Besimi mund të ndryshojë jetën tënde
Besimi mund të ndryshojë jetën tënde
«PATJETËR që është e mundur të kesh vlera të mira morale pa ndihmën e Perëndisë.» Kështu deklaroi një agnosticiste. Ajo tha se i kishte rritur fëmijët e saj me vlera të larta morale e ata, nga ana e tyre, i kishin rritur fëmijët me norma të ngjashme të larta dhe të gjithë këtë e kishin arritur pa besimin te Perëndia.
A do të thotë kjo se besimi te Perëndia nuk është i nevojshëm? Me sa duket, ky person mendonte kështu. Natyrisht, është e vërtetë se jo çdokush që nuk beson te Perëndia është medoemos një person i keq. Apostulli Pavël foli për «johebrenjtë» të cilët nuk e njohin Perëndinë, por «nga natyra bëjnë punët e ligjit». (Romakëve 2:14) Që të gjithë, duke përfshirë edhe agnosticistët, kanë lindur me një ndërgjegje. Shumë përpiqen të ndjekin atë që u dikton ndërgjegjja e tyre, edhe nëse nuk besojnë te Perëndia, i cili u ka dhënë këtë ndjenjë të lindur të së drejtës dhe të së gabuarës.
Megjithatë, besimi i fortë te Perëndia, i bazuar në Bibël, është një forcë shumë më e fuqishme për të bërë të mirën, sesa udhëheqja e pavarur e ndërgjegjes. Besimi i bazuar në Fjalën e Perëndisë, në Bibël, e drejton ndërgjegjen dhe e bën më të mprehtë për të dalluar të drejtën nga e gabuara. (Hebrenjve 5:14) Për më tepër, besimi i forcon njerëzit për të mbajtur norma të larta morale përballë presioneve shumë të mëdha. Për shembull, gjatë shekullit të 20-të, shumë vende iu nënshtruan pushtetit të regjimeve të korruptuara politike, të cilat detyruan njerëz ndoshta të sjellshëm të bënin mizori të tmerrshme. Megjithatë, ata që kishin besim të vërtetë te Perëndia refuzuan të bënin kompromis me parimet e tyre, madje duke rrezikuar edhe jetën. Përveç kësaj, besimi i bazuar në Bibël mund t’i ndryshojë njerëzit. Ky besim mund të shpëtojë jetë që duken të humbura dhe mund t’i ndihmojë njerëzit për të shmangur gabime të rënda. Shqyrto disa shembuj.
Besimi mund të ndryshojë jetën familjare
«Me anë të besimit tuaj, keni arritur të pamundurën.» Kështu tha një gjykatës anglez kur dha vendimin për kujdestarinë e fëmijëve të Xhonit dhe Tanjës. Kur Xhoni dhe Tanja u paraqitën përpara autoriteteve, nuk ishin të martuar dhe jeta e tyre familjare ishte e tmerrshme. Xhoni, i cili kishte problemin e drogës dhe vesin e bixhozit, i ishte futur rrugës së krimit për të siguruar të ardhura për këto vese. Ai kishte lënë pas dore fëmijët dhe nënën e tyre. Prandaj, çfarë «mrekullie» kishte ndodhur?
Një ditë, Xhoni dëgjoi djalin e vogël të vëllait të tij që fliste për Parajsën. Duke qenë se e tërhoqi kjo gjë, ai pyeti prindërit e nipit. Këta janë Dëshmitarë të Jehovait dhe e ndihmuan Xhonin të mësonte për të nga Bibla. Pak nga pak, Xhoni dhe Tanja zhvilluan një besim të bazuar në Bibël, i cili ua ndryshoi jetën. Ata e vërtetuan zyrtarisht lidhjen e tyre martesore dhe mposhtën veset që kishin. Autoritetet që inspektuan familjen e tyre gjetën diçka që ca kohë më parë do t’u ishte dukur e pamundur: një familje të lumtur në një shtëpi të pastër, vend i pranueshëm ku të rritnin fëmijët. Gjykatësi e kishte mirë kur ia dha meritën e kësaj «mrekullie» besimit të ri që kishin gjetur Xhoni dhe Tanja.
Mijëra kilometra larg Anglisë, një grua e re në Lindjen e Afërme ishte duke u bërë pjesë e një statistike shumë trishtuese. Ajo po planifikonte të divorcohej, duke iu bashkuar radhëve të miliona njerëzve, martesa e të cilëve përfundon me divorc çdo vit. Kjo grua kishte një fëmijë, por bashkëshorti ishte shumë më i madh në moshë se ajo. Për këtë arsye, të afërmit po e nxitnin që të divorcohej dhe faktikisht ajo kishte filluar të bënte përgatitjet për këtë. Megjithatë, ajo po studionte Biblën me një Dëshmitare të Jehovait. Kur Dëshmitarja mori vesh situatën, i shpjegoi se çfarë thotë Bibla për martesën, për shembull, që martesa është një dhuratë nga Perëndia dhe jo diçka për t’u hequr qafe pa u menduar shumë. (Mateu 19:4-6, 9) Gruaja mendoi me vete: ‘Është e çuditshme që kjo grua (një e huaj), po përpiqet ta shpëtojë familjen tonë, kurse ata që i kam të afërm duan ta prishin atë.’ Besimi që sapo kishte gjetur e ndihmoi atë për të ruajtur martesën.
Një statistikë trishtuese që ka prekur jetën familjare ka të bëjë me abortin. Në një raport të Kombeve të Bashkuara përllogaritej se çdo vit për shkak të aborteve me dashje vdesin të paktën 45 milionë foshnja të palindura. Çdo veprim i tillë është një tragjedi. Njohuria e Biblës e ndihmoi një grua në Filipine që të mos i shtohej kësaj statistike.
Gruaja u takua me Dëshmitarët e Jehovait, pranoi një broshurë për studimin e Biblës me titull Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? * dhe filloi të studionte Biblën. Disa muaj më vonë, ajo shpjegoi se përse e kishte filluar studimin. Kur e vizituan fillimisht Dëshmitarët, gruaja ishte shtatzënë, por së bashku me burrin kishin vendosur ta abortonin fëmijën. Megjithatë, figura e foshnjës së palindur në faqen 24 të broshurës i kishte prekur zemrën kësaj gruaje. Shpjegimi i bazuar në Bibël që shoqëronte këtë figurë—se jeta është e shenjtë, pasi ‘te Perëndia është burimi i jetës’,—e bindi që ta mbante foshnjën. (Psalmi 36:9, BR) Tani ajo është nëna e një fëmije të bukur e të shëndetshëm.
Besimi ndihmon të përbuzurit
Në Etiopi, dy burra të veshur keq erdhën në një mbledhje për adhurim, të Dëshmitarëve të Jehovait. Në fund të mbledhjes, një Dëshmitar u prezantua me ta në mënyrë miqësore. Burrat i kërkuan lëmoshë. Dëshmitari nuk u dha para, por u dha diçka më të mirë. Ai i inkurajoi që të zhvillonin besimin te Perëndia, besim që është «shumë më i çmuar nga ari». (1. Pjetrit 1:7) Njëri prej tyre reagoi mirë dhe filloi të studionte Biblën. Kjo gjë i ndryshoi jetën. Dora-dorës që i rritej besimi, ai hoqi dorë nga duhani, nga dehja, nga imoraliteti dhe nga përdorimi i khat-it (një stimulues që shkakton varësinë ndaj tij). Ai mësoi se si të mbante veten duke punuar në vend që të lypte dhe tani bën një jetë të pastër e frytdhënëse.
Në Itali, një burrë 47-vjeçar ishte dënuar me dhjetë vjet burg dhe mbahej në një spital-burg psikiatrik. Një Dëshmitar i Jehovait që është i autorizuar të hyjë në institucionet që kanë lidhje me burgjet, për të dhënë ndihmë frymore, studioi Biblën me të. Burri bëri përparim të shpejtë. Besimi ia ndryshoi kaq shumë jetën, saqë të burgosurit e tjerë tani shkojnë tek ai për të marrë këshilla se si t’i zgjidhin problemet. Besimi i tij i bazuar në Bibël e ka bërë të fitojë respektin, vlerësimin dhe besimin e autoriteteve të burgut.
Vitet e fundit, gazetat kanë raportuar për luftërat civile në Afrikë. Veçanërisht tmerruese janë tregimet për djem të rinj që stërviten si ushtarë. Këta fëmijë i drogojnë, abuzojnë fizikisht me ta dhe i detyrojnë të sillen çnjerëzisht me të afërmit e tyre, për t’u siguruar se i janë besnikë vetëm fraksionit për të cilin po luftojnë. A është besimi i bazuar në Bibël kaq i fortë, sa të ndryshojë jetën e këtyre të rinjve? Të paktën në dy raste, po.
Aleksi nga Liberia kishte shërbyer si ndihmës i priftit në kryerjen e shërbimeve fetare në Kishën Katolike. Por, në moshën 13-vjeçare, ishte futur në një fraksion luftues dhe ishte bërë një ushtar-fëmijë me famë të keqe. Për t’u bërë trim në luftë, ai i ishte drejtuar shtrigërisë. Aleksi kishte parë të vriteshin shumë nga shokët e tij, por ai mbijetoi. Në vitin 1997 takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe pa se ata nuk e trajtuan me përçmim. Përkundrazi, e ndihmuan që të mësonte se çfarë thotë Bibla për dhunën. Aleksi e la ushtrinë. Ndërsa besimi i tij rritej, ai ndoqi urdhrin e Biblës: «Le të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe ta ndjekë atë.»—1. Pjetrit 3:11.
Ndërkohë një që kishte qenë ushtar–fëmijë, me emrin Samson, kaloi në qytetin ku jetonte tani Aleksi. Ai kishte qenë korist në kishë, por në vitin 1993 ishte bërë ushtar dhe ishte përfshirë në abuzimin me drogën, në spiritizëm dhe në imoralitet. Në vitin 1997 e kishin liruar nga shërbimi ushtarak. Samsoni donte të shkonte në Monrovi për t’u futur në forcat speciale të sigurisë, kur një mik e bindi që të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe si pasojë e kësaj, ai zhvilloi një besim të bazuar në Bibël. Kjo gjë i dha guximin për të braktisur sjelljen e tij luftarake. Si Aleksi, ashtu edhe Samsoni, tani bëjnë një jetë paqësore dhe të moralshme. Përveç besimit të bazuar në Bibël a mund t’i ndryshonte ndonjë gjë tjetër këto jetë që ishin mësuar kaq shumë me mizorinë?
Lloji i drejtë i besimit
Këta janë vetëm pak nga shembujt e shumtë që mund të citohen për të ilustruar fuqinë e besimit të vërtetë të bazuar në Bibël. Sigurisht, jo kushdo që thjesht pohon se beson te Perëndia, jeton në përputhje me normat e larta të Biblës. Në fakt, disa ateistë mund të bëjnë një jetë më të mirë se disa që deklarohen të krishterë. Kjo sepse besimi i bazuar në Bibël përfshin më shumë sesa thjesht të pohosh se beson te Perëndia.
Apostulli Pavël e quajti besimin «pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, shfaqja e dukshme e realiteteve edhe pse nuk janë parë». (Hebrenjve 11:1, BR) Kështu, besimi përfshin një bindje të fortë në gjërat që nuk janë parë, të bazuar në dëshmi të pamohueshme. Përfshin në veçanti të mos kesh fare dyshim se Perëndia ekziston, se ai interesohet për ne dhe se do t’i bekojë ata që bëjnë vullnetin e tij. Apostulli tha, gjithashtu: «Ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.»—Hebrenjve 11:6.
Ishte ky lloj besimi që ndryshoi jetën e Xhonit, të Tanjës dhe të të tjerëve që u përmendën në këtë artikull. Ky besim i bëri që të kërkonin me siguri të plotë në Fjalën e Perëndisë, në Bibël, për udhëheqje në marrjen e vendimeve. I ndihmoi të bënin sakrifica të përkohshme për të mos marrë në jetë një drejtim të volitshëm, por të gabuar. Sado të ndryshme që të ishin nga njëra-tjetra këto përvoja, që të gjitha filluan në të njëjtën mënyrë. Një Dëshmitar i Jehovait studioi Biblën me këta individë dhe ata provuan vërtetësinë e asaj që thotë Bibla: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese.» (Hebrenjve 4:12) Fuqia e Fjalës së Perëndisë e ndihmoi secilin nga këta individë që të ndërtonte atë besim të fortë, i cili ua ndryshoi jetën për mirë.
Dëshmitarët e Jehovait janë aktivë në më shumë se 230 vende dhe ishuj të detit. Ata të ftojnë të bësh një studim të Biblës. Përse? Sepse janë të bindur që besimi i bazuar në Bibël mund të sjellë shumë përmirësime edhe në jetën tënde.
[Shënimi]
^ par. 10 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figurat në faqen 3]
Besimi i bazuar në Bibël ndryshon shumë jetë për mirë
[Burimi i figurës në faqen 2]
Faqja e titullit të Biblia nieświeska nga Shimon Budni, 1572