ARTIKULLI I STUDIMIT 38
Trego se je i besueshëm
«Njeriu i besueshëm nuk i tregon çështjet konfidenciale.»—PROV. 11:13.
KËNGA 101 Shërbejmë në unitet
PËRMBLEDHJE a
1. Çfarë cilësish ka një njeri i besueshëm?
NJERIU i besueshëm bën çmos t’i mbajë premtimet e tij dhe thotë të vërtetën. (Psal. 15:4) Të tjerët e dinë që mund të mbështeten tek ai. Duam që vëllezërit e motrat tona të na shohin kështu. Çfarë mund të na ndihmojë të fitojmë besimin e tyre?
2. Si mund të tregojmë se jemi të besueshëm?
2 Nuk i detyrojmë dot të tjerët të kenë besim te ne. Besimi duhet fituar. Thuhet se besimi është si puna e parasë. E fiton me zor, e humbet kollaj. Pa diskutim, Jehovai e ka fituar besimin tonë. Mund t’i besojmë gjithmonë, sepse ‘gjithçka që bën ai është e denjë për besim’. (Psal. 33:4) E Jehovai pret që ta imitojmë. (Efes. 5:1) Le të shohim shembullin e disa shërbëtorëve të Jehovait që e imituan Atin e tyre qiellor dhe treguan se ishin të besueshëm. Gjithashtu do të zbulojmë pesë cilësi që na ndihmojnë të jemi të besueshëm.
MËSO NGA SHËRBËTORËT E BESUESHËM TË JEHOVAIT
3-4. Si e tregoi profeti Daniel se ishte i besueshëm, dhe cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
3 Profeti Daniel ishte një shembull i shkëlqyer besueshmërie. Ndonëse ishte rob në Babiloni, s’kaloi shumë kohë dhe bëri një emër të mirë si njeri i besueshëm. E fitoi edhe më shumë besimin e të tjerëve kur, me ndihmën e Jehovait, interpretoi ëndrrat e mbretit të Babilonisë, Nabukodonosorit. Në një rast, Danielit iu desh t’i thoshte mbretit se Jehovai ishte i pakënaqur me të, fjalë që një mbreti s’do t’i pëlqenin fare. Kjo kërkonte guxim, sepse Nabukodonosori kishte temperament të dhunshëm! (Dan. 2:12; 4:20-22, 25) Vite më pas, Danieli tregoi sërish se ishte i besueshëm, kur interpretoi saktësisht një mesazh misterioz që u shfaq në murin e pallatit në Babiloni. (Dan. 5:5, 25-29) Gjithashtu, më vonë Dari, mbreti med, dhe zyrtarët e tij të lartë e panë se Danieli ishte «jashtëzakonisht i mençur». Ata e pranonin se ‘ishte i besueshëm dhe se tek ai s’gjendej asnjë pakujdesi a korruptim’. (Dan. 6:3, 4) Po, edhe qeveritarët paganë e panë që ai adhurues i Jehovait ishte i besueshëm!
4 Ndërsa mendojmë për shembullin e Danielit, bëjmë mirë të pyesim veten: «Çfarë emri kam bërë në sytë e atyre që s’janë Dëshmitarë? A më njohin si dikush që i përmbush përgjegjësitë dhe të cilit mund t’i besosh?» Pse kanë rëndësi këto pyetje? Sepse kur jemi të besueshëm, i sjellim lavdi Jehovait.
5. Pse njihej si njeri i besueshëm Hananiahu?
5 Në vitin 455 p.e.s., pasi guvernatori Nehemia rindërtoi muret e Jerusalemit, ai kërkoi burra të besueshëm të cilët do të kujdeseshin për qytetin. Mes të tjerëve, Nehemia zgjodhi princin e Fortesës, Hananiahun. Bibla thotë se Hananiahu ishte «tejet i besueshëm dhe kishte nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë, më tepër se shumë të tjerë». (Neh. 7:2) Dashuria për Jehovain dhe frika se mos i shkaktonte pakënaqësi Atij, e nxitën Hananiahun të merrte seriozisht çdo caktim që i jepej. Këto cilësi do të na ndihmojnë edhe ne të jemi të besueshëm në shërbim të Perëndisë.
6. Si e tregoi Tikiku se ishte një mik i besueshëm për apostullin Pavël?
6 Të mendojmë edhe për shembullin e Tikikut, një bashkëpunëtor i besuar i apostullit Pavël. Kur ishte në arrest shtëpie, Pavli kërkoi ndihmën e Tikikut, të cilin e përshkroi si një «shërbëtor besnik». (Efes. 6:21, 22) Ai kishte besim se Tikiku jo vetëm do t’ua çonte letrat vëllezërve në Efes dhe Kolose, por edhe se do t’i inkurajonte e ngushëllonte. Tikiku na sjell ndër mend vëllezërit besnikë e të përgjegjshëm në kongregacion, të cilët na ndihmojnë të forcojmë besimin.—Kolos. 4:7-9.
7. Çfarë mund të mësojmë për besueshmërinë nga pleqtë dhe shërbëtorët e kongregacionit?
7 Sot i çmojmë tej mase pleqtë dhe shërbëtorët e kongregacionit që janë të besueshëm. Ashtu si Danieli, Hananiahu dhe Tikiku, ata janë shumë të përgjegjshëm. Për shembull, s’kemi dyshim që ka një program se kush do të mbajë pjesët në mbledhjen e mesjavës. Dhe pleqtë janë mirënjohës kur vëllezërit e motrat përgatiten dhe janë të pranishëm për të mbajtur pjesët e tyre. Gjithashtu, ne nuk ngurrojmë të ftojmë studentët tanë të Biblës të ndjekin mbledhjen e fundjavës nga meraku se dikush do të ketë harruar të ftojë oratorin për fjalimin publik. E jemi të sigurt se do të kemi gjithmonë botime për shërbimin. Këta vëllezër besnikë kujdesen me gjithë shpirt për ne. E falënderojmë Perëndinë për ta! Po ne, në cilat mënyra mund të tregojmë se jemi të besueshëm?
TREGOHU I BESUESHËM ME ÇËSHTJET KONFIDENCIALE
8. Si të jemi të ekuilibruar kur shfaqim interes për të tjerët? (Proverbat 11:13)
8 I duam vëllezërit dhe motrat, dhe na intereson mirëqenia e tyre. Megjithatë duhet të jemi të ekuilibruar dhe të respektojmë privatësinë e tyre. Disa në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë ‘merreshin me thashetheme e i futnin hundët në punët e të tjerëve, duke folur për gjëra që nuk u takonin’. (1 Tim. 5:13) Pa diskutim, nuk dëshirojmë të jemi si ata. Por ta zëmë se dikush na tregon diçka për veten e kërkon që mos t’ia themi dikujt tjetër. Për shembull, një motër mund të na hapet për një problem shëndetësor që po kalon ose për një sprovë tjetër që po has dhe na thotë ta mbajmë për vete këtë informacion. Patjetër, duhet ta respektojmë dëshirën e saj. b (Lexo Proverbat 11:13.) Tani të ndalemi te disa situata të tjera ku nuk duhet t’i tregojmë çështjet konfidenciale.
9. Si mund të tregojnë pjesëtarët e familjes se janë të besueshëm?
9 Në familje. Çdo pjesëtar i familjes ka përgjegjësinë t’i mbajë për vete çështjet private të familjes. Për shembull, një motër mund të ketë ndonjë tipar që e bën për të qeshur bashkëshortin e saj. A do t’ua tregojë ai të tjerëve këtë e kështu ta vërë në siklet të shoqen? Patjetër që jo! Ai e do gruan e tij, dhe nuk do të bënte kurrë diçka që e lëndon. (Efes. 5:33) Të rinjtë duan që të tjerët t’i trajtojnë me respekt. Prindërit duhet ta mbajnë parasysh këtë. Nuk i bëjnë me turp fëmijët duke ua treguar të tjerëve gabimet e tyre. (Kolos. 3:21) Fëmijët duhet të jenë të kujdesshëm duke mos folur me të tjerë për çështje private që do t’i vinin në siklet pjesëtarët e familjes. (Ligj. 5:16) Kur secili në familje bën pjesën e vet për t’i mbajtur konfidenciale çështjet private, lidhjet familjare bëhen më të forta.
10. Çfarë do të thotë të jesh një mik i vërtetë? (Proverbat 17:17)
10 Me miqtë tanë. Hera-herës, të gjithë kemi nevojë të hapemi me një mik të ngushtë për ndjenjat tona. Kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Ndoshta s’jemi mësuar të flasim për ndjenjat tona me të tjerët, e do të ndiheshim të tradhtuar nëse më vonë merrnim vesh që miku ynë ia ka treguar dikujt tjetër gjërat që kishim biseduar. Ama, sa e çmojmë dikë që nuk i tregon çështjet konfidenciale! Ai po që është një ‘mik i vërtetë’!—Lexo Proverbat 17:17.
