Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Qëndroni vigjilentë»

«Qëndroni vigjilentë»

«Qëndroni vigjilentë»

«Qëndroni vigjilentë, pra, sepse nuk e dini në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.»​—MATEU 24:42, BR.

1. Si ndihen ata që i kanë shërbyer prej një kohe të gjatë Jehovait, për vitet e shumta të shërbimit të tyre të dedikuar? Cito një shembull.

SHUMË nga ata që i kanë shërbyer prej një kohe të gjatë Jehovait, e mësuan të vërtetën kur ishin të rinj e të reja. Ashtu si tregtari që zbuloi një perlë me vlerë të madhe dhe shiti gjithçka që zotëronte për ta blerë, ata studentë të zellshëm të Biblës e mohuan vetveten dhe ia dedikuan jetën Jehovait. (Mateu 13:45, 46; Marku 8:34) Ç’mendojnë ata për faktin që u është dashur të presin më gjatë nga sa mund të kishin menduar, për të parë përmbushjen e premtimeve të Perëndisë lidhur me tokën? Nuk ndiejnë asnjë keqardhje! Ata janë të një mendimi me vëllanë A. H. Macmillan, i cili pas pothuajse 60 vjetësh shërbimi që ia kishte dedikuar Perëndisë, tha: «Jam më i vendosur se kurrë për të vazhduar në besimin tim. Ky besim ka bërë që jeta ime t’ia vlejë ta jetoj. Ai po më ndihmon akoma për ta përballuar të ardhmen pa frikë.»

2. (a) Çfarë këshille në kohën e duhur u dha Jezui ithtarëve të tij? (b) Çfarë pyetjesh do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Po ti, ç’mendon? Pavarësisht nga mosha që ke, shqyrto fjalët e Jezuit: «Qëndroni vigjilentë, pra, sepse nuk e dini në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.» (Mateu 24:42, BR) Kjo fjali e thjeshtë përmban një të vërtetë të thellë. Ne nuk e dimë dhe nuk kemi nevojë ta dimë se në çfarë dite do të vijë Zotëria për të ekzekutuar gjykimin mbi këtë sistem të lig. Ajo për të cilën kemi nevojë është ta jetojmë jetën tonë në një mënyrë që kur të vijë ai, të mos ndiejmë asnjë keqardhje. Lidhur me këtë, çfarë shembujsh gjejmë në Bibël që do të na ndihmojnë për të qëndruar vigjilentë? Si e ilustroi Jezui këtë nevojë? Veç kësaj, çfarë dëshmie kemi sot, që provon se po jetojmë në ditët e fundit të kësaj bote të paperëndishme?

Një shembull paralajmërues

3. Në ç’mënyrë shumë njerëz sot ngjajnë me ata të kohës së Noes?

3 Në shumë aspekte, njerëzit sot janë si burrat e gratë që jetuan në ditët e Noes. Në atë kohë, toka ishte e mbushur me dhunë dhe prirja e zemrës së njeriut ishte «veçse e keqja në çdo kohë». (Zanafilla 6:5) Shumica e tyre ishin të përpirë nga gjërat e përditshme të jetës. Megjithatë, para se të sillte Përmbytjen e madhe, Jehovai u dha njerëzve një mundësi për t’u penduar. Ai e ngarkoi Noen të predikonte dhe Noeja u bind, duke shërbyer si ‘predikues i drejtësisë’ ndoshta për 40, 50 a më shumë vjet. (2. Pjetrit 2:5) Gjithsesi, njerëzit e shpërfillën mesazhin paralajmërues të Noes. Ata nuk ishin vigjilentë. Prandaj, në fund, vetëm Noeja dhe familja e tij mbijetuan nga ekzekutimi i gjykimit të Jehovait.​—Mateu 24:37-39.

4. Në ç’kuptim mund të thuhet se shërbimi i Noes pati sukses dhe përse mund të thuhet e njëjta gjë për veprën tonë të predikimit?

4 A pati sukses shërbimi i Noes? Nuk duhet të gjykojmë nga numri i vogël i atyre që reaguan pozitivisht. Në të vërtetë, predikimi i Noes e përmbushi qëllimin e vet, pavarësisht nga reagimi. Përse? Sepse u dha njerëzve mundësi të mjaftueshme për të zgjedhur nëse do t’i shërbenin apo jo Jehovait. Ç’të themi për territorin tënd të predikimit? Edhe sikur të ketë pak persona që reagojnë pozitivisht, suksesi yt është i madh. Përse? Sepse duke predikuar, ti po jep paralajmërimin nga Perëndia dhe në këtë mënyrë po përmbush detyrën që u dha Jezui ithtarëve të tij.​—Mateu 24:14; 28:19, 20.

