Pashkët apo Përkujtimin: Çfarë duhet të kremtosh?
Pashkët apo Përkujtimin: Çfarë duhet të kremtosh?
NDËRSA agimi do të shpërthejë me shkëlqimin e tij në horizont, më 7 prill miliona njerëz do t’i japin mirëseardhjen festës së tyre më të madhe të vitit, Pashkëve. Në të kaluarën, ky emër përfshinte një periudhë prej 120 ditësh me kremtime e agjërime, e cila fillonte me një festë të quajtur Septuagesima dhe mbaronte në atë që quhet Dita e Trinitetit. Sot, ky emër përdoret për një ditë të vetme, në të cilën kremtohet ringjallja e Jezuit, e Diela e Pashkës.
Megjithatë, në një mbrëmje më të hershme, gjatë po asaj jave, miliona të tjerë do të mblidhen për të kremtuar Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, e njohur ndryshe edhe si Darka e Zotërisë. Është një kremtim që e vendosi vetë Jezui, natën e tij të fundit mbi tokë. Pastaj, ai u tha dishepujve të tij: «Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.»
Cilën duhet të kremtosh ti?
Origjina e Pashkëve
Emri Pashkët (Easter), që përdoret në shumë vende, nuk gjendet në Bibël. Një libër na thotë se «festa e ka marrë emrin nga perëndesha pagane e agimit dhe e pranverës, Eostre». (Medieval Holidays and Festivals) Por, cila ishte kjo perëndeshë? «Eostre ishte ajo që, sipas legjendës, hapi dyert e Valhalës për të pritur Baldurin, i quajtur Perëndia i Bardhë, për shkak të pastërtisë së tij dhe Perëndia Diell, pasi vetulla e tij jepte dritë për njerëzimin»,—përgjigjet një libër tjetër. Pastaj shton: «S’ka dyshim se në ditët e saj të hershme, Kisha adoptoi zakonet e vjetra pagane dhe u dha atyre një domethënie të krishterë. Përderisa festivali i Eostres kremtohej në kohën e ripërtëritjes së jetës në pranverë, nuk ishte e vështirë që të kthehej si kremtim i ringjalljes së Jezuit nga të vdekurit, ungjillin e të cilit ata predikonin.»
Ky adoptim shpjegon edhe se nga e kanë origjinën zakonet e Pashkëve në disa vende, të tilla si vezët e Pashkëve, lepuri i Pashkëve dhe kuleçët e ngrohtë me kryq. Në lidhje me zakonin e bërjes së kuleçëve të ngrohtë me kryq, «që në majat e tyre të shndritshme kanë nga një . . . kryq», një libër pohon: «Kryqi ishte një simbol pagan shumë kohë më parë se të fitonte domethënie të përhershme nga ngjarjet e së Premtes së Mirë të parë dhe buka e kekët bëheshin disa herë me të në kohët para krishterimit.»
Askund në Shkrime nuk gjejmë të përmenden gjëra të tilla, as ekziston ndonjë dëshmi se dishepujt e parë të Jezuit kishin ndonjëfarë besimi në to. Në fakt, apostulli Pjetër na thotë ‘të dëshirojmë fort qumështin e pastër të fjalës, që të rritemi me anë të tij’. (1 Pjetrit 2:2) Pra, përse kishat e të ashtuquajturit krishterim adoptuan simbole të tilla të qarta pagane në bindjet dhe në praktikat e tyre?
Libri Kuriozitete të zakoneve popullore përgjigjet: «Ishte politika e pandryshueshme e Kishës së hershme për t’u dhënë domethënie të krishterë ceremonive ekzistuese pagane, që s’mund të çrrënjoseshin. Në rastin e Pashkëve kthimi ishte veçanërisht i lehtë. Gëzimi i lindjes së diellit natyror dhe zgjimi i natyrës prej vdekjes së dimrit, u bë gëzimi i lindjes së Diellit të drejtësisë, në ringjalljen e Krishtit nga varri. Edhe disa nga kremtimet pagane që mbaheshin rreth 1 majit u ndryshuan për të korresponduar me kremtimin e Pashkëve.» (Curiosities of Popular Customs) Në vend se të shmangnin zakonet popullore pagane dhe ritet magjike, krerët fetarë i pranuan dhe u dhanë atyre «domethënie të krishterë».
«Por, a ka ndonjë të keqe kjo?»—mund të pyesësh ti. Disa mendojnë që jo. Alen W. Uats, prift episkopal, thotë në një libër të tij: «Kur një fe e tillë, si krishterimi, vjen te një popull nga një kulturë tjetër, ajo adopton dhe ‘pagëzon’ disa nga zakonet popullore që e kanë origjinën në fenë e vjetër. Kjo fe zgjedh dhe ndërfut në liturgjinë popullore kremtime, të cilat duket se kanë të njëjtën domethënie me parimet e përjetshme që mëson Kisha.» (Easter
Pikëpamja e Perëndisë
Në një libër të saj, Kristina Hol thotë: «Dita e Pashkës, Festa e Ringjalljes së Zotërisë Tonë, është më e madhja ndër të gjitha festivalet e Kishës së Krishterë.» (Easter and Its Customs) Edhe shkrimtarë të tjerë janë dakort. «Asnjë ditë e shenjtë apo festival në vitin e krishterë nuk mund të krahasohet për nga rëndësia me të Dielën e Pashkës»,—vëren Robert J. Majers, në librin e tij Celebrations. Megjithatë, kjo ngre disa pyetje. Nëse kremtimi i Pashkës është kaq i rëndësishëm, përse nuk ekziston në Bibël asnjë urdhër specifik për të vepruar kështu? A ka ndonjë tregim që dishepujt e hershëm të Jezuit kremtonin të Dielën e Pashkës?
Nuk është puna se Bibla s’na jep udhëzues në lidhje me çfarë duhet kremtuar e çfarë jo. Perëndia ka qenë tepër specifik për këtë me kombin e lashtë të Izraelit dhe siç u vërejt edhe më sipër, të krishterët morën udhëzime të qarta që të vazhdonin të kremtonin Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. (1 Korintasve 11:23-26; Kolosianëve 2:16, 17) Një nga botimet e hershme të The Encyclopædia Britannica na thotë: «Në Besëlidhjen e Re nuk ka asnjë tregues për kremtimin e festivalit të Pashkës e po kështu edhe në shkrimet e Etërve Apostolikë. Shenjtëria e kohëve të veçanta ishte një ide që nuk ekzistonte në mendjet e të krishterëve të parë. . . . As Zotëria dhe as apostujt e tij nuk urdhëruan mbajtjen e këtij apo të ndonjë festivali tjetër.»
Disa mendojnë se gëzimi i festave të tilla dhe lumturia që ato sjellin janë justifikime të mjaftueshme për kremtimin e tyre. Megjithatë, mund të nxjerrim një mësim nga rasti, kur izraelitët adoptuan një praktikë fetare egjiptiane dhe e quajtën me një emër të ri «festival për Jehovain». Edhe ata ‘u ulën për të ngrënë e për të pirë’ dhe ‘u ngritën për të dëfryer’. Por veprimet e tyre e zemëruan së tepërmi Perëndinë Jehova dhe ai i ndëshkoi ashpër.
Fjala e Perëndisë është shumë e qartë. Nuk mund të ketë diçka të përbashkët ndërmjet «dritës» së bindjeve të vërteta dhe «errësirës» së botës së Satanait; nuk mund të ketë «harmoni» ndërmjet Krishtit dhe adhurimit pagan. Na thuhet: «‘Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Jehovai, e mos prekni gjënë e papastër’; ‘dhe unë do t’ju pranoj’.»
Pasi vetëm kremtimi i Përkujtimit e jo i Pashkës është urdhëruar në Bibël për të krishterët, ai duhet kremtuar. Si mund ta kremtojmë, pra, ashtu siç duhet?