Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A kishin gjë tjetër për të ngrënë izraelitët në shkretëtirë përveç manës dhe shkurtave?

Mana ishte ushqimi kryesor i izraelitëve gjatë 40 viteve në shkretëtirë. (Eks. 16:35) Gjithashtu, në dy raste Jehovai u siguroi si ushqim shkurtat. (Eks. 16:12, 13; Num. 11:31) Veç këtyre, hera-herës izraelitët shijonin nga pak edhe ushqime të tjera.

Për shembull, ndonjëherë Jehovai i çonte në ‘vende ku të pushonin’ dhe ku mund të gjenin ushqim dhe ujë. (Num. 10:33) Një nga ato vende ishte oaza e Elimit, «ku kishte 12 burime uji dhe 70 palma»—me shumë gjasa hurma Arabie. (Eks. 15:27) Libri Bimët e Biblës (anglisht) thotë se hurma e Arabisë, që «rritet në shumë vende të botës, . . . është bima kryesore për ushqim në shkretëtirë; ajo siguron edhe vaj e strehë për miliona njerëz».

Izraelitët mund të kenë ndaluar edhe në një oazë tjetër të madhe, që sot njihet si oaza e Feiranit dhe gjendet në vadin e Feiranit. a Libri Të zbulojmë botën e Biblës (anglisht) thotë se ky vad, ose luginë lumi, «është 130 kilometra i gjatë dhe është një nga vadet më të gjata, më të bukura dhe më të famshme në gadishullin e Sinait». Veç kësaj thotë: «Rreth 45 kilometra larg grykës së vadit, gjendet oaza e Feiranit që është plot me palma të bukura. Ajo është gati 5 kilometra e gjatë dhe 610 metra mbi nivelin e detit. Është Edeni i Sinait. Këto mijëra palma, ose hurma Arabie, e kanë bërë një vend të preferuar banimi që nga lashtësia.»

Hurma Arabie në oazën e Feiranit

Kur u larguan nga Egjipti, izraelitët morën me vete brumë, magje, e me shumë gjasa drithë dhe vaj. Natyrisht që ato ushqime do t’u kenë mbaruar shpejt. Populli mori me vete edhe «shumë bagëti, kope e tufa». (Eks. 12:34-39) Mirëpo, për shkak të motit të egër në shkretëtirë, shumë kafshë do të kenë ngordhur. Disa prej tyre mund t’u kenë shërbyer izraelitëve si ushqim. Kurse disa kafshë mund t’i kenë ofruar si flijim, madje edhe perëndive të rreme. b (Vep. 7:39-43) Prapëseprapë, izraelitët kishin bagëti. Këtë e theksojnë fjalët që i drejtoi Jehovai popullit të tij ngaqë nuk tregoi besim: «Bijtë tuaj do të bëhen barinj në shkretëtirë për 40 vjet.» (Num. 14:33) Prandaj ka mundësi që kopetë e tyre u siguronin qumësht, e ndonjëherë edhe mish. Por s’do mend që ai ushqim nuk mjaftonte për të mbajtur gjallë rreth 3 milionë veta për 40 vjet rresht. c

Po ushqimin dhe ujin për kafshët, ku e gjenin? d Në atë kohë mund të ketë pasur më shumë reshje shiu, e si rezultat më tepër bimësi në shkretëtirë. Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, te zëri «Arabia», thotë se 3.500 vjet më parë, «rezervat ujore të Arabisë ishin disi më të mëdha se sot. Ekzistenca e shumë vadeve ose luginave të thata e të thella, që kanë qenë dikur shtretër lumenjsh, dëshmon se në të kaluarën reshjet ishin aq të bollshme, sa nëpër ta rridhte ujë.» Pavarësisht nga kjo, shkretëtira ishte një vend i vdekur dhe i frikshëm. (Ligj. 8:14-16) Pa ujin që u siguronte Jehovai me mrekulli, izraelitët dhe kafshët e tyre pa diskutim do të kishin vdekur.—Eks. 15:22-25; 17:1-6; Num. 20:2, 11.

Moisiu u tha izraelitëve se Jehovai i kishte ushqyer me manë ‘që ta dinin se njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait’.—Ligj. 8:3.

a Shih Kullën e Rojës të 1 majit 1992, f. 24-25, anglisht.

b Në Bibël përmenden dy raste kur kafshët u ofruan si flijim për Jehovain në shkretëtirë. Rasti i parë ishte kur u bë emërimi i priftërisë; i dyti në Festën e Kalimit. Të dyja ngjarjet ndodhën më 1512 p.e.s., vitin e dytë pasi izraelitët kishin dalë nga Egjipti.—Lev. 8:14–9:24; Num. 9:1-5.

c Nga fundi i 40 viteve në shkretëtirë, izraelitët morën me qindra mijë kafshë si plaçkë lufte. (Num. 31:32-34) Gjithsesi, ata vazhduan të hanin manë derisa hynë në Tokën e Premtuar.—Jos. 5:10-12.

d Mund të nxjerrim përfundimin se kafshët nuk ushqeheshin me manë, sepse Jehovai u tha izraelitëve që të mblidhnin manë aq sa mund të hante çdo njeri.—Eks. 16:15, 16.