Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ne mund ta njohim të ardhmen

Ne mund ta njohim të ardhmen

Ne mund ta njohim të ardhmen

Pjesa më e madhe e njerëzve mendon seriozisht për të ardhmen. Atyre u pëlqen të bëjnë plane, të investojnë me mençuri dhe të ndihen të sigurt. Por, a ka ndonjë mënyrë për ta ditur me siguri se çfarë rezervon e nesërmja?

NË PËRPJEKJE për të zbuluar se çfarë rezervon e ardhmja, njerëzit kanë eksperimentuar me çdo lloj gjëje. Disa specialistë të shkencave shoqërore, që në anglisht quhen futurologists, analizojnë tendencat aktuale dhe duke u bazuar në to bëjnë parashikimet e tyre. Ekonomistët bëjnë po kështu në fushën e tyre. Astrologët dhe parashikuesit u drejtohen horoskopëve, sferave prej kristali dhe okultizmit e kanë një numër të madh ithtarësh. Për shembull, astrologu francez, Nostradamusi, vazhdon të ketë popullaritet, edhe pse ka disa shekuj që ka vdekur.

Të gjithë këta që aspirojnë të jenë profetë kanë dalë se janë të pasaktë dhe zhgënjyes. Përse? Sepse ata shpërfillin Perëndinë Jehova dhe Fjalën e tij, Biblën. Për këtë arsye, nuk kanë mundur t’u përgjigjen dot pyetjeve të tilla themelore, si: ‘Përse mund të jemi të sigurt që gjërat e parathëna në Bibël do të ndodhin? Çfarë vendi zënë këto gjëra në qëllimin e Perëndisë për njerëzit? Si mund të përfitojmë ne dhe familjet tona nga këto profeci?’ Bibla u përgjigjet këtyre pyetjeve.

Profecitë e Biblës kanë, gjithashtu, epërsi në shumë aspekte të tjera. Ndryshe nga parashikimet astrologjike, ato lënë vend për vullnetin e lirë të personave. Kështu, askush nuk është viktimë e fatit. (Ligji i përtërirë 30:19) Disa shkrime, si ato të Nostradamusit, janë bosh nga ana morale dhe e mbushin këtë boshllëk me mister dhe me gjëra sensacionale. Por profecitë e Biblës kanë një bazë të patundshme morale. Ato shpjegojnë se përse Perëndia do të veprojë ashtu si i ka vënë qëllim vetes. (2. Kronikave 36:15) Veç kësaj, profecitë e Jehovait nuk dështojnë kurrë, pasi «Perëndia . . . nuk gënjen». (Titit 1:2) Prandaj, njerëzit e udhëhequr nga Fjala e Perëndisë kanë një jetë të ndriçuar, me qëllim dhe të lumtur, pa e çuar dëm kohën dhe energjitë e tyre të çmuara në ndjekjen e gjërave të kota.​—Psalmi 25:12, 13.

Këto dhe shumë pika të tjera u trajtuan në Kongreset Krahinore të Dëshmitarëve të Jehovait «Fjala profetike e Perëndisë» për vitin e shërbimit 1999-2000, të mbajtura rreth e rrotull botës. Fjalimet, intervistat, demonstrimet dhe një dramë biblike e tërhoqën vëmendjen e auditorit ndaj trashëgimisë së mrekullueshme frymore që kanë ata që e studiojnë dhe e zbatojnë fjalën profetike të Perëndisë. Në artikullin vijues do të rishikohen disa pika kryesore entuziazmuese të kongresit.