Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

1921—Njëqind vjet më parë

1921—Njëqind vjet më parë

«ÇFARË vepre e veçantë na pret përpara gjatë këtij viti?» Këtë pyetje u drejtonte Studentëve të zellshëm të Biblës Kulla e Rojës e 1 janarit 1921. Si përgjigje, citohej Isaia 61:1, 2, që u kujtonte detyrën për të predikuar: «Jehovai më ka mirosur që t’u shpall lajmin e mirë zemërbutëve . . . , të shpall vitin e favorshëm të Jehovait dhe ditën e hakmarrjes së Perëndisë tonë.»

PREDIKUES SYPATREMBUR

Që të kryenin këtë detyrë, Studentët e Biblës duhej të ishin sypatrembur. Pse? Sepse duhej t’u shpallnin edhe «lajmin e mirë» zemërbutëve, edhe «ditën e hakmarrjes» të ligjve.

Vëllai Xhon Hoskin, që jetonte në Kanada, dha dëshmi plot guxim, pavarësisht nga përndjekja. Në pranverën e vitit 1921, ai u takua me një pastor metodist. Vëllai Hoskin e nisi bisedën me këto fjalë: «Dua të flasim në mënyrë miqësore për Shkrimet. Edhe nëse nuk biem dakord për disa gjëra, mund ta mbyllim në paqe bisedën e të ndahemi si shokë.» Por nuk ndodhi ashtu. Vëllai Hoskin kujtonte: «Kishim veçse pak minuta që po bisedonim, kur [pastori] ma përplasi derën aq fort, saqë mendova se xhami i derës do të bëhej copë e thërrime.»

Pastori i bërtiti: «Pse nuk shkon të flasësh me ndonjë të pafe më mirë?» Vëllai Hoskin i vuri fre gojës, por ndërsa po largohej, tha me vete: «Kujtova se atë po bëja!»

Të nesërmen, pastori mbajti një fjalim në kishën e tij e vazhdoi të sulmonte me akuza. Vëllai Hoskin kujtonte: «I paralajmëroi anëtarët e kishës së tij të ruheshin nga unë. U tha se isha mashtruesi më i regjur që kishte parë qyteti dhe se meritoja plumbin.» Pa u stepur aspak, vëllai Hoskin vazhdoi të predikonte dhe korri goxha sukses. Ai tha: «Kalova një kohë të mrekullueshme ndërsa predikoja atje. Madje disa veta më thoshin: ‘S’kam pikë dyshimi që je njeri i Zotit.’ Më pyesnin edhe si mund të më ndihmonin që të mos më mungonte gjë.»

STUDIMI PERSONAL DHE FAMILJAR

Që të ndihmonin të interesuarit të përparonin, Studentët e Biblës botonin programe për studimin e Biblës në revistën Epoka e artë. * Një prej tyre, «Studim biblik për të rinj», përmbante pyetje që prindërit mund t’i shqyrtonin me fëmijët. Prindërve u sugjerohej: «Diskutojini këto pyetje me fëmijët dhe ndihmojini të gjejnë përgjigjet në Bibël.» Disa pyetje, si për shembull «sa libra ka Bibla?», u mësonin fakte të thjeshta. Pyetje të tjera, si «a duhet të presë përndjekje çdo i krishterë i vërtetë?», i përgatitnin fëmijët e të rinjtë të ishin predikues sypatrembur.

Programi «Studim i avancuar në planin hyjnor të epokave» përmbante pyetje më të thella për Studentët e Biblës që kishin më shumë njohuri. Ato bazoheshin në vëllimin e parë të botimit Studime mbi Shkrimet. Mijëra lexues nxorën dobi nga këto programe. Mirëpo në revistën Epoka e artë të 21 dhjetorit 1921 u njoftua se të dyja programet nuk do të botoheshin më. Pse ky ndryshim i papritur?

NJË LIBËR I RI!

Libri Harpa e Perëndisë

Karta me pjesën për lexim

Karta me pyetje

Ata që merrnin drejtimin kuptuan se studentët e rinj të Biblës kishin nevojë t’i mësonin të vërtetat themelore në mënyrë sistematike. Prandaj, në nëntor të vitit 1921 doli libri Harpa e Perëndisë. Të interesuarit që pranonin librin, regjistroheshin edhe në Kursin Harpa për studimin e Biblës. Ky kurs autodidakt e ndihmonte lexuesin të kuptonte «planin që ka Perëndia për të bekuar njerëzimin me jetën e përhershme». Si bëhej kursi?

Kur dikush pranonte librin Harpa e Perëndisë, merrte edhe një kartë ku tregoheshin faqet që duhej të lexonte nga libri. Javën pasuese, studenti merrte një kartë tjetër me pyetje që bazoheshin te pjesa që kishte lexuar. Në fund të kartës shkruhej pjesa për javën tjetër.

Për 12 javë rresht, studenti merrte me postë një kartë të re nga klasa, ose kongregacioni, në zonën e tij. Shpesh kartat i dërgonin të moshuarit ose ata që nuk dilnin dot shtëpi më shtëpi për shkak të rrethanave. Për shembull, Ana Gardneri nga Milvejli, Pensilvani, SHBA, kujtonte: «Kur doli Harpa e Perëndisë, Thejla, motra ime invalide, kishte shumë për të bërë në shërbim, pasi dërgonte çdo javë këto karta me pyetje.» Kur studenti mbaronte kursin, dikush nga kongregacioni i shkonte për vizitë, që ta ndihmonte të mësonte më shumë nga Bibla.

Thejla Gardneri në karrige invalidësh

PUNA QË KISHIN PËRPARA

Në fund të atij viti, vëlla Xhozef Radhërfordi u dërgoi një letër të gjitha klasave. Aty shkruhej: «Këtë vit, predikimi për Mbretërinë ka pasur shtrirje më të gjerë dhe ka arritur më shumë sukses se çdo vit tjetër i periudhës së korrjes.» Pastaj shtonte: «Ka mbetur akoma shumë punë për të bërë. Inkurajoni edhe të tjerë që të marrin pjesë në këtë vepër të bekuar.» Siç tregon historia, Studentët e Biblës ia vunë veshin asaj nxitjeje. Në vitin 1922, ata do të predikonin plot guxim për Mbretërinë si kurrë më parë.

^ par. 9 Më 1937 Epoka e artë mori emrin Ngushëllim dhe më 1946 u quajt Zgjohuni!