Kemi nevojë për organizatën e Jehovait
Kemi nevojë për organizatën e Jehovait
KE DËGJUAR ndonjëherë dikë të thotë: «Besoj te Perëndia, por jo te feja e organizuar.» Shpesh, pikëpamje të tilla të ngjashme i shprehin individë që njëherë e një kohë shkonin me entuziazëm në kishë, por që janë zhgënjyer pasi feja e tyre ka dështuar t’ua plotësojë nevojat frymore. Ndonëse janë të zhgënjyer nga organizatat fetare në përgjithësi, shumë veta këmbëngulin se akoma dëshirojnë ta adhurojnë Perëndinë. Mirëpo, besojnë se është më mirë ta adhurojnë atë sipas mënyrës së tyre, sesa duke u shoqëruar me një kishë ose me ndonjë organizatë.
Çfarë thotë Bibla? A dëshiron Perëndia që të krishterët të shoqërohen me një organizatë?
Të krishterët e hershëm nxorën dobi nga organizimi
Gjatë Festës së Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. Jehovai e derdhi frymën e tij të shenjtë, jo mbi disa besimtarë të izoluar, por mbi një grup burrash e grash që ishin mbledhur bashkë «në të njëjtin vend», domethënë, në një dhomë të sipërme në qytetin e Jerusalemit. (Veprat 2:1) Në atë kohë u formua kongregacioni i krishterë, i cili u bë një organizatë ndërkombëtare. Ky doli se qe një bekim i vërtetë për ata dishepuj të hershëm. Përse? E para e punës, atyre u ishte dhënë një caktim i rëndësishëm: ta predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë përfundimisht «në gjithë botën». (Mateu 24:14) Në kongregacion, besimtarët e rinj mund të mësonin nga bashkëbesimtarët më me përvojë se si të bënin veprën e predikimit.
Shumë shpejt mesazhi i Mbretërisë u përhap përtej mureve të Jerusalemit. Mes viteve 62 dhe 64 të e.s. apostulli Pjetër shkroi letrën e tij të parë, që ua drejtonte të krishterëve «në diasporën e Pontit, të Galatisë, të Kapadokisë, të Azisë dhe të Bitinisë», që të gjitha këto në Turqinë e sotme. (1. Pjetrit 1:1) Besimtarë kishte edhe në Palestinë, në Liban, në Siri, në Qipro, në Greqi, në Kretë dhe në Itali. Ndërsa Pavli po u shkruante kolosianëve në vitet 60-61 të e.s., lajmi i mirë i ishte «predikuar çdo krijese që është nën qiell».—Kolosianëve 1:23.
Një dobi e dytë e shoqërimit me një organizatë ishte inkurajimi që mund t’i jepnin të krishterët njëri-tjetrit. Duke u shoqëruar me kongregacionin, të krishterët mund të dëgjonin fjalime nxitëse, mund të studionin së bashku Shkrimet e Shenjta, mund të ndanin përvoja besimforcuese dhe të bashkoheshin me bashkëbesimtarët në lutje. (1. Korintasve, kapitulli 14) Po ashtu, burra të pjekur mund të ‘kullotnin kopenë e Perëndisë’.—1. Pjetrit 5:2, BR.
Gjithashtu, si pjesëtarë të kongregacionit, të krishterët arrinin të njihnin dhe të donin njëri-tjetrin. Veprat 2:42; 14:27; 1. Korintasve 14:26; Kolosianëve 4:15, 16.
Në vend që të ndiheshin të rënduar nga shoqërimi me kongregacionin, të krishterët e hershëm ndërtoheshin dhe forcoheshin prej tij.—Një arsye tjetër se përse nevojitej kongregacioni i bashkuar mbarëbotëror ose organizata, ishte për të forcuar unitetin. Të krishterët mësuan të ‘flitnin në përputhje’ me njëri-tjetrin. (1. Korintasve 1:10) Kjo ishte jetësore. Pjesëtarët e kongregacionit kishin prejardhje mjaft të ndryshme arsimore dhe shoqërore. Ata flitnin gjuhë të ndryshme dhe kishin ndryshime të dukshme në personalitet. (Veprat 2:1-11) Disa herë, kishte vërtet ndryshime në mendime. Megjithatë, të krishterët merrnin ndihmë për t’i zgjidhur këto mospajtime brendapërbrenda kongregacionit.—Veprat 15:1, 2; Filipianëve 4:2, 3.
Disa çështje serioze, të cilat nuk mund t’i trajtonin pleqtë lokalë, u parashtroheshin mbikëqyrësve të pjekur udhëtues, siç ishte Pavli. Çështjet jetësore doktrinale i parashtroheshin një trupi udhëheqës qendror, të vendosur në Jerusalem. Fillimisht trupi udhëheqës përbëhej nga apostujt e Jezu Krishtit, por më vonë u zgjerua për të përfshirë edhe pleq të kongregacionit të Jerusalemit. Çdo kongregacion e pranonte autoritetin që Perëndia i kishte dhënë trupit udhëheqës dhe përfaqësuesve të këtij trupi për të organizuar shërbimin, për të emëruar burra në pozita shërbimi dhe për të marrë vendime për çështje doktrinale. Kur trupi udhëheqës zgjidhte një çështje, kongregacionet e pranonin vendimin dhe ‘gëzoheshin për inkurajimin’.—Veprat 15:1, 2, 28, 30, 31, BR.
Pra, në shekullin e parë Jehovai përdori një organizatë. Por, ç’të themi për sot?
Kemi nevojë për një organizatë sot
Ashtu si ekuivalentët e tyre të shekullit të parë, Dëshmitarët e Jehovait sot e marrin seriozisht detyrën për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. Një mënyrë në të cilën e kryejnë këtë vepër është duke shpërndarë Bibla dhe mjete ndihmëse për studimin e Biblës, gjë që kërkon organizim.
Botimet e krishtere duhet të përgatiten me kujdes, të kontrollohen për saktësinë, të botohen e më pas t’u dërgohen kongregacioneve. Nga ana tjetër, individët e krishterë duhet të dalin vullnetarë për t’ua çuar literaturën atyre që dëshirojnë ta lexojnë. Duke u përdorur kjo mënyrë, mesazhi i Mbretërisë ka arritur te miliona njerëz. Lajmëtarët e lajmit të mirë përpiqen ta kryejnë aktivitetin e tyre në mënyrë të rregullt, duke u siguruar që të mos predikohet tepër ndonjë pjesë e territorit, kurse të tjerat të lihen pas dore. E gjithë kjo kërkon organizim.
Meqë «Perëndia nuk tregohet i anshëm», Bibla dhe literatura biblike duhen përkthyer. (Veprat 10:34) Aktualisht, kjo revistë botohet në 132 gjuhë dhe shoqëruesja e saj, Zgjohuni!, botohet në 83 gjuhë. Kjo kërkon që përreth botës të ketë skuadra përkthyesish të organizuara mirë.
Pjesëtarët e kongregacionit inkurajohen kur ndjekin mbledhjet dhe asambletë e krishtere. Atje, dëgjojnë fjalime nxitëse biblike, studiojnë Shkrimet së bashku, ndajnë përvoja ndërtuese dhe bashkohen me bashkëbesimtarët në lutje. Gjithashtu, si vëllezërit e tyre në shekullin e parë, ata gëzohen nga vizitat besimforcuese të mbikëqyrësve të dashur udhëtues. Kështu, të krishterët sot formojnë «një kope, një bari».—Gjoni 10:16, BR.
Sigurisht, Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të përsosur, siç nuk ishin ekuivalentët e tyre të hershëm. Megjithatë, ata punojnë së bashku në unitet. Rrjedhimisht, vepra e predikimit të Mbretërisë po kryhet në mbarë tokën.—Veprat 15:36-40; Efesianëve 4:13.
[Figura në faqen 31]
Të krishterët sot formojnë «një kope, një bari»