Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta rindërtosh miqësinë me Jehovain

Si ta rindërtosh miqësinë me Jehovain

ÇDO vit, shumë dele të shtrenjta të Jehovait kthehen në kongregacion. Imagjino sa ‘shumë gëzim ka në qiell’ kur kthehet secila prej tyre! (Luka 15:7, 10) Nëse je rivendosur në kongregacion, të jesh i sigurt se Jezuit, engjëjve dhe vetë Jehovait u gufon zemra kur shohin se po ecën prapë në të vërtetën. Gjithsesi, ndërsa rindërton miqësinë me Jehovain, mund të hasësh vështirësi. Cilat janë disa prej tyre, dhe çfarë mund të të ndihmojë t’i kapërcesh?

CILAT JANË VËSHTIRËSITË?

Shumë veta luftojnë me ndjenjat negative pasi kthehen në kongregacion. Prandaj, ndoshta e kupton si ndihej mbreti David. Edhe pasi Jehovai e fali për mëkatet e tij, Davidi tha: «Si lumë më kanë mbuluar fajet.» (Psal. 40:12; 65:3) Pasi dikush kthehet te Jehovai, ndjenjat e fajit ose të turpit mund të vazhdojnë ta mundojnë për vite të tëra. Për shembull, Izabela * që ishte e përjashtuar për më shumë se 20 vjet, tha: «E kisha tepër të vështirë të pranoja idenë se Jehovai mund të më falte.» Po të të mbytë shkurajimi, marrëdhënia jote me Jehovain mund të dobësohet përsëri. (Prov. 24:10) Përpiqu të mos e lejosh këtë.

Disa të tjerë stepen nga gjithë ajo punë që duhet për ta rindërtuar marrëdhënien me Jehovain. Pasi u rivendos në kongregacion, Antuani tha: «Më dukej sikur kisha harruar shumë nga gjërat që kisha mësuar dhe që bëja si Dëshmitar.» Ngaqë ndihen kështu, disa mund të ngurrojnë të zhyten plotësisht në aktivitetet teokratike.

Ta ilustrojmë: dikujt i është dëmtuar rëndë shtëpia nga një uragan, e mund të ndihet i dërrmuar kur mendon për gjithë kohën dhe përpjekjet që duhen për ta rindërtuar. Po njësoj, nëse miqësia jote me Jehovain është dëmtuar nga një mëkat serioz, ndoshta mendon për punën kolosale që do të duhet për ta rindërtuar. Por nuk je pa ndihmë.

Jehovai na fton: «Ejani tani dhe le t’i ndreqim gjërat mes nesh.» (Isa. 1:18) Tashmë ke punuar fort që ‘t’i ndreqësh gjërat’. Jehovai të do për këto përpjekje që ke bërë. Mendo pak: shembullin tënd Jehovai mund ta përdorë për t’u kthyer një përgjigje të fuqishme akuzave të Satanait!—Prov. 27:11.

Duke u kthyer te Jehovai, je afruar më shumë me të, dhe ai premton se do të afrohet me ty. (Jak. 4:8) Edhe pse është gjë e bukur që të tjerët shohin se je kthyer në kongregacion, ke nevojë të bësh diçka më tepër. Duhet të vazhdosh të thellosh dashurinë për Atin dhe Mikun tënd, Jehovain. Si mund ta bësh këtë?

VËR SYNIME TË ARSYESHME NDËRSA RINDËRTON

Përpiqu të vësh synime të arsyeshme. Ka shumë gjasa që themeli i marrëdhënies sate me Jehovain—njohuria për të dhe për premtimet e tij—të jetë i paprekur. Por ke nevojë të rindërtosh strukturën teokratike të jetës sate, e cila përfshin të predikosh lajmin e mirë, të shkosh në mbledhje dhe të kalosh kohë me vëllezërit e motrat. Mendo për synimet e mëposhtme.

Fol shpesh me Jehovain. Ati yt e kupton se ndjenjat e fajit që të mundojnë pareshtur, mund të ta bëjnë të vështirë t’i lutesh. (Rom. 8:26) Gjithsesi ‘ngulmo në lutje’ dhe tregoji Jehovait sa shumë e do miqësinë e tij. (Rom. 12:12) Andreji kujton: «Më mbytnin ndjenjat e fajit dhe të turpit. Por, pas çdo lutjeje, ndihesha i lehtësuar dhe kisha më shumë paqe mendore.» Nëse nuk di për çfarë të lutesh, bluaj në mend lutjet e mbretit David pasi u pendua, që gjenden te Psalmet 51 dhe 65.

Studio Biblën rregullisht. Kjo do të të ushqejë besimin dhe do të thellojë dashurinë tënde për Jehovain. (Psal. 19:7-11) «Pikërisht ngaqë nuk kisha një program për leximin dhe studimin e Biblës, m’u dobësua besimi dhe e lëndova Jehovain,—thotë Felipe.—Nuk doja të përsëritja të njëjtin gabim, ndaj vendosa që studimi personal të bëhej fortesa ime.» Edhe ti mund të veprosh njësoj. Nëse ke nevojë për drejtim që të zgjedhësh tema të përshtatshme për studimin personal, pse të mos i kërkosh ndihmë një miku të pjekur?

Rindërto miqësinë me vëllezërit dhe motrat. Disa që kthehen në kongregacion, kanë merak se mos të tjerët do t’i shohin shtrembër. Larisa pranoi: «Më vinte shumë turp. Mendoja se vëllezërit e motrat do të ishin të lënduar dhe të zhgënjyer nga unë. Këto ndjenja nuk m’u shqitën për një kohë të gjatë.» Ji i bindur se pleqtë dhe bashkëbesimtarët e pjekur kanë shumë dëshirë të të ndihmojnë ta rindërtosh miqësinë me Jehovain. (Shih kutinë « Çfarë mund të bëjnë pleqtë?») Atyre u bëhet zemra mal që je kthyer në kongregacion dhe duan të jesh i lumtur!—Prov. 17:17.

Çfarë mund të të ndihmojë të lidhesh më fort me kongregacionin? Zhytu plotësisht në aktivitetet teokratike—ndiq mbledhjet me vëllezërit e motrat dhe dil rregullisht në shërbim me ta. Si do të të ndihmojë kjo? Feliksi tha: «Vëllezërit e motrat mezi kishin pritur të kthehesha në kongregacion. Ndihesha i vlerësuar. Të gjithë më ndihmuan të ndihesha sërish pjesë e një familjeje, të isha i sigurt se Jehovai më kishte falur dhe të ecja përpara.»—Shih kutinë « Çfarë mund të bësh?»

MOS U DORËZO!

Satanai do të vazhdojë të të godasë me «uraganë» të tjerë, me qëllim që të të dobësojë ndërsa rindërton miqësinë me Jehovain. (Luka 4:13) Përgatitu duke e forcuar tani «shtëpinë» tënde, miqësinë me Perëndinë.

Jehovai premton për delet e tij: «Do ta kërkoj të humburën, do ta kthej atë që është endur larg kopesë, do ta fashoj të vrarën e do t’i jap forcë të dobëtës.» (Ezek. 34:16) Jehovai ka ndihmuar sa e sa të tjerë ta rimëkëmbin marrëdhënien me të. Ji i bindur se Ai dëshiron të të ndihmojë që të ndërtosh një miqësi gjithnjë e më të fortë me të.

^ par. 4 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.