Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 42

Forco bindjen se ke të vërtetën

Forco bindjen se ke të vërtetën

«Sigurohuni për të gjitha gjërat. Mbani fort atë që është e shkëlqyer.»—1 SEL. 5:21.

KËNGA 142 Spirancë është shpresa jonë!

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë i pështjellon shumë njerëz?

 EKZISTOJNË dhjetëra mijë fe që pohojnë se janë të krishtere dhe se e adhurojnë Perëndinë siç i pëlqen atij. Prandaj, s’është çudi që shumë veta janë të pështjelluar dhe pyesin: «A ka vetëm një fe të vërtetë, apo Zoti i pranon të gjitha fetë?» A kemi bindje të patundur se, si Dëshmitarë të Jehovait, u mësojmë të tjerëve të vërtetën dhe se mënyra si adhurojmë Jehovain është e vetmja mënyrë që miraton ai? A është e mundur të jemi plotësisht të bindur për këtë? Le të shqyrtojmë provat.

2. Pse apostulli Pavël kishte bindjen se ajo që besonte ishte e vërteta? (1 Selanikasve 1:5)

2 Apostulli Pavël kishte bindjen e fortë se ajo që besonte ishte e vërteta. (Lexo 1 Selanikasve 1:5.) Bindja e tij nuk bazohej te ndjenjat. Pavli e studionte thellë Fjalën e Perëndisë dhe besonte se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia». (2 Tim. 3:16) Çfarë mësoi ai nga studimi i Shkrimeve? Pavli gjeti në to prova të pakundërshtueshme se Jezui ishte Mesia i premtuar—prova që krerët fetarë judenj i shpërfillnin. Ata krerë fetarë hipokritë thoshin se përfaqësonin Perëndinë, por me veprat e tyre e mohonin. (Titit 1:16) Ndryshe nga ata, Pavli nuk përzgjidhte cilat pjesë të Fjalës së Perëndisë do të besonte. Ai ishte i gatshëm t’u mësonte të tjerëve «gjithë vullnetin e Perëndisë» dhe të vepronte sipas tij.—Vep. 20:27.

3. A ka nevojë të dimë përgjigjet e të gjitha pyetjeve për të qenë të bindur se kemi të vërtetën? (Shih edhe kutinë « Veprat dhe mendimet e Jehovait—‘ku e ku më tepër nga sa mund të numërojmë’!»)

3 Disa mendojnë se feja e vërtetë duhet të jetë në gjendje t’i përgjigjet çdo pyetjeje, madje edhe atyre për të cilat Bibla nuk jep ndonjë përgjigje. A është e arsyeshme të presësh një gjë të tillë? Të mendojmë për shembullin e Pavlit. Ai i nxiti bashkëbesimtarët ‘të siguroheshin për të gjitha gjërat’, por njëkohësisht pranoi se kishte shumë gjëra që nuk i kuptonte. (1 Sel. 5:21) «Ne kemi njohuri të pjesshme»,—shkroi ai. Pastaj shtoi: «Ne shohim me konture të mjegullta në një pasqyrë të metaltë.» (1 Kor. 13:9, 12) Pavli nuk kuptonte çdo gjë, e po njësoj edhe ne. Ama, Pavli shihte ‘konturet’ ose një tablo të përgjithshme të qëllimeve të Jehovait. E ajo njohuri i mjaftonte për të qenë i bindur se kishte të vërtetën.

4. Si mund ta forcojmë bindjen se kemi gjetur të vërtetën, dhe çfarë do të shqyrtojmë në lidhje me të krishterët e vërtetë?

4 Një mënyrë si mund ta forcojmë bindjen se kemi gjetur të vërtetën, është të krahasojmë modelin e adhurimit që vendosi Jezui me mënyrën si e adhurojnë Perëndinë sot Dëshmitarët e Jehovait. Në këtë artikull, do të shohim se të krishterët e vërtetë (1) hedhin poshtë idhujtarinë, (2) respektojnë emrin e Jehovait, (3) duan të vërtetën dhe (4) kanë dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin.

HEDHIM POSHTË IDHUJTARINË

5. Sipas shembullit të Jezuit, cila është mënyra e duhur për të adhuruar Perëndinë, dhe si mund ta zbatojmë atë që mësoi ai?

5 Dashuria e thellë për Perëndinë e motivonte Jezuin të adhuronte vetëm Jehovain, qoftë kur ishte në qiell, qoftë kur ishte në tokë. (Luka 4:8) Ai i mësoi dishepujt e tij të vepronin po njësoj. As Jezui, as dishepujt e tij besnikë nuk përdorën ndonjëherë shëmbëlltyra për të adhuruar Perëndinë. Perëndia është Frymë, prandaj asgjë që mund të sajojë mendja e njeriut, nuk arrin ta paraqesë sadopak lavdinë e Jehovait! (Isa. 46:5) Po ç’të themi për ikonat e shenjtorëve dhe për lutjet që u drejtohen atyre? Në të dytin nga Dhjetë Urdhërimet, Jehovai tha: «Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur ose ndonjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiell [ose] poshtë në tokë . . . Mos u përkul para tyre.» (Eks. 20:4, 5) Këto fjalë janë fare të qarta për ata që dëshirojnë të kënaqin Perëndinë.

6. Cilin model adhurimi ndjekin Dëshmitarët e Jehovait sot?

6 Sipas historianëve, të krishterët e hershëm adhuronin vetëm Perëndinë. Për shembull, libri Historia e kishës së krishterë (anglisht) thotë se të krishterët e hershëm «do t’i kishte tmerruar» ideja që të vinin ikona në vendet e adhurimit. Sot Dëshmitarët e Jehovait ndjekin modelin që vendosën ata të krishterë në shekullin e parë. Ne nuk u lutemi ikonave të «shenjtorëve» ose engjëjve; nuk i lutemi madje as Jezuit. Gjithashtu nuk adhurojmë simbolet e shtetit. Çfarëdo që të ndodhë, jemi të vendosur t’u bindemi fjalëve të Jezuit: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro.»—Mat. 4:10.

7. Cilat dallime të qarta ekzistojnë mes Dëshmitarëve të Jehovait dhe feve të tjera?

7 Sot shumë veta shkojnë pas udhëheqësve fetarë me influencë që bëjnë për vete njerëzit. Ndonjëherë admirimi për këta udhëheqës është gati-gati idhujtari. Njerëzit i mbushin plot kishat e tyre, blejnë librat e tyre dhe bëjnë donacione të majme për kauzat që përkrahin ata. Disa përpijnë çdo fjalë që del nga goja e tyre. Zor se këta besimtarë mund të ishin më entuziastë se kaq edhe sikur të takonin vetë Jezuin! Krejt ndryshe, adhuruesit e vërtetë të Jehovait nuk kanë klasë klerikësh. Ndonëse i respektojmë ata që marrin drejtimin, ne pranojmë mësimin e qartë të Jezuit: «Jeni të gjithë vëllezër.» (Mat. 23:8-10) Nuk i shohim si idhuj njerëzit, qofshin ata udhëheqës fetarë, qofshin qeveritarë, e as përkrahim kauzat e tyre. Përkundrazi, qëndrojmë asnjanës dhe të ndarë nga bota. Në këto aspekte spikatim si të ndryshëm mes grupeve të shumta që thonë se janë të krishtere.—Gjoni 18:36.

RESPEKTOJMË EMRIN E JEHOVAIT

Të krishterët e vërtetë ndihen krenarë t’u flasin të tjerëve për Jehovain (Shih paragrafët 8-10) *

8. Nga e dimë se Jehovai dëshiron t’i japim lavdi emrit të tij dhe t’ua bëjmë të njohur të gjithëve?

8 Në një rast, Jezui u lut: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» Vetë Jehovai iu përgjigj asaj lutjeje nga qielli me një zë gjëmues dhe premtoi se do t’i jepte lavdi emrit të tij. (Gjoni 12:28) Gjatë gjithë shërbimit në tokë, Jezui i dha lavdi emrit të Atit. (Gjoni 17:26) Ndaj është logjike të presim që të krishterët e vërtetë të ndihen krenarë ta përdorin emrin e Perëndisë dhe t’ua bëjnë të njohur të tjerëve.

9. Si e treguan të krishterët e shekullit të parë se e respektonin emrin e Perëndisë?

9 Në shekullin e parë të e.s., pak pasi u formua kongregacioni i krishterë, Jehovai «e drejtoi vëmendjen nga kombet, që të nxirrte prej tyre një popull për emrin e tij». (Vep. 15:14) Të krishterët e shekullit të parë ndiheshin krenarë ta përdornin emrin e Perëndisë dhe t’ua bënin të njohur të tjerëve. Ata e përdornin shpesh emrin e Perëndisë në shërbim dhe ndërsa shkruanin librat e Biblës. * Kështu treguan se ishin ‘një popull për emrin e Perëndisë’.—Vep. 2:14, 21.

