Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 45

Çmoje privilegjin për ta adhuruar Jehovain në tempullin e madh

Çmoje privilegjin për ta adhuruar Jehovain në tempullin e madh

‘Adhuroni Atë që bëri qiellin dhe tokën.’—ZBUL. 14:7.

KËNGA 93 Atë, bekoje mbledhjen tonë!

PËRMBLEDHJE a

1. Çfarë po thotë një engjëll sot, dhe si ndihemi kur mendojmë për fjalët e tij?

 PO TË të fliste një engjëll, a do t’ua vije veshin fjalëve të tij? Në fakt, një engjëll po i flet sot «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». Dëgjoje çfarë thotë: «Kini nderim të thellë për Perëndinë dhe jepini lavdi . . . Adhuroni Atë që bëri qiellin [dhe] tokën.» (Zbul. 14:6, 7) Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë që duhet ta adhurojë çdo njeri. Sa mirënjohës duhet t’i jemi që na ka dhënë mundësinë e çmuar për ta adhuruar në tempullin e tij të madh!

2. Çfarë është tempulli i madh i Jehovait? (Shihni edhe kutinë « Çfarë nuk është».)

2 Po çfarë është tempulli i madh i Jehovait, dhe ku mund të gjejmë një shpjegim të hollësishëm për të? Nuk është një ndërtesë e mirëfilltë. Ky tempull paraqet masat e Jehovait për ta adhuruar në mënyrën që miraton ai, në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. Pavli dha një shpjegim të hollësishëm për këtë tempull në letrën që u shkroi në shekullin e parë të krishterëve hebrenj në Jude. b

3-4. Cilat shqetësime kishte Pavli për të krishterët hebrenj në Jude, dhe si i ndihmoi?

3 Pse ua shkroi Pavli atë letër të krishterëve hebrenj në Jude? Me sa duket, për dy arsye kryesore. Së pari, për t’u dhënë zemër. Shumica e tyre ishin rritur në fenë judaike. Ish-krerët fetarë ndoshta i tallnin ngaqë ishin bërë të krishterë. Pse? Sepse të krishterët nuk kishin ndonjë tempull madhështor ku të adhuronin Perëndinë, nuk kishin altar ku të bënin flijime dhe nuk kishin priftërinj që t’u shërbenin. Kjo mund t’i shkurajonte dishepujt e Krishtit dhe mund t’ua dobësonte besimin. (Hebr. 2:1; 3:12, 14) Disa madje mund t’i tundonte ideja që të ktheheshin në fenë judaike.

4 Së dyti, Pavli u tërhoqi vëmendjen të krishterëve hebrenj se nuk po përpiqeshin të përvetësonin gjëra të reja ose të vërteta të thella—«ushqim të fortë» nga Fjala e Perëndisë. (Hebr. 5:11-14) Siç duket, disa prej tyre akoma nuk po shkëputeshin dot nga Ligji i Moisiut. Por Pavli u shpjegoi se flijimet që kërkonte Ligji nuk mund t’i pastronin plotësisht nga mëkati. Ja pse Ligji ‘ishte shfuqizuar’. Prandaj, Pavli u mësoi më tej disa të vërteta më të thella. Ai u kujtoi vëllezërve e motrave ‘shpresën më të mirë’ që bazohet te flijimi i Jezuit dhe që mund t’i ndihmonte ‘t’i afroheshin Perëndisë’.—Hebr. 7:18, 19.    

5. Çfarë kemi nevojë të kuptojmë nga libri i Hebrenjve, dhe pse?

5 Pavli u shpjegoi vëllezërve hebrenj pse mënyra si e adhuronin tani Perëndinë si të krishterë qëndronte shumë më lart se mënyra si e adhuronin në të kaluarën. Aspektet e ndryshme të fesë judaike ishin vetëm ‘një hije e gjërave që do të vinin, kurse realiteti i përket Krishtit’. (Kolos. 2:17) Hija që bën një objekt është thjesht silueta e tij, jo vetë objekti. Po kështu edhe mënyra si adhuronin judenjtë në lashtësi ishte vetëm një hije e realitetit, e modelit më të mirë të adhurimit në të ardhmen. Ne kemi nevojë të kuptojmë masat që ka marrë Jehovai për të na u falur mëkatet që ta adhurojmë siç dëshiron ai. Le ta krahasojmë ‘hijen’ (modelin e adhurimit të judenjve në lashtësi) me ‘realitetin’ (mënyrën si e adhurojmë Perëndinë sot), sipas shpjegimeve që gjenden te libri i Hebrenjve. Kështu do ta kuptojmë më mirë çfarë është tempulli i madh i Jehovait dhe çfarë nënkupton për ne.

TABERNAKULLI

6. Për çfarë përdorej tabernakulli?

6 Modeli i lashtë. Pavli e bazoi diskutimin e tij te tabernakulli i ngritur nga Moisiu në vitin 1512 p.e.s. (Shih tabelën «Modeli i lashtë—Realiteti i sotëm».) Tabernakulli ishte një strukturë si tendë, të cilën izraelitët në fillim e merrnin me vete kur shpërnguleshin nga një vend në tjetrin. Ata e përdorën tabernakullin për gati 500 vjet derisa u ndërtua një tempull në Jerusalem. (Eks. 25:8, 9; Num. 9:22) Ajo ‘tendë takimi’ ishte qendra ku izraelitët adhuronin Perëndinë dhe paraqitnin flijime. (Eks. 29:43-46) Por veç kësaj, tabernakulli paraqiste diçka shumë më të rëndësishme që do të vinte në të ardhmen.

7. Kur u bë realitet tempulli i madh i Jehovait?

7 Realiteti i sotëm. Tabernakulli i lashtë ishte «hije e gjërave qiellore» dhe paraqiste tempullin e madh të Jehovait. Pavli tha: «Kjo tendë [ose tabernakull] është një ilustrim për gjërat që po ndodhin tani.» (Hebr. 8:5; 9:9) Pra në kohën kur u shkroi hebrenjve, tempulli i madh i Jehovait ishte bërë realitet. Ai kishte ardhur në ekzistencë në vitin 29 të e.s. Në atë vit, Jezui u pagëzua, u miros me frymë të shenjtë dhe filloi të shërbente si ‘kryeprift i madh’ i Jehovait në atë tempull. cHebr. 4:14; Vep. 10:37, 38.

KRYEPRIFTI

8-9. Sipas Hebrenjve 7:23-27, çfarë kontrasti i thellë ekziston mes kryepriftërinjve të Izraelit dhe Kryepriftit të madh, Jezu Krishtit?

8 Modeli i lashtë. Kryeprifti ishte i autorizuar të përfaqësonte popullin para Perëndisë. Kryepriftin e parë të Izraelit, Aronin, e emëroi Jehovai kur u kushtua tabernakulli. Mirëpo, siç shpjegoi Pavli, «shumë priftërinj pasonin njëri-tjetrin, sepse vdekja i pengonte të shërbenin përgjithmonë». d (Lexo Hebrenjve 7:23-27.) Dhe si njerëz të papërsosur, ata kryepriftërinj duhej të paraqisnin flijime për mëkatet e veta. Ky është një kontrast i thellë mes kryepriftërinjve të Izraelit dhe Kryepriftit të madh, Jezu Krishtit.    

9 Realiteti i sotëm. Si Kryeprifti ynë, Jezu Krishti është «shërbëtor . . . i tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Jehovai e jo njeriu». (Hebr. 8:1, 2) Pavli shpjegoi se si Kryeprift, Jezui «nuk ka asnjë pasues, meqenëse jeton përgjithmonë». Pavli shtoi se Jezui është «i panjollë, i ndarë nga mëkatarët» dhe se ndryshe nga kryepriftërinjtë e Izraelit, «nuk ka nevojë të paraqitë flijime përditë» për mëkatet e veta. Tani të shohim ku ndryshonin altarët dhe flijimet në modelin e lashtë të adhurimit nga ato të realitetit, ose modelit, të sotëm.

ALTARËT DHE FLIJIMET

10. Çfarë tregonin flijimet në altarin prej bakri?

10 Modeli i lashtë. Jashtë hyrjes së tabernakullit ishte një altar bakri ku paraqiteshin kafshë si flijim për Jehovain. (Eks. 27:1, 2; 40:29) Por nëpërmjet atyre flijimeve nuk mund të faleshin plotësisht mëkatet. (Hebr. 10:1-4) Flijimet e vazhdueshme në tabernakull tregonin se nevojitej një flijim i vetëm që do ta pastronte plotësisht njerëzimin nga mëkati.

11. Në çfarë altari e flijoi jetën Jezui? (Hebrenjve 10:5-7, 10)

11 Realiteti i sotëm. Jezui e dinte se Jehovai e kishte dërguar në tokë që të jepte jetën si shpërblesë për njerëzimin. (Mat. 20:28) Kështu, kur u pagëzua, Jezui u paraqit për të bërë atë që donte Jehovai. (Gjoni 6:38; Gal. 1:4) Ai u ofrua në një altar të figurshëm, i cili paraqiste «vullnetin» e Jehovait për të. Dhe vullneti i Jehovait ishte që Biri i tij të flijonte jetën e përsosur njerëzore. Jezui e dha jetën «një herë e mirë» që të shlyheshin, ose të fshiheshin përgjithmonë, mëkatet e kujtdo që tregon besim tek ai. (Lexo Hebrenjve 10:5-7, 10.) Le të shohim tani ç’domethënie kishin disa pjesë brenda tabernakullit.

E SHENJTA DHE MË E SHENJTA

12. Cilët lejoheshin të hynin në secilën nga ndarjet e tabernakullit?

12 Modeli i lashtë. Tabernakulli dhe tempujt që u ndërtuan më vonë në Jerusalem kishin thuajse të njëjtën planimetri. Brenda kishin dy ndarje—«e Shenjta» dhe «Më e Shenjta»—të cilat i ndante nga njëra-tjetra një perde e qëndisur. (Hebr. 9:2-5; Eks. 26:31-33) Brenda të Shenjtës ishte një shandan i artë, një altar për të djegur temjan dhe tryeza e bukëve të paraqitjes. Vetëm «priftërinjve të mirosur» u lejohej të hynin tek e Shenjta për të kryer detyrat e tyre të shenjta. (Num. 3:3, 7, 10) Në Më të Shenjtën ishte arka e artë e besëlidhjes që paraqiste praninë e Jehovait. (Eks. 25:21, 22) Vetëm kryepriftit i lejohej të kalonte matanë perdes për të hyrë në Më të Shenjtën çdo vit në Ditën e Shlyerjes. (Lev. 16:2, 17) Vit për vit, ai hynte në të me gjakun e kafshëve për të shlyer mëkatet e veta dhe ato të të gjithë popullit. Me kohë, nëpërmjet frymës së shenjtë, Jehovai hodhi dritë mbi domethënien e këtyre veçorive të tabernakullit.—Hebr. 9:6-8. e

13. Çfarë paraqesin e Shenjta dhe Më e Shenjta e tabernakullit?

13 Realiteti i sotëm. Një numër i kufizuar dishepujsh të Krishtit, 144.000 veta, janë mirosur me frymë të shenjtë. Ata gëzojnë një marrëdhënie të veçantë me Jehovain dhe do të shërbejnë si priftërinj në qiell me Jezuin. (Zbul. 1:6; 14:1) E Shenjta e tabernakullit paraqet gjendjen e tyre si të birësuar nga fryma si fëmijë të Perëndisë ndërsa janë ende në tokë. (Rom. 8:15-17) Më e Shenjta e tabernakullit paraqet qiellin, vendin ku banon Jehovai. «Perdja» që ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta paraqet trupin njerëzor të Jezuit, i cili e pengonte të hynte në qiell si Kryeprift i madh i tempullit të Jehovait. Duke e dhënë trupin e tij si flijim për njerëzimin, Jezui u hapi udhën për të jetuar në qiell të gjithë të krishterëve të mirosur. Edhe ata duhet të lënë trupin njerëzor për të marrë shpërblimin që i pret në qiell. (Hebr. 10:19, 20; 1 Kor. 15:50) Pasi u ringjall, Jezui hyri te Më e Shenjta e tempullit të madh të Jehovait, ku me kohë të gjithë të mirosurit bashkohen me të.

14. Sipas Hebrenjve 9:12, 24-26, ku qëndron epërsia e tempullit të madh të Jehovait?

14 Këtu shohim qartë epërsinë që kanë masat e Jehovait për adhurimin e pastër, të cilat bazohen te flijimi shpërblyes dhe roli i Jezu Krishtit si Kryeprift. Në Izrael, kryeprifti hynte me gjakun e kafshëve të flijuara në Më të Shenjtën e bërë nga duart e njeriut. Kurse Jezui hyri «në vetë qiellin», në vendin më të shenjtë që ekziston, për të dalë para Jehovait. Atje paraqiti vlerën e jetës së tij të përsosur njerëzore, «që të heqë mëkatin» tonë nëpërmjet flijimit të tij. (Lexo Hebrenjve 9:12, 24-26.) Flijimi i Jezuit është flijimi suprem që na pastron krejtësisht nga mëkati. Siç do të shohim më tej, të gjithë kemi mundësinë ta adhurojmë Jehovain në tempullin e tij të madh, pavarësisht nëse kemi shpresë qiellore apo tokësore.

OBORRET

15. Cilët shërbenin në oborrin e tabernakullit?

15 Modeli i lashtë. Tabernakulli kishte vetëm një oborr—një hapësirë të gjerë të rrethuar ku priftërinjtë kryenin detyrat e tyre. Atje ishte altari i madh prej bakri ku paraqiteshin blatimet e djegura, si edhe një legen bakri me ujë, që priftërinjtë të pastroheshin para se të kryenin shërbimin e shenjtë. (Eks. 30:17-20; 40:6-8) Kurse tempujt që u ndërtuan më vonë kishin edhe një oborr të jashtëm, ku mund të adhuronin Perëndinë ata që nuk ishin priftërinj.

16. Cilët shërbejnë në secilin nga oborret e tempullit të madh?

16 Realiteti i sotëm. Para se të fillojnë shërbimin si priftërinj në qiell me Jezuin, vëllezërit e tij të mirosur në tokë shërbejnë me besnikëri në oborrin e brendshëm të tempullit të madh. Legeni i madh me ujë në oborrin e tabernakullit dhe të tempujve u kujton atyre, dhe gjithë shërbëtorëve të Perëndisë, diçka të rëndësishme: duhet të qëndrojnë të pastër nga ana morale dhe adhurimi i tyre duhet të mbetet i pandotur. Po ‘shumica a madhe’ që mbështet me besnikëri vëllezërit e mirosur të Krishtit, ku e adhuron Jehovain? Apostulli Gjon pa se ata qëndrojnë «para fronit», në oborrin e jashtëm në tokë, ku «i bëjnë [Perëndisë] shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij». (Zbul. 7:9, 13-15) Na gufon zemra nga mirënjohja për Jehovain që na ka dhënë mundësinë e çmuar ta adhurojmë në tempullin e tij të madh!

PRIVILEGJI YNË PËR TË ADHURUAR JEHOVAIN

17. Çfarë flijimesh kemi privilegjin t’i paraqesim Jehovait?

17 Sot të gjithë ne kemi privilegjin t’i paraqesim flijime Jehovait duke përdorur kohën tonë, energjitë dhe të mirat materiale për të mbështetur Mbretërinë e tij. Siç u tha Pavli të krishterëve hebrenj, mund «t’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi, po, frytin e buzëve tona, duke shpallur publikisht emrin e tij». (Hebr. 13:15) Çmueshmërinë për privilegjin që ta adhurojmë Jehovain mund ta tregojmë duke sakrifikuar për të më të mirën tonë.

18. Sipas Hebrenjve 10:22-25, çfarë nuk duhet të lëmë kurrë pas dore dhe çfarë nuk duhet të harrojmë kurrë?

18 Lexo Hebrenjve 10:22-25. Nga fundi i letrës që u shkroi hebrenjve, Pavli përmend disa aspekte të adhurimit që nuk duhet t’i lëmë kurrë pas dore. Këto përfshijnë t’i afrohemi Jehovait në lutje, të dëshmojmë publikisht për shpresën tonë, të ndjekim mbledhjet e kongregacionit dhe t’i japim zemër njëri-tjetrit, «aq më tepër tani që e shohim se dita [e Jehovait] po afrohet». Nga fundi i librit të Zbulesës, engjëlli i Jehovait përsërit dy herë këto fjalë për t’i theksuar mirë: «Perëndinë adhuro!» (Zbul. 19:10; 22:9) Kurrë mos e harrofshim këtë të vërtetë të thellë për tempullin e madh të Jehovait dhe sa i çmuar është privilegji për ta adhuruar Perëndinë tonë të lavdishëm!

KËNGA 88 Më mëso udhët e tua

a Një nga mësimet më të thella të Fjalës së Perëndisë lidhet me tempullin e madh të Jehovait. Çfarë është ky tempull? Në këtë artikull do të eksplorojmë hollësitë që jep për të libri i Hebrenjve. Urojmë që ky artikull të të thellojë çmueshmërinë për privilegjin tënd që të adhurosh Jehovain!

b Për një përmbledhje të librit të Hebrenjve shih në jw.org videon Parathënie për «Letrën drejtuar hebrenjve».

c Libri i Hebrenjve është i vetmi libër i Shkrimeve Greke ku Jezui quhet Kryeprift.

d Sipas një vepre referimi, në vitin 70 të e.s. kur u shkatërrua tempulli i Jerusalemit, në Izrael mund të kishin shërbyer deri në 84 kryepriftërinj.

e Për të mësuar çfarë kuptimi simbolik kishin veprimet e kryepriftit në Ditën e Shlyerjes, shih në jw.org videon Tenda (anglisht).