Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse sot nuk luftojmë si izraelitët në lashtësi?

Pse sot nuk luftojmë si izraelitët në lashtësi?

«NËSE ndonjëri nga ju refuzon të luftojë kundër Francës ose Anglisë, keni për të vdekur të gjithë»,—iu hakërrua një oficer nazist një grupi Dëshmitarësh të Jehovait gjatë Luftës II Botërore. Edhe pse aty pranë po pritnin shumë ushtarë SS të armatosur mirë, as edhe një nga vëllezërit tanë nuk u dorëzua. Çfarë qëndrimi i guximshëm! Ky shembull ilustron më së miri qëndrimin e të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait: ne refuzojmë të marrim pjesë në luftërat e kësaj bote. Edhe kur na kërcënojnë me vdekje, nuk pranojmë të mbajmë anë në konfliktet e botës.

Mirëpo jo të gjithë ata që pohojnë se janë të krishterë kanë këtë pikëpamje. Shumë prej tyre mendojnë se një i krishterë mund dhe duhet ta mbrojë vendin e vet. Ata mund të arsyetojnë: «Izraelitët e lashtë ishin populli i Perëndisë dhe luftonin, prandaj pse të mos luftojnë edhe të krishterët sot?» Si do të përgjigjeshe? Mund të shpjegosh se mes situatës së Izraelit të lashtë dhe asaj të shërbëtorëve të Perëndisë sot, ka ndryshime domethënëse. Të shqyrtojmë pesë prej tyre.

1. GJITHË SHËRBËTORËT E PERËNDISË ISHIN PJESË E NJË KOMBI TË VETËM

Në të kaluarën, Jehovai zgjodhi një komb që të ishte populli i tij—kombin e Izraelit. Ai i quajti izraelitët ‘prona e tij e veçantë nga të gjithë popujt’. (Eks. 19:5) Perëndia u caktoi një territor ku të jetonin. Pra, kur i urdhëronte izraelitët të luftonin kundër kombeve të tjera, ata nuk luftonin ose nuk vritnin bashkadhuruesit e tyre. *

Sot adhuruesit e vërtetë vijnë nga «të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Zbul. 7:9) Sikur të merrnin pjesë në luftëra, ata mund të luftonin kundër bashkadhuruesve të tyre, e madje mund t’i vritnin.

2. IZRAELITËT E MERRNIN NGA JEHOVAI URDHRIN PËR TË LUFTUAR

Në të kaluarën, Jehovai vendoste kur dhe pse do të luftonin izraelitët. Për shembull, Perëndia i urdhëroi të ekzekutonin gjykimin e tij kundër kananitëve, që kishin nam të keq për adhurimin e demonëve, për imoralitet seksual të pështirë dhe për flijimin e fëmijëve. Jehovai i udhëzoi izraelitët ta pastronin nga ai ndikim i lig vendin që u kishte premtuar. (Lev. 18:24, 25) Pasi izraelitët u vendosën në Tokën e Premtuar, Perëndia i autorizonte hera-herës të luftonin për ta mbrojtur Izraelin nga pushtuesit armiq. (2 Sam. 5:17-25) Megjithatë, Jehovai nuk lejoi kurrë që izraelitët të vendosnin të luftonin me kokën e tyre. E në ato raste që e bënin këtë, pasojat zakonisht ishin katastrofike.—Num. 14:41-45; 2 Kron. 35:20-24.

Sot Jehovai nuk i autorizon njerëzit të luftojnë. Kombet luftojnë për të realizuar qëllimet e tyre, jo ato të Perëndisë. Ata mund të luftojnë për përfitime territoriale a ekonomike ose për synime politike a ideologjike. Po ç’të themi për ata që pohojnë se luftojnë në emër të Perëndisë për të mbrojtur bindjet e tyre fetare ose për të vrarë armiqtë e Perëndisë? Jehovai do t’i mbrojë adhuruesit e tij të vërtetë dhe do t’i asgjësojë armiqtë e vet në një luftë që do të ndodhë në të ardhmen—në betejën e Armagedonit. (Zbul. 16:14, 16) Në atë luftë, ushtria e Perëndisë do të përbëhet vetëm nga krijesa qiellore, jo nga adhuruesit e tij në tokë.—Zbul. 19:11-15.

3. IZRAELITËT UA KURSENIN JETËN ATYRE QË TREGONIN BESIM

Në luftërat e sotme, a u kursehet jeta atyre që besojnë te Perëndia, ashtu siç iu kursye jeta Rahabës e familjes së saj në luftën e Jehovait kundër Jerikosë?

Në të kaluarën, ushtria izraelite shpesh i trajtonte me mëshirë ata që tregonin besim te Perëndia dhe vriste vetëm ata që Jehovai gjykonte se e kishin hak ekzekutimin. Të shohim dy shembuj. Ndonëse Jehovai urdhëroi që Jerikoja të shkatërrohej, izraelitët ia kursyen jetën Rahabës dhe familjes së saj ngaqë ajo tregoi besim. (Jos. 2:9-16; 6:16, 17) Kohë më vonë, gjithë banorëve të qytetit të Gibeonit iu kursye jeta sepse treguan nderim të thellë për Perëndinë.—Jos. 9:3-9, 17-19.

Sot kombet që luftojnë me njëri-tjetrin nuk ua kursejnë jetën atyre që tregojnë besim te Perëndia. E madje në këto luftëra vriten ndonjëherë edhe civilë të pafajshëm.

4. IZRAELITËT DUHEJ TË NDIQNIN RREGULLAT E PERËNDISË NË LUFTË

Në të kaluarën, Jehovai kërkonte që ushtarët izraelitë të luftonin sipas udhëzimeve të tij. Për shembull, në disa raste ai u kërkoi t’i ofronin një qyteti armik «kushtet për paqe». (Ligj. 20:10) Gjithashtu, Jehovai priste që ushtarët izraelitë ta mbanin veten dhe kampin të pastër e të ndiqnin normat e tij morale. (Ligj. 23:9-14) Ndërkohë që ushtritë e kombeve përreth shpesh i përdhunonin gratë nga territoret e pushtuara, Jehovai nuk i lejonte izraelitët të vepronin ashtu. Madje ata mund të martoheshin me një vajzë robinjë vetëm pasi të kalonte një muaj nga pushtimi i qytetit.—Ligj. 21:10-13.

Sot shumica e vendeve kanë nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare që luftërat të bëhen sipas disa rregullave. Ndonëse synimi ka qenë të mbroheshin civilët, mjerisht këto rregulla shpesh janë shkelur.

5. PERËNDIA LUFTONTE PËR KOMBIN E VET

A lufton Perëndia për ndonjë komb sot ashtu siç luftoi për Izraelin në Jeriko?

Në të kaluarën, Jehovai luftonte për izraelitët dhe shpesh bënte mrekulli që ta fitonin luftën. Për shembull, si e ndihmoi Jehovai Izraelin që ta mposhtte qytetin e Jerikosë? Kur izraelitët ‘lëshuan një britmë të madhe lufte, muri u rrafshua’, tamam siç kishte thënë Jehovai, e kjo ua bëri më të lehtë ta pushtonin qytetin. (Jos. 6:20) Veç kësaj, si e fituan izraelitët një betejë kundër amoritëve? «Jehovai hodhi mbi ta nga qielli një breshër kokërrmadh . . . Në fakt, ata që vdiqën nga breshri ishin më të shumtë sesa ata që ranë të vdekur nga shpata e izraelitëve.»—Jos. 10:6-11.

Sot Jehovai nuk lufton për asnjë komb në tokë. Mbretëria e tij, me Mbret Jezuin, «nuk është pjesë e kësaj bote». (Gjoni 18:36) Ai që ka autoritet mbi të gjitha qeveritë njerëzore është Satanai. Luftërat e llahtarshme të botës, pasqyrojnë personalitetin e tij të lig.—Luka 4:5, 6; 1 Gjoni 5:19.

TË KRISHTERËT E VËRTETË JANË PAQEBËRËS

Siç e kemi parë, ka ndryshime rrënjësore mes situatës sonë dhe asaj të Izraelit të lashtë. Megjithatë, ndryshimet që pamë nuk janë të vetmet arsye pse nuk luftojmë. Ka edhe arsye të tjera. Për shembull, Perëndia paratha se në ditët e fundit, njerëzit që do të ishin të gatshëm të mësoheshin prej tij, ‘as do të mësonin më të luftonin’, e jo më të merrnin pjesë në luftëra. (Isa. 2:2-4) Veç kësaj, Krishti tha se dishepujt e tij ‘nuk do të ishin pjesë e botës’; ata nuk do të mbanin anë në konfliktet e botës.—Gjoni 15:19.

Krishti madje i nxiti dishepujt e vet të shkonin një hap më tej. Ai i udhëzoi të shmangnin qëndrime që çojnë në mllef, zemërim dhe luftëra. (Mat. 5:21, 22) Gjithashtu i udhëzoi të ishin ‘paqebërës’ dhe t’i donin armiqtë e tyre.—Mat. 5:9, 44.

Si mund t’i zbatojmë personalisht mësimet e Jezuit? Vërtet, mund të mos kemi aspak dëshirë të marrim pjesë në luftë, por a kemi ne zemër ndopak armiqësi që mund të shkaktojë konflikte ose përçarje në kongregacion? Le të vazhdojmë të përpiqemi fort t’i çrrënjosim nga zemra ndjenja të tilla.—Jak. 4:1, 11.

Ne nuk marrim pjesë në luftërat e kombeve, përkundrazi, bëjmë çmos të kemi paqe dhe dashuri mes nesh. (Gjoni 13:34, 35) Qofshim të vendosur të qëndrojmë asnjanës ndërsa presim me padurim ditën kur Jehovai do t’u japë fund luftërave një herë e përgjithmonë!—Psal. 46:9.

^ Në disa raste, fiset e Izraelit luftonin kundër njëri-tjetrit, edhe pse këto luftëra brenda kombit i shkaktonin pakënaqësi Jehovait. (1 Mbret. 12:24) Megjithatë, ndonjëherë ai i miratonte ato beteja, ose ngaqë disa fise ishin kthyer kundër Tij, ose ngaqë kishin kryer mëkate të rënda.—Gjyk. 20:3-35; 2 Kron. 13:3-18; 25:14-22; 28:1-8.