Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë kërkon prej nesh nënshtrimi ndaj Perëndisë

Çfarë kërkon prej nesh nënshtrimi ndaj Perëndisë

Çfarë kërkon prej nesh nënshtrimi ndaj Perëndisë

«Nënshtrojuni, pra, Perëndisë.»​—JAKOVIT 4:7, NW.

1. Çfarë mund të themi për Perëndinë që adhurojmë?

SA PERËNDI i mrekullueshëm është Jehovai! I pakalueshëm, i pashoq, i pakrahasueshëm, unik edhe në shumë aspekte të tjera! Ai është Më i Larti, Sovrani Universal, ku gjendet çdo autoritet i vërtetë. Ka ekzistuar nga përjetësia në përjetësi dhe është aq i lavdishëm, saqë asnjë njeri nuk mund ta shohë e të jetojë përsëri. (Të Dalët 33:20; Romakëve 16:26) Është i pakufishëm në fuqi dhe dituri, absolutisht i përsosur në drejtësi dhe vetë personifikimi i dashurisë. Ai është Krijuesi ynë, Gjykatësi ynë, Ligjvënësi ynë dhe Mbreti ynë. Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur tani, vjen prej tij.​—Psalmi 100:3; Isaia 33:22; Jakovit 1:17.

2. Çfarë gjërash përfshin nënshtrimi ndaj Perëndisë?

2 Duke parë gjithë këto fakte, s’ka diskutim se jemi të detyruar për t’iu nënshtruar atij. Por çfarë përfshin kjo për ne? Disa gjëra. Pasi nuk mund ta shohim personalisht Jehova Perëndinë, nënshtrimi ndaj tij përfshin që të dëgjojmë zërin e një ndërgjegjeje të edukuar, të bashkëpunojmë me organizatën tokësore të Perëndisë, të njohim autoritetet botërore dhe të respektojmë parimin e autoritetit në gjirin e familjes.

Të mbajmë një ndërgjegje të mirë

3. Cilave urdhra duhet t’u bindemi, për të mbajtur një ndërgjegje të mirë?

3 Për të mbajtur një ndërgjegje të mirë, duhet t’u bindemi urdhrave që nuk mund të vihen me detyrim​—ligjeve apo parimeve që njerëzit nuk mund të na i imponojnë. Për shembull, urdhri i dhjetë i Dekalogut, ai që ndalonte dëshirimin, nuk mund të vihej me forcë nga autoritetet njerëzore. Rastësisht, kjo dëshmon origjinën hyjnore të Dekalogut, sepse asnjë organizëm legjislativ njerëzor nuk do të nxirrte një ligj që të respektohej pa vendosur sanksione. Nëpërmjet këtij ligji, Perëndia Jehova i dha çdo izraeliti përgjegjësinë për të ruajtur vetveten, nëse dëshironte të kishte një ndërgjegje të mirë. (Të Dalët 20:17) Në mënyrë të ngjashme, mes punëve të trupit që pengojnë hyrjen në Mbretërinë e Perëndisë, janë «zilia» dhe «cmira», ndjenja që asnjë gjyqtar njerëzor nuk mund t’i ndëshkojë me sanksione. (Galatasve 5:19-21) Por, për të mbajtur një ndërgjegje të mirë, duhet t’i shmangim ato.

4. Nëse duam të mbajmë një ndërgjegje të mirë, sipas cilave parime biblike duhet të jetojmë?

4 Po, duhet të jetojmë sipas parimeve biblike. Këto parime mund të përmblidhen në dy urdhrat që Jezu Krishti i dha në përgjigje të pyetjes se cili ishti urdhri më i madh i Ligjit të Moisiut. «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. . . . Duhet ta duash të afërmin tënd, si veten tënde.» (Mateu 22:36-40, NW) Fjalët e Jezuit tek Mateu 7:12, ilustrojnë se çfarë përfshin i dyti nga këta urdhra: «Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëni edhe ju atyre! Ja, verevërte Ligji e Profetët!»

5. Si mund të mbajmë një lidhje të mirë me Perëndinë Jehova?

5 Duhet të bëjmë atë që e dimë se është e mirë dhe të përmbahemi nga ajo që e dimë se është e gabuar. Kjo vlen edhe kur mund të dalim pa lagur, duke mos bërë diçka që duhet bërë apo duke bërë atë që nuk duhet bërë. Do të thotë të kemi një lidhje të mirë me Atin tonë qiellor, duke mbajtur parasysh paralajmërimin që apostulli Pavël shpreh tek Hebrenjve 4:13: «Nuk ka krijesë që të mos shfaqet në pamjen e tij, por çdo gjë është e zhveshur dhe e shfaqur hapur në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.» (NW) Këmbëngulja në bërjen e asaj që është e mirë, do të na ndihmojë për të luftuar kundër dinakërive të Djallit, për t’i rezistuar presioneve të botës dhe për të luftuar prirjen tonë të trashëguar ndaj egoizmit.​—Krahaso Efesianëve 6:11.

Nënshtrim ndaj organizatës së Perëndisë

6. Cilat kanale komunikimi përdori Jehovai në kohët para krishterimit?

6 Perëndia Jehova nuk e ka lënë tërësisht mbi ne përgjegjësinë për të vendosur se si t’i zbatojmë parimet biblike në jetën tonë. Qysh në fillim të historisë njerëzore, Perëndia ka përdorur njerëz si kanal komunikimi. Kështu, Adami veproi si zëdhënës i Perëndisë me Evën. Urdhri mbi frutin e ndaluar, iu dha Adamit para se të krijohej Eva, prandaj Adami duhet të ketë informuar Evën mbi vullnetin e Perëndisë për të. (Zanafilla 2:16-23) Noeja ishte profet i Perëndisë për familjen e tij dhe për botën para përmbytjes. (Zanafilla 6:13; 2. Pjetrit 2:5) Abrahami ishte zëdhënësi i Perëndisë për familjen e tij. (Zanafilla 18:19) Profet i Perëndisë dhe kanal komunikimi për kombin izraelit, ishte edhe Moisiu. (Të Dalët 3:15, 16; 19:3, 7) Pas tij, deri tek Gjon Pagëzuesi, shumë profetë, priftërinj dhe mbretër, u përdorën nga Perëndia për t’i komunikuar popullit vullnetin e tij.

7, 8. (a) Kë përdori Perëndia si zëdhënës, me ardhjen e Mesisë? (b) Çfarë kërkon nënshtrimi ndaj Perëndisë nga Dëshmitarët e sotëm të Jehovait?

7 Me ardhjen e Mesisë, Jezu Krishtit, Perëndia e përdori atë dhe apostujt e dishepujt e tij të drejtpërdrejtë, si zëdhënës të Tij. Më vonë, ithtarët e mirosur të Jezu Krishtit, do të shërbenin si një «skllav besnik dhe i matur», për t’u komunikuar shërbëtorëve të Jehovait se si të zbatonin parimet biblike në jetën e tyre. Nënshtrimi ndaj Perëndisë, përfshinte njohjen e mjetit që po përdorte Perëndia Jehova.​—Mateu 24:45-47; Efesianëve 4:11-14.

8 Faktet tregojnë, se sot «skllavi besnik dhe i matur» shoqërohet me Dëshmitarët e Jehovait dhe përfaqësohet nga Trupi Udhëheqës i këtyre Dëshmitarëve. Nga ana e tij, ky trup emëron mbikëqyrës në detyra të ndryshme​—si pleq dhe përfaqësues udhëtues—​që të drejtonë veprën në nivel lokal. Nënshtrimi ndaj Perëndisë, kërkon që çdo Dëshmitar i dedikuar të jetë i nënshtruar ndaj këtyre mbikëqyrësve, në harmoni me Hebrenjve 13:17: «Bindjuni atyre që marrin direktivën mes tuaj dhe jini të nënshtruar, sepse ata përgjojnë mbi shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari; që të mund ta bëjnë këtë me gëzim e jo duke psherëtirë, sepse kjo do të ishte e dëmshme për ju.»​—NW.

Të pranojmë disiplinën

9. Çfarë do të thotë shpesh nënshtrimi ndaj Perëndisë?

9 Shpesh, nënshtrim ndaj Perëndisë do të thotë të pranosh disiplinë prej atyre që shërbejnë si mbikëqyrës. Nëse nuk disiplinohemi vetë sipas nevojës, ndoshta kemi nevojë të këshillohemi dhe disiplinohemi nga ata që kanë përvojën dhe autoritetin për ta bërë këtë, si për shembull pleqtë e kongregacionit tonë. Pranimi i kësaj disipline është një gjë e mençur.​—Proverbat 12:15; 19:20.

10. Çfarë detyrimi kanë ata që disiplinojnë?

10 Natyrisht, pleqtë që disiplinojnë duhet të jenë vetë shembuj të nënshtrimit ndaj Perëndisë. Në ç’mënyrë? Në përputhje me Galatasve 6:1, jo vetëm që duhet të këshillojnë në mënyrë të drejtë, por duhet të jenë shembuj: «Vëllezër, edhe nëse një njeri bën ndonjë hap të gabuar para se ta kuptojë, ju që jeni të kulifikuar frymësisht, përpiquni që ta ndreqni atë njeri me frymë butësie, duke u kujdesur për veten që të mos tundohesh edhe ti.» (NW) Me fjalë të tjera, këshilla e një plaku duhet të jetë në harmoni me shembullin e tij. Kjo përputhet me nxitjen e dhënë tek 2. Timoteut 2:24, 25 dhe tek Titit 1:9. Po, ata që qortojnë apo korrigjojnë, duhet të tregohen mjaft të kujdesshëm për të mos qenë kurrë të ashpër. Gjithnjë duhet të jenë të butë dhe të sjellshëm, duke mbështetur me vendosmëri parimet e Fjalës së Perëndisë. Duhet të jenë dëgjues të paanshëm, burim freskimi për ata që janë të lodhur dhe të shtypur.​—Krahaso Mateu 11:28-30.

Nënshtrim ndaj autoriteteve më të larta

11. Çfarë kërkohet nga të krishterët në lidhjet e tyre me autoritetet e botës?

11 Nënshtrimi ndaj Perëndisë kërkon, gjithashtu, që t’u bindemi autoriteteve të botës. Romakëve 13:1 na këshillon: «Çdo shpirt t’i nënshtrohet autoriteteve më të larta, sepse nuk ka pushtet veçse nga Perëndia; autoritetet e tanishme janë vënë në vendet e tyre nga Perëndia.» (NW) Ndër të tjera, këto fjalë kërkojnë prej nesh respektimin e rregullave të trafikut, si dhe pagimin me ndërgjegje të taksave dhe tatimeve, siç shpjegon apostulli Pavël në Romakëve 13:7.

12. Në çfarë kuptimi, nënshtrimi ynë ndaj Cesarit është relativ?

12 Por është e qartë, se nënshtrimi ndaj Cesarit duhet të jetë relativ. Duhet të mbajmë gjithmonë parasysh parimin që dha Jezu Krishti në Mateun 22:21: «Jepini, pra, Cesarit gjërat e Cesarit, por Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (NW) Në një shënim mbi Romakëve 13:1, një përkthim biblik vëren: «Kjo nuk do të thotë se ai duhet t’u bindet rregullave që janë imorale apo jo të krishtere. Në këto raste është detyrë e tij t’i bindet Perëndisë, përpara se njerëzve (Veprat 5:29; krahas. Dan. 3:16-18; 6:10ff).»​—Oxford NIV [New International Version] Scofield Study Bible.

Nënshtrimi ndaj Perëndisë në gjirin e familjes

13. Në gjirin e familjes, çfarë kërkon nënshtrimi ndaj Perëndisë nga pjesëtarët e saj?

13 Në gjirin e familjes, burri dhe babai janë kryetarë. Kjo kërkon që gratë të dëgjojnë këshillën e dhënë në Efesianëve 5:22, 23: «Gratë t’u jenë të nënshtruara burrave të tyre, si Zotërisë, sepse burri është kreu i gruas, ashtu si Krishti është kreu i kongregacionit.» * (NW) Për sa u takon fëmijëve, ata nuk i vendosin vetë rregullat e tyre, por kanë për detyrë ta tregojnë nënshtrimin ndaj Perëndisë, si me babain edhe me nënën, ashtu siç shpjegon Pavli tek Efesianëve 6:1-3: «Fëmijë, dëgjoni prindërit tuaj në Zotin, sepse është e drejtë. “Ndero babanë tënd dhe nënen”​—është urdhri i parë me premtim: “që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe!”»

14. Çfarë kërkon nënshtrimi ndaj Perëndisë nga kryefamiljarët?

14 Sigurisht, gratë dhe fëmijët e kanë më të lehtë për të treguar nënshtrim ndaj Perëndisë, kur edhe burrat dhe baballarët tregojnë një nënshtrim të tillë. Ata e bëjnë këtë duke ushtruar autoritetin e tyre në harmoni me parime të tilla biblike, si ky që gjendet tek Efesianëve 5:28, 29 dhe 6:4: «Në këtë mënyrë burrat duhet t’i duan gratë e tyre si trupat e tyre. Kush do gruan do vetveten, pasi askush nuk e urreu kurrë trupin e vet; por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, ashtu si edhe Krishti bën për kongregacionin.» «Ju, baballarë, mos i ngacmoni bijtë tuaj, por vazhdoni t’i rritni me disiplinën dhe normën e Jehovait.»​—NW.

Gjëra që na ndihmojnë për të treguar nënshtrim ndaj Perëndisë

15. Cili fryt i frymës do të na ndihmojë, për të treguar nënshtrim ndaj Perëndisë?

15 Çfarë do të na ndihmojë për të treguar nënshtrim ndaj Perëndisë në këto fusha të ndryshme? Së pari, dashuria altruistez—dashuria për Perëndinë Jehova dhe për ata që ai ka vendosur mbi ne. Në 1. Gjonit 5:3 thuhet: «Kjo do të thotë dashuria e Perëndisë, që të zbatojmë urdhërimet e Perëndisë; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (NW) Jezui tregoi të njëjtën gjë tek Gjoni 14:15, duke thënë: «Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia.» Po, dashuria​—fryti kryesor i frymës—​do të na ndihmojë për të çmuar gjithçka që Jehovai ka bërë për ne dhe kështu do të tregojmë nënshtrim ndaj Perëndisë.​—Galatasve 5:22.

16. Çfarë ndihme përbën frika ndaj Perëndisë në manifestimin e nënshtrimit ndaj Perëndisë?

16 Së dyti, është frika ndaj Perëndisë. Frika për të mos zemëruar Jehovain do të na ndihmojë, sepse ajo «do të thotë të urrejmë të keqen.» (Proverbat 8:13) S’ka dyshim, se frika për të mos zemëruar Jehovain do të na pengojë për të bërë kompromise, për shkak të frikës nga njerëzit. Do të na ndihmojë edhe për t’iu bindur udhëzimeve të Perëndisë, pavarësisht nga vështirësitë që duhet të kapërcejmë. Veç kësaj, nuk do të na lërë që t’u dorëzohemi tundimeve apo prirjeve për të bërë keq. Shkrimet tregojnë se ishte frika ndaj Jehovait ajo që i lejoi Abrahamit të tentonte për të flijuar birin e tij të dashur, Isakun dhe se ishte frika për të mos zemëruar Jehovain ajo që i lejoi Jozefit t’i rezistonte me sukses propozimeve imorale të gruas së Potifarit.​—Zanafilla 22:12; 39:9.

17. Çfarë roli luan besimi në shfaqjen e nënshtrimit ndaj Perëndisë?

17 Së treti, është besimi tek Perëndia Jehova. Besimi do të na japë mundësinë të dëgjojmë këshillën e dhënë tek Proverbat 3:5, 6: «Beso me gjithë zemër tek Jehovai dhe mos u mbështet mbi arsyetimin tënd. Në të gjitha rrugët e tua kushtoji vëmendje atij, dhe ai vetë do të drejtojë shtigjet e tua.» Besimi do të na ndihmojë veçanërisht kur duket sikur po vuajmë pa të drejtë apo se jemi objekt diskriminimi për motive raciale apo kombësie, apo për ndonjë konflikt personalitetesh. Madje, disa mund të mendojnë se u është bërë ndonjë padrejtësi, duke mos u rekomanduar si pleq apo shërbëtorë ndihmës. Nëse kemi besim, do të presim që Jehovai t’i rregullojë gjërat në kohën e duhur. Ndërkohë, duhet të kultivojmë durim dhe qëndrueshmëri.​—Vajtimet 3:26.

18. Cila është gjëja e katërt që do të na ndihmojë për të shfaqur nënshtrim ndaj Perëndisë?

18 Së katërti, është përulësia. Një njeri që është i përulur nuk e ka të vështirë të tregojë nënshtrim ndaj Perëndisë, sepse «me modesti mendjeje, ai i konsideron të tjerët më të mëdhenj se vetja.» Një njeri i përulur është i gatshëm që të sillet si «më i vogli». (Filipianëve 2:2-4; Luka 9:48) Por një njeri mendjemadh nuk e duron dot idenë për të qenë i nënshtruar dhe nxehet. Për mendjemëdhenjtë thuhet se do të preferonin më mirë të shkatërroheshin nga lëvdatat, sesa të shpëtonin nga kritikat.

19. Çfarë shembull përulësie dha një ish-president i Shoqatës Watch Tower?

19 Një shembull të shkëlqyer përulësie dhe nënshtrimi ndaj Perëndisë, ka dhënë një herë Joseph Rutherford, presidenti i dytë i Shoqatës Watch Tower and Tract Inc. Kur Hitleri e ndaloi veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, vëllezërit i shkruajtën atij, duke i kërkuar se ç’duhet të bënin ngaqë tashmë mbledhjet e tyre dhe aktiviteti i predikimit ishin të ndaluara. Ai e përmendi këtë gjë para familjes Bethel dhe pranoi sinqerisht se nuk dinte ç’tu thoshte vëllezërve gjermanë, veçanërisht në lidhje me sanksionet që do të hasnin. Tha se nëse ndokush dinte se ç’tu thoshte atyre, ai do të ishte i gëzuar ta dëgjonte. Çfarë fryme përulësie! *

Dobi që rrjedhin nga nënshtrimi ndaj Perëndisë

20. Çfarë bekimesh rrjedhin nga nënshtrimi ndaj Perëndisë?

20 Me të drejtë mund të lindë pyetja: Çfarë dobish rrjedhin nga nënshtrimi ndaj Perëndisë? Në të vërtetë, shumë. Shpëtojmë nga ankthi dhe zhgënjimet që hasin ata që veprojnë në mënyrë të pavarur. Gëzojmë një lidhje të mirë me Jehova Perëndinë. Kemi shoqërinë më të mirë, me vëllezërit tanë të krishterë. Veç kësaj, duke respektuar ligjet, shmangim pengesa të kota me autoritetet e botës. Gëzojmë, gjithashtu, një jetë të lumtur familjare si burra dhe gra, si prindër apo fëmijë. Së fundi, duke qenë të nënshtruar ndaj Perëndisë, veprojmë në harmoni me këshillën e dhënë tek Proverbat 27:11: «Biri im, ji i mençur dhe gëzoma zemrën, që të mund t’i përgjigjem atij që më sfidon me përbuzje.»

[Shënimet]

^ par. 13 Një shërbëtor pionier, duke folur me një pionier beqar, e lavdëroi gruan e tij për sjelljen e saj të respektueshme dhe për mbështetjen e dashur që i jepte. Pionieri beqar mendoi se miku i tij duhej të kishte thënë diçka edhe për cilësitë e tjera të së shoqes. Por vite më vonë, kur u martua edhe ai, e kuptoi se sa thelbësore është për lumturinë familjare mbështetja e dashur e gruas.

^ par. 19 Mbas lutjesh dhe studimesh të shumta të Fjalës së Perëndisë, Joseph Rutherford e kuptoi qartë se çfarë përgjigjeje u duhej dhënë vëllezërve në Gjermani. Ata kishin Fjalën e Perëndisë, që në mënyrë të qartë u thoshte se ç’duhet të bënin për t’u mbledhur së bashku dhe për të dëshmuar. Kështu, vëllezërit gjermanë filluan punën në ilegalitet, duke vazhduar t’u bindeshin urdhrave të Jehovait, për t’u mbledhur së bashku dhe për të dëshmuar mbi emrin dhe Mbretërinë e Tij.

Pyetjet për përsëritje

Cilët njerëz përdori Perëndia si kanale komunikimi dhe çfarë sjelljeje duhet të kishin ndaj tyre shërbëtorët e tij?

Në cilat lidhje të ndryshme duhet treguar nënshtrimi ndaj Perëndisë?

Cilat cilësi do të na ndihmojnë për të shfaqur nënshtrim ndaj Perëndisë?

Çfarë bekimesh rrjedhin prej nënshtrimit ndaj Perëndisë?

[Pyetjet e studimit]

[Figura në faqen 12]

Perëndia përdori organizatën e tempullit të Jeruzalemit, për t’i komunikuar popullit të vet vullnetin e tij