1922—Njëqind vjet më parë
‘FALË Perëndisë ne triumfojmë . . . nëpërmjet . . . Jezu Krishtit!’ (1 Kor. 15:57) Këto fjalë të zgjedhura si shkrimi i vitit 1922 i siguruan Studentët e Biblës se besnikëria e tyre do të shpërblehej. E gjatë atij viti, Jehovai i shpërbleu dorëhapur ata predikues të zellshëm. Ai i bekoi ndërsa filluan ta bënin vetë shtypjen dhe libralidhjen e librave e të përdornin radion që të përhapnin të vërtetat për Mbretërinë. Më vonë gjatë vitit, u duk prapë qartë se Jehovai po e bekonte popullin e tij kur Studentët e Biblës u mblodhën në një kongres historik në Sidër-Point, Ohajo, SHBA. Ai kongres ka ndikuar deri sot e kësaj dite te vepra e organizatës së Jehovait.
«NJË IDE ELEKTRIZUESE»
Ndërsa vepra e predikimit përparonte, nevojitej më shumë literaturë. Vëllezërit në Bethelin e Bruklinit i shtypnin vetë revistat, por librat me kapak të fortë shtypeshin akoma nga firmat tregtare. Pasi ato nuk ia dolën për disa muaj resht të shtypnin aq libra sa duheshin për veprën e predikimit, vëlla Radhërfordi pyeti Robert Martinin, drejtuesin e fabrikës, nëse ekzistonte mundësia t’i shtypnin vetë librat.
Vëlla Martini kujtonte: «Ajo ishte një ide elektrizuese, sepse nënkuptonte të ngrihej një impiant që të bënte gjithë punën e faqosjes, galvanizimit, shtypjes dhe libralidhjes.» Vëllezërit morën me qira një ndërtesë në Concord Street nr. 18 në Bruklin dhe blenë pajisjet e nevojshme.
Mirëpo, jo të gjithëve u pëlqeu kthesa që bëmë. Kur vizitoi fabrikën e re, presidenti i kompanisë që kishte shtypur pjesën më të madhe të librave tanë, tha: «Keni në dorë një stabiliment shtypi të klasit të parë, por askush nuk di gjë prej gjëje se si ta vërë në punë. Brenda gjashtë muajve e gjithë kjo do të katandiset në një grumbull rrangullinash.»
«Tingëllonte mjaft logjike,—tha vëlla Martini,—por ishte lënë pa përmendur Zotëria, dhe ai ka qenë gjithmonë me ne.» E kishte të drejtë. S’kaloi shumë dhe makineritë e reja të libralidhjes po shtypnin 2.000 libra në ditë.
U JEPET DËSHMI MIJËRA VETAVE NËPËRMJET RADIOS
Përveçse shtypnin vetë një pjesë të librave të tyre, shërbëtorët e Jehovait filluan të përdornin një metodë të re për të përhapur lajmin e mirë—programet radiofonike. Një të diel pasdite, më 26 shkurt 1922, vëlla Radhërfordi foli për herë të parë në radio. Në stacionin radiofonik KOG të Los-Anxhelosit
në Kaliforni, ai mbajti fjalimin me temë «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë».Atë fjalim e dëgjuan rreth 25.000 veta. Disa prej tyre dërguan letra mirënjohjeje. Një nga letrat e dërgonte Uillard Ashfordi, që jetonte në Santa-Ana, Kaliforni. Ai e falënderonte vëlla Radhërfordin për fjalimin ‘interesant që e ndoqën plot ëndje’. Pastaj shtonte: «Ishim tre të sëmurë në shtëpi, prandaj, po të mos përdorej kjo mënyrë, asnjëri nga ne nuk do të kishte pasur mundësi të të dëgjonte, edhe sikur të kishe qenë vetëm ca pallate më tutje.»
Në javët vijuese u transmetuan fjalime të tjera. Në fund të vitit, Kulla e Rojës thoshte se ‘të paktën 300.000 veta e kishin e dëgjuar mesazhin nëpërmjet radios’.
Të inkurajuar nga mënyra si u prit ajo metodë, Studentët e Biblës vendosën të ngritnin një stacion radiofonik në një pronë në Stejtën-Ajlënd, jo larg nga Betheli i Bruklinit. Gjatë viteve të ardhshme, Studentët e Biblës e përdorën atë stacion, WBBR, që ta përhapnin mesazhin për Mbretërinë anë e kënd.
«ADV»
Kulla e Rojës e 15 qershorit 1922 njoftoi se do të mbahej një kongres në Sidër-Point, Ohajo, në datat 5-13 shtator 1922. Mes Studentëve të Biblës që mbërrinin në Sidër-Point ndihej një valë entuziazmi.
Në fjalimin hapës, vëlla Radhërfordi u tha dëgjuesve: «E them pa asnjë grimë dyshimi se Perëndia . . . do ta bekojë këtë kongres dhe do ta përdorë që të jepet dëshmi si kurrë ndonjëherë në tokë.» Gjatë kongresit, oratorët vazhduan t’i inkurajonin vëllezërit e motrat të merrnin pjesë në veprën e predikimit.
Kur erdhi e premtja, 8 shtator 1922, salla u mbush me 8.000 veta që pritnin tërë kërshëri një fjalim nga vëlla Radhërfordi, ku shpresonin t’u shpjegonte kuptimin e shkronjave «ADV» në ftesat e tyre. Ndërsa zinin vend, disave pa dyshim u tërhoqi vëmendjen një rrotull e madhe pëlhure sipër podiumit.
Artur Klausi, që kishte ardhur nga Tulsa e Oklahomës, SHBA, gjeti një vend ku mund të dëgjonte mirë. Kjo ishte gjë e madhe në ato kohë kur s’para kishte mikrofona dhe altoparlantë.«Po përpinim me etje çdo fjalë»
Për t’u siguruar që të mos kishte shpërqendrime, drejtuesi njoftoi se gjatë fjalimit të vëlla Radhërfordit nuk do të lejohej të hynte në sallë asnjë nga ata që vinin me vonesë. Në 9.30 të mëngjesit, vëlla Radhërfordi e hapi fjalimin duke cituar fjalët e Jezuit te Mateu 4:17: «Mbretëria e qiejve është afruar.» Ndërsa po shpjegonte si do të dëgjonin njerëzit për këtë Mbretëri, ai tha: «Vetë Jezui deklaroi se, në kohën e pranisë së tij, do të drejtonte një vepër korrjeje gjatë së cilës do të mblidhte [dishepujt] e vërtetë dhe besnikë.»
Vëlla Klausi, që ishte ulur në sallën kryesore, kujtonte: «Po përpinim me etje çdo fjalë.» Mirëpo befas, Arturi nuk po ndihej mirë dhe i duhej të largohej. Doli me ngurrim nga salla, ngaqë e dinte se nuk mund të futej prapë.
Pas pak minutash, filloi të ndihej më mirë. Ai tha se kur po kthehej, dëgjoi një duartrokitje të fuqishme. Kjo i futi xixat dhe vendosi se do ta dëgjonte pjesën tjetër të atij fjalimi të mrekullueshëm edhe sikur t’i duhej të kacavarej deri në çati. Vëlla Klausi, që në atë kohë ishte një i ri 23-vjeçar, zbuloi një vend prej nga mund të ngjitej në çati. Atje në papafingo, dritaret ishin të hapura dhe ai tha se «dëgjohej për bukuri».
Por Arturi nuk ishte vetëm. Në çati ishin edhe disa vëllezër të tjerë. Një prej tyre, Frenk Xhonsoni, vrapoi tek ai dhe e pyeti: «Mos ke ndonjë biçak të mprehtë?»
«Po, kam»,—i tha Arturi.
«Ti qenke përgjigjja e lutjeve tona,—ia ktheu Frenku.—E sheh këtë rrotull gjigante? Është një banderolë e fiksuar me gozhda. * Kur ai të thotë ‘prandaj lajmëroni, lajmëroni’, priti këta katër litarë.»
Dëgjoje me vëmendje Gjykatësin.Kështu, me biçak në dorë, Arturi priti bashkë me vëllezërit e tjerë të dëgjonte fjalët që do të shërbenin si sinjal. S’kaloi shumë dhe erdhi pika kulmore e fjalimit të vëlla Radhërfordit. Ai vlonte nga entuziazmi dhe zelli, prandaj duhet t’i ketë thënë me një zë gjëmues këto fjalë: «Jini dëshmitarë të besueshëm dhe të vërtetë për Zotërinë. Shkoni përpara në betejë derisa të shkretohet çdo gjurmë e Babilonisë. Përhapeni mesazhin gjithkund. Bota duhet ta dijë se Jehovai është Perëndia dhe se Jezu Krishti është Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve. Kjo është dita e të gjitha ditëve. Vështroni, Mbreti po mbretëron! Ju jeni lajmëtarët e tij. Prandaj lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni për Mbretin dhe Mbretërinë e tij.»
Arturi tregonte se, kur ai dhe vëllezërit e tjerë prenë litarët, banderola u shpalos me elegancë. Në harmoni me shkronjat «ADV» (tri germat e para të fjalës anglisht që përkthehet «lajmëroni»), në banderolë shkruhej: «Lajmëroni për Mbretin dhe Mbretërinë.»
NJË VEPËR E RËNDËSISHME
Kongresi në Sidër-Point i ndihmoi vëllezërit të përqendroheshin te vepra e rëndësishme e predikimit për Mbretërinë, dhe ata që kishin frymën e gatishmërisë morën pjesë me gëzim në atë vepër. Një përhapës (ose siç i themi tani, pionier) nga Oklahoma, SHBA, shkroi: «Predikuam në një zonë ku shumë veta punonin në miniera qymyrguri dhe ishin të zhytur në skamje.» Ai tha se shpesh njerëzit ‘nuk i mbanin dot lotët’ kur dëgjonin mesazhin që përmbante revista Epoka e artë. Në fund e mbyllte me këto fjalë: «Ndihemi shumë të lumtur që mund t’u ngushëllojmë zemrat!»
Studentët e Biblës e kuptuan ndjenjën e urgjencës që përcjellin fjalët e Jezuit te Luka 10:2: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak.» Ndërsa viti 1922 përfundonte, ata ishin më të vendosur se kurrë ta përhapnin mesazhin për Mbretërinë në çdo cep të globit.
^ Vëlla Radhërfordin ndonjëherë e thërritnin «Gjykatësi», sepse kishte qenë njëfarë kohe gjykatës në Misuri, SHBA.