Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Gjërat e dëshirueshme» po mbushin shtëpinë e Jehovait

«Gjërat e dëshirueshme» po mbushin shtëpinë e Jehovait

«Gjërat e dëshirueshme» po mbushin shtëpinë e Jehovait

«Unë [Jehovai] do t’i trondit të gjitha kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve duhet të vijnë dhe unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi.»​—HAGEU 2:7, BR.

1. Në rast urgjence, përse mendojmë së pari për njerëzit tanë të dashur?

ÇFARË gjërash të dëshirueshme mbushin shtëpinë tënde? Ke orendi luksoze, një kompjuter të fjalës së fundit, një makinë të re në garazh? Edhe sikur t’i kesh të gjitha këto gjëra, a nuk je dakord se gjërat më të çmuara që ke në shtëpi janë njerëzit, pjesëtarët e familjes sate? Imagjino sikur një natë të të zgjonte era e tymit. Në shtëpi ka rënë zjarr dhe ke vetëm disa minuta për të dalë prej saj! Për çfarë do të shqetësoheshe së pari? Për orenditë? Për kompjuterin? Për makinën? A nuk do të mendoje, përkundrazi, për njerëzit e tu të dashur? Patjetër që po, sepse njerëzit janë shumë më të vlefshëm se gjërat.

2. Çfarë shtrirjeje ka krijimi i Jehovait dhe cilin aspekt të këtij krijimi donte më shumë Jezui?

2 Mendo tani për Perëndinë Jehova dhe për Birin e tij, Jezu Krishtin. Jehovai është ‘Ai që bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta’. (Veprat 4:24) Biri i tij, «kryemjeshtri», ishte mjeti me anë të të cilit Jehovai bëri të gjitha gjërat e tjera. (Proverbat [Fjalët e urta] 8:30, 31, BR; Gjoni 1:3; Kolosianëve 1:15-17) Sigurisht, edhe Jehovai, edhe Jezui, e vlerësojnë çdo gjë që u krijua. (Krahaso Zanafillën 1:31.) Por, si mendon, cili aspekt i krijimit ka më shumë vlerë për ta, gjërat apo njerëzit? Si personifikimi i mençurisë, Jezui thotë: «Gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve» ose, siç e përkthen Uilliam F. Bek, Jezui ‘kënaqej me qeniet njerëzore’.

3. Çfarë profecie shpalli Jehovai nëpërmjet Hageut?

3 Pa dyshim, Jehovai i vlerëson shumë njerëzit. Këtë e tregojnë edhe fjalët profetike që tha ai në vitin 520 p.e.s., nëpërmjet profetit të tij, Hageut. Jehovai deklaroi: «Do t’i trondit të gjitha kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve duhet të vijnë dhe unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi. . . . Lavdia e kësaj shtëpie të fundit do të bëhet më e madhe se ajo e së mëparshmes.»​—Hageu (Hagai) 2:7, 9, BR.

4, 5. (a) Përse nuk do të ishte e arsyeshme të nxirrnim përfundimin se shprehja «gjërat e dëshirueshme» i referohet madhështisë materiale? (b) Si do t’i përkufizoje «gjërat e dëshirueshme» dhe përse?

4 Çfarë ‘gjërash të dëshirueshme’ do ta mbushnin shtëpinë e Jehovait dhe do t’i sillnin asaj një lavdi të paparë ndonjëherë? Orenditë luksoze dhe zbukurimet e stërholluara dekorative? Ari, argjendi dhe gurët e çmuar? Vështirë se kjo do të dukej e arsyeshme. Mos harro që tempulli i mëparshëm, i përuruar rreth pesë shekuj më parë, ishte një ndërtesë që vlente shumë miliardë dollarë! * Patjetër, Jehovai nuk do të priste që tempulli i ndërtuar nga ky grup relativisht i vogël judenjsh të riatdhesuar t’ia kalonte tempullit të Solomonit për sa i përket madhështisë materiale!

5 Atëherë, çfarë janë «gjërat e dëshirueshme» që do të mbushnin shtëpinë e Jehovait? Është e qartë se duhet të jenë njerëz. Në fund të fundit, ajo që e gëzon zemrën e Jehovait nuk është argjendi dhe ari, por njerëzit që i shërbejnë atij të shtyrë nga dashuria. (Fjalët e urta 27:11; 1. Korintasve 10:26) Në fakt, Jehovai i çmon të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët që e adhurojnë atë në mënyrë të pranueshme. (Gjoni 4:23, 24) Këto janë ‘gjëra të dëshirueshme’ dhe për Jehovain janë shumë më të çmuara se tërë zbukurimet që stolitnin tempullin e Solomonit.

6. Për cilin qëllim shërbeu tempulli i lashtë i Perëndisë?

6 Me gjithë kundërshtimin e vazhdueshëm, tempulli u përfundua në vitin 515 p.e.s. Deri në kohën kur u flijua Jezui, tempulli i Jerusalemit ishte qendra e adhurimit të pastër për shumë ‘gjëra të dëshirueshme’, që përbëheshin nga hebrenj dhe nga prozelitë johebrenj. Por tempulli përfaqësonte diçka shumë më të madhe, siç do ta shohim.

Një përmbushje në shekullin e parë

7. (a) Hija e çfarë gjëje ishte tempulli i lashtë i Perëndisë në Jerusalem? (b) Përshkruaj veprimet që bënte kryeprifti Ditën e Shlyerjes.

7 Tempulli në Jerusalem ishte hija e një rregullimi më të madh për adhurimin. Ky rregullim është tempulli frymor i Perëndisë, të cilin Jehovai e themeloi në vitin 29 të e.s., me Jezuin si Kryeprift. (Hebrenjve 5:4-10; 9:11, 12) Shqyrto një paralelizëm që ekziston midis detyrave të kryepriftit në Izrael dhe veprimeve të Jezuit. Çdo vit, në Ditën e Shlyerjes, kryeprifti i afrohej altarit në oborrin e tempullit dhe ofronte një dem për të shlyer mëkatet e priftërinjve. Më pas, hynte në tempull me gjakun e demit, kalonte përmes dyerve që ndanin oborrin nga e Shenjta dhe pastaj përmes perdes që ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta. Pasi kishte hyrë në Më të Shenjtën, kryeprifti spërkaste me gjak arkën e besëlidhjes. Më pas, duke ndjekur të njëjtën procedurë, ofronte një cjap për shlyerjen e 12 fiseve jopriftërore të Izraelit. (Levitiku 16:5-15) Si lidhet kjo praktikë me tempullin frymor të Perëndisë?

8. (a) Në ç’kuptim u ofrua Jezui, duke filluar që nga viti 29 i e.s.? (b) Çfarë marrëdhënieje të veçantë gëzoi Jezui me Jehovain gjatë gjithë shërbimit të tij në tokë?

8 Faktikisht, Jezui e ofroi vetveten në altarin e vullnetit të Perëndisë në vitin 29 të e.s., kur u pagëzua dhe u miros nga fryma e shenjtë e Perëndisë. (Luka 3:21, 22) Në fakt, për Jezuin kjo ngjarje shënoi fillimin e një jete sakrifikuese që zgjati tre vjet e gjysmë. (Hebrenjve 10:5-10) Gjatë asaj periudhe, ndërmjet Jezuit dhe Perëndisë ekzistonte një marrëdhënie e lindur nga fryma. Njerëzit e tjerë nuk e kuptonin plotësisht këtë vend të pashoq që zinte Jezui para Atit të tij qiellor. Ishte sikur një perde t’u pengonte atyre sytë e kuptueshmërisë, ashtu si një perde e fshihte të Shenjtën nga pamja e atyre që ishin në oborrin e tabernakullit.​—Eksodi (Dalja) 40:28.

9. Përse Jezui nuk mund të hynte në qiell si njeri dhe si u zgjidh kjo situatë?

9 Pavarësisht se ishte një Bir i Perëndisë i mirosur nga fryma, njeriu Jezu nuk mund ta arrinte jetën në qiell. Përse jo? Sepse mishi dhe gjaku nuk mund ta trashëgojnë Mbretërinë qiellore të Perëndisë. (1. Korintasve 15:44, 50) Duke qenë se mishi njerëzor i Jezuit përbënte një pengesë, ai ishte simbolizuar mirë nga perdja e tempullit të lashtë të Perëndisë, e cila ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta. (Hebrenjve 10:20) Por tri ditë pasi vdiq, Jezui u ringjall si frymë nga Perëndia. (1. Pjetrit 3:18) Atëherë ai mundi të hynte në ndarjen e Më të Shenjtës të tempullit frymor të Perëndisë, domethënë në vetë qiellin. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Pavli shkruan: «Krishti nuk hyri në një shenjtërore [nga sa duket i referohej Më të Shenjtës] të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne.»​—Hebrenjve 9:24.

10. Çfarë bëri Jezui pasi u kthye në qiell?

10 Në qiell, Jezui ‘spërkati me gjakun’ e flijimit të tij, duke i paraqitur Jehovait vlerën shpërblyese të gjakut të tij. Por ai bëri edhe më tepër se kaq. Pak para se të vdiste, Jezui u kishte thënë ithtarëve të tij: «Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.» (Gjoni 14:2, 3) Kështu, duke fituar hyrjen në Më të Shenjtën ose në qiell, Jezui hapi rrugën për të tjerët që do ta ndiqnin. (Hebrenjve 6:19, 20) Këta individë, që do të ishin 144.000 veta, do të shërbenin si nënpriftërinj në rregullimin e tempullit frymor të Perëndisë. (Zbulesa 7:4; 14:1; 20:6) Ashtu si kryeprifti i Izraelit që së pari çonte gjakun e demit në Më të Shenjtën për shlyerjen e mëkateve të priftërinjve, po kështu vlera e gjakut të derdhur të Jezuit u zbatua së pari për këta 144.000 nënpriftërinj. *

«Gjërat e dëshirueshme» në ditët moderne

11. Për kë e ofronte kryeprifti në Izrael cjapin dhe çfarë përfaqësonte kjo?

11 Duket se rreth vitit 1935, mbledhja e përgjithshme e të mirosurve kishte përfunduar. * Por Jehovai nuk kishte mbaruar së dhëni lavdi shtëpisë së tij. Jo, në të do të hynin ende ‘gjëra të dëshirueshme’. Mos harro se kryeprifti në Izrael ofronte dy kafshë, një dem për mëkatet e priftërinjve dhe një cjap për mëkatet e fiseve jopriftërore. Meqë priftërinjtë përfaqësonin të mirosurit që do të ishin me Jezuin në Mbretërinë qiellore, kë përfaqësonin fiset jopriftërore? Përgjigjen e gjejmë në fjalët e Jezuit, të dokumentuara te Gjoni 10:16: «Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim dhe do të jenë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.» Kështu, gjaku i derdhur i Jezuit u sjell dobi dy grupeve të njerëzve: së pari, atyre të krishterëve që shpresojnë të qeverisin me Jezuin në qiell dhe së dyti atyre që presin me padurim jetën e përhershme në një tokë parajsore. Me sa duket, «gjërat e dëshirueshme» të profecisë së Hageut paraqesin këtë grup të dytë njerëzish.​—Mikea 4:1, 2; 1. Gjonit 2:1, 2.

12. Si po tërhiqen shumë ‘gjëra të dëshirueshme’ sot drejt shtëpisë së Perëndisë?

12 Këto ‘gjëra të dëshirueshme’ po vazhdojnë ta mbushin shtëpinë e Jehovait. Vitet e fundit janë hequr kufizimet në Evropën Lindore, në disa pjesë të Afrikës dhe në vende të tjera, duke lejuar që lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë që tashmë është vendosur të lulëzojë në territore që më parë ishin të paprekura. Gradualisht që hyjnë në rregullimin e tempullit të Perëndisë, gjërat e dëshirueshme nga ana e tyre përpiqen të bëjnë dishepuj të tjerë, duke iu bindur urdhrit të Jezuit. (Mateu 28:19, 20) Kur bëjnë këtë, takojnë shumë individë, të rinj e të moshuar, të cilët kanë mundësinë të bëhen ‘gjëra të dëshirueshme’ që do ta mbushin shtëpinë e Jehovait me lavdi. Shqyrto vetëm disa shembuj se si po ndodh kjo.

13. Si e ka treguar një vajzë e vogël në Bolivi zellin e saj për të përhapur mesazhin e Mbretërisë?

13 Në Bolivi, një vajzë pesëvjeçare e rritur nga prindër Dëshmitarë i kërkoi mësueses leje nga shkolla për javën e vizitës së mbikëqyrësit qarkor. Përse? Sepse dëshironte të merrte pjesë në shërbim gjatë gjithë kësaj jave speciale aktiviteti. Kjo gjë i habiti prindërit e saj, por ata ishin të lumtur që ajo kishte një qëndrim të tillë të shkëlqyer. Tani, vajza e vogël drejton pesë studime biblike në shtëpi dhe disa prej këtyre studentëve ndjekin mbledhjet e krishtere. Madje ajo ka sjellë në Sallën e Mbretërisë edhe mësuesen e saj. Ndoshta me kalimin e kohës, disa prej studentëve të saj të Biblës do të provojnë se janë ‘gjëra të dëshirueshme’ që do ta mbushin me lavdi shtëpinë e Jehovait.

14. Si u shpërblye në Kore këmbëngulja e një motre me një person në dukje jo të interesuar?

14 Ndërsa po priste në stacionin e trenit, një grua e krishterë në Kore iu afrua një studenti që po dëgjonte muzikë me kufje. «I përkitni ndonjë feje?»​—e pyeti ajo. «Nuk më intereson asnjë fe»,​—iu përgjigj studenti. Motra nuk u step nga kjo. «Me kalimin e kohës,​—vazhdoi ajo,​—një personi mund t’i duhet të zgjedhë një fe. Por nëse nuk ka njohuri për fenë, ndoshta mund të zgjedhë një të gabuar.» Shprehja e fytyrës së studentit ndryshoi dhe ai filloi ta dëgjonte me interes motrën tonë. Ajo i ofroi librin A ka një Krijues që interesohet për ju? dhe i tha se ky botim do ta ndihmonte shumë kur të vinte koha që ai të zgjidhte një fe. Studenti e pranoi menjëherë librin. Javën pasuese filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe tani ndjek të gjitha mbledhjet e kongregacionit.

15. Si i fillon studimet biblike një vajzë në Japoni dhe si janë shpërblyer përpjekjet e saj?

15 Në Japoni, 12-vjeçarja Megumi e konsideron shkollën e saj si një territor të pasur për predikimin dhe mësimdhënien. Madje ajo ka pasur mundësi të fillojë shumë studime biblike. Si e bën këtë Megumi? Meqë e lexon Biblën ose përgatitet për mbledhje gjatë pushimit të madh, shoqet e saj shpesh e pyesin se çfarë po bën. Disa e pyesin Megumin se përse nuk merr pjesë në disa aktivitete shkollore. Ajo u përgjigjet pyetjeve të tyre dhe u thotë se Perëndia ka një emër. Kjo gjë shpesh nxit interesin e dëgjuesve të saj. Pastaj, ajo u ofron një studim biblik. Tani Megumi drejton 20 studime dhe 18 prej tyre i ka me shoqet e klasës.

16. Si mundi të fillonte studime biblike një vëlla në Kamerun me disa burra nga një grup tallësish?

16 Në Kamerun, një grup prej tetë burrash që po punonin në një kantier, thirrën një vëlla që po u ofronte literaturë biblike kalimtarëve. Duke dashur ta vinin në lojë vëllanë, ata e pyetën se përse nuk besonte në Trinitetin, në ferrin e zjarrtë ose në pavdekësinë e shpirtit. Duke përdorur Biblën, vëllai iu përgjigj pyetjeve të tyre. Rrjedhimisht, tre prej tyre pranuan studim biblik. Njëri nga ata, Danieli, filloi të ndiqte mbledhjet e madje i shkatërroi të gjitha gjërat e tij që kishin të bënin me spiritizmin. (Zbulesa 21:8) Brenda më pak se një viti, ai u pagëzua.

17. Si përdorën zgjuarsi disa vëllezër në Salvador, për t’i predikuar një burri që fillimisht nuk donte ta dëgjonte mesazhin e Mbretërisë?

17 Një burrë në Salvador, sa herë që shikonte të afroheshin Dëshmitarët e Jehovait, lidhte qenin e tij të egër para derës. Ai priste derisa Dëshmitarët të largoheshin dhe e fuste prapë qenin brenda në shtëpi. Vëllezërit nuk kishin asnjëherë mundësi të flitnin me të. Atëherë, një ditë vendosën të përdornin një metodë tjetër. Duke e ditur se burri do t’i dëgjonte fjalët që do të thoshin, ata vendosën t’i predikonin qenit. Shkuan te shtëpia, e përshëndetën qenin dhe i thanë se sa të lumtur ishin që kishin mundësi të flitnin me të. I folën për një kohë kur në tokë do të kishte një parajsë, kur askush nuk do të ishte i inatosur, madje edhe kafshët do të ishin paqësore. Me mirësjellje i thanë mirupafshim qenit dhe nisën rrugën tatëpjetë. Për habinë e tyre të madhe, burri doli nga shtëpia dhe u kërkoi falje që nuk u kishte dhënë asnjëherë mundësi Dëshmitarëve të flitnin me të. Ai pranoi revistat dhe filloi një studim biblik. Ky burrë tani është një vëllai ynë, një nga «gjërat e dëshirueshme»!

‘Mos ki frikë’

18. Çfarë sfidash hasin shumë të krishterë, por si i konsideron Jehovai adhuruesit e tij?

18 A po merr pjesë në veprën jetësore të predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve? Nëse po, je vërtet i privilegjuar. Në fakt, me anë të kësaj vepre Jehovai po tërheq drejt shtëpisë së tij «gjërat e dëshirueshme». (Gjoni 6:44) Është e vërtetë që ndonjëherë mund të jesh pak i lodhur ose i shkurajuar. Ka raste kur disa persona, madje edhe mes shërbëtorëve besimplotë të Jehovait, luftojnë me ndjenjat e pavlefshmërisë. Por merr zemër! Jehovai e konsideron secilin nga adhuruesit e tij si të dëshirueshëm dhe është shumë i interesuar për shpëtimin e tyre.​—2. Pjetrit 3:9.

19. Çfarë inkurajimi siguroi Jehovai me anë të Hageut dhe si mund të jenë këto fjalë një burim force për ne?

19 Kur ndihemi të shkurajuar, qoftë për shkak të kundërshtimit, qoftë për shkak të rrethanave të tjera të pakëndshme, një burim force mund të jenë fjalët që u tha Jehovai judenjve të riatdhesuar. Te Hageu 2:4-6 lexojmë: «‘Dhe tani, ji i fortë, Zorobabel,​—thotë Zoti,​—ji i fortë, Jozue, bir i Jehotsadakut, kryeprift; ji i fortë, o mbarë popull i vendit,​—thotë Zoti,​—dhe i hyni punës, sepse unë jam me ju,​—thotë Zoti i ushtrive,​—sipas fjalës së besëlidhjes që lidha me ju kur dolët nga Egjipti, kështu fryma ime qëndron midis jush. Mos kini frikë.’ Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Edhe një herë, pas pak, unë do t’i bëj të dridhen qiejtë dhe dheun, detin dhe sterenë.’» Vër re se Jehovai jo vetëm që na bën thirrje të jemi të fortë, por na siguron edhe mënyrën për të fituar forcë. Si? Vër re fjalët që na japin siguri: «Unë jam me ju.» Sa na forcohet besimi kur kuptojmë se pavarësisht nga pengesat që hasim, Jehovai është me ne!​—Romakëve 8:31.

20. Në ç’mënyrë shtëpia e Jehovait po mbushet tani me një lavdi të paparë ndonjëherë?

20 Patjetër, Jehovai ka provuar se është me popullin e tij. Në fakt, është tamam siç u tha me anë të profetit Hage: «Lavdia e kësaj shtëpie të fundit do të bëhet më e madhe se ajo e së mëparshmes . . . Dhe në këtë vend unë do të jap paqe.» (Hageu 2:9, BR) Pikërisht, lavdia më e madhe sot gjendet në tempullin frymor të Jehovait. Gjithashtu, çdo vit qindra mijë njerëz vërshojnë drejt adhurimit të vërtetë. Këta po ushqehen mirë frymësisht e madje, edhe në këtë botë të trazuar, gëzojnë një paqe së cilës do t’ia kalojë vetëm paqja e përjetuar në botën e re të Perëndisë.​—Isaia 9:6, 7; Luka 12:42.

21. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

21 Tamam përpara nesh është koha kur Jehovai do t’i tronditë kombet në Harmagedon. (Zbulesa 16:14, 16) Prandaj, le ta përdorim kohën e mbetur për të ndihmuar që të shpëtohen jetë të tjera! Qofshim të fortë dhe paçim besim të plotë te Jehovai! Qofshim të vendosur që të vazhdojmë të adhurojmë në tempullin e tij të madh frymor, duke e mbushur atë me më shumë ‘gjëra të dëshirueshme’, derisa Jehovai të thotë se puna jonë ka përfunduar!

[Shënimet]

^ par. 4 Sasia e kontribuar për ndërtimin e tempullit të Solomonit do të ishte e barabartë me afro 40 miliardë dollarë, me valutën e sotme. Çdo gjë që nuk u përdor në ndërtim, u vendos në thesarin e tempullit.​—1. Mbretërve 7:51.

^ par. 10 Ndryshe nga kryeprifti në Izrael, Jezui nuk kishte mëkate për të cilat të nevojitej shlyerja. Megjithatë, priftërinjtë që shoqëronin atë kishin mëkate, sepse ishin blerë nga njerëzimi mëkatar.​—Zbulesa 5:9, 10.

^ par. 11 Shiko Kullën e Rojës, 15 shkurt 1998, faqet 17-22.

A të kujtohet?

• Çfarë konsideron Jehovai më të çmuar se gjërat materiale?

• Cilat janë dy grupet e njerëzve që nxjerrin dobi nga gjaku i derdhur i Jezuit?

• Cilët janë «gjërat e dëshirueshme» që do ta mbushnin shtëpinë e Jehovait me lavdi?

• Çfarë dëshmie kemi se profecia e Hageut po përmbushet sot?

[Pyetjet]

[Diagrami në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

A e di domethënien simbolike të tempullit të lashtë të Jehovait?

Më e Shenjta

Perdja

E Shenjta

Portiku

Altari

Oborri

[Figura në faqen 17]

Kryeprifti ofronte një dem për mëkatet e levitëve dhe një cjap për mëkatet e fiseve jopriftërore të Izraelit

[Figura në faqen 18]

Vepra mbarëbotërore e predikimit të Mbretërisë po tërheq shumë njerëz në shtëpinë e Jehovait