Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nënshtrim ndaj Perëndisë—Përse dhe nga kush?

Nënshtrim ndaj Perëndisë—Përse dhe nga kush?

Nënshtrim ndaj Perëndisë—Përse dhe nga kush?

«Mirë e di unë, O Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket udha e vet. Nuk i përket njeriut që ecën as ta drejtojë hapin e vet.»​—JEREMIA 10:23.

1. Cilat forma të pavarësisë janë mjaft të vlerësuara?

MES dokumenteve më të njohura, ndodhet edhe Deklarata e Pavarësisë, me të cilën në shekullin e XVIII, të 13 kolonitë britanike të Amerikës Veriore u shpallën të pavarura nga toka mëmë, Britania e Madhe. Ato donin liri dhe liria me pavarësinë nga sundimi i huaj, ecnin me një hap. Pavarësia politike dhe ekonomike mund të jetë shumë e favorshme. Kohët e fundit, disa vende të Evropës Lindore kanë rifituar pavarësinë politike. Megjithatë, duhet të pranojmë se në ato vende kjo pavarësi ka sjellë me vete probleme të shumta serioze.

2, 3. (a) Cila formë e pavarësisë nuk është e favorshme? (b) Si u bë i qartë ky fakt qysh në fillim?

2 Sado të favorshme të jenë format e ndryshme të pavarësisë, njëra prej tyre nuk është e tillë. Cila? Pavarësia nga Krijuesi i njeriut, Perëndia Jehova. Ajo nuk është një bekim, por një mallkim. Përse? Sepse njeriu nuk u krijua që të vepronte në mënyrë të pavarur nga Krijuesi i tij, siç tregojnë me të drejtë fjalët e profetit Jeremia të shkruara më lart. Me fjalë të tjera, njeriu u krijua për të jetuar i nënshtruar ndaj Krijuesit të tij. Të jemi të nënshtruar ndaj Krijuesit tonë do të thotë që t’i bindemi atij.

3 Ky fakt iu bë i qartë çiftit të parë njerëzor, nga urdhri që Jehovai u dha në Zanafillën 2:16, 17: «Nga çdo pemë e kopshtit mund të hash, sa të ngopesh. Por, sa për pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes nuk duhet të hash nga ajo, sepse ditën që do të hash prej saj, me siguri do të vdesësh.» Refuzimi për t’iu nënshtruar Krijuesit të vet, solli për Adamin dhe të gjithë pasardhësit e tij mëkat, vuajtje dhe vdekje.​—Zanafilla 3:19; Romakëve 5:12.

4, 5. (a) Çfarë pasojash ka pasur refuzimi i njerëzimit për t’iu nënshtruar Perëndisë? (b) Cilit ligj moral nuk mund t’i iket?

4 Refuzimi i njerëzimit për t’iu nënshtruar Perëndisë, është pak i mençur dhe i gabuar moralisht. Në botë ka rezultuar me një paligjshmëri të përhapur, kriminalitet, dhunë dhe imoralitet seksual me frytet e tij siç janë sëmundjet e marra në rrugë seksuale. Veç kësaj, a nuk është plaga e sotme e kriminalitetit ndër të rinjtë, rrjedhojë e refuzimit të të rinjve për t’iu nënshtruar Jehovait, prindërve të tyre dhe ligjeve të vendit? Fryma e pavarësisë është e dukshme në mënyrën e çuditshme dhe të lëshuar të veshjes, si dhe në të folurin e ndyrë që përdorin.

5 Por nuk mund t’i iket këtij ligji moral të pandryshueshëm të Krijuesit: «Mos u gënjeni: Perëndia nuk është për t’u tallur. Sepse çdo gjë që njeriu do të mbjellë, atë edhe do të korrë; kush mbjellë me pamjen nga trupi i tij, nga trupi do të korrë prishjen.»​—Galatasve 6:7, 8, NW.

6, 7. Cili është shkaku themelor i refuzimit për të qenë të nënshtruar dhe nga cilët shembuj duket?

6 Cili është shkaku themelor i këtij refuzimi të përgjithshëm për të qenë të nënshtruar? Me fjalë të thjeshta, egoizmi dhe krenaria. Për këtë arsye, Eva, gruaja e parë, e la veten të gënjehej prej gjarprit dhe hëngri frutin e ndaluar. Nëse do të ishte modeste dhe e përulur, tundimi për të qenë si Perëndia​—për të vendosur vetë të mirën dhe të keqen—​nuk do ta kishte joshur. Dhe nëse do të ishte altruiste, nuk do ta kishte dëshiruar atë që Krijuesi i saj, Perëndia Jehova, e kishte ndaluar shprehimisht.​—Zanafilla 2:16, 17.

7 Jo shumë gjatë pas rënies së Adamit dhe Evës, krenaria dhe egoizmi e shtynë Kainin të vriste të vëllanë, Abelin. Egoizmi nxiti, gjithashtu, edhe disa engjëj që të vepronin në mënyrë të pavarur, duke braktisur pozitat e tyre fillestare dhe duke u materializuar, për të provuar kënaqësi seksuale. Krenaria dhe egoizmi karakterizuan Nimrodin dhe mbas tij shumicën e qeveritarëve të botës.​—Zanafilla 3:6, 7; 4:6-8; 1. Gjonit 3:12; Judës 6.

Përse ia kemi borxh nënshtrimin Jehovait

8-11. Cilat janë katër arsyet e rëndësishme për t’iu nënshtruar Perëndisë?

8 Përse ia kemi borxh nënshtrimin Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova? Para së gjithash, sepse ai është Sovrani i universit. Me të drejtë atij i përket çdo autoritet. Ai është Gjykatësi, Ligjvënësi dhe Mbreti ynë. (Isaia 33:22) Me të drejtë për të është shkruar: «Çdo gjë është e zhveshur dhe e shfaqur hapur në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.»​—Hebrenjve 4:13, NW.

9 Veç kësaj, duke qenë se Krijuesi ynë është i plotëfuqishëm, askush nuk mund t’i kundërvihet me sukses Atij; askush nuk mund të mohojë detyrimin që ka për t’iu nënshtruar Atij. Herët a vonë, ata që refuzojnë do të shkatërrohen, siç ndodhi me Faraonin e lashtë dhe siç do të ndodhë me Satana Djallin në kohën e caktuar prej Perëndisë.​—Psalmi 136:1, 11-15; Zbulesa 11:17; 20:10, 14.

10 Të gjitha krijesat inteligjente janë të detyruara për të qenë të nënshtruara, sepse ekzistojnë për t’i shërbyer Krijuesit të tyre. Zbulesa 4:11 deklaron: «I denjë je, Jehova, Perëndia ynë, për të pasur lavdinë, nderin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat dhe për shkak të vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» (NW) Ai është Poçari i Madh që krijon vazo për t’i shërbyer qëllimit të tij.​—Isaia 29:16; 64:8.

11 Nuk duhet të lëmë pas dore faktin se Krijuesi ynë është i gjithëditur, prandaj ai e di ç’është më e mirë për ne. (Romakëve 11:33) Ligjet e tija janë «për të mirën tonë». (Ligji i përtërirë 10:12, 13) Mbi të gjitha, «Perëndia është dashuri» dhe kështu që dëshiron atë që është më e mirë për ne. Sa shumë arsye kemi që na detyrojnë për të qenë të nënshtruar ndaj Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova.​—1. Gjonit 4:8.

Jezu Krishti, shembull i shkëlqyer i nënshtrimit ndaj Perëndisë

12, 13. (a) Si e tregoi Jezu Krishti nënshtrimin ndaj Perëndisë? (b) Cilat fjalë të Jezuit tregojnë sjelljen e tij të nënshtruar?

