Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Sa i lartë ishte portiku në tempullin e Solomonit?

Portiku ishte hyrja për tek e Shenjta e tempullit. Sipas botimeve të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re që kanë dalë para vitit 2024, «portiku, në pjesën e përparme, ishte 20 kute i gjatë, sa gjerësia e shtëpisë, dhe lartësia ishte 120». (2 Kron. 3:4) Edhe përkthime të tjera thonë se portiku ishte «120 kute» i lartë, domethënë sa një kullë 53 metra e lartë.

Megjithatë, Përkthimi Bota e Re, botimi i vitit 2024 thotë për portikun e tempullit të Solomonit: «Lartësia ishte 20 kute», pra ishte rreth 9 metra i lartë. a Të shqyrtojmë disa arsye për këtë ndryshim.

Lartësia e portikut nuk përmendet te 1 Mbretërve 6:3. Në këtë varg shkrimtari Jeremia përmend vetëm gjerësinë dhe gjatësinë e portikut, jo lartësinë. Pastaj, në kapitullin e radhës, ai përshkruan me shumë hollësi veçori të tjera të spikatshme të tempullit, si Detin prej metali të derdhur, dhjetë karrocat dhe dy shtyllat prej bakri jashtë portikut. (1 Mbret. 7:15-37) Nëse portiku ishte vërtet mbi 50 metra i lartë dhe lartohej mbi pjesën tjetër të tempullit, atëherë pse Jeremia nuk e përmendi lartësinë e tij? Edhe shekuj më vonë, historianë judenj shkruan se portiku nuk ishte më i lartë se pjesa tjetër e tempullit të Solomonit.

Studiuesit dyshojnë nëse muret e tempullit mund të mbanin një portik 120 kute të lartë. Ndërtesat tepër të larta prej guri ose tulle që bëheshin në kohët e lashta, si portat e tempujve në Egjipt, kishin bazament goxha të gjerë dhe shkonin duke u ngushtuar drejt majës. Por tempulli i Solomonit ishte ndryshe. Studiuesit mendojnë se muret e tij nuk ishin më të trasha se 6 kute ose 2,7 metra. Teodor Businku, specialist në historinë e arkitekturës, doli në këtë përfundim: «Bazuar në trashësinë e murit të [hyrjes së tempullit], nuk ka mundësi që portiku të ketë qenë 120 kute [i lartë].»

Vargu i 2 Kronikave 3:4 mund të jetë kopjuar gabim. Edhe pse disa dorëshkrime të lashta thonë «120» në këtë varg, dorëshkrime të tjera të besueshme, si Kodiku Aleksandrin i shekullit të pestë dhe Kodiku Ambrozian i shekullit të gjashtë, thonë «20 kute». Pse skribi mund ta ketë kopjuar gabim e të ketë shkruar «120»? Në hebraisht fjalët «njëqind» dhe «kute» duken gati njësoj. Kështu ai mund të ketë shkruar fjalën «njëqind» në vend të fjalës «kute».

Patjetër, ndërsa përpiqemi t’i kuptojmë dhe t’i pasqyrojmë saktë veçoritë e tempullit të Solomonit, përqendrohemi veçanërisht te çka paraqet ky tempull—te tempulli i madh i Jehovait. Sa mirënjohës i jemi Jehovait që i ka ftuar të gjithë shërbëtorët e tij ta adhurojnë në këtë tempull!—Hebr. 9:11-14; Zbul. 3:12; 7:9-17.

a Shënimi qartëson se «disa dorëshkrime të lashta thonë ‘120’, ndërsa dorëshkrime të tjera dhe disa përkthime thonë ‘20 kute’».