Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 43

‘Perëndia do të të bëjë të fortë’​—⁠Si?

‘Perëndia do të të bëjë të fortë’​—⁠Si?

«[Jehovai] do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë e do t’ju vërë mbi themele të forta.»—1 PJET. 5:10.

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

PËRMBLEDHJE a

1. Çfarë u jepte forcë adhuruesve të Perëndisë në kohët e lashta?

 FJALA e Perëndisë i përshkruan shpesh njerëzit besnikë si të fuqishëm. Por edhe më i forti mes tyre nuk ndihej gjithnjë i fortë. Për shembull, në disa raste mbreti David u ndie ‘i fortë si mal’, por kishte edhe raste kur ‘e pushtonte tmerri’. (Psal. 30:7) Samsoni kishte fuqi të paparë falë frymës së Perëndisë. Ama, ai e dinte se po të mos i jepte fuqi Perëndia, ‘do të bëhej i dobët e si gjithë të tjerët’. (Gjyk. 14:5, 6; 16:17) Ata adhurues besnikë ishin të fortë vetëm ngaqë fuqia e tyre buronte nga Jehovai.

2. Pse apostulli Pavël tha se ishte edhe i dobët, edhe i fuqishëm? (2 Korintasve 12:9, 10)

2 Apostulli Pavël e pranoi se edhe ai kishte nevojë për fuqi nga Jehovai. (Lexo 2 Korintasve 12:9, 10.) Si shumë prej nesh, Pavli vuante nga probleme shëndetësore. (Gal. 4:13, 14) Gjithashtu, ndonjëherë e kishte të vështirë të bënte gjënë e duhur. (Rom. 7:18, 19) E hera-herës ndihej në ankth e i pasigurt. (2 Kor. 1:8, 9) Prapëseprapë, kur ishte i dobët, ai bëhej i fuqishëm. Si? Jehovai i jepte fuqinë që i nevojitej dhe e bënte të fortë përballë vështirësive.

3. Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?

3 Jehovai premton se do të na bëjë të fortë edhe ne. (1 Pjet. 5:10) Mirëpo nuk mund të presim të marrim fuqi prej tij pa asnjë përpjekje. Ta ilustrojmë: falë fuqisë së motorit, makina mund të ecë para. Ama, shoferi duhet të shtypë pedalin e gazit nëse do që të shkojë gjëkundi. Po njësoj, Jehovai është i gatshëm të na japë fuqinë që na nevojitet, por duhet të bëjmë përpjekje që të nxjerrim dobi prej saj. Çfarë na ka siguruar Jehovai që të na bëjë të fortë? Dhe çfarë duhet të bëjmë që të marrim fuqi prej tij? Këto pyetje do të marrin përgjigje ndërsa shohim si u dha forcë Jehovai tri personazheve të Biblës—profetit Jona, Marisë, mamasë së Jezuit, dhe apostullit Pavël. Do të shohim edhe si vazhdon t’u japë forcë Jehovai shërbëtorëve të tij sot në mënyra të ngjashme.

MERR FORCË NGA LUTJET DHE STUDIMI

4. Si mund të marrim fuqi nga Jehovai?

4 Një mënyrë si mund të marrim fuqi nga Jehovai është nëpërmjet lutjeve. Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona duke na dhënë ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Kor. 4:7) Veç kësaj mund të marrim forcë duke lexuar Fjalën e tij dhe duke menduar thellë për të. (Psal. 86:11) Mesazhi që na ka dhënë Jehovai në Bibël «ushtron fuqi». (Hebr. 4:12) Kur i lutesh Jehovait dhe lexon Fjalën e tij, do të marrësh forcën e nevojshme për të treguar qëndrueshmëri, për të ruajtur gëzimin ose për të kryer një caktim të vështirë. Të shohim si i dha forcë Jehovai profetit Jona.

5. Pse kishte nevojë për forcë profeti Jona?

5 Profeti Jona kishte nevojë për forcë. Ai ia kishte mbathur nga një caktim i vështirë që i kish dhënë Jehovai. Si pasojë, për pak sa nuk humbi jetën në një stuhi të tërbuar dhe vuri në rrezik gjithë ekuipazhin. Kur e hodhën në det, Jonai përfundoi në një vend ku s’kishte qenë kurrë—në errësirën e frikshme brenda barkut të një peshku të stërmadh. Si mendon që u ndie Jonai? Ndoshta priste të vdiste atje? Mbase vriste mendjen nëse Jehovai e kishte braktisur? Jonain duhet ta ketë kapluar ankthi.

Ashtu si profeti Jona, si mund të marrim forcë përballë një sprove? (Shih paragrafët 6-9)

6. Sipas Jonait 2:1, 2, 7, si mori forcë Jonai ndërsa ishte në barkun e peshkut?

6 Si mori forcë Jonai kur ishte fillikat në atë vend të izoluar? Në radhë të parë, u lut. (Lexo Jonain 2:1, 2, 7.) Ndonëse nuk i ishte bindur Jehovait, Jonai ishte i sigurt se Jehovai do ta dëgjonte lutjen e tij nga një zemër e përulur dhe e penduar. Veç kësaj mendoi thellë për Shkrimet. Nga e dimë këtë? Sepse në lutjen e tij, që gjendet te kapitulli 2 i Jonait, ai përdor shumë fjalë dhe shprehje të ngjashme me ato të Psalmeve. (Për shembull, krahaso Jonain 2:2, 5 me Psalmin 69:1; 86:7.) Është e qartë se Jonai i njihte mirë ato shkrime. E ndërsa i bluante në mendje në atë ditë halli, u ndie i sigurt se Jehovai do ta ndihmonte. Më vonë, Jonai doli në tokë të thatë dhe ishte gati ta pranonte e ta kryente caktimin që i dha Jehovai.—Jon. 2:10–3:4.

7-8. Si ka marrë fuqi mes sprovave një vëlla në Tajvan?

7 Shembulli i Jonait mund të na ndihmojë kur hasim sprova. Për shembull, Zhimingu, b një vëlla në Tajvan, vuan nga probleme të rënda shëndetësore. Veç kësaj, i duhet edhe të përballojë kundërshtimin e egër nga familja për shkak të besimit te Jehovai. Ai merr forcë nga lutjet dhe studimi. Zhimingu pranon: «Ndonjëherë kur lindin probleme, kam aq shumë ankth sa nuk arrij ta bëj studimin personal.» Ama nuk dorëzohet. «Në fillim i lutem Jehovait,—thotë ai.—Më pas, vë kufjet dhe dëgjoj këngët e Mbretërisë. Hera-herës madje i këndoj nën zë derisa qetësohem. Pastaj filloj studimin.»

8 Studimi personal i ka dhënë forcë Zhimingut në mënyra që nuk i priste. Për shembull, ndërsa po merrte veten nga një operacion i vështirë, një infermiere i tha se e kishte të ulët përqendrimin e rruazave të kuqe, prandaj duhej të bënte transfuzion. Mbrëmjen para operacionit, Zhimingu kishte lexuar për një motër që kishte bërë të njëjtën ndërhyrje. Edhe pse e kishte më të ulët se Zhimingu përqendrimin e rruazave të kuqe, ajo nuk pranoi transfuzion gjaku dhe e mori veten plotësisht. Ky shembull i dha forcë Zhimingut të qëndronte besnik.

9. Ç’mund të bësh nëse ndihesh i sfilitur nga një sprovë? (Shihni edhe figurat.)

9 Gjatë një sprove, a ndihesh ndonjëherë aq në ankth sa nuk arrin t’i lutesh Jehovait? Ose a ndihesh aq i rraskapitur sa nuk studion dot? Mos harro se Jehovai e kupton plotësisht situatën tënde. Prandaj edhe kur i bën një lutje të thjeshtë, mund të jesh i sigurt se do të të japë fiks atë që të nevojitet. (Efes. 3:20) Nëse dhimbja fizike a emocionale ta bën të vështirë të lexosh dhe të studiosh, mund të provosh të dëgjosh regjistrimet audio të Biblës ose të botimeve të bazuara tek ajo. Ose mund të dëgjosh një nga këngët tona a të shohësh ndonjë video në jw.org. Ftoje Jehovain të të bëjë të fortë duke iu lutur dhe duke i kërkuar përgjigjet e lutjeve tek ushqimi që siguron ai.

MERR FORCË NGA VËLLEZËRIT E MOTRAT

10. Si na japin forcë vëllezërit e motrat?

10 Jehovai mund të përdorë vëllezërit e motrat për të na dhënë forcë. Ata mund të jenë «burim i madh ngushëllimi» kur hasim një sprovë ose kur kemi një caktim sfidues. (Kolos. 4:10, 11) Kemi nevojë për miq sidomos në «ditë të vështira». (Prov. 17:17) Kur ndihemi të dobët, bashkëbesimtarët na ndihmojnë në mënyra praktike, na japin zemër e na forcojnë besimin. Të shohim si mori forcë nga të tjerët Maria, mamaja e Jezuit.

11. Pse kishte nevojë për forcë Maria?

11 Marisë i duhej forcë për të bërë vullnetin e Jehovait. Imagjino sa në ankth duhet të jetë ndier pasi engjëlli Gabriel i dha një caktim tepër të rëndësishëm! Edhe pse nuk ishte e martuar, do të mbetej shtatzënë. Edhe pse nuk kishte rritur ndonjëherë fëmijë, duhej të kujdesej për fëmijën që do të bëhej Mesia. E ndonëse nuk kishte kryer kurrë marrëdhënie seksuale, duhej t’i thoshte të fejuarit të saj, Jozefit, se ishte shtatzënë. Sa të vështirë do ta ketë pasur!—Luka 1:26-33.

12. Sipas Lukës 1:39-45, si e mori Maria forcën që i nevojitej?

12 Si e mori Maria forcën e nevojshme për të kryer atë caktim unik dhe me peshë? Ajo u kërkoi ndihmë të tjerëve. Për shembull, i kërkoi Gabrielit më shumë informacion për atë caktim. (Luka 1:34) Pak më vonë, bëri një udhëtim të gjatë deri në ‘rajonin malor’ të Judës për të takuar të afërmen e saj, Elizabetën. Dhe ia vlejti mundimi. Elizabeta e lavdëroi Marinë dhe, e frymëzuar nga Jehovai, tha një profeci inkurajuese për djalin që kishte në bark Maria. (Lexo Lukën 1:39-45.) Maria u shpreh se Jehovai kishte bërë ‘vepra të fuqishme me krahun e tij’. (Luka 1:46-51) Nëpërmjet Gabrielit dhe Elizabetës, Jehovai i dha forcë Marisë.

13. Si i dhanë forcë bashkëbesimtarët një motre në Bolivi pasi u kërkoi ndihmë?

13 Ashtu si Maria, edhe ti mund të marrësh forcë nga bashkëbesimtarët. Dasura, një motër në Bolivi, kishte nevojë për forcë. Kur babai i saj u diagnostikua me një sëmundje vdekjeprurëse dhe u shtrua në spital, Dasura u kujdes me gatishmëri për të. (1 Tim. 5:4) Por nuk e kishte gjithnjë të lehtë. Ajo pranon: «Shpesh ndihesha sikur nuk mbaja dot më.» A kërkoi ndihmë? Në fillim jo. Dasura thotë: «Nuk doja t’i bezdisja vëllezërit. Arsyetoja me vete: ‘Është Jehovai ai që do të më japë ndihmën e nevojshme.’ Por pastaj e kuptova se duke u izoluar nga të tjerët, po mundohesha t’u jepja rrugë problemeve të mia krejt e vetme.» (Prov. 18:1) Dasura vendosi t’u shkruante disa miqve dhe t’u tregonte për situatën e saj. Ajo thotë: «Nuk e shpreh dot me fjalë sa forcë më dhanë ata vëllezër e motra të dashura. Më sillnin ushqim në spital dhe ma qetësonin zemrën me vargje nga Bibla. Çfarë ndjesie e mrekullueshme është ta dish se nuk je vetëm! Ne i përkasim familjes së madhe të Jehovait—një familje që është e gatshme të të japë një dorë, të qajë me ty dhe të luftojë krah teje.»

14. Pse duhet ta pranojmë ndihmën e pleqve?

14 Një mënyrë si na jep forcë Jehovai është me anë të pleqve. Ata janë dhurata që ai i përdor për të na dhënë forcë e për të na freskuar. (Isa. 32:1, 2) Prandaj, kur ndihesh në ankth, pse të mos flasësh me një plak për këtë? E kur pleqtë të ofrojnë ndihmë, pranoje ndihmën pa ngurrim e me mirënjohje. Me anë të tyre, Jehovai mund të të bëjë të fortë.

MERR FORCË NGA SHPRESA JOTE PËR TË ARDHMEN

15. Çfarë shprese të vyer kanë të gjithë shërbëtorët e Perëndisë?

15 Shpresa jonë e bazuar te premtimet e Biblës mund të jetë burim force. (Rom. 4:3, 18-20) Kemi shpresën e vyer për të jetuar përgjithmonë ose në tokën e shndërruar në parajsë, ose në Mbretërinë qiellore. Shpresa jonë na jep forcë t’u bëjmë ballë sprovave, të predikojmë lajmin e mirë dhe të kryejmë caktime të ndryshme në kongregacion. (1 Sel. 1:3) Kjo shpresë i dha forcë edhe apostullit Pavël.

16. Pse kishte nevojë për forcë apostulli Pavël?

16 Pavli kishte nevojë për forcë. Në letrën që u shkroi korintasve, ai e krahasoi veten me një enë balte të brishtë. Kishte raste kur Pavli ‘u zu ngushtë’, ishte «në mëdyshje», ‘i përndjekur’, «përtokë», e madje e kishte kokën në rrezik. (2 Kor. 4:8-10) Këto fjalë i shkroi gjatë udhëtimit të tretë misionar. E ndoshta në atë kohë Pavli nuk e dinte që telashet e tij s’kishin marrë fund. Më pas do ta qëllonin turma të dhunshme, do ta arrestonin, do t’i shkallmohej anija dhe do ta burgosnin.

17. Në harmoni me 2 Korintasve 4:16-18, çfarë i dha forcë Pavlit të qëndronte në sprova?

17 Pavli mori forcë të qëndronte duke i mbajtur sytë te shpresa e tij. (Lexo 2 Korintasve 4:16-18.) Ai u tha korintasve që edhe pse trupi ‘po i tretej’, nuk do të lejonte që kjo ta shkurajonte. Pavli përqendrohej tek e ardhmja që kishte para. Shpresa e jetës së përhershme në qiell ‘s’kishte të krahasuar’, dhe për të ia vlente të përballonte çfarëdo sprove. Duke menduar thellë për atë shpresë, Pavli ‘përtërihej nga dita në ditë’.

18. Si marrin forcë Tihomiri dhe familja e tij nga shpresa për të ardhmen?

18 Shpresa që ka për të ardhmen i jep forcë edhe Tihomirit, një vëllai në Bullgari. Pak vite më parë, vëllai i tij i vogël, Zdravko, humbi jetën në një aksident. Për njëfarë kohe, Tihomiri ishte i dërrmuar nga pikëllimi. Një gjë që e ndihmon Tihomirin dhe familjen e tij është të imagjinojnë si do të jetë ringjallja. Ai shpjegon: «Bisedojmë, për shembull, se ku do ta takojmë Zdravkon, çfarë ushqimesh do t’i gatuajmë, kë do të ftojmë në festën e mikpritjes së tij dhe çfarë do t’i tregojmë për ditët e fundit.» Tihomiri thotë se duke u përqendruar te kjo shpresë, ai dhe familja e tij marrin forcë të mos dorëzohen dhe ta presin me durim kohën kur Jehovai do ta ringjallë vëllanë e tij.

Si e përfytyron jetën tënde në botën e re? (Shih paragrafin 19) c

19. Si mund ta forcosh shpresën tënde? (Shihni edhe figurën.)

19 Si mund ta forcosh shpresën tënde? Nëse ke shpresën që të jetosh përgjithmonë në tokë, lexo fragmente nga Bibla ku përshkruhet Parajsa dhe medito rreth tyre. (Isa. 25:8; 32:16-18) Përfytyro si do të jetë jeta në botën e re. Imagjinoje veten atje. Kë sheh? Çfarë tingujsh dëgjon? Si ndihesh? Për të zgjuar imagjinatën, shih figurat për Parajsën në botimet tona a ndonjë video muzikore, si për shembull Në jetën e vërtetë, Në prag është parajsa ose Imagjino kohën. Nëse e mbajmë gjithmonë të kthjellët në mendje shpresën e botës së re, problemet tona do të jenë «kalimtare dhe të lehta». (2 Kor. 4:17) Me anë të shpresës që të ka dhënë, Jehovai do të të bëjë të fortë.

20. Si mund të marrim fuqi edhe kur ndihemi të dobët?

20 «Falë Perëndisë do të marrim fuqi» edhe kur të ndihemi të dobët. (Psal. 108:13) Jehovai të ka siguruar gjithçka që të nevojitet për të marrë forcë nga ai. Prandaj, kur ke nevojë për ndihmë që të kryesh një caktim, të përballosh një sprovë ose të ruash gëzimin, lutju me zjarr Jehovait dhe kërko drejtimin e tij nëpërmjet studimit personal. Prano inkurajimin që të japin vëllezërit e motrat. Mbaje të kthjellët në mendje shpresën tënde. Kështu ‘do të marrësh gjithë forcën që të duhet nga fuqia e lavdishme [e Perëndisë], që të përballosh çdo gjë me durim e gëzim’.—Kolos. 1:11.

KËNGA 33 Ty, o Atë, ta hedh barrën time

a Ky artikull do të ndihmojë ata që ndihen të dërrmuar nga një sprovë ose të pafuqishëm para një caktimi që u duket përtej aftësive të tyre. Do të mësojmë si mund të na ndihmojë Jehovai dhe çfarë mund të bëjmë që të marrim forcë prej tij.

b Disa emra janë ndryshuar.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër që nuk dëgjon mediton për premtimet e Biblës dhe sheh një video muzikore që ta ndihmojë të përfytyrojë jetën e saj në botën e re.