12 Pa asnjë hije dyshimi, Biri i vetëmlindur i Jehovait, Jezu Krishti, na jep shembullin e shkëlqyer të nënshtrimit ndaj Perëndisë. Apostulli Pavël e tregon këtë tek Filipianët 2:6-8: «[Jezui] edhe pse ekzistonte në formën e Perëndisë, nuk e konsideroi si rrëmbim, d.m.th., se duhej të ishte njëlloj me Perëndinë. Jo, por e zbrazi veten e tij dhe mori formën e një skllavi, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit. Për më tepër, kur u gjend me figurë njeriu, e poshtëroi [edhe më shumë] vetveten dhe u tregua i bindur deri në vdekje, po, vdekje mbi një shtyllë mundimesh.» (NW) Kur ishte mbi tokë, Jezui deklaroi vazhdimisht se nuk bënte asgjë me iniciativën e vet; nuk vepronte në mënyrë të pavarur, por gjithmonë me nënshtrim ndaj Atit të tij qiellor.

13 Tek Gjoni 5:19, 30 lexojmë: «Atëherë Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Biri s’ mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç çka sheh se bën Ati; çka bën ai, po atë gjë e bën edhe Biri. Unë asgjë s’ mund të bëj prej vetvetes; si dëgjoj, ashtu gjykoj, dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.» Në mënyrë të ngjashme, natën kur u tradhëtua ai shumë herë përsëriti në lutje: «Jo si dua unë, por si do ti.»​—Mateu 26:39, 42, 44; shiko edhe Gjoni 7:28; 8:28, 42.

Shembuj të vjetër të nënshtrimit ndaj Perëndisë

14. Në cilat mënyra Noeja tregoi nënshtrim ndaj Perëndisë?

14 Ndër shembujt e vjetër njerëzor të nënshtrimit ndaj Perëndisë, është edhe ai i Noesë. Nënshtrimin e tij ai e shprehu në tri mënyra. Së pari, duke qenë një njeri i drejtë, pa të meta mes bashkëkohësve të tij dhe duke ecur me Perëndinë e vërtetë. (Zanafilla 6:9) Së dyti, duke ndërtuar arkën. Ai «vazhdoi të bënte sipas gjithçkaje që Perëndia i kishte urdhëruar. Bëri pikërisht ashtu.» (Zanafilla 6:22) Së treti, duke bërë të ushtonte «si predikues i drejtësisë», lajmërimin e Përmbytjes që po afrohej.​—2. Pjetrit 2:5.

15, 16. (a) Çfarë shembulli të shkëlqyer të nënshtrimit ndaj Perëndisë dha Abrahami? (b) Në ç’mënyrë tregoi Sara nënshtrim?

15 Abrahami ishte një tjetër shembull i nënshtrimit ndaj Perëndisë. Ai tregoi nënshtrim, duke iu bindur urdhrit të Perëndisë: «Dil jashtë prej vendit tënd.» (Zanafilla 12:1) Kjo do të thoshte, se duhej të linte komoditetet e Urit (një qytet jo pa rëndësi, siç kanë treguar zbulimet arkeologjike), për të bredhur si një nomad në një tokë të huaj, për një qind vjet. Në mënyrë të veçantë, Abrahami tregoi nënshtrim ndaj Perëndisë, duke pranuar provën për të flijuar birin e tij, Isakun.​—Zanafilla 22:1-12.

16 Gruaja e Abrahamit, Sara, na jep një tjetër shembull të shkëlqyer të nënshtrimit ndaj Perëndisë. Pa dyshim, të sillesh nëpër një tokë të huaj përmban shumë shqetësime, megjithatë askund nuk lexojmë se ajo është ankuar. Dha një shembull të shkëlqyer të nënshtrimit ndaj Perëndisë edhe kur dy herë Abrahami e prezantoi para qeveritarëve paganë si motrën e tij. Në të dyja herët ajo bashkëpunoi edhe pse për këtë rrezikoi të bëhej pjesëtare e haremeve të tyre. Një provë e nënshtrimit të saj ndaj Perëndisë ishte se ajo në vetvete e kishte zakon ta quante burrin e saj, Abrahamin, «im zot», duke treguar se kjo ishte shprehi e zemrës së saj të sinqertë.​—Zanafilla 12:11-20; 18:12; 20:2-18; 1. Pjetrit 3:6.

17. Përse mund të themi se Isaku u tregua i nënshtruar ndaj Perëndisë?

17 Le të mos harrojmë edhe shembullin e nënshtrimit ndaj Perëndisë të treguar nga Isaku, biri i Abrahamit. Tradita hebreje tregon se Isaku ishte rreth 25 vjeç, kur Jehovai i urdhëroi të atit, Abrahamit, që ta ofronte si flijim. Po të donte, Isaku me lehtësi mund t’i rezistonte të atit që ishte edhe një qind vjet më i vjetër se ai. Por jo. Edhe pse i habitur nga mungesa e një kafshe për flijim, Isaku iu nënshtrua me ëmbëlsi të atit që e vendosi mbi altar dhe pastaj e lidhi duar e këmbë që të pengonte apo kontrollonte çdo reagim të mundshëm instiktiv, kur të përdorej thika e sakrificës.​—Zanafilla 22:7-9.

18. Si tregoi Moisiu një nënshtrim shembullor ndaj Perëndisë?

18 Vite më vonë, Moisiu na dha një shembull të mirë të nënshtrimit ndaj Perëndisë. Kjo tregohet nga fakti se ai përshkruhet si «shumë më i urtë se të gjithë njerëzit që gjendeshin mbi sipërfaqen e dheut.» (Numrat 12:3) Bindja e tij për të ndjekur urdhrat e Jehovait për dyzet vjet në shkretëtirë, edhe pse iu desh të udhëhiqte një popull rebel prej dy apo tre milion vetash, dëshmon edhe më tej nënshtrimin e tij ndaj Perëndisë. Prandaj, tregimi thotë se «Moisiu vazhdoi të bënte sipas gjithçkaje që Jehovai i kishte urdhëruar. Bëri pikërisht ashtu.»​—Të Dalët 40:16.

19. Me cilat shprehje e tregoi Jobi nënshtrimin e vet ndaj Jehovait?

19 Jobi është një tjetër personazh i jashtëzakonshëm që na jep një shembull të shkëlqyer të nënshtrimit ndaj Perëndisë. Pasi Jehovai lejoi që Satanai të zhdukte të gjitha zotërimet e Jobit, të vriste djemtë e tij dhe ta godiste pastaj me «një çiban të keq nga gjurmët e këmbëve deri në majë të kokës», gruaja e Jobit tha: «Ende e mban integritetin tënd? Mallko Perëndinë dhe vdis!» Megjithatë, Jobi tregoi nënshtrim ndaj Perëndisë, duke i thënë: «Edhe ti po flet si një nga gratë pa mend. A duhet të pranojmë nga Perëndia i vërtetë vetëm atë që është e mirë dhe të mos pranojmë edhe atë që është e keqe?» (Jobi 2:7-10) I njëjti qëndrim mendor është i dukshëm edhe në fjalët e tij tek Jobi 13:15: «Edhe po të më vriste, a nuk do prisja unë?» Edhe pse në fakt Jobi shqetësohej shumë për justifikimin e vet, nuk duhet të harrojmë se në fund Jehovai i tha njërit prej të ashtuquajturve ngushëllues të tij: «Zemërimi im është ndezur kundër teje dhe dy shokëve të tu, sepse nuk keni thënë çka është e vërtetë mbi mua, siç ka bërë shërbëtori im, Jobi.» Pa dyshim, Jobi na jep një shembull të shkëlqyer të nënshtrimit ndaj Perëndisë.​—Jobi 42:7.

20. Në ç’mënyrë tregoi Davidi nënshtrim ndaj Perëndisë?

20 Për të përmendur vetëm një shembull tjetër nga Shkrimet Hebreje, le të marrim Davidin. Kur mbreti Saul e ndiqte si të ishte një kafshë, Davidit iu paraqitën dy raste për të vrarë Saulin dhe t’u jepte fund vuajtjeve të tija. Por, nënshtrimi ndaj Perëndisë, e bëri Davidin që të ruhej nga kjo. Në 1. Samuelit 24:6 gjenden këto fjalë të Davidit: «Është e pamendueshme nga ana ime, nga pikëpamja e Jehovait, që unë të bëj këtë gjë ndaj zotërisë tim, të mirosurit të Jehovait, duke shtrirë dorën kundër tij, sepse është i mirosuri i Jehovait.» (Shiko edhe 1. Samuelit 26:9-11.) Në mënyrë të ngjashme, Davidi dha prova të nënshtrimit ndaj Perëndisë, duke e pranuar qortimin pasi gaboi apo mëkatoi.​—2. Samuelit 12:13; 24:17; 1. Kronikat 15:13.

Shembulli i nënshtrimit të Pavlit

21-23. Në cilat rrethana të ndryshme, apostulli Pavël tregoi nënshtrim ndaj Perëndisë?

21 Në Shkrimet Greke të Krishtere, tek apostulli Pavël gjejmë një shembull të dukshëm të nënshtrimit ndaj Perëndisë. Si në çdo aspekt tjetër të shërbimit të tij si apostull, edhe në këtë pikë ai imitoi Zotërinë e tij, Jezu Krishtin. (1. Korintasve 11:1) Edhe pse Perëndia Jehova e përdori atë në një masë shumë më të madhe se çdo apostull tjetër, Pavli nuk veproi kurrë në mënyrë të pavarur. Luka na thotë që kur lindi pyetja se a duhej të rrethpriteshin paganët e kthyer në të krishterë, «u përfundua [prej vëllezërve të Antiokisë] që Pali dhe Barnaba e disa të tjerë prej tyre të shkojnë në Jerusalem tek apostujt e pleqtë për ta sqaruar këtë çështje.»​—Veprat 15:2.

22 Sa për aktivitetin misionar të Pavlit, në Galatasve 2:9 na thuhet: «Duke njohur dashamirësinë e pamerituar që më ishte dhënë, Jakovi, Kefai dhe Gjoni, më dhanë mua dhe Barnabës të djathtën e pjesëmarrjes së përbashkët, me qëllim që ne të shkonim ndër kombet, por ata tek të rrethprerët.» (NW) Në vend se të vepronte në mënyrë të pavarur, Pavli kërkoi udhëheqje.

23 Në të njëjtën mënyrë, herën e fundit që ndodhej në Jeruzalem, Pavli e pranoi këshillën e pleqve të atyshëm, për të shkuar në tempull dhe të ndiqte procedurën e vendosur nga Ligji, me qëllim që të gjithë të shihnin se ai nuk ishte një apostat në lidhje me Ligjin e Moisiut. Pasi kjo punë pati, në dukje, një fund shkatërrimtar, sepse Pavli u sulmua nga një turmë e nxitur kundër tij, a do të thotë kjo se ai ndoshta kishte gabuar që iu nënshtrua atyre pleqve? Aspak, siç thuhet qartësisht edhe tek Veprat 23:11: «Aspak mos u tremb! Si ke dëshmuar për mua në Jerusalem, po ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë.»

24. Cilat aspekte të mëtejshme të nënshtrimit ndaj Perëndisë do të shqyrtohen në artikullin vijues?

24 Është e vërtetë, Shkrimet na ofrojnë arsye të forta për të qenë të nënshtruar, si dhe shembuj të dukshëm të njerëzve që manifestuan një nënshtrim të tillë. Në artikullim vijues, do të shqyrtojmë fushat e ndryshme, në të cilat mund të tregojmë nënshtrim ndaj Perëndisë Jehova, çfarë gjërash mund të na ndihmojnë në këtë drejtim dhe se çfarë rezultatesh mund të presim.

Pyetjet për përsëritje

Cila formë e pavarësisë nuk është e favorshme?

Cili është shkaku kryesor i refuzimit për të qenë të nënshtruar?

Për cilat arsye ia kemi borxh nënshtrimin Jehovait?

Çfarë shembujsh të shkëlqyer të nënshtrimit ndaj Perëndisë na japin Shkrimet?

[Pyetjet e studimit]

[Figura në faqen 6]

Nimrodi, qeveritari i parë pas Përmbytjes që u rebelua kundër nënshtrimit ndaj Perëndisë

[Figura në faqen 7]

Noeja, shembull pa të meta i nënshtrimit ndaj Perëndisë.​—Zanafilla 6:14, 22