Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Sa e rëndësishme ishte muzika në Izraelin e lashtë?

MUZIKA ishte në zemër të kulturës së Izraelit të lashtë. Bibla e përmend shpesh si muzikën instrumentale, edhe atë vokale. Në fakt, rreth një e dhjeta e Shkrimeve janë këngë, ku spikatin Psalmet, Kënga e Solomonit dhe Vajtimet. Një libër thotë se në Bibël «gjejmë një përshkrim të gjallë të një shoqërie ku muzika gërshetohej me aktivitete që nuk lidheshin direkt me muzikën».—Music in Biblical Life.

Muzika në jetën e përditshme. Izraelitët luanin në instrumente muzikore dhe këndonin për të shprehur ndjenjat. (Isa. 30:29) Gratë u binin dajreve ndërsa kërcenin e këndonin plot gëzim në kurorëzime mbretërish, në festa për adhurimin e Perëndisë dhe në fitore ushtarake. (Gjyk. 11:34; 1 Sam. 18:6, 7; 1 Mbret. 1:39, 40) Gjithashtu izraelitët këndonin këngë të përvajshme për të shprehur pikëllimin e shpirtit. (2 Kron. 35:25) Siç thotë Enciklopedia e Meklintokut dhe Strongut, s’ka diskutim që «hebrenjtë e donin shumë muzikën».

Muzika në oborrin mbretëror. Mbretërit e Izraelit gjenin ëndje te muzika. Mbreti Saul e ftoi Davidin që të ishte muzikant në oborrin e tij mbretëror. (1 Sam. 16:18, 23) Më vonë, kur u bë vetë mbret, Davidi shpiku instrumente muzikore, kompozoi këngë të bukura dhe organizoi orkestrën që luante në tempullin e Jehovait. (2 Kron. 7:6; Amo. 6:5) Mbreti Solomon kishte në oborrin e tij këngëtarë e këngëtare.—Ekl. 2:8.

Muzika në adhurim. Ç’është më e rëndësishmja, izraelitët e përdornin muzikën për të adhuruar Jehovain. Në fakt, në tempullin e Jerusalemit kishte 4.000 muzikantë që luanin në instrumente muzikore. (1 Kron. 23:5) Ata u binin cimbaleve, instrumenteve me tela, harpave dhe trumbetave. (2 Kron. 5:12) Por këta muzikantë profesionistë nuk ishin të vetmit që e adhuronin Jehovain me muzikë. Me sa duket, shumë izraelitë këndonin Këngët e ngjitjeve kur shkonin për festat vjetore në Jerusalem. (Psal. 120-134) Gjithashtu, sipas shkrimeve judaike, ata këndonin Psalmet Halel a gjatë darkës së Festës së Kalimit.

Edhe sot muzika është shumë e rëndësishme për adhuruesit e Jehovait. (Jak. 5:13) Ne këndojmë për të lëvduar Perëndinë tonë. (Efes. 5:19) Muzika na bashkon më shumë me vëllezërit e motrat. (Kolos. 3:16) Po ashtu na jep forcë kur hasim vështirësi. (Vep. 16:25) Muzika është një mënyrë e bukur për të shprehur sa besim kemi te Jehovai dhe sa shumë e duam.

a Hebrenjtë i quajnë Psalmet 113-118 Psalmet Halel; këto këndoheshin për të lëvduar Jehovain.