U shpjegua libri i Danielit!
U shpjegua libri i Danielit!
KONGRESISTËT mezi prisnin të merrnin kopjen e tyre të librit me 320 faqe që sapo kishte dalë, Kushtoju vëmendje profecive të Danielit! Çfarë mendonin ata për librin? Shqyrto se çfarë thanë disa.
«Ashtu si pjesa më e madhe e adoleshentëve, e kam të vështirë të gjej kënaqësi në studimin e historisë së lashtë. Prandaj, kur mora kopjen personale të librit të ri, Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, nuk mund të them me plot gojën se isha entuziaste për ta lexuar, por bëra një përpjekje. Oh, sa gabim e kisha pasur! Ky është një nga librat më të mirë që kam lexuar ndonjëherë. Është një libër që të mbërthen. S’më duket më sikur po lexoj një ngjarje që ka ndodhur mijëra vjet më parë. Për të parën herë, mendoj se mund ta vë veten në vendin e Danielit. Mund ta përfytyroj me të vërtetë se çfarë do të thotë të të heqin nga familja, të të dërgojnë në një vend të huaj dhe atje të ta vënë vazhdimisht në sprovë integritetin. Ju falënderoj shumë për këtë libër.»—Anja.
«Ajo që më ndihmon më shumë është mesazhi i qartë se Jehovai ka kontroll absolut mbi gjërat që kanë të bëjnë me popullin e tij. Nëpërmjet vizioneve dhe ëndrrave të Danielit, si edhe të të tjerëve të cilat ai i interpretoi, është e qartë se Perëndia ynë do të kujdeset gjithnjë që ngjarjet të ndodhin sipas asaj që ka vënë ai për qëllim. Kjo e forcon shpresën tonë te përfytyrimet profetike që gjejmë në Bibël për botën e re që do të sjellë Perëndia.»—Çester.
«Më pëