Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kultivojmë personalitetin e ri në martesë

Të kultivojmë personalitetin e ri në martesë

Të kultivojmë personalitetin e ri në martesë

«Ju duhet të rinoheni në forcën lëvizëse të mendjes suaj dhe të vishni personalitetin e ri.»​—EFESIANËVE 4:23, 24, NW.

1. Përse martesa nuk duhet marrë me lehtësi?

MARTESA është një nga hapat më të rëndësishëm që ndërmerren në jetë, prandaj kurrë nuk duhet marrë me lehtësi. Përse? Sepse kërkon një angazhim të përjetshëm me një njeri tjetër. Do të thotë të ndash me këtë njeri gjithë jetën tënde. Për ta mbajtur si duhet këtë angazhim kërkohet pjekuri dhe gjykim. Duhet, gjithashtu, edhe një ndikim pozitiv «që vë në lëvizje mendjen, duke formuar kështu personalitetin e ri.»​—Efesianëve 4:23, 24, NW; krahaso Zanafilla 24:10-58; Mateu 19:5, 6.

2, 3. (a) Çfarë është e nevojshme për të zgjedhur me mençuri një bashkëshort? (b) Çfarë përfshin një martesë?

2 Ka arsye të mira për të mos u ngutur drejt martesës, nën dëshirën e fortë të trupit. Nevojitet kohë për të zhvilluar një karakter dhe një personalitet prej të rrituri. Me kohë, gjithashtu, vjen edhe përvoja dhe njohuria mbi të cilat bazohet gjykimi i shëndoshë. Në këtë kohë, zgjedhja e një shoku të përshtatshëm për jetën, mund të ketë mundësi më të mëdha për sukses. Një proverb spanjoll e thotë këtë qartë: «Më mirë të jesh i vetëm, se të bësh një martesë të keqe.»​—Proverbat 21:9; Eklisiastiu 5:2.

3 Zgjedhja e një partneri të përshtatshëm është padyshim themelore për një martesë të suksesshme. Prandaj i krishteri duhet të bazohet në rregulla biblike dhe të mos udhëhiqet nga tërheqje të thjeshta fizike apo nga presione të tepruara sentimentale dhe romantike. Martesa është shumë më tepër, sesa vetëm një bashkim i dy trupave. Është bashkim i dy personaliteteve, dy familjeve, i dy ambienteve edukative dhe ndoshta i dy kulturave dhe gjuhëve. Bashkimi i dy familjeve me martesë sigurisht që kërkon një përdorim me vend të gjuhës; me forcën e fjalës mund të shembim ose të ndërtojmë. E gjithë kjo, tregon mençurinë e këshillës së Pavlit që «të martohen vetëm në Zotërinë», pra, me një bashkëbesimtar.​—1. Korintasve 7:39; Zanafilla 24:1-4; Proverbat 12:18; 16:24.

Të përballojmë tensionet e martesës

4. Përse disa herë do të lindin grindje dhe tensione në martesë?

4 Edhe me një bazë të mirë, do të ketë kohë me grindje, presione dhe tensione. Janë gjëra normale për të gjithë, të martuar ose jo. Problemet ekonomike dhe shëndetësore mund të shkaktojnë strese për çdo lidhje. Ndryshimet e humorit mund të çojnë në përplasje personaliteti edhe në martesën më të mirë. Një faktor tjetër është se askush nuk e kontrollon dot në mënyrë të përsosur gjuhën, siç thotë Jakovi: «Për të vërtetë, të gjithë gabojmë shumë. Në qoftë se ndokush nuk gabon në fjalë, ai është njeri i përsosur, i aftë të sundojë mbarë trupin. . . . Gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha. Ja, një zjarr i vogël se ç’pyll të madh mund të djegë!»​—Jakovit 3:2, 5.

5, 6. (a) Çfarë nevojitet kur lind ndonjë keqkuptim? (b) Çfarë veprimi nevojitet për të ndrequr një thyerje?

5 Si mund ta kontrollojmë situatën, kur rriten presionet në martesë? Si t’ia bëjmë që një keqkuptim të mos kthehet në një grindje dhe grindja në shkak për thyerjen e lidhjes? Pikërisht këtu hyn në lojë forca lëvizëse e mendjes. Kjo frymë motivuese mund të jetë pozitive ose negative, ndërtuese dhe e prirur nga ana frymore ose poshtëruese, e sunduar nga prirjet trupore. Nëse është ndërtuese, individi do të veprojë për ta ndrequr thyerjen, me qëllim që martesa të mos mbytet. Bisedat dhe mospajtimet nuk duhet ta shkatërrojnë martesën. Duke zbatuar këshillat biblike, mund të rikthehet qetësia dhe të rivendoset mirëkuptimi dhe respekti reciprok.​—Romakëve 14:19; Efesianëve 4:23, 26, 27.

6 Në rrethana të tilla janë shumë të çmueshme fjalët e Pavlit: «Për këtë arsye, si të zgjedhur të Perëndisë, të shenjtë dhe të dashur, vishuni me dashuri të butë dhembshurie, mirësi, modesti mendjeje, butësi dhe shpirtmadhësi. Vazhdoni ta duroni njëri-tjetrin dhe ta falni njëri-tjetrin, nëse dikush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali lirisht, kështu bëni edhe ju. Por, përveç këtyre gjërave, vishuni me dashuri, sepse është një hallkë e përsosur lidhjeje.»​—Kolosianëve 3:12-14, NW.

7. Çfarë problemi mund të kenë disa në martesë?

7 Ky tekst biblik është i lehtë për t’u lexuar, por për shkak të presioneve të jetës moderne, s’është gjithmonë po kaq i lehtë edhe për t’u zbatuar. Cili mund të jetë një nga problemet themelore? Disa herë, pa e kuptuar, një i krishterë mund të bëjë një jetë me dy faqe. Në Sallën e Mbretërisë është midis vëllezërve dhe vepron me mirësi dhe konsideratë. Pastaj, me t’u kthyer në shtëpi, në rutinën e përditshme, mund të anojë nga braktisja e lidhjes së vet frymore. Aty ka vetëm burrë dhe grua, «ai» dhe «ajo». Dhe nën një gjendje stresi, ai ose ajo mund të arrijnë deri aty, sa të thonë gjëra jo shumë të pëlqyeshme, të cilat nuk do t’i shqiptonin kurrë në Sallën e Mbretërisë. Çfarë ka ndodhur? Përkohësisht, karakteri i krishterë është zbehur. Një shërbëtor i Perëndisë ka harruar se edhe në shtëpi është një vëlla apo motër e krishterë. Forca lëvizëse e mendjes është bërë negative dhe jo pozitive.z—Jakovit 1:22-25.

8. Çfarë mund të ndodhë kur forca lëvizëse e mendjes është negative?

8 Dhe çfarë del si rezultat? Burri mund të mos rrijë më «me gruan e tij sipas njohurisë dhe t’i japë asaj nder si një ene më të dobët, asaj femërore.» Gruaja mund të mos e respektojë më burrin; «fryma e qetë dhe e butë» e saj, ka humbur. Forca lëvizëse e mendjes është bërë trupore dhe jo frymore. Një «gjendje trupore e mendjes» ka hyrë në mes. Ç’mund të bëjmë, pra, me qëllim që ajo forcë motivuese të mbahet pozitive dhe frymore? Duhet të forcojmë karakterin tonë frymor.​—1. Pjetrit 3:1-4; Kolosianëve 2:18.

Shumëfishoni forcën

9. Çfarë zgjedhjesh duhet të bëjmë në jetën e përditshme?

9 Forca motivuese është prirja mendore që hyn në lojë kur duhet të bëjmë zgjedhje apo të marrim vendime. Jeta paraqet një vazhdë të qëndrueshme alternativash: të mira ose të këqija, egoiste ose altruiste, morale ose jomorale. Çfarë do të na ndihmojë për të marrë vendime të drejta? Forca lëvizëse e mendjes sonë, nëse është e përqëndruar në kryerjen e vullnetit të Jehovait. Psalmisti u lut: «Më mëso, O Jehova, në rrugën e rregullave të tua, me qëllim që ta ndjek deri në fund.»​—Psalmi 119:33; Ezekieli 18:31; Romakëve 12:2.

10. Si mund ta shumëfishojmë pozitivisht forcën lëvizëse të mendjes?

10 Një lidhje e fortë me Jehovain, do të na ndihmojë që t’i pëlqejmë atij dhe të largohemi nga të këqijat, duke përfshirë edhe jobesnikërinë në martesë. Izraelitët qenë të nxitur që «të bënin atë që ishte e mirë në sytë e Jehovait, Perëndisë [së tyre].» Perëndia u dha, gjithashtu, edhe këtë këshillë: «O ju, që e doni Jehovain, urrejeni të keqen.» Në bazë të të shtatit nga Dhjetë Urdhrat​—«Nuk duhet të bësh tradhti bashkëshortore»—​izraelitët duhet ta urrenin tradhtinë bashkëshortore. Ai urdhër tregonte pikëpamjen strikte të Perëndisë mbi besnikërinë martesore.​—Ligji i përtërirë 12:28; Psalmi 97:10; Të Dalët 20:14; Levitiku 20:10.

11. Si mund ta shumëfishojmë edhe më tej forcën lëvizëse të mendjes?

11 Si mund ta shumëfishojmë edhe më tej forcën lëvizëse të mendjes? Duke vlerësuar aktivitetet dhe vlerat frymore. Kjo do të thotë se duhet të plotësojmë nevojën për të studiuar rregullisht Fjalën e Perëndisë dhe të dimë se si të gëzohemi duke biseduar së bashku mbi mendimet dhe këshillat e Jehovait. Ndjenjat tona të sinqerta duhet të jenë si ato të psalmistit që tha: «Me gjithë zemër të kam kërkuar. Mos bë që të shmangem prej urdhrave të tua. Në zemrën time i ruaj thëniet e tua, për të mos mëkatuar kundër teje. Më mëso, O Jehova, në rrugën e rregullave të tua, me qëllim që ta ndjek deri në fund. Më jep kuptim, që të mund ta mbaj ligjin tënd dhe ta ruaj me gjithë zemër.»​—Psalmi 119:10, 11, 33, 34.

12. Cilat gjëra mund të na bashkojnë në pasqyrimin e mendjes së Krishtit?

12 Ky lloj vlerësimi për kriteret e drejta të Jehovait, mbahet jo vetëm duke studiuar Biblën, por edhe duke ndjekur rregullisht mbledhjet e krishtere dhe duke marrë pjesë së bashku në shërbimin e krishterë. Këto dy gjëra, me ndikimin e tyre të fuqishëm, mund të shumëfishojnë forcën lëvizëse të mendjes sonë, kështu që mënyra jonë altruiste e jetesës do të pasqyrojë gjithmonë mendjen e Krishtit.​—Romakëve 15:5; 1. Korintasve 2:16.

13. (a) Përse lutja është një faktor thelbësor në shumëfishimin e forcës lëvizëse të mendjes? (b) Çfarë shembulli dha Jezui në këtë drejtim?

13 Një tjetër faktor del në pah nga letra e Pavlit drejtuar efesianëve: «Me çdo lloj lutjeje dhe të luturi . . . dedikojuni në çdo rast lutjes në frymë.» (Efesianëve 6:18, NW) Burri dhe gruaja kanë nevojë të luten së bashku. Shpesh, këto lutje hapin zemrën dhe çojnë në një komunikim të sinqertë që mbyll çdo të çarë. Në kohë provash dhe tundimesh, kemi nevojë t’i lutemi Perëndisë, duke i kërkuar ndihmë dhe forcë frymore, për të vepruar në përputhje me mendjen e Krishtit. Në shumë raste edhe Jezui i përsosur iu lut për ndihmë Atit të tij. Lutjet e tij ishin të përzemërta dhe të zjarrta. Po kështu edhe sot, në momente tundimi, forcën për të marrë vendime të drejta mund ta gjejmë duke iu drejtuar Jehovait, që të na ndihmojë për t’i rezistuar dëshirave të trupit dhe për të mos shkelur betimin martesor.​—Psalmi 119:101, 102.

Dy shembuj të kundërt sjelljeje

14, 15. (a) Si reagoi Jozefi përballë tundimit? (b) Çfarë e ndihmoi Jozefin për t’i bërë ballë tundimit?

14 Si mund ta përballojmë tundimin? Në këtë aspekt vërejmë një ndryshim të dukshëm midis sjelljes së Jozefit dhe Davidit. Kur gruaja e Potifarit u përpoq me insistim që të joshte Jozefin e pashëm, që siç duket në atë kohë ishte i pamartuar, ai më në fund iu përgjigj kështu: «Nuk ka asnjë më të madh se unë në këtë shtëpi; ai [yt shoq] nuk më ka ndaluar asgjë veç teje, sepse je gruaja e tij. Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë.»​—Zanafilla 39:6-9, Zanafilla, Fjalët e urta, Dhjetë Urdhërimet e Zotit.

15 Çfarë e ndihmoi Jozefin për të marrë një vendim të drejtë, në një kohë kur mund të ishte aq e lehtë për të lëshuar pe? Ai kishte një forcë të fuqishme lëvizëse në mendjen e tij. Kishte një lidhje me të vërtetë të ndërgjegjshme me Jehovain. E dinte se po të kryente kurvëri me atë grua të magjepsur, do të bënte në fakt një mëkat jo vetëm kundër burrit të saj, por më e rëndësishmja, kundër Perëndisë.—Zanafilla 39:12.

16. Si reagoi Davidi përballë një tundimi?

16 Çfarë ndodhi, përkundrazi, me Davidin? Ai ishte një burrë i martuar, me shumë gra, ashtu siç e lejonte edhe Ligji. Një mbrëmje, ai vështroi nga pallati i tij një grua që po lahej. Ishte bukuroshja Betsheba, gruaja e Uriahut. Pa dyshim, Davidi kishte dy mundësi zgjedhjeje: të qëndronte duke parë, ndërsa dëshira epshore po rritej në zemrën e tij, ose të ikte dhe të shtynte tej tundimin. Çfarë zgjodhi ai? E solli atë grua në pallatin e tij dhe bëri tradhti bashkëshortore me të. Por më e keqja është se shkoi deri aty, sa shkaktoi vdekjen e burrit të saj.​—2. Samuelit 11:2-4, 12-27.

17. Çfarë përfundimesh mund të nxjerrim mbi gjendjen frymore të Davidit?

17 Çfarë problemi kishte Davidi? Nga rrëfimi i tij i penduar, në Psalmin 51, mund të arrijmë në disa përfundime. Ai tha: «Krijo tek unë edhe një zemër të pastër, O Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur.» Është e qartë, se kur u tundua ai nuk kishte një frymë të pastër dhe të palëkundur. Ndoshta e kish lënë pas dore leximin e Ligjit të Jehovait dhe si rezultat karakteri i tij frymor ishte dobësuar. Apo ndoshta kishte lejuar që pozita dhe fuqia e tij si mbret të korruptonin mënyrën e tij të të menduarit, kështu që ai ra viktimë e dëshirave epshore. Sigurisht që forca lëvizëse e mendjes së tij në atë çast ishte egoiste dhe mëkatare. Prandaj, ai e pranoi se kishte nevojë për «një frymë të re, të palëkundur.»​—Psalmi 51:10; Ligji i përtërirë 17:18-20.

18. Çfarë këshille dha Jezui mbi tradhtinë bashkëshortore?

18 Disa martesa të krishtere kanë përfunduar keq, sepse njëri apo të dy bashkëshortët kishin rënë në një gjendje dobësie frymore, ngjashëm Davidit. Shembulli i tij duhet të jetë paralajmërues për ne, që të mos shohim vazhdimisht e me pasion ndonjë grua apo burrë, sepse kjo mund të përfundojë në tradhti bashkëshortore. Jezui tregoi se i njihte ndjenjat njerëzore në këtë pikë, kur tha: «Gjithashtu e dini se thuhet: Mos bëj tradhti bashkëshortore. Por unë po ju them : Kush e shikon gruan (e tjetrit) me dëshirim, tashmë ka bërë tradhti bashkëshortore me të në mendjen e tij.» Në këtë rast, forca që vë në veprim mendjen është egoiste dhe trupore, jo frymore. Çfarë mund të bëjnë, pra, të krishterët për të shmangur tradhtinë bashkëshortore dhe për ta mbajtur martesën të lumtur e të gëzuar?​—Mateu 5:27, 28, Dhiata e re dhe Psalmet.

Forconi lidhjet martesore

19. Si mund të forcohet një martesë?

19 Mbreti Solomon shkroi: «Nëse dikush mund ta mposhtë dikë që është vetëm, dy së bashku mund t’i qëndrojnë atij. Dhe një litar i lidhur më tresh, nuk mund të këputet shpejt.» Sigurisht, të dy në një martesë të harmonishme mund t’u bëjnë ballë kundërshtimeve, më mirë sesa një i vetëm. Por nëse lidhja e tyre është më tresh, pasi përfshin edhe Perëndinë, martesa do të jetë edhe më e fortë. Por si mund të jetë i përfshirë Perëndia në martesë? Duke zbatuar parimet dhe këshillat e tij për martesën.​—Eklisiastiu 4:12.

20. Cilat këshilla biblike mund ta ndihmojnë një burrë?

20 Sigurisht, nëse një burrë i zbaton këshillat vijuese biblike, martesa e tij do të ketë mundësi më të mëdha për sukses:

«Ju, burra, po kështu vazhdoni të rrini me gratë tuaja sipas njohurisë, duke u dhënë atyre nder si një ene më të dobët, asaj femërore, pasi bashkë me to jeni trashëgimtarë të favorit të pamerituar të jetës, me qëllim që lutjet tuaja të mos pengohen.»​1. Pjetrit 3:7, NW.

«Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të. Në këtë mënyrë burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si trupat e tyre. Kush do gruan do vetveten.»​Efesianëve 5:25, 28, NW.

«[Burri] i saj ngrihet dhe e lavdëron. Shumë bija kanë treguar aftësi, por ti je ngritur mbi të gjitha ato.»​Proverbat 31:28, 29.

«A mund të ecë një burrë mbi qymyr të ndezur e të mos djegë këmbët? Njësoj është me këdo që ka lidhje me gruan e tjetrit, kushdo që e prek nuk do të mbesë pa ndëshkim. Cilido që kryen tradhti bashkëshortore . . . e çon shpirtin e vet në shkatërrim.»​Proverbat 6:28, 29, 32.

21. Cilat këshilla biblike mund ta ndihmojnë një grua?

21 Nëse gratë u kushtojnë vëmendje këtyre këshillave biblike, do t’i kontribuojnë qëndrueshmërisë së martesës së tyre:

«Ju gra, u jini të nënshtruara burrave tuaj, me qëllim që, nëse disa nuk i janë të bindur fjalës, të fitohen pa fjalë nga sjellja e grave të tyre, duke qenë dëshmitarë sypamës të sjelljes suaj të pastër bashkë me respekt të thellë, si dhe të frymës suaj të qetë e të butë.»​1. Pjetrit 3:1-4, NW.

«Burri le ta kryejë detyrën martesore [seksuale] ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. . . . Mos ia mohoni njëri-tjetrit detyrën martesore, përveç me marrëveshje e përkohësisht.»​1. Korintasve 7:3-5.

22. (a) Cilët faktorë të tjerë mund të ndikojnë në dobi të një martese? (b) Çfarë mendon Jehovai mbi divorcin?

22 Bibla tregon, gjithashtu, se dashuria, dashamirësia, dhembshuria, durimi, mirëkuptimi, inkurajimi dhe lëvdatat janë faqe të tjera thelbësore të këtij guri të çmuar siç është martesa. Pa to, martesa do të ishte si një pemë pa diell dhe ujë​—zor se do të lulëzonte. Le ta lëmë, pra, forcën lëvizëse të mendjes sonë të na nxisë për t’i dhënë zemër e për të freskuar njëri-tjetrin, brenda martesës sonë. Mos harroni se Jehovai «e urren divorcin». Nëse dashuria e krishterë vihet në praktikë, nuk do të ketë vend për tradhti bashkëshortore dhe dështim në martesë. Përse? «Sepse dashuria nuk dështon kurrë.»​—Malakia 2:16; 1. Korintasve 13:4-8; Efesianëve 5:3-5.

Pyetjet për përsëritje

Çfarë është themelore për një martesë të lumtur?

Si ndikon mbi martesën forca lëvizëse e mendjes?

Çfarë mund të bëjmë për të shumëfishuar forcën lëvizëse të mendjes sonë?

Si dalluan Jozefi dhe Davidi kur ranë në tundim?

Cilat këshilla biblike do t’i ndihmojnë burrat dhe gratë për të forcuar lidhjet martesore?

[Pyetjet e studimit]

[Figurat në faqe 28]

A bëjmë një jetë të dyfishtë​—të dashur në kongregacion dhe të ashpër në shtëpi?