10. Çfarë provash ka që Dëshmitarët e Jehovait janë ‘një popull për emrin e Jehovait’?

10 A janë Dëshmitarët e Jehovait ‘një popull për emrin e Jehovait’? Të shqyrtojmë provat. Sot shumë udhëheqës fetarë s’lënë gur pa luajtur për ta fshehur faktin se Perëndia ka një emër. Ata e kanë hequr emrin e tij nga përkthimet e Biblës dhe, në disa raste, e kanë ndaluar përdorimin e emrit hyjnor në kishat e tyre. * A mund ta mohojë ndokush se Dëshmitarët e Jehovait janë të vetmit që e respektojnë dhe e nderojnë emrin e Jehovait ashtu siç e meriton? Ne e bëjmë të njohur emrin e Perëndisë anembanë globit, më shumë se çdo grup tjetër fetar! Bëjmë çmos të jetojmë në harmoni me emrin që mbajmë, Dëshmitarët e Jehovait. (Isa. 43:10-12) Kemi botuar mbi 240 milionë kopje të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, që përdor emrin e Jehovait në vende ku përkthyes të tjerë të Biblës e kanë hequr. Gjithashtu nxjerrim botime të bazuara në Bibël, ku përdoret emri i Jehovait në më shumë se 1.000 gjuhë.

E DUAM TË VËRTETËN

11. Si e tregonin të krishterët e hershëm dashurinë për të vërtetën?

11 Jezui e donte të vërtetën, domethënë të vërtetën për Perëndinë dhe për qëllimet e Tij. Jezui jetoi në harmoni me atë të vërtetë e dha dëshmi për të. (Gjoni 18:37) Dishepujt e vërtetë të Jezuit kishin dashuri të thellë për të vërtetën. (Gjoni 4:23, 24) Të motivuar nga kjo dashuri, të krishterët e hershëm braktisën idetë fetare, traditat njerëzore dhe opinionet personale që nuk ishin në harmoni me të vërtetën. (Kolos. 2:8) Ata jetonin sipas së vërtetës. Në fakt, apostulli Pjetër e quajti krishterimin «udha e së vërtetës». (2 Pjet. 2:2) Edhe sot, të krishterët e vërtetë bëjnë çmos ‘të vazhdojnë të ecin në të vërtetën’, duke treguar kujdes që të gjitha bindjet e tyre dhe mënyra si jetojnë, të jenë të bazuara te Fjala e Jehovait.—3 Gjon. 3, 4.

12. Ç’ndodh kur ata që marrin drejtimin kuptojnë se duhet përditësuar mënyra si e shpjegojmë diçka, dhe pse veprojnë kështu?

12 Shërbëtorët e Jehovait sot nuk pretendojnë se kuptojnë plotësisht çdo gjë që thotë Bibla. Ndonjëherë kanë gabuar në mënyrën si e shpjegonin një mësim nga Bibla dhe si e organizonin kongregacionin. Kjo s’ka pse të na habitë. Shkrimet e thonë qartë se njohuria e saktë shtohet me kalimin e kohës. (Kolos. 1:9, 10) Jehovai e zbulon të vërtetën gradualisht dhe ne duhet të jemi të gatshëm të presim me durim që drita e së vërtetës të shndritë akoma më fort. (Prov. 4:18) Kur kuptojnë se duhet përditësuar mënyra si e shpjegojmë ose si e bëjmë diçka, ata që marrin drejtimin nuk ngurrojnë të bëjnë ndryshimet e nevojshme. Shumë fe të krishtere bëjnë ndryshime për t’u bërë qejfin kongregacioneve të tyre ose për të qenë të pranuara nga bota. Kurse ndryshimet që bën organizata e Jehovait kanë si synim të na afrojnë me Perëndinë dhe të na vënë akoma më shumë në harmoni me modelin e adhurimit që vendosi Jezui. (Jak. 4:4) Këto ndryshime nuk i bëjmë ngaqë ndryshojnë opinionet dhe preferencat e njerëzve, por ngaqë kuptojmë më qartë Shkrimet. Ne e duam të vërtetën!—1 Sel. 2:3, 4.

KEMI DASHURI TË ZJARRTË PËR NJËRI-TJETRIN

13. Cila është cilësia më e rëndësishme e të krishterëve të vërtetë, dhe si e shfaqin Dëshmitarët e Jehovait këtë cilësi?

13 Mes gjithë cilësive të bukura që e karakterizonin kongregacionin e shekullit të parë, më e rëndësishmja ishte dashuria. Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Sot Dëshmitarët e Jehovait anekënd globit gëzojnë unitet dhe dashuri të vërtetë. Si asnjë organizatë tjetër, familja jonë e bashkuar nuk njeh kufij kombëtarë, racialë dhe shoqërorë. Shohim prova të kësaj dashurie të vërtetë në mbledhjet, asambletë dhe kongreset tona. Këto prova na forcojnë bindjen se po e adhurojmë Jehovain në atë mënyrë që i pëlqen atij.

14. Sipas Kolosianëve 3:12-14, cila është një mënyrë e rëndësishme si mund të tregojmë dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin?

14 Shkrimet na nxitin ‘të kemi dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin’. (1 Pjet. 4:8) Një mënyrë si e tregojmë këtë dashuri është duke falur njëri-tjetrin dhe duke duruar papërsosmëritë e njëri-tjetrit. Gjithashtu kërkojmë mundësi për të qenë bujarë e mikpritës me të gjithë në kongregacion, edhe me ata që mund të na kenë lënduar. (Lexo Kolosianëve 3:12-14.) Kjo dashuri është cilësia më e spikatur që i dallon të krishterët e vërtetë.

‘NJË BESIM I VETËM’

15. Në cilat mënyra të tjera e ndjekim modelin e adhurimit të vendosur nga të krishterët e hershëm?

15 Ne e ndjekim edhe në mënyra të tjera modelin e adhurimit që vendosi kongregacioni i shekullit të parë. Për shembull, struktura jonë organizative—ku përfshihen mbikëqyrësit udhëtues, pleqtë dhe shërbëtorët e kongregacionit—pasqyron mënyrën e organizimit që vendosën apostujt në shekullin e parë. (Filip. 1:1; Titit 1:5) Pikëpamja që kemi për seksin dhe martesën, respekti ynë për shenjtërinë e gjakut dhe dëshira për ta mbrojtur kongregacionin nga mëkatarët e papenduar, bazohen që të gjitha te modeli i vendosur në shekullin e parë.—Vep. 15:28, 29; 1 Kor. 5:11-13; 6:9, 10; Hebr. 13:4.

16. Çfarë mësojmë nga ajo që thuhet tek Efesianëve 4:4-6?

16 Jezui tha se shumë veta do të pohonin që ishin dishepujt e tij, por jo të gjithë do të ishin dishepuj të vërtetë. (Mat. 7:21-23) Shkrimet paralajmëronin edhe se në ditët e fundit shumë njerëz thjesht ‘do të dukej sikur ishin të përkushtuar ndaj Perëndisë’. (2 Tim. 3:1, 5) Por, në Bibël thuhet shkoqur se ka «një besim të vetëm» që gëzon miratimin e Perëndisë.—Lexo Efesianëve 4:4-6.

17. Cilët po ecin në gjurmët e Jezuit dhe po praktikojnë sot të vetmin besim të vërtetë?

17 Cilët po e praktikojnë sot të vetmin besim të vërtetë? Kemi shqyrtuar provat. Kemi parë modelin e adhurimit që vendosi Jezui dhe që e ndoqën të krishterët e shekullit të parë. Prandaj, përgjigjja është krejt e qartë—vetëm Dëshmitarët e Jehovait. Çfarë privilegji të jemi pjesë e popullit të Jehovait dhe të njohim të vërtetën për Të e për qëllimet e tij! Vazhdofshim ta forcojmë bindjen se kemi të vërtetën dhe të ecim të palëkundur në të!

KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri

^ par. 5 Në këtë artikull do të shohim cili është modeli i adhurimit të vërtetë që vendosi Jezui dhe do të shqyrtojmë si e ndoqën atë model dishepujt e hershëm. Gjithashtu do të ndalemi te provat që tregojnë se Dëshmitarët e Jehovait sot, po ndjekin të njëjtin model të adhurimit të vërtetë.

^ par. 9 Shih kutinë «A e përdornin të krishterët e parë emrin e Perëndisë?» në Kullën e Rojës të 1 korrikut 2010, f. 6.

^ par. 10 Për shembull, në vitin 2008, papa Benedikti XVI udhëzoi se emri i Perëndisë «as duhet përdorur, as duhet shqiptuar» në shërbesat fetare, këngët dhe lutjet e katolikëve.

^ par. 63 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Organizata e Jehovait ka nxjerrë Përkthimin Bota e Re në mbi 200 gjuhë, që njerëzit të lexojnë në gjuhën amtare një Bibël ku përdoret emri i Perëndisë.