Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Vëllezërit Polakë»: Përse u persekutuan?

«Vëllezërit Polakë»: Përse u persekutuan?

«Vëllezërit Polakë»: Përse u persekutuan?

Në vitin 1638 parlamenti polak i dha një goditje vdekjeprurëse grupit të vogël fetar, të njohur si Vëllezërit Polakë. Një kishë dhe shtypshkronja që i përkitnin grupit u shkatërruan. Universiteti i Rakóvit u mbyll dhe pedagogët që kishin dhënë mësim aty u internuan.

Njëzet vjet më vonë, parlamenti ndërmori një hap të mëtejshëm. Ai urdhëroi që çdo anëtar i grupit, i cili mund të kishte deri në 10.000 ose më shumë anëtarë, të largohej nga vendi. Përse situata u bë kaq kritike në një vend që atëherë konsiderohej si një nga vendet më toleruese në gjithë Evropën? Çfarë kishin bërë Vëllezërit Polakë për të merituar një trajtim të tillë?

GJITHÇKA filloi kur në Kishën Kalviniste të Polonisë u shkaktua një e çarë serioze. Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes ishte doktrina e Trinitetit. Udhëheqësit e një lëvizjeje përparimtare brenda kishës e hodhën poshtë doktrinën, duke pohuar se nuk është biblike. Kjo gjë i zemëroi udhëheqësit e kishës dhe bëri që lëvizja përparimtare të ndahej veç.

Kalvinistët i quajtën këta disidentë arianë *, por përkrahësit e grupit të ri preferuan të quheshin të krishterë ose Vëllezërit Polakë. Gjithashtu, ata njihen edhe si socinianë, nga Lelio Socini, një italian që u ndikua nga Serveti e që nipi i të cilit, Faust Socini udhëtoi në Poloni dhe u dallua në këtë lëvizje.

Në atë kohë, një fisnik polak, Jan Shenjenski, u përpoq t’i jepte kishës së re atë që e quajti «një vend të qetë, të veçuar», ku ajo të rritej. Duke ushtruar një privilegj të veçantë që i ishte dhënë nga mbreti i Polonisë, Shenjenski themeloi qytetin Rakóv, i cili më vonë u bë qendra e socinianizmit në Poloni. Shenjenski u dha qytetarëve të Rakóvit disa të drejta, duke përfshirë edhe të drejtën për të adhuruar lirisht.

Ky qytet i ri tërhoqi shumë zejtarë, mjekë, farmacistë, qytetarë dhe njerëz të feve të ndryshme. Përveç kësaj, atje u mblodhën shërbëtorë fetarë nga Polonia, Lituania, Transilvania, Franca e madje edhe nga Anglia. Megjithatë, jo të gjithë këta qytetarë të rinj që mbërritën kishin të njëjtat bindje si socinianët, kështu që për tre vjetët që pasuan (nga viti 1569 deri në vitin 1572), Rakóvi u bë qendër diskutimesh të pafundme teologjike. Cili qe rezultati?

Një shtëpi e ndarë

Vetë lëvizja sociniane u nda dhe në njërën anë shkuan ata që kishin përqafuar pikëpamje më radikale, kurse në anën tjetër ata që kishin ide më të moderuara. Megjithatë, pavarësisht nga dallimet që kishin, bindjet e tyre të përbashkëta ishin të veçanta. Ata hidhnin poshtë Trinitetin, refuzonin të praktikonin pagëzimin e fëmijëve, në përgjithësi nuk mbanin armë dhe shpeshherë nuk zinin poste qeveritare. * Gjithashtu, ata mohonin ekzistencën e ferrit si vend mundimi. Për të gjitha këto gjëra, ata nuk morën parasysh traditat e përhapura fetare.

Si kleri kalvinist, ashtu edhe ai katolik i bëri kundërshtim të ashpër këtij grupi, por shërbëtorët socinianë përfituan për të përhapur idetë e tyre nga atmosfera e tolerancës fetare, e krijuar nga disa mbretër polakë, siç janë Sigismund II Augusti dhe Stefen Báthori.

Puna e paharrueshme e Budnit

Përkthimi kalvinist i Biblës, i cili përdorej shumë në atë kohë, nuk po i plotësonte nevojat e shumë lexuesve. Përkthimi nuk ishte bërë nga gjuhët origjinale, por nga Vulgata latine dhe nga një përkthim bashkëkohor francez. Një autoritet thotë: «Besnikëria dhe saktësia e mendimit kishin humbur gjatë kërkimit të një stili të bukur.» Ishin futur shumë gabime. Prandaj, për të korrigjuar përkthimin u ftua një studiues i mirënjohur me emrin Shimon Budni. Ai vendosi se do të ishte më e lehtë të bëhej një përkthim krejtësisht i ri, sesa të korrigjohej i vjetri. Budni ia nisi punës për projektin, në vitin 1567.

Duke përkthyer, Budni analizoi tërësisht çdo fjalë dhe variantet e saj në një mënyrë që asnjëri nuk e kishte bërë ndonjëherë më përpara në Poloni. Aty ku teksti në hebraisht paraqiste vështirësi, ai e tregonte përkthimin fjalë për fjalë në shënimet anës faqes. Kur e shihte të nevojshme, formonte fjalë të reja dhe përpiqej të përdorte gjuhën e thjeshtë, të përditshme polake të kohës së tij. Synimi i tij ishte të paraqiste para lexuesit një përkthim të saktë e të besueshëm të Biblës.

Përkthimi i Biblës së plotë nga Budni u botua në vitin 1572. Megjithatë, botuesit e veprës e ndryshuan në disa vende përkthimin e tij të Shkrimeve Greke. Pa u sprapsur, Budni iu vu punës për të bërë një version të rishikuar, i cili u përfundua dy vjet më vonë. Përkthimi i shkëlqyer që u bëri Budni Shkrimeve Greke ishte më i lartë se përkthimet e mëparshme polake. Përveç kësaj, në shumë vende ai rivendosi emrin hyjnor, Jehova.

Gjatë pjesës së fundit të shekullit të 16-të dhe gjatë tri dekadave të para të shekullit të 17-të, Rakóvi, (djepi i lëvizjes) u bë një qendër fetare dhe intelektuale. Atje udhëheqësit dhe shkrimtarët e Vëllezërve Polakë botonin fletushkat dhe veprat e tyre.

Ata nxitën arsimimin

Puna e botimit e Vëllezërve Polakë filloi të merrte hov rreth vitit 1600, kur në Rakóv u ngrit një shtypshkronjë. Shtypshkronja kishte kapacitet prodhimi si për traktate të vogla, ashtu edhe për libra të mëdhenj në disa gjuhë. Si qendër shtypjeje, shumë shpejt Rakóvi u bëri rivalitet shtypshkronjave më të mira në Evropë. Besohet se gjatë 40 vjetëve që pasuan, në atë shtypshkronjë u shtypën të paktën 200 botime. Një fabrikë letre aty afër, që kishte si pronarë Vëllezërit Polakë, e furnizonte shtypshkronjën me letër të cilësisë së lartë për literaturën.

Shumë shpejt Vëllezërit Polakë panë nevojën për të arsimuar bashkëbesimtarët e tyre dhe të tjerët. Për këtë qëllim, në vitin 1602 u themelua Universiteti i Rakóvit. Bijtë e Vëllezërve Polakë, si edhe djem katolikë e protestantë, ndiqnin shkollën atje. Edhe pse universiteti ishte një seminar fetar, aty nuk mësohej vetëm lënda e fesë. Gjuhët e huaja, etika, ekonomia, historia, ligji, logjika, shkencat e natyrës, matematika, mjekësia dhe fizkultura ishin pjesë e programit mësimor. Universiteti kishte një bibliotekë të madhe, e cila rritej gjithnjë, falë shtypshkronjës lokale.

Me fillimin e shekullit të 17-të, dukej se Vëllezërit Polakë do të vazhdonin të lulëzonin. Megjithatë, nuk ndodhi ashtu.

Kisha dhe shteti kundërpërgjigjen

Zbignjev Ogonovski i Akademisë Polake të Shkencave shpjegon: «Në fund të dekadës së tretë të shekullit të 17-të, situata e arianëve në Poloni filloi të keqësohej me shpejtësi.» Kjo ndodhi për shkak të aktivitetit gjithnjë e më sfidues të klerit katolik. Për të diskredituar Vëllezërit Polakë, kleri përdori çdo mjet të mundshëm, duke përfshirë mashtrimet dhe shpifjet. Këtë sulm e ndihmoi ndryshimi i situatës politike në Poloni. Mbreti i ri polak, Sigismund III Vasa, ishte armik i Vëllezërve Polakë. Trashëgimtarët e fronit të tij e sidomos Joan II Kazimir Vasa, i mbështetën në mënyrë të ngjashme përpjekjet e Kishës Katolike për të ndaluar Vëllezërit Polakë.

Gjendja arriti kulmin kur u shpif se disa studentë të Rakóvit kishin përdhosur me qëllim një kryq. Ky incident u bë preteksti për shkatërrimin e qendrës së Vëllezërve Polakë. Pronari i Rakóvit u akuzua para një gjykate parlamentare se kishte ‘përhapur ligësinë’, duke mbështetur Universitetin e Rakóvit dhe shtypshkronjën e tij. Vëllezërit Polakë u akuzuan për veprimtari armiqësore, për pjesëmarrje në orgji dhe për jetë imorale. Parlamenti vendosi që Universiteti i Rakóvit të mbyllej dhe shtypshkronja, si edhe kisha që i përkitnin Vëllezërve Polakë të shkatërroheshin. Besimtarëve iu urdhërua të largoheshin nga qyteti. Pedagogët e universitetit u dëbuan nga vendi duke i kërcënuar me dënimin me vdekje po të ktheheshin. Disa Vëllezër Polakë u transferuan në vende më të sigurta, si në Silezi dhe në Sllovaki.

Në vitin 1658 parlamenti dekretoi se Vëllezërit Polakë duhej të shitnin pronat e tyre dhe të transferoheshin jashtë vendit brenda tre vjetësh. Më vonë, ky afat u shkurtua në dy vjet. Kushdo që pas asaj periudhe shpallte këto bindje do të ekzekutohej.

Disa socinianë u vendosën në Holandë, ku vazhduan aktivitetin e tyre të shtypjes. Në Transilvani, një kongregacion funksionoi deri në fillim të shekullit të 18-të. Nëpër mbledhje, të cilat mbaheshin deri në tre herë në javë, ata këndonin psalme, dëgjonin fjalime dhe lexonin nga një libër katekizmi që ishte përgatitur për të shpjeguar mësimet e tyre. Për të ruajtur pastërtinë e kongregacionit, bashkëbesimtarët korrigjoheshin, këshilloheshin, dhe po të ishte e nevojshme, përjashtoheshin.

Vëllezërit Polakë ishin studiues të Fjalës së Perëndisë. Ata zbuluan disa të vërteta të çmuara dhe pa ngurruar i ndanë me të tjerët. Megjithatë, përfundimisht ata u shpërndanë nëpër Evropë dhe e patën gjithnjë e më të vështirë të mbanin unitetin e tyre. Me kalimin e kohës, Vëllezërit Polakë u zhdukën.

[Shënimet]

^ par. 5 Ariusi (250-336 të e.s.) qe një prift aleksandrin që argumentoi se Jezui është më poshtë se Ati. Këshilli i Nicesë e hodhi poshtë këtë pikëpamje në vitin 325 të e.s.​—Shiko Zgjohuni!, 22 qershor 1989, faqe 27, anglisht.

^ par. 9 Shiko Zgjohuni!, 22 nëntor 1988, faqe 19, me titullin «Socinianët: Përse e hodhën poshtë Trinitetin?», anglisht.

[Figura në faqen 23]

Shtëpi që i përkiste një shërbëtori socinian

[Figurat në faqen 23]

Sipër: Rakóvi sot; djathtas gjendet manastiri i ndërtuar në vitin 1650 për të çrrënjosur çdo gjurmë të «arianizmit»; poshtë: Në këtë vend, kleri katolik vendosi një kryq për të provokuar konfliktin me Vëllezërit Polakë

[Burimi i figurës në faqen 21]

Faqja e titullit të Biblia nieświeska nga Shimon Budni, 1572