Shpërfillin profetët e Perëndisë

5. (a) Cilat kushte mbizotëronin në Judë në ditët e Habakukut dhe si iu përgjigj populli mesazhit të tij profetik? (b) Si u tregua armiqësor populli i Judës me profetët e Jehovait?

5 Shumë shekuj pas Përmbytjes, mbretëria e Judës përballoi një situatë të rëndë. Idhujtaria, padrejtësia, shtypja e madje edhe vrasjet ishin gjë e zakonshme. Jehovai ngriti Habakukun për të paralajmëruar popullin se nëse nuk pendoheshin, mbi ta do të binte një katastrofë nga kaldeasit ose ndryshe babilonasit. (Habakuku 1:5-7) Por populli refuzoi të dëgjonte. Ndoshta ata kanë arsyetuar: ‘Ja, më shumë se njëqind vjet më parë, profeti Isaia dha një paralajmërim të ngjashëm, por asgjë nuk ka ndodhur deri tani!’ (Isaia 39:6, 7) Shumë zyrtarë të Judës jo vetëm që ishin indiferentë ndaj mesazhit, por ishin edhe armiqësorë ndaj lajmëtarëve. Në një rast, ata u përpoqën të vritnin profetin Jeremia dhe do t’ia kishin dalë mbanë, po të mos qe për ndërhyrjen e Ahikamit. I zemëruar nga një mesazh tjetër profetik, mbreti Jehojakim urdhëroi të vritej profeti Urijah.​—Jeremia 26:21-24.

6. Si e forcoi Jehovai Habakukun?

6 Mesazhi i Habakukut nuk ishte më pak i guximshëm dhe u prit po aq keq sa ai i Jeremisë, i cili ishte frymëzuar në mënyrë hyjnore për të parathënë shkretimin 70-vjeçar të Judës. (Jeremia 25:8-11) Prandaj, mund ta kuptojmë shqetësimin e Habakukut kur tha: «Deri kur, o Jehova, duhet të thërras për ndihmë dhe ti të mos dëgjosh? Deri kur do të të thërras për ndihmë kundër dhunës dhe ti të mos shpëtosh?» (Habakuku 1:2, BR) Me dashamirësi, Jehovai iu përgjigj Habakukut me këto fjalë besimforcuese: «Vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë. Nëse vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë.» (Habakuku 2:3) Pra, Jehovai kishte një «kohë të caktuar» për t’i dhënë fund padrejtësisë dhe shtypjes. Edhe sikur të dukej se kishte ndonjë vonesë, Habakuku nuk duhej të shkurajohej dhe as nuk duhej të ngadalësonte ritmin. Përkundrazi, duhej të ‘priste’, duke jetuar çdo ditë me një ndjenjë urgjence. Dita e Jehovait nuk do të vononte!

7. Përse në shekullin e parë të e.s. Jerusalemin e priste një shkatërrim tjetër?

7 Rreth 20 vjet pasi Jehovai i foli Habakukut, kryeqyteti i Judës, Jerusalemi, u shkatërrua. Më vonë, ai u rindërtua dhe mjaft nga padrejtësitë që e kishin shqetësuar aq shumë Habakukun u ndreqën. Megjithatë, në shekullin e parë të e.s., qyteti ishte caktuar edhe një herë për t’u shkatërruar, për shkak të jobesnikërisë së banorëve të tij. I shtyrë nga mëshira, Jehovai mori masa që ata me zemër të drejtë të mbijetonin. Kësaj radhe, për të dhënë mesazhin, ai përdori më të shquarin e profetëve, Jezu Krishtin. Në vitin 33 të e.s. Jezui u tha ithtarëve të tij: «Kur do të shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i tij është afër. Atëherë, ata që janë në Jude, të ikin në male.»​—Luka 21:20, 21.

8. (a) Çfarë mund t’u ketë ndodhur disa të krishterëve me kalimin e kohës pas vdekjes së Jezuit? (b) Si u përmbushën fjalët profetike të Jezuit për Jerusalemin?

8 Me kalimin e viteve, disa të krishterë në Jerusalem mund të kenë pyetur veten se kur do të plotësohej profecia e Jezuit. Në fund të fundit, imagjino sakrificat që pa dyshim kishin bërë disa prej tyre. Ndoshta kishin refuzuar oferta tërheqëse tregtie, për shkak të vendosmërisë për të qëndruar vigjilentë. A u lodhën ata me kalimin e kohës? A nxorën përfundimin se po humbnin kohë, duke arsyetuar se fjalët e Jezuit zbatoheshin për një brez të ardhshëm e jo për të tyrin? Profecia e Jezuit filloi të përmbushej në vitin 66 të e.s., kur ushtritë romake rrethuan Jerusalemin. Ata që qëndruan vigjilentë e njohën shenjën, ikën nga qyteti dhe shpëtuan nga shkretimi i Jerusalemit.

Ilustrohet nevoja për të qenë vigjilentë

9, 10. (a) Si do ta përmblidhje ilustrimin që bëri Jezui për skllevërit që prisnin kthimin e zotërisë së tyre nga dasma e tij? (b) Përse mund të ketë qenë e vështirë për skllevërit të prisnin zotërinë e tyre? (c) Përse ishte e dobishme që skllevërit të ishin të duruar?

9 Duke theksuar nevojën për të qenë vigjilentë, Jezui i krahasoi dishepujt e tij me skllevërit që presin kthimin e zotërisë së tyre nga dasma e tij. E dinin se do të kthehej një natë, por në ç’orë? Gjatë rojës së parë të natës? Të dytës? Të tretës? Ata nuk e dinin. Jezui tha: «Nëse [zotëria] do të vijë në të dytën a në të tretën rojë të natës dhe t’i gjejë kështu [vigjilentë], lum ata shërbëtorë!» (Luka 12:35-38) Vetëm imagjino pritjen e këtyre skllevërve. Çdo tingull, çdo hije që lëvizte, patjetër që do ta shtonte pritjen e tyre: ‘Mos vallë ky është zotëria ynë?’

10 Po sikur zotëria të mbërrinte gjatë rojës së dytë të natës, që zgjaste nga ora nëntë e darkës deri në mesnatë? A do të ishin të gjithë skllevërit gati për ta përshëndetur​—duke përfshirë edhe ata që kishin punuar shumë që nga mëngjesi​—apo disa do t’i kishte zënë gjumi? Po sikur zotëria të kthehej gjatë rojës së tretë të natës, që zë periudhën nga mesnata deri në orën tre të mëngjesit? A do të ishin shkurajuar disa nga skllevërit, apo madje do të ishin mërzitur nga vonesa në dukje e zotërisë së tyre? * Të lumtur do të shpalleshin vetëm ata që zotëria do t’i gjente vigjilentë kur të mbërrinte. Me siguri, për ta do të zbatoheshin fjalët që gjejmë në Fjalët e urta (Proverbat) 13:12: «Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës.»

11. Si mund të na ndihmojë lutja për të qëndruar vigjilentë?

11 Çfarë do t’i ndihmonte ithtarët e Jezuit që të qëndronin vigjilentë gjatë periudhës së vonesës në dukje? Kur ishte në kopshtin e Getsemanisë, pak para se ta arrestonin, Jezui u tha tre prej apostujve të tij: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht që të mos bini në tundim.» (Mateu 26:41, BR) Vite më vonë, Pjetri që ishte i pranishëm në atë rast, u dha një këshillë të ngjashme të bashkëkrishterëve. Ai shkroi: «Fundi i çdo gjëje është afruar. Prandaj jini me mendje të shëndoshë dhe jini vigjilentë për sa u përket lutjeve.» (1. Pjetrit 4:7, BR) Qartë, lutjet e zjarrta duhet të jenë pjesë e rutinës sonë të krishterë. Në fakt, ne kemi nevojë vazhdimisht t’i lutemi Jehovait që të na ndihmojë për të qëndruar vigjilentë.​—Romakëve 12:12; 1. Thesalonikasve (Selanikasve) 5:17.

12. Çfarë ndryshimi ka mes hamendjeve dhe vigjilencës?

12 Vër re se Pjetri tha, gjithashtu: «Fundi i çdo gjëje është afruar.» Sa është afruar? Njerëzit nuk kanë asnjë mundësi për të përcaktuar ditën dhe orën e saktë. (Mateu 24:36) Por, ndryshe është të jepesh pas hamendjeve, gjë që Bibla nuk e inkurajon dhe ndryshe të qëndrosh në pritje të fundit, të cilën Bibla e inkurajon. (Krahaso 2. Timoteut 4:3, 4; Titit 3:9.) Cila është një mënyrë për të qëndruar në pritje të fundit? Duke u kushtuar vëmendje të madhe dëshmive që tregojnë se fundi është afër. Le të rishikojmë, pra, gjashtë linja dëshmish që provojnë se po jetojmë në ditët e fundit të kësaj bote të paperëndishme.

Gjashtë linja bindëse dëshmish

13. Përse profecia e Pavlit e dokumentuar në 2. Timoteut, kapitulli 3, të bind se po jetojmë në «ditët e fundit»?

13 Së pari, ne e shohim qartë përmbushjen e profecisë së apostullit Pavël për «ditët e fundit». Pavli shkroi: «Në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj, dhe nga këta largohu. Por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë.» (2. Timoteut 3:1-5, 13) A nuk e shohim sot përmbushjen e kësaj profecie? Vetëm ata që shpërfillin faktet mund ta mohojnë këtë! *

14. Si po përmbushen sot fjalët e Zbulesës 12:9 lidhur me Djallin dhe çfarë do të ndodhë së shpejti me të?

14 Së dyti, shohim pasojat e dëbimit të Satanait dhe të demonëve të tij nga qielli, në përmbushje të Zbulesës 12:9. Aty lexojmë: «Kështu, dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që është quajtur Djall dhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë dhe me të u hodhën edhe engjëjt e tij.» Kjo ka sjellë si pasojë mjerime të mëdha për tokën. Në fakt, veçanërisht që nga viti 1914 njerëzimi ka pasur shumë mjerime. Por profecia e Zbulesës shton se kur Djalli të hidhej mbi tokë, do ta dinte se «ka pak kohë». (Zbulesa 12:12) Gjatë asaj kohe, Satanai do të bënte luftë me ithtarët e mirosur të Krishtit. (Zbulesa 12:17) Patjetër që ne i kemi parë pasojat e këtij sulmi në kohën tonë. * Megjithatë, së shpejti Satanai do të hidhet në humnerë, që «të mos i mashtrojë më kombet».​—Zbulesa 20:1-3.

15. Si na jep Zbulesa 17:9-11 një dëshmi se po jetojmë në kohën e mbarimit?

15 Së treti, ne po jetojmë në kohën e «mbretit» të tetë e të fundit që përmendet në profecinë e dokumentuar te Zbulesa 17:9-11, BR. Këtu, apostulli Gjon përmend shtatë mbretër që përfaqësojnë shtatë fuqi botërore: Egjiptin, Asirinë, Babiloninë, Medo-Persinë, Greqinë, Romën dhe fuqinë botërore dyshe anglo-amerikane. Ai sheh, gjithashtu, ‘një mbret të tetë’ që «vjen nga të shtatët». Ky mbret i tetë, i fundit që sheh në vizion Gjoni, përfaqëson tani Kombet e Bashkuara. Gjoni thotë se ky mbret i tetë «shkon në shkatërrim» dhe pas tij nuk përmenden më mbretër tokësorë. *

16. Si e tregojnë faktet në përmbushje të shëmbëlltyrës së ëndrrës së Nabukodonosorit, se po jetojmë në ditët e fundit?

16 Së katërti, ne po jetojmë në periudhën e simbolizuar nga pjesa e fundit e këmbëve të shëmbëlltyrës që pa në ëndërr Nabukodonosori. Profeti Daniel e interpretoi këtë ëndërr misterioze që bënte fjalë për një shëmbëlltyrë tejet të madhe në formë njeriu. (Danieli 2:36-43) Katër pjesët e ndryshme metalike të shëmbëlltyrës përfaqësojnë fuqi të ndryshme botërore, duke filluar me kokën (Perandorinë Babilonase) e duke përfunduar me pjesën e fundit të këmbëve dhe me gishtat (qeveritë që po sundojnë sot). Që të gjitha fuqitë botërore të paraqitura në atë shëmbëlltyrë tashmë janë shfaqur. Ne po jetojmë në periudhën e simbolizuar nga pjesa e fundit e këmbëve të shëmbëlltyrës. Nuk përmendet ardhja e asnjë fuqie tjetër. *

17. Si jep prova të mëtejshme aktiviteti i predikimit të Mbretërisë se po jetojmë në kohën e mbarimit?

17 Së pesti, ne po shohim kryerjen e një vepre globale predikimi, që Jezui tha se do të bëhej tamam përpara fundit të këtij sistemi. Jezui tha: «Ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet dhe atëherë do të vijë mbarimi.» (Mateu 24:14) Sot, kjo profeci po përmbushet në një shkallë të paparë ndonjëherë. Është e vërtetë që ekzistojnë ende territore të paprekura dhe ndoshta në kohën e duhur të Jehovait do të hapet një derë e madhe që çon në aktivitet të zgjeruar. (1. Korintasve 16:9) Gjithsesi, Bibla nuk thotë se Jehovai do të presë derisa çdo individ në tokë të ketë marrë dëshmi personalisht. Përkundrazi, lajmi i mirë duhet predikuar deri në atë masë që do Jehovai. Atëherë do të vijë fundi.​—Krahaso Mateun 10:23.

18. Me sa duket, çfarë do të ndodhë me disa të mirosur kur të fillojë mjerimi i madh dhe si mund ta përcaktojmë këtë?

18 Së gjashti, numri i dishepujve vërtet të mirosur të Krishtit po zvogëlohet, ndonëse me sa duket disa do të jenë ende në tokë kur të fillojë mjerimi i madh. Shumica e pjesëtarëve të mbetjes janë shumë të moshuar dhe përgjatë viteve numri i atyre që janë vërtet të mirosur është bërë gjithnjë e më i vogël. Megjithatë, duke iu referuar mjerimit të madh, Jezui tha: «Po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte, por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.» (Mateu 24:21, 22) Me sa duket, pra, disa ‘të zgjedhur’ të Krishtit do të jenë ende në tokë kur të fillojë mjerimi i madh. *

Çfarë na pret?

19, 20. Përse tani është më urgjente se kurrë më parë të rrimë zgjuar dhe të qëndrojmë vigjilentë?

19 Çfarë rezervon e ardhmja për ne? Kohë emocionuese priten të vijnë. Pavli paralajmëroi se «dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën». Duke iu referuar njerëzve që duken sikur dinë gjithçka, ai thotë: «Kur thonë ‘Paqe dhe siguri’, atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta.» Prandaj, Pavli i nxit lexuesit e tij: «Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi esëll.» (1. Thesalonikasve 5:2, 3, 6) Në fakt, ata që shpresojnë se institucionet njerëzore do të sjellin paqe dhe siguri, po shpërfillin realitetin. Këta individë kanë rënë në gjumë të thellë!

20 Shkatërrimi i këtij sistemi gjërash do të vijë me një befasi të habitshme. Prandaj, të rrimë në pritje të ditës së Jehovait. Vetë Perëndia i tha Habakukut: «Nuk do të vonojë!» Vërtet, sot është më urgjente se kurrë të qëndrojmë vigjilentë.

[Shënimet]

^ par. 10 Zotëria nuk u kishte lënë orar kthimi skllevërve të tij. Prandaj, nuk duhej t’u jepte llogari atyre për vajtje-ardhjet e tij dhe as nuk ishte i detyruar t’u jepte shpjegim skllevërve për ndonjë vonesë në dukje.

^ par. 13 Për një trajtim të hollësishëm të kësaj profecie, shiko kapitullin 11 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

^ par. 14 Për më shumë informacion, shiko faqet 180-186 të librit Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc, anglisht.

^ par. 15 Shiko Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, faqet 251-254, anglisht.

^ par. 16 Shiko kapitullin 4 të librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

^ par. 18 Në shëmbëlltyrën e deleve dhe të cjepve, Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e tij në periudhën e mjerimit të madh dhe do të ulet për të gjykuar. Ai do t’i gjykojë popujt në bazë të mbështetjes që u kanë dhënë ose jo vëllezërve të mirosur të Krishtit. Kjo bazë për gjykim nuk do të kishte kuptim, nëse në kohën e gjykimit të gjithë vëllezërit e Krishtit do ta kishin lënë prej kohësh tokën.​—Mateu 25:31-46.

A të kujtohet?

• Cilët shembuj biblikë mund të na ndihmojnë që të qëndrojmë vigjilentë?

• Si e ilustroi Jezui nevojën për vigjilencë?

• Cilat janë gjashtë linjat e dëshmive që provojnë se po jetojmë në ditët e fundit?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 9]

A. H. Macmillan i shërbeu me besnikëri Jehovait për afro gjashtë dekada

[Figura në faqen 10]

Jezui i krahasoi dishepujt e tij me skllevërit që qëndrojnë vigjilentë