11. (a) Si e tregojnë pleqtë dhe gratë e tyre se janë të besueshëm? (b) Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga një plak që kthehet në shtëpi pasi trajtoi një çështje konfidenciale në kongregacion? (Shih figurën.)
11 Në kongregacion. Pleqtë që nuk i tregojnë çështjet konfidenciale, janë për vëllezërit «si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur». (Isa. 32:2) E dimë që mund t’u flasim hapur këtyre burrave, të sigurt se çdo gjë që themi do të mbahet konfidenciale. Dhe nuk u bëjmë presion të na tregojnë gjëra private të të tjerëve. Gjithashtu i vlerësojmë shumë gratë e pleqve që nuk u kërkojnë informacione konfidenciale bashkëshortëve të tyre. Në fakt, për gratë e pleqve është bekim që nuk i marrin vesh informacionet personale të vëllezërve e motrave. Gruaja e një plaku thotë: «Jam mirënjohëse që burri nuk m’i thotë gjërat private që diskuton në vizitat baritore ose bisedat që bën me ata që kanë nevojë për ndihmë. Madje s’më tregon as emrat. E vlerësoj që nuk më rëndon me probleme të cilave nuk u jap dot zgjidhje. Falë kësaj mund të flas rehat me të gjithë në kongregacion. E jam e bindur se kur flas me burrin për ndjenjat e mia ose për ndonjë problem, çdo gjë mbetet mes nesh.» Patjetër, të gjithë duam që të na shohin si njerëz të besueshëm. Cilat cilësi mund të na ndihmojnë për këtë? Le të ndalemi te pesë prej tyre.
KULTIVO CILËSI QË TË NDIHMOJNË TË JESH I BESUESHËM
12. Pse themi që dashuria është themeli i besimit te të tjerët? Jepni një shembull.
12 Dashuria është themeli i besimit te të tjerët. Jezui tha se dy urdhërimet më të mëdha janë të duam Jehovain dhe të duam tjetrin. (Mat. 22:37-39) Dashuria për Jehovain na motivon të imitojmë shembullin e tij të përsosur të besueshmërisë. Dashuria për vëllezërit e motrat na shtyn të mos ua tregojmë të tjerëve çështjet e tyre private. Kurrë nuk duhet të nxjerrim sheshit informacione që mund të dëmtonin, të vinin në siklet ose të lëndonin dikë.—Gjoni 15:12.
13. Në cilat mënyra na ndihmon përulësia të jemi të besueshëm?
13 Përulësia do të na ndihmojë të jemi të besueshëm. Një Dëshmitar që është i përulur, nuk përpiqet t’u bëjë përshtypje të tjerëve duke qenë i pari që nxjerr një informacion. (Filip. 2:3) Ai nuk e mban veten si tepër të rëndësishëm, duke lënë të kuptohet se di informacione që nuk i lejohet t’ua zbulojë të tjerëve. Përulësia na ndihmon edhe që të mos përhapim pikëpamje personale për çështje që nuk flitet as në Bibël, as në botimet tona.
14. Si na ndihmon aftësia dalluese të jemi të besueshëm?
14 Aftësia dalluese do ta ndihmojë një vëlla ose motër të kuptojë kur është ‘koha për të heshtur dhe koha për të folur’. (Ekl. 3:7) Një fjalë e urtë thotë: «Fjala është argjend, heshtja është flori.» E thënë ndryshe, ka raste kur është më mirë të heshtim, se të flasim. Prandaj, Proverbat 11:12 na këshillon: «Njeriu me aftësi të vërtetë dalluese e mban gjuhën nën fre.» Mendo për këtë rast. Një plaku me përvojë shpesh i kërkojnë të ndihmojë kongregacione të tjera kur kanë çështje të vështira për të trajtuar. Një plak tjetër që bashkëpunon me të, tha: «Ai është gjithmonë shumë i kujdesshëm që të mos tregojë informacione konfidenciale për kongregacionet e tjera.» Ngaqë tregon aftësi dalluese, ky vëlla ka fituar respektin e pleqve të tjerë në kongregacionin e tij. Ata janë të sigurt se ai nuk do të zbulojë asnjë informacion konfidencial të kongregacionit të tyre.
15. Jepni një shembull që tregon si të ndihmon ndershmëria të fitosh besimin e të tjerëve.
15 Ndershmëria, po ashtu, është e nevojshme që të jemi të besueshëm. I zëmë besë një njeriu të ndershëm, sepse e dimë që do të thotë gjithmonë të vërtetën. (Efes. 4:25; Hebr. 13:18) Ta zëmë se do të përmirësosh aftësitë në mësimdhënie. Ndaj i thua dikujt të dëgjojë fjalimin tënd dhe të të ofrojë ndonjë sugjerim të dobishëm për t’u përmirësuar. Te kush do të kishe besim se do të të jepte këshilla të sinqerta? Te dikush që të thotë çfarë të vjen ty për shtat apo te dikush që të thotë me takt të vërtetën? Përgjigjja është e qartë. Bibla thotë: «Më mirë një korrigjim i hapur, se një dashuri e fshehur. Më mirë plagët që të hap një shok besnik.» (Prov. 27:5, 6) Ndonëse në fillim mund të mos na pëlqejnë, këshillat e sinqerta të një miku do të na sjellin shumë dobi me kalimin e kohës.
16. Si e thekson Proverbat 10:19 nevojën për të pasur vetëkontroll?
16 Vetëkontrolli është jetësor nëse duam të fitojmë besimin e të tjerëve. Kjo cilësi na ndihmon t’u vëmë fre buzëve kur tundohemi të zbulojmë ndonjë informacion që na është thënë në mirëbesim. (Lexo Proverbat 10:19.) Mund të jetë e vështirë të ruajmë vetëkontrollin kur përdorim mediat sociale. Nëse nuk bëjmë kujdes, mund të përhapim pa dashur informacione konfidenciale te një numër i madh njerëzish. Kur informacioni del në këto media elektronike, nuk e kemi më nën kontroll mënyrën si përdoret ose sa dëm do të shkaktojë. Vetëkontrolli na ndihmon edhe të heshtim kur kundërshtarët duan të na marrin me dredhi informacione të cilat mund të vënë në rrezik vëllezërit e motrat tona. Kjo mund të ndodhë kur na merr në pyetje policia në një vend ku vepra jonë është e ndaluar ose e kufizuar. Në këto situata dhe të tjera mund të zbatojmë këtë parim: «Fre gojës kam për t’i vënë.» (Psal. 39:1) Qoftë në familje, qoftë me miqtë tanë, me vëllezërit e motrat a me ndonjë tjetër, duhet të jemi të besueshëm. Dhe për këtë na duhet vetëkontrolli.
17. Si mund të bëjmë pjesën tonë që në kongregacion të mbizotërojë besimi reciprok?
17 Sa mirënjohës i jemi Jehovait që na ka bërë pjesë të një familjeje plot me njerëz të dashur e të besueshëm! Secili nga ne ka përgjegjësinë të fitojë besimin e vëllezërve dhe të motrave. Ndërsa punojmë me veten që të shfaqim dashuri, përulësi, aftësi dalluese, ndershmëri dhe vetëkontroll, bëjmë pjesën tonë që në kongregacion të mbizotërojë besimi reciprok. Që të fitosh besimin e të tjerëve, duhen shumë përpjekje. Prandaj, le të imitojmë Perëndinë tonë Jehova e të vazhdojmë të tregojmë se jemi të besueshëm.
KËNGA 123 Besnikë ndaj Jehovait dhe teokracisë
a Nëse dëshirojmë që të tjerët të kenë besim te ne, së pari duhet të tregojmë se ne vetë jemi të besueshëm. Në këtë artikull do të shohim pse është kaq e rëndësishme t’i besojmë njëri-tjetrit dhe cilat cilësi do të na ndihmojnë të fitojmë besimin e të tjerëve.
b Nëse marrim vesh që dikush në kongregacion ka kryer një mëkat serioz, duhet ta nxitim të kërkojë ndihmën e pleqve. Nëse ai nuk e bën këtë, besnikëria ndaj Jehovait dhe ndaj kongregacionit duhet të na shtyjë që të flasim me pleqtë për këtë çështje.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak që trajtoi një çështje konfidenciale, nuk i tregon familjes asnjë informacion.