Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fjala profetike e Perëndisë jep shpresë për të ardhmen

Fjala profetike e Perëndisë jep shpresë për të ardhmen

Fjala profetike e Perëndisë jep shpresë për të ardhmen

FALË Fjalës së Perëndisë, Biblës së Shenjtë, të krishterët e vërtetë e shohin të ardhmen me besim, shpresë dhe me optimizëm. Duke u ndier të sigurt në marrëdhënien e tyre me Perëndinë Jehova, ata e presin me padurim të nesërmen. Siç u shpjegua në fjalimin hapës të Kongreseve Krahinore «Fjala profetike e Perëndisë», Dëshmitarët e Jehovait kanë shumë vjet që i studiojnë me mprehtësi profecitë biblike. Prandaj, çfarë kishte përgatitur Jehovai për popullin e tij në këto kongrese? Me Biblat në duar, të gjithë të pranishmit mezi pritnin ta zbulonin këtë. Tema e çdo dite të kongresit është treguar më poshtë si një nëntitull më vete.

DITA E PARË: Të ecim në dritën e Fjalës së Perëndisë

Në fjalimin «Fjala e Perëndisë na ka udhëhequr» u shpjegua se populli i Jehovait është si një njeri që niset për udhëtim në errësirën e natës. Me agimin e diellit, ai sheh hije, por kur dielli ngrihet në zenit, i sheh gjërat me hollësi. Siç ishte parathënë te Fjalët e urta (Proverbat) 4:18, populli i Jehovait ka arritur ta shohë udhën e vet më qartë nën dritën shkëlqyese të së vërtetës që vjen nga fjala profetike e Perëndisë. Ky popull nuk është lënë të pengohet në errësirën frymore.

Fjalimi kyç «Kushtojini vëmendje fjalës profetike të Perëndisë» u kujtoi dëgjuesve se ata që i drejtohen Jehovait nuk provojnë zhgënjimin që përjetojnë njerëzit të cilët ndjekin mesi të rremë dhe profetë të rremë. Në kontrast të qartë, dëshmitë për Mesinë e vërtetë, Jezu Krishtin, janë të fuqishme. Për shembull, shpërfytyrimi i mrekullueshëm i Jezuit siguroi një pamje paraprake të tij si Mbreti i kurorëzuar i Mbretërisë së Perëndisë. Që nga ardhja e tij në pushtetin e Mbretërisë, në vitin 1914, Jezui është edhe «ylli i ditës» i përmendur në 2. Pjetrit 1:19, BR. Oratori tha: «Si Ylli i Ditës Mesianik, ai lajmëron agimin e një dite ose të një epoke të re për të gjithë njerëzimin e bindur.»

Duke hapur programin e pasdites, në fjalimin «Të shkëlqejmë si ndriçues» u shtjellua gjerësisht Efesianëve 5:8, ku apostulli Pavël na këshillon të ‘vazhdojmë të ecim si bij të dritës’. Të krishterët janë ndriçues, jo thjesht sepse e ndajnë Fjalën e Perëndisë me të tjerët, por edhe sepse e zbatojnë Biblën në jetën e tyre, duke imituar Jezuin.

Për të qenë ndriçues të këtij lloji, ne duhet «Të gjejmë kënaqësi në leximin e Fjalës së Perëndisë». Ky argument u zhvillua në një simpozium prej tri pjesësh. Pasi citoi fjalët e Abraham Linkolnit, i cili e ka quajtur Biblën «dhurata më e mirë që Perëndia i ka dhënë ndonjëherë njeriut», oratori i parë e pyeti auditorin se çfarë zbulonin zakonet e tyre të leximit në lidhje me thellësinë e çmueshmërisë që kishin për Fjalën e Jehovait. Dëgjuesit u inkurajuan ta lexonin Biblën me kujdes, duke lënë mënjanë kohë për t’i imagjinuar në mendje tregimet biblike dhe për t’i lidhur pikat e reja me gjëra që kishin mësuar më parë.

Në pjesën tjetër të simpoziumit u theksua nevoja që kemi për të studiuar, jo vetëm për të lexuar me raste, nëse duam të asimilojmë ‘ushqimin e fortë’. (Hebrenjve 5:13, 14) Oratori tha se studimi është veçanërisht ndërtues kur ne e ‘përgatitim zemrën tonë’ më përpara, siç bënte prifti izraelit Ezdra. (Ezdra 7:10, BR) Por, përse është kaq i rëndësishëm studimi? Sepse ka një ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhënien tonë me Jehovain. Prandaj, studimi i Biblës duhet të jetë i çmuar, i këndshëm dhe freskues, ndonëse përfshin disiplinë mendore dhe përpjekje. Ku ta gjejmë kohën për një studim domethënës? Siç tha oratori i fundit i simpoziumit, duke «blerë kohën e përshtatshme» nga aktivitetet më pak të rëndësishme. (Efesianëve 5:16, BR) Tamam, çelësi për të gjetur kohë është të përdorim sa më mirë që mundemi kohën që kemi.

Në fjalimin «Perëndia i jep fuqi të lodhurit» pohohej se në ditët tona shumë njerëz janë të lodhur. Prandaj, që të kemi «fuqi përtej asaj që është normale» për shërbimin e krishterë, duhet të mbështetemi te Jehovai, i cili «i jep të lodhurit fuqi». (2. Korintasve 4:7, BR; Isaia 40:29, BR) Disa mjete ndihmëse forcuese përfshijnë Fjalën e Perëndisë, lutjen, kongregacionin e krishterë, pjesëmarrjen e rregullt në shërbim, mbikëqyrësit e krishterë dhe shembullin besnik të të tjerëve. Tema «Jini mësues duke pasur parasysh kohën» theksonte nevojën që të krishterët të jenë mësues, përveçse predikues dhe të punojnë shumë për të zhvilluar «artin e mësimdhënies».​—2. Timoteut 4:2, BR.

Në fjalimin «Ata që luftojnë kundër Perëndisë nuk do të triumfojnë», që ishte fjalimi përmbyllës i ditës së parë, u përmendën disa përpjekje mashtruese që janë bërë kohët e fundit në disa vende për t’i etiketuar Dëshmitarët e Jehovait si një kult i rrezikshëm. Por ne nuk duhet të frikësohemi, sepse te Isaia 54:17 thuhet: «‘Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që do të ngrihet të gjykojë kundër teje, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit dhe drejtësia e tyre vjen nga unë’,​—thotë Zoti.»

DITA E DYTË: Gjërat e zbuluara me anë të shkrimeve profetike

Pas trajtimit të shkrimit të ditës, të pranishmit dëgjuan me ëndje simpoziumin e dytë të kongresit, që mbante titullin «Të lavdërojmë Jehovain si ndriçues». Në fjalimin e parë u tregua se një nga synimet e të krishterëve është të lavdërojnë Jehovain duke predikuar kudo. Në pjesën vijuese u përmend nevoja për t’i drejtuar personat e interesuar tek organizata e Perëndisë. Si? Duke përdorur pesë a dhjetë minuta para ose pas çdo studimi për të treguar se si funksionon organizata e Perëndisë. Në fjalimin e tretë të këtij simpoziumi u theksua nevoja për ta lavdëruar Perëndinë me anë të veprave të shkëlqyera.

Në fjalimin «Duajini jashtëzakonisht përkujtuesit e Jehovait» u trajtuan vargje të zgjedhura nga Psalmi i 119-të. Sigurisht, ne kemi nevojë për përkujtues, pasi të gjithë jemi të prirur të harrojmë. Prandaj, sa e rëndësishme është të zhvillojmë një dashuri për përkujtuesit e Jehovait, pikërisht siç bëri psalmisti!

Më pas, vijoi një pjesë e veçantë: fjalimi i pagëzimit, me titull «Dëgjimi i fjalës profetike çon në pagëzim». Kandidatëve për pagëzim iu kujtua se duhet ta imitojnë Krishtin jo vetëm duke u pagëzuar, por edhe duke ndjekur nga afër hapat e tij. (1. Pjetrit 2:21) Çfarë privilegji kanë, gjithashtu, këta të sapopagëzuar për të marrë pjesë në përmbushjen e Gjonit 10:16, ku Jezui paratha se do të mblidhte «dele të tjera» që të shërbenin krah për krah me dishepujt e tij të mirosur!

Duke filluar programin e pasdites, në fjalimin «Dëgjoni atë që thotë fryma» u shpjegua se fryma e Jehovait na flet nëpërmjet Biblës, ‘skllavit të besueshëm e të matur’ dhe nëpërmjet ndërgjegjes sonë të stërvitur nga Bibla. (Mateu 24:45, BR) Prandaj, të krishterët nuk kanë nevojë të dëgjojnë një zë të mirëfilltë nga qielli për të ditur se si t’i pëlqejnë Perëndisë. Në trajtimin vijues «Të palëkundur në mbështetje të mësimit që është në përputhje me devocionin hyjnor» të krishterët u nxitën të mos i eksplorojnë idetë demoralizuese të propaganduara nga kjo botë. Në fakt, kureshtja e tepërt mund të na vërë përballë informacioneve të dëmshme të vendosura nga apostatët dhe nga përfaqësues të tjerë të Satanait. Sa gjë e mirë është që në vend të tyre të lexojmë rregullisht Biblën, si edhe të gjithë artikujt e Kullës së Rojës dhe të Zgjohuni!

Në fjalimin tjetër me titull «Vazhdoni të ruani modelin e fjalëve të shëndosha» u theksua rëndësia për të qenë plotësisht të njohur me «modelin» ose strukturën biblike të së vërtetës. (2. Timoteut 1:13) Kuptimi i saktë i këtij modeli është çelësi, jo vetëm për të pasur devocion hyjnor, por edhe për të identifikuar atë që nuk është në harmoni me të vërtetën.

Imagjino që Jehovai të të konsiderojë të dëshirueshëm. Çfarë nderi! Bazuar në profecinë e Hageut, fjalimi «‘Gjërat e dëshirueshme’ po mbushin shtëpinë e Jehovait» ishte shumë inkurajues, sepse u dha siguri dëgjuesve që çdo pjesëtar i ‘shumicës së madhe’ është vërtet i dëshirueshëm për Jehovain. (Zbulesa 7:9, BR) Prandaj, Jehovai do t’i kursejë ata në «tronditjen» përfundimtare që do t’u bëjë kombeve, gjatë ‘mjerimit të madh’ që po vjen. (Hageu 2:7, 21, 22, BR; Mateu 24:21, BR) Por ndërkohë populli i Jehovait duhet të qëndrojë vigjilent frymësisht, siç u shpjegua në pjesën «Shkrimet profetike na paralajmërojnë të rrimë vigjilentë». Oratori citoi fjalët e Jezuit: «Qëndroni vigjilentë, pra, sepse nuk e dini në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.» (Mateu 24:42, BR) Si ta mbajmë vigjilencën frymore? Duke qenë të zënë në shërbim të Jehovait, duke u lutur vazhdimisht dhe duke qëndruar në pritje të ditës së madhe të Jehovait.

Fjalimi përmbyllës i ditës titullohej «Fjala profetike në kohën e fundit». Ky fjalim do të mbahet mend për shumë vjet. Përse? Sepse oratori njoftoi daljen e një libri të ri: Kushtoju vëmendje profecive të Danielit! Oratori tha: «Ky botim i ilustruar bukur me 320 faqe përfshin çdo pjesë të librit të Danielit.» Çfarë dëshmie besimforcuese se Jehovai po hedh dritë mbi Fjalën e tij profetike!

DITA E TRETË: Fjala profetike e Perëndisë nuk dështon kurrë

Dita e fundit e kongresit filloi me simpoziumin «Fjalë profetike për kohën e caktuar». Në tri pjesët u morën në shqyrtim tri shpalljet e gjykimeve ekzekutuese të Jehovait që dha profeti Habakuk. Shpallja e parë ishte kundër Judës rebele dhe e dyta kundër Babilonisë shtypëse. Shpallja e fundit që akoma nuk është plotësuar, ka të bëjë me shkatërrimin e afërt të të gjithë njerëzve të ligj. Duke folur për Harmagedonin, vëllai që foli i fundit në simpozium ngjalli një masë të konsiderueshme druajtjeje të perëndishme te dëgjuesit, kur tha: «Vërtet, do të jetë e mahnitshme kur Jehovai të shpalosë forcën e plotë të fuqisë së tij të madhe.»

«Të çmojmë trashëgiminë tonë frymore» ishte titulli i dramës nxitëse biblike në këtë kongres. Kjo dramë që të bënte të shqyrtoje vetveten, vinte në kontrast qëndrimin që kishin Jakobi dhe Esau ndaj gjërave frymore. Esau e përçmoi trashëgiminë e tij frymore, kështu që ajo iu dha Jakobit, i cili e vlerësoi shumë. «Çfarë [trashëgimie frymore] na ka dhënë Jehovai?»​—u pyetën kongresistët. «Të vërtetën e Fjalës së tij, Biblës; shpresën e jetës së përhershme dhe nderin për ta përfaqësuar atë si lajmëtarë të lajmit të mirë»,​—u përgjigj oratori.

Pjesa tjetër titullohej: «Çfarë do të thotë për ju trashëgimia jonë e çmuar?» Ne e tregojmë qëndrimin e duhur ndaj trashëgimisë frymore duke e vënë shërbimin e Jehovait dhe privilegjet frymore para interesave personale ose materiale. Në këtë mënyrë, e ndërtojmë jetën tonë përreth marrëdhënies me Jehovain, krejt ndryshe nga Adami, Esau dhe izraelitët jobesnikë.

Në fjalimin publik «Bëj çdo gjë të re: Siç ishte parathënë» u ndërthurën katër profeci kyçe që kanë të bëjnë me ‘qiejt e rinj’ dhe ‘tokën e re’. (Isaia 65:17-25; 66:22-24; 2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1, 3-5) Është e qartë se Jehovai kishte ndër mend një përmbushje më të madhe të këtyre profecive, sesa përmbushja lidhur me popullin e tij të rivendosur në vitin 537 p.e.s. Në fakt, ai kishte ndër mend qeverinë e Mbretërisë së tij (‘qiejt e rinj’) dhe nënshtetasit e saj tokësorë (‘tokën e re’), të cilët do të banonin në një parajsë të lavdishme globale.

Fjalimi «Çfarë presim ndërsa udhëhiqemi nga Fjala e Perëndisë?» shënoi fundin drithërues dhe motivues të kongresit. Në fjalim iu rikujtua të gjithëve se «koha e mbetur është zvogëluar» për të kompletuar veprën e shpalljes së Mbretërisë. (1. Korintasve 7:29, BR) Po, ne qëndrojmë në pragun e përmbushjes së dekretit të Jehovait kundër Satanait dhe kundër gjithë sistemit të tij të lig. Qofshin ndjenjat tona si ato të psalmistit, i cili këndoi: «Shpirti ynë pret Zotin. Ai është ndihma dhe mburoja jonë.» (Psalmi 33:20) Çfarë perspektive e lavdishme gjendet para atyre që e bazojnë pritjen e tyre në fjalën profetike të Perëndisë!

[Figura në faqen 7]

Drama tërheqëse e shtoi çmueshmërinë e shërbëtorëve të Jehovait për trashëgiminë e tyre frymore

[Figura në faqen 7]

Shumë nga ata që e dëgjuan fjalën profetike të Perëndisë, u pagëzuan