Pyetje nga lexuesit
Cilët do të ringjallen në tokë dhe çfarë ringjalljeje do të kenë?
Të shohim përgjigjen e Biblës për këtë pyetje.
Veprat 24:15 thotë se «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» Të drejtët janë ata që, para se të vdisnin, i bindeshin Perëndisë, prandaj emrat e tyre janë shkruar në librin e jetës. (Mal. 3:16) Të padrejtët përfshijnë ata që, para se të vdisnin, nuk patën mjaft mundësi për të njohur Jehovain, prandaj emrat e tyre nuk janë shkruar në librin e jetës.
Edhe Gjoni 5:28, 29 flet për këto dy grupe që përmenden te Veprat 24:15. Jezui tha se «ata që bënë gjëra të mira» do të kenë «një ringjallje jete», dhe «ata që bënë gjëra të poshtra» do të kenë «një ringjallje gjykimi». Të drejtët bënë gjëra të mira para se të vdisnin. Ata do të kenë një ringjallje jete, sepse emrat e tyre janë ende të shkruar në librin e jetës. Ndërsa të padrejtët bënë gjëra të poshtra para se të vdisnin, prandaj do të kenë një ringjallje gjykimi. Emrat e tyre nuk janë shkruar akoma në librin e jetës, e ata do të kalojnë një periudhë gjykimi, ose prove. Gjatë asaj kohe, do t’u jepet mundësia të mësojnë për Jehovain dhe të kenë emrat e tyre të shkruar në librin e jetës.
Zbulesa 20:12, 13 shpjegon se të gjithë të ringjallurit do të duhet t’u binden «gjërave të shkruara në rrotulla», pra, ligjeve të reja që do të jenë në fuqi në botën e re. Ata që nuk binden, do të shkatërrohen.—Isa. 65:20.
Danieli 12:2 paratha se disa që kanë rënë në gjumin e vdekjes do të zgjohen «për jetë të përhershme dhe të tjerë për poshtërim e përçmim të përhershëm». Ky varg flet për gjykimin përfundimtar të të ringjallurve. Ata do të marrin «jetë të përhershme» ose «përçmim të përhershëm». Pra, në fund të 1.000 vjetëve, disa do të marrin jetë të përhershme, dhe të tjerë do të shkatërrohen një herë e përgjithmonë.—Zbul. 20:15; 21:3, 4.
Mendo për këtë ilustrim: situata e këtyre dy grupeve që do të ringjallen, mund të krahasohet me situatën e të huajve që duan të jetojnë në një shtet tjetër. Të drejtët janë si ata që marrin një vizë pune ose vizë qëndrimi në këtë shtet, e cila u jep njëfarë lirie dhe disa të drejta të përcaktuara. Në kontrast me këtë, të padrejtët janë si ata që marrin një vizë të përkohshme ose vizë për vizitorët. Këta duhet të tregojnë më parë se i respektojnë ligjet e vendit, që të vazhdojnë të qëndrojnë aty. Po njësoj, të padrejtët e ringjallur duhet t’u binden ligjeve të Jehovait dhe të tregojnë se janë të drejtë në sytë e tij, që të vazhdojnë të jetojnë në Parajsë. E pavarësisht se çfarë vize marrin të huajt kur shkojnë në një shtet tjetër, me kalimin e kohës disa mund të marrin nënshtetësinë, kurse disa mund të dëbohen. Kjo do të varet nga qëndrimi dhe sjellja e tyre në shtetin e ri. Po kështu, gjykimi përfundimtar i të ringjallurve do të varet nga besnikëria dhe sjellja e tyre në botën e re.
Jehovai nuk është vetëm një Perëndi i dhembshur, por është edhe një Perëndi i drejtë. (Ligj. 32:4; Psal. 33:5) Ai do ta tregojë dashurinë e tij, duke ringjallur si të drejtët, edhe të padrejtët. Njëkohësisht do të kërkojë që të gjithë të jetojnë në harmoni me standardet e tij të larta morale. Vetëm ata që do ta duan dhe do t’i binden Jehovait, do të lejohen të vazhdojnë të jetojnë në botën e re.