». (Vep. 20:30) Këtyre vendosim të mos u besojmë e të mos ua vëmë veshin.
c Për të ditur më shumë rreth historisë së Gretës, shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1974, f. 129-131, anglisht.