Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 40

Çfarë është pendimi i vërtetë?

Çfarë është pendimi i vërtetë?

«Erdha të thërras . . . mëkatarët, që të pendohen.»—LUKA 5:32.

KËNGA 36 E ruaj zemrën me kujdes

PËRMBLEDHJE *

1-2. Ku ndryshonin nga njëri-tjetri Akabi e Manaseu, dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë?

 LE TË shqyrtojmë me kujdes shembullin e dy mbretërve që jetuan shekuj më parë. Njëri qeveriste mbi mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit, kurse tjetri mbi mbretërinë dyfisëshe të Judës. Ndonëse jetuan në periudha të ndryshme, ata kishin shumë gjëra të përbashkëta. Që të dy u rebeluan kundër Jehovait dhe e çuan popullin e Tij në udhë të mbrapshtë. Që të dy bënë idhujtari dhe vrasje. Ama, mes tyre kishte një ndryshim. Njëri nuk hoqi dorë nga ligësitë deri në fund të jetës, ndërsa tjetri u pendua dhe iu falën gjërat e tmerrshme që kishte bërë. Cilët ishin ata burra?

2 Njëri ishte Akabi, mbreti i Izraelit, dhe tjetri Manaseu, mbreti i Judës. Nga ndryshimet mes atyre dy burrave mund të mësojmë shumë për një temë mjaft të rëndësishme—për pendimin. (Vep. 17:30; Rom. 3:23) Çfarë është pendimi? Si e tregojmë se jemi penduar? Kemi nevojë ta dimë këtë, sepse duam që Jehovai të na falë kur mëkatojmë. Për të gjetur përgjigjet, do të shqyrtojmë jetën e këtyre dy mbretërve dhe do të shohim ç’mund të mësojmë nga shembulli i tyre. Pastaj do të shqyrtojmë çfarë na mësoi Jezui për pendimin.

Ç’MUND TË MËSOJMË NGA SHEMBULLI I MBRETIT AKAB

3. Çfarë mbreti ishte Akabi?

3 Akabi ishte mbreti i shtatë i mbretërisë 10-fisëshe të Izraelit. Ai u martua me Jezebelën, bijën e mbretit të Sidonit, një komb i pasur në veri. Ajo martesë duhet të ketë qenë një shans i mirë që Izraeli të pasurohej. Por, veç kësaj, e dëmtoi akoma më rëndë marrëdhënien e popullit me Jehovain. Jezebela ishte adhuruese e Baalit dhe e shtyu Akabin të përkrahte atë kult të fëlliqur, që përfshinte prostitucionin në tempull, e madje edhe flijimin e fëmijëve. Për sa kohë ishte në pushtet Jezebela, çdo profet i Jehovait e kishte jetën në fije të perit. E ajo vrau shumë prej tyre. (1 Mbret. 18:13) «Në sytë e Jehovait, Akabi . . . ishte më i keq se të gjithë pararendësit e tij.» (1 Mbret. 16:30) Jehovai nuk i mbyllte sytë para mbrapshtive të Akabit e Jezebelës. Ai dinte me hollësi çdo gjë që bënin. Prapëseprapë, me mëshirë Jehovai dërgoi profetin Elija për t’i paralajmëruar ata dhe popullin që të ndërronin rrugë para se të ishte tepër vonë. Por Akabi dhe Jezebela nuk deshën të dëgjonin.

4. Çfarë dënimi shpalli Jehovai kundër Akabit, dhe si reagoi Akabi?

4 Si përfundim, durimi i Jehovait u sos dhe ai dërgoi Elijan që të shpallte këtë dënim kundër Akabit dhe Jezebelës: krejt familja e tyre do të fshihej nga faqja e dheut. Fjalët e Elijas ishin si një tërmet që e shkundi Akabin! Çuditërisht, ai njeri arrogant «u përul».—1 Mbret. 21:19-29.

Mbreti Akab flaku në burg profetin e Perëndisë, e kjo tregoi se nuk ishte penduar me gjithë zemër (Shih paragrafët 5-6) *

5-6. Nga e dimë se Akabi nuk u pendua vërtet?

5 Ndonëse në atë rast Akabi u përul, mënyra si u soll më pas tregoi se nuk ishte penduar vërtetë. Ai nuk u përpoq ta spastronte mbretërinë e tij nga adhurimi i Baalit, e as e nxiti popullin të adhuronte Jehovain. Akabi e tregoi edhe në mënyra të tjera se nuk ishte penduar sinqerisht.

6 Më vonë, Akabi ftoi Jehozafatin, mbretin e mirë të Judës, që të luftonin bashkë kundër sirianëve. Jehozafati sugjeroi që më parë të këshilloheshin me një profet të Jehovait. Në fillim, Akabi e hodhi poshtë atë sugjerim, duke thënë: «Ka edhe një burrë nëpërmjet të cilit mund të kërkojmë drejtimin e Jehovait, po unë e urrej, sepse nuk profetizon kurrë gjëra të mira për mua, por vetëm të këqija.» Por, si përfundim, u këshilluan me profetin Mikajah. E s’do mend, profeti i Perëndisë paratha se Akabit do t’i binin të këqija! Në vend që të pendohej e t’i kërkonte falje Jehovait, Akabi i lig urdhëroi ta flaknin në burg profetin. (1 Mbret. 22:7-9, 23, 27) Ndonëse burgosi profetin e Jehovait, mbreti nuk e ndalonte dot plotësimin e profecisë. Në fakt, në atë betejë, Akabi u vra.—1 Mbret. 22:34-38.

7. Si e përshkroi Jehovai Akabin pasi vdiq?

7 Pas vdekjes së Akabit, Jehovai e tregoi qartë ç’mendonte për atë njeri. Kur mbreti i mirë Jehozafat u kthye shëndoshë e mirë në shtëpi, Jehovai dërgoi profetin Jehu për ta qortuar që kishte lidhur aleancë me Akabin. Profeti i Jehovait i tha: «A i duhet dhënë ndihmë të ligut dhe a duhet t’i duash ata që urrejnë Jehovain?» (2 Kron. 19:1, 2) Mendo për këtë: sikur pendimi i Akabit të kishte qenë i sinqertë, patjetër që profeti nuk do ta kishte përshkruar si një njeri të lig që urrente Jehovain. E pra, ndonëse kishte treguar njëfarë keqardhjeje, Akabi nuk u pendua kurrë me gjithë zemër.

8. Çfarë mund të mësojmë për pendimin nga shembulli i Akabit?

8 Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Akabit? Kur dëgjoi mesazhin e Elijas për gjëmën që do t’i binte familjes së tij, Akabi tregoi përulësi. Ky ishte një fillim i mbarë. Por më vonë, veprimet e tij treguan se nuk ishte penduar me gjithë zemër. Pra, pendimi duhet të përfshijë më shumë sesa thjesht të themi se na vjen keq për diçka që kemi bërë. Le të shohim një shembull tjetër që do të na ndihmojë të kuptojmë çfarë përfshin pendimi i vërtetë.

Ç’MUND TË MËSOJMË NGA SHEMBULLI I MBRETIT MANASE

9. Çfarë mbreti ishte Manaseu?

9 Rreth dy shekuj më vonë, mbret i Judës u bë Manaseu. Veprimet e tij ka të ngjarë të kenë qenë akoma më të liga se ato të Akabit. Shkrimet thonë: «Bëri në një shkallë të paparë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, për ta fyer atë.» (2 Kron. 33:1-9) Manaseu ngriti altarë për perënditë pagane, e madje vuri mu në tempullin e shenjtë të Jehovait një shëmbëlltyrë të gdhendur të një shtylle të shenjtë—me sa duket, një idhull i perëndeshës së pjellorisë. U mor me magji, me fall dhe me shtrigëri. Gjithashtu ‘derdhi shumë gjak të pafajshëm’. Bëri vrasje makabre, si për shembull «dogji bijtë e tij në zjarr» për t’ua bërë kurban perëndive të rreme.—2 Mbret. 21:6, 7, 10, 11, 16.

10. Si e disiplinoi Jehovai Manaseun, dhe si reagoi mbreti?

10 Ashtu si Akabi, Manaseu i shpërfillte me kokëfortësi paralajmërimet që i jepte Jehovai nëpërmjet profetëve të Tij. Si përfundim, «Jehovai solli kundër [Judës] krerët e ushtrisë së mbretit të Asirisë. Ata e kapën rob Manaseun, i vunë grremça, e lidhën me dy vargonj bakri dhe e çuan në Babiloni». Atje, i burgosur në dhé të huaj, Manaseu me sa duket reflektoi thellë për të zezat që kishte bërë. Ai «u përul shumë para Perëndisë së paraardhësve të tij». E jo vetëm kaq. «Iu përgjërua Jehovait, Perëndisë së vet, për miratimin e tij.» Në fakt, Manaseu «vazhdoi t’i lutej Perëndisë». Ai njeri i lig po ndryshonte. Nisi ta shihte Jehovain si ‘Perëndinë e vet’ dhe i lutej pareshtur.—2 Kron. 33:10-13.

Mbreti Manase luftoi kundër adhurimit të rremë, e kjo tregoi se ishte penduar vërtet (Shih paragrafin 11) *

11. Sipas 2 Kronikave 33:15, 16, si e tregoi Manaseu se ishte penduar vërtet?

11 Me kalimin e kohës, Jehovai iu përgjigj lutjeve të Manaseut. E pa se ai njeri kishte ndryshuar thellë në zemër, çka pasqyrohej te lutjet e tij. Jehovai u prek nga përgjërimet e Manaseut dhe e rivendosi si mbret në fron. E Manaseu bëri çmos të tregonte sa thellë ishte penduar. Ai bëri atë që Akabi s’e bëri kurrë: ndryshoi mënyrën si sillej. Vuri të gjitha forcat për të luftuar kundër adhurimit të rremë dhe përkrahu adhurimin e vërtetë. (Lexo 2 Kronikave 33:15, 16.) Pa diskutim që kjo kërkonte guxim dhe besim, sepse për dekada të tëra Manaseu kishte qenë shembull i keq për familjen, për fisnikët dhe për popullin e tij. Por tani, vitet e fundit të jetës, Manaseu u përpoq të ndreqte disa nga të këqijat që kishte bërë. Ai duhet të ketë ndikuar për mirë te nipi i tij i vogël, Josia, i cili u bë një mbret shumë i mirë.—2 Mbret. 22:1, 2.

12. Çfarë mund të mësojmë për pendimin nga shembulli i Manaseut?

12 Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Manaseut? Ai u përul, por jo vetëm kaq. Iu lut Jehovait duke iu përgjëruar t’i tregonte mëshirë. Veç kësaj ndërroi rrugë. Punoi me mish e me shpirt për të ndrequr dëmin që kishte shkaktuar. Gjithashtu bëri çmos të adhuronte Jehovain e t’i ndihmonte edhe të tjerët ta bënin këtë. Shembulli i Manaseut është dritë shprese edhe për ata që kanë bërë mëkate tepër të rënda. Ai është provë e fuqishme se Perëndia Jehova është ‘i mirë dhe mezi pret të falë’. (Psal. 86:5) Nëse dikush pendohet me gjithë zemër, Jehovai e fal!

13. Tregoni një ilustrim që na ndihmon të kuptojmë diçka të rëndësishme për pendimin.

13 Manaseut jo vetëm i erdhi keq për mëkatet e tij, por edhe e tregoi me vepra keqardhjen. Kjo na mëson diçka të rëndësishme për pendimin. Të bëjmë një ilustrim: ti shkon në një pastiçeri dhe kërkon një ëmbëlsirë. Por në vend të ëmbëlsirës, shitësi të jep një vezë. A do të ikje i kënaqur? S’do mend që jo! Mos ndoshta do të ndiheshe më i kënaqur nëse shitësi të shpjegonte se veza është një përbërës i rëndësishëm i ëmbëlsirës? Prapë, jo! Po njësoj, Jehovai kërkon nga një mëkatar që të pendohet. Nëse i vjen keq për mëkatin e tij, kjo është gjë e mirë. Një ndjenjë e tillë është përbërës i rëndësishëm i pendimit, por nuk është baras me pendimin. Çfarë nevojitet tjetër? Mund të mësojmë shumë nga një ilustrim prekës që bëri Jezui.

SI DALLOHET PENDIMI I VËRTETË

Pasi i erdhën mendtë, biri i humbur bëri udhëtimin e gjatë për t’u kthyer në shtëpi (Shih paragrafët 14-15) *

14. Cilat ishin shenjat e para të pendimit te djali i humbur në ilustrimin e Jezuit?

14 Te Luka 15:11-32 gjejmë historinë zemërdhënëse që tregoi Jezui për një bir të humbur. Ai djalë u rebelua kundër të atit, u largua nga shtëpia dhe shkoi «në një vend të largët». Atje bëri një jetë imorale, të shfrenuar. Mirëpo, kur erdhën kohë të vështira dhe e pati punën pisk, nisi të reflektonte thellë. I riu e kuptoi se jeta e tij në shtëpinë e babait kishte qenë shumë më e mirë. E siç tha Jezui, «i erdhën mendtë». Vendosi të kthehej në shtëpi e t’i kërkonte falje të atit. Ishte e rëndësishme që djali e kuptoi sa thellë ishte zhytur në batakun e mëkatit. Por, a mjaftonte kjo? Jo. Ai duhej të vepronte!

15. Si e tregoi djali i humbur në ilustrimin e Jezuit se ishte penduar vërtet?

15 Djali i humbur e tregoi me vepra se ishte penduar sinqerisht për mëkatin e vet. Ai bëri një udhë të gjatë për t’u kthyer në shtëpi. Pastaj, kur takoi të atin, i tha: «Kam mëkatuar kundër qiellit dhe kundër teje. Nuk jam më i denjë të quhem yt bir.» (Luka 15:21) Ai rrëfim i çiltër tregoi se djali donte të ndreqte marrëdhënien me Jehovain. Gjithashtu pranoi se me atë që kishte bërë, kishte lënduar babanë. E ishte i gatshëm të punonte fort për të fituar prapë miratimin e të atit. Madje pranonte edhe ta trajtonin si një nga punëtorët e tij. (Luka 15:19) Kjo nuk është thjesht një histori prekëse. Parimet e këtij ilustrimi u vlejnë goxha pleqve të kongregacionit, kur përpiqen të dallojnë nëse një vëlla a motër është penduar për një mëkat serioz.

16. Pse mund të jetë e vështirë që pleqtë të dallojnë nëse dikush është penduar vërtet?

16 Nuk është e lehtë për pleqtë të dallojnë nëse dikush që ka kryer një mëkat serioz, është penduar sinqerisht. Pse? Sepse pleqtë nuk e lexojnë dot zemrën. Prandaj u duhet të bazohen te provat se vëllai a motra ka ndryshuar rrënjësisht dhe ka mësuar ta urrejë mëkatin e vet. Në disa raste, dikush mund të ketë mëkatuar në mënyrë kaq skandaloze, sa pleqtë që takohen me të mund të mos jenë të bindur se është penduar vërtet.

17. (a) Cili shembull tregon se dikush mund të mos jetë penduar sinqerisht, edhe nëse thotë se i vjen keq? (b) Siç tregon 2 Korintasve 7:11, çfarë pritet nga dikush që është penduar vërtet?

17 Të marrim një shembull. Një vëlla kryen kurorëshkelje për shumë vjet. Në vend që të kërkojë ndihmë, e fsheh atë sjellje imorale nga gruaja e tij, nga miqtë dhe nga pleqtë. Si përfundim, mëkati i tij del në shesh. I gjendur përballë provave, e pranon atë që ka bërë, e madje duket se i vjen shumë keq. A mjafton kjo për të treguar se është penduar vërtet? Pleqtë që trajtojnë çështjen, kanë nevojë të shohin diçka më shumë se keqardhja. Nuk është se ai tregoi gjykim të dobët vetëm një herë, por ndoqi për vite të tëra një rrugë të mbrapshtë. Nuk mori iniciativën të rrëfente ç’kishte bërë; mëkati i tij doli në shesh. Prandaj, pleqtë kanë nevojë të shohin prova se ka ndryshuar vërtet mënyra si mendon, si ndihet dhe si sillet ai mëkatar. (Lexo 2 Korintasve 7:11.) Atij mund t’i duhet goxha kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme. Me shumë gjasa, ai do të hiqet nga kongregacioni derisa të tregojë se është penduar vërtet.—1 Kor. 5:11-13; 6:9, 10.

18. Si mund ta tregojë një i përjashtuar se është penduar sinqerisht, dhe cili do të jetë rezultati?

18 Një i përjashtuar do të tregojë se është penduar nga zemra duke ndjekur rregullisht mbledhjet e duke zbatuar këshillën e pleqve që ta ketë zakon të lutet e të studiojë. Gjithashtu do të bëjë çmos të shmangë ato rrethana ose ato gjëra që mund ta tundojnë të mëkatojë prapë. Nëse punon me të gjitha forcat për ta ndrequr marrëdhënien me Jehovain, mund të jetë i sigurt se Jehovai do ta falë plotësisht dhe se pleqtë do ta ndihmojnë të jetë sërish pjesë e kongregacionit. Natyrisht, kur përpiqen të dallojnë nëse një mëkatar është penduar vërtet, pleqtë mbajnë parasysh se çdo rast është unik dhe nuk gjykojnë në mënyrë të ngurtë.

19. Çfarë përfshin pendimi i vërtetë? (Ezekieli 33:14-16)

19 Siç e kemi parë, pendimi i vërtetë nuk tregohet thjesht duke thënë se na vjen keq për rrugën e gabuar që kemi ndjekur. Kush pendohet vërtet, ndryshon mënyrën si mendon dhe si ndihet thellë në zemër, e kjo e shtyn të veprojë. Ai braktis rrugën e gabuar dhe kthehet të ecë në udhët e Jehovait. (Lexo Ezekielin 33:14-16.) Meraku kryesor i atij që ka mëkatuar, duhet të jetë të rimëkëmbë marrëdhënien e dëmtuar me Jehovain.

BËJU THIRRJE TË PENDOHEN

20-21. Si mund ta ndihmojmë dikë që ka bërë një mëkat serioz?

20 Jezui e përmblodhi me këto fjalë një pjesë të rëndësishme të shërbimit të tij: «Erdha të thërras . . . mëkatarët, që të pendohen.» (Luka 5:32) Kjo duhet të jetë edhe dëshira jonë. Ta zëmë se marrim vesh që një miku ynë i ngushtë ka kryer një mëkat serioz. Çfarë duhet të bëjmë?

21 Po të përpiqemi ta mbajmë fshehur mëkatin e tij, vetëm sa do ta dëmtojmë. E përpjekje të tilla dështojnë gjithmonë, sepse syrit të Jehovait s’i shpëton asgjë. (Prov. 5:21, 22; 28:13) Mund ta ndihmosh mikun tënd duke i kujtuar se pleqtë duan ta ndihmojnë. Nëse nuk pranon t’u rrëfejë pleqve ç’ka bërë, duhet t’i njoftosh ti pleqtë. Kështu do të tregosh se do me gjithë zemër ta ndihmosh mikun tënd. Ai rrezikon të humbasë miqësinë me Jehovain!

22. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

22 Po nëse një mëkatar ka hyrë aq thellë në rrugë të gabuar dhe ka mëkatuar për aq shumë kohë, sa pleqtë vendosin se duhet përjashtuar? A do të thotë kjo se e kanë trajtuar pa mëshirë? Në artikullin tjetër, do të shohim pse mund të themi se Jehovai tregon mëshirë kur disiplinon dhe si mund ta imitojmë.

KËNGA 103 Pleq, jeni dhuratë nga Jehovai

^ par. 5 Pendimi i vërtetë nuk përfshin vetëm të shprehim keqardhjen për një mëkat që kemi bërë. Nëpërmjet shembujve të mbretit Akab e të mbretit Manase dhe ilustrimit të Jezuit për djalin e humbur, ky artikull do të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë është pendimi i vërtetë. Gjithashtu do të shohim cilët faktorë duhet të mbajnë parasysh pleqtë kur vlerësojnë nëse një bashkëbesimtar që ka kryer një mëkat të rëndë është penduar vërtet.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURËS: I tërbuar, mbreti Akab urdhëron rojat e tij që ta fusin në burg Mikajahun, profetin e Jehovait.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Mbreti Manase i udhëzon punëtorët të shkatërrojnë shëmbëlltyrat që kishte vënë në tempull.

^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Djali i humbur, i rraskapitur nga udhëtimi i gjatë, ndihet i lehtësuar kur më në fund sheh në horizont shtëpinë e tij.