Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

1923—Njëqind vjet më parë

1923—Njëqind vjet më parë

«PERSPEKTIVA për vitin 1923 është vërtet e shkëlqyer,—thoshte Kulla e Rojës e 1 janarit 1923.—Kemi nderin e bekuar t’i dëshmojmë . . . kësaj bote të shtypur e t’u tregojmë njerëzve se po afrojnë ditë më të mira.» Ai vit ishte vërtet i shkëlqyer për Studentët e Biblës. Adhurimi dhe vepra e tyre e predikimit arritën maja të reja, të cilat u bënë pararendëse të unitetit që karakterizon adhurimin e vërtetë sot.

MBLEDHJET FORCOJNË UNITETIN

Kalendar me shkrimet dhe numrat e himneve

Gjatë atij viti, organizata bëri disa ndryshime që ndihmuan të forcohej uniteti në adhurim mes Studentëve të Biblës. Kulla e Rojës nisi të botonte komente të cilat shpjegonin shkrimin që shqyrtohej në mbledhjen javore të Lutjes, Lavdërimit dhe Dëshmisë. Gjithashtu, Studentët e Biblës prodhuan një kalendar me shkrimin e çdo jave si edhe me himnin që mund të këndohej gjatë studimit personal dhe adhurimit familjar.

Në mbledhjet e tyre, Studentët e Biblës ofronin ‘dëshmi’, që mund të ishin ngjarje nga shërbimi, falënderim për Jehovain, këngë, a madje edhe ndonjë lutje. Eva Barni, që u pagëzua në vitin 1923 kur ishte 15 vjeçe, kujtonte: «Nëse doje të jepje një dëshmi, duhej të ngriheshe në këmbë e të thoshe diçka, si ‘dua të falënderoj Zotërinë për gjithë mirësinë që më ka treguar’.» Disa vëllezërve u pëlqente shumë të dëshmonin. Motër Barni shtonte: «Vëllai ynë i dashur i moshuar Goduin kishte shumë gjëra për të cilat donte të falënderonte Zotërinë. Por, kur e shoqja shikonte që drejtuesi po bëhej nervoz, i tërhiqte bishtin e xhaketës dhe ai ulej.»

Çdo klasë, ose kongregacion, mbante një herë në muaj një mbledhje speciale të Lutjes, Lavdërimit dhe Dëshmisë. Kulla e Rojës e 1 prillit 1923, e përshkruante kështu këtë mbledhje: «Gjysma e mbledhjes duhet t’i kushtohet dëshmive në lidhje me shërbimin dhe inkurajimit të punëtorëve. . . . Mendojmë se ky unitet në vepër do t’i afrojë edhe më shumë vëllezërit me njëri-tjetrin.»

Çarls Martini, një punëtor klase (lajmëtar kongregacioni) 19-vjeçar nga Vankuveri i Kanadasë, përfitoi shumë nga ato mbledhje. Vite më vonë, ai kujtonte: «Aty mësova çfarë të thosha kur predikoja shtëpi më shtëpi. Shpesh tregoheshin eksperienca nga vepra shtëpi më shtëpi. Kjo më jepte ide ç’të thosha dhe si t’u përgjigjesha kundërshtimeve të ndryshme.»

PREDIKIMI FORCON UNITETIN

Buletini i 1 majit 1923

Edhe «ditët e shërbimit» i kontribuan unitetit të organizatës. Kulla e Rojës e 1 prillit 1923 njoftoi: «Që të ketë unitet në vepër . . . , dita e martë, 1 maj 1923, është vendosur si ditë shërbimi. Që nga kjo datë e më tej, të martën e parë të çdo muaji . . . çdo pjesëtar i klasës duhet të marrë pjesë sipas rrethanave në vepër.»

Edhe Studentët e Biblës në moshë të re merrnin pjesë në këtë vepër. Hejzël Burfordi, që në atë kohë ishte vetëm 16 vjeçe, kujtonte: «Në Buletin botoheshin ide për biseda që t’i mësonim përmendësh. a Bashkë me gjyshin, merrja pjesë me zell në këto aktivitete.» Por motër Burfordi hasi kundërshtime nga një drejtim i papritur. Ajo tregonte: «Një vëlla i dashur i moshuar mendonte në mënyrë kategorike se nuk duhej t’u predikoja njerëzve. Në atë kohë, disa nuk e kishin kuptuar se të gjithë Studentët e Biblës, duke përfshirë ‘djelmoshat e vashat’, duhej të lëvdonin Krijuesin tonë të Madh.» (Psal. 148:12, 13) Sidoqoftë, motër Burfordi nuk hoqi dorë. Më pas, ajo ndoqi klasën e dytë të Shkollës së Galadit dhe shërbeu si misionare në Panama. Me kalimin e kohës, ata vëllezër e ndreqën pikëpamjen e tyre për pjesëmarrjen e të rinjve në predikim.

KONGRESET FORCOJNË UNITETIN

Edhe kongreset lokale dhe rajonale forcuan unitetin e vëllezërve. Në shumë nga këto kongrese kishte ditë shërbimi, e kështu ndodhi edhe në kongresin që u mbajt në Vinipeg, Kanada. Gjatë atij kongresi, më 31 mars, u bë një ditë shërbimi që u quajt «Bombardimi special i Vinipegut», e të gjithë delegatët u ftuan të merrnin pjesë. Ditë shërbimi si ajo shtruan udhën për zgjerimin e mëtejshëm. Më 5 gusht, rreth 7.000 veta ndoqën një kongres tjetër në Vinipeg. Në atë kohë, ky ishte kongresi me praninë më të lartë historike në Kanada.

Kongresi më i rëndësishëm i vitit 1923 për popullin e Jehovait u mbajt më 18-26 gusht, në Los-Anxhelos, Kaliforni. Në javët para kongresit, nëpër gazeta kishte dalë lajmërimi për këtë event, dhe Studentët e Biblës shpërndanë mbi 500.000 fletushka. Banera që reklamonin kongresin u ngjitën nëpër makinat e transportit urban dhe nëpër makina private.

Kongresi i Studentëve të Biblës në Los-Anxhelos, në vitin 1923

Të shtunën, më 25 gusht, vëlla Radhërfordi mbajti fjalimin «Delet dhe cjeptë», në të cilin tregoi qartë se «delet» janë njerëzit e prirur për jetën e përhershme që do të jetojnë në parajsën në tokë. Gjithashtu paraqiti rezolutën «Paralajmërim». Rezoluta dënonte krishterimin e rremë dhe i nxiste zemërdrejtët të shkëputeshin nga «Babilonia e Madhe». (Zbul. 18:2, 4) Më vonë, Studentët e zellshëm të Biblës në të gjithë botën u bashkuan në shpërndarjen e miliona kopjeve të kësaj rezolute.

«Ky unitet në vepër do t’i afrojë edhe më shumë vëllezërit me njëri-tjetrin»

Ditën e fundit të kongresit, auditori me mbi 30.000 të pranishëm dëgjoi fjalimin e vëlla Radhërfordit me temë «Të gjitha kombet po marshojnë drejt Armagedonit, por miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë». Meqë priteshin shumë të pranishëm, Studentët e Biblës morën me qira stadiumin e sapondërtuar të Los-Anxhelosit. Që të dëgjonin mirë të gjithë, vëllezërit përdorën sistemin audio të stadiumit, që ishte teknologji e re në atë kohë. Shumë të tjerë e dëgjuan programin në radio.

ZGJERIM NDËRKOMBËTAR

Në vitin 1923, vepra e predikimit u zgjerua ndjeshëm në Afrikë, në Amerikën e Jugut, në Evropë dhe në Indi. Në Indi, Adavimanat Jozefi ndihmonte për prodhimin e literaturës në gjuhët hindi, tamile, telugu dhe urdu.

Uilliam Brauni dhe familja e tij

Në Sierra-Leone, Studentët e Biblës Alfred Xhozefi dhe Leonard Blekmani i shkruan selisë botërore në Bruklin, Nju-Jork, dhe kërkuan ndihmë. Më 14 prill 1923, kërkesa e tyre u plotësua. Alfredi tregonte: «Një të shtunë në mbrëmje vonë mora një telefonatë që nuk e prisja». Dikush e pyeti me një zë gjëmues: «Ti je ai që i shkroi Shoqatës Watch Tower për predikues?» Alfredi iu përgjigj: «Po.» Tjetri ia ktheu: «Ja, më kanë dërguar mua.» Ishte zëri i Uilliam Braunit. Ai kishte mbërritur atë ditë nga Karaibet me të shoqen, Antonian, dhe vajzat e tyre Luiza dhe Lusi. Vëllezërve nuk iu desh të pritnin gjatë për t’i takuar të sapoardhurit.

Alfredi tregonte më tej: «Të nesërmen në mëngjes, unë dhe Leonardi po bënim studimin e përjavshëm të Biblës, kur te dera u shfaq një burrë shtatmadh. Ishte vëlla Brauni. Kaq i zellshëm ishte për të vërtetën, sa donte të bënte një fjalim publik që të nesërmen.» Në më pak se një muaj, vëlla Brauni shpërndau gjithë literaturën që kishte marrë me vete. Pas pak mori edhe 5.000 libra, por s’kaloi shumë dhe duheshin libra të tjerë. Megjithatë, vëlla Brauni nuk njihej si librashitës. Gjatë karrierës së gjatë si shërbëtor i zellshëm i Jehovait, ai u referohej vazhdimisht Shkrimeve në fjalimet e tij, dhe për këtë njerëzit e thërritnin Brauni i Biblës.     

Betheli i Magdeburgut në vitet 20

Ndërkohë, zyra e degës në Barmen, Gjermani, ishte e tejmbushur dhe qyteti ishte nën kërcënimin e pushtimit nga Franca fqinje. Studentët e Biblës gjetën një kompleks ndërtesash në Magdeburg që dukej i përkryer për shtypjen e literaturës. Më 19 qershor, vëllezërit mbaruan paketimin e pajisjeve të shtypshkronjës e gjërave të tjera dhe u transferuan në Bethelin e ri në Magdeburg. Fiks ditën pasi selia botërore u njoftua se transferimi mbaroi, gazetat njoftuan se Franca kishte pushtuar Barmenin. Vëllezërit e panë këtë transferim si provë e qartë e bekimit dhe e mbrojtjes së Jehovait.

Xhorxh Jangu me Sara Fergusonin (djathtas) dhe motrën e saj

Në Brazil, Xhorxh Jangu hapi një degë të re dhe nisi të nxirrte Kullën e Rojës në portugalisht. Ai i ra kryq e tërthor vendit për të predikuar lajmin e mirë. Brenda disa muajsh shpërndau mbi 7.000 botime. Mbërritja e tij në Brazil i dha një mundësi unike dhe emocionuese Sara Fergusonit. Ajo e lexonte Kullën e Rojës që nga viti 1899, por nuk e kishte simbolizuar ende kushtimin e saj me anë të pagëzimit në ujë. Ca muaj më vonë, motër Fergusoni dhe katër fëmijët e saj më në fund u pagëzuan.

«PËRPARA ME NGAZËLLIM»

Në fund të vitit, Kulla e Rojës e 15 dhjetorit 1923 përshkruante efektin e gjithë përpjekjeve që kishin bërë Studentët e Biblës për të qenë të bashkuar në adhurim: «Duket qartë që klasat . . . kanë një besim të fortë . . . Le të ngjeshim armaturën tonë dhe me zell e vendosmëri të përtërirë të vazhdojmë para gjatë vitit të ri që na pret. Po, të ecim përpara me ngazëllim.»

Viti që pasoi ishte po ashtu një vit entuziazmues për Studentët e Biblës. Vëllezërit në Bethel kishin punuar për muaj të tërë në një copë toke në Stejtën-Ajlënd, që nuk ishte larg selisë botërore të Bruklinit. Godinat që po ndërtoheshin aty përfunduan në fillim të vitit 1924. Ato ndihmuan të forcohej akoma më shumë uniteti mes vëllezërve dhe të përhapej lajmi i mirë në mënyra që s’ishin imagjinuar kurrë më parë.

Skuadra e ndërtimit në Stejtën-Ajlënd

a Tani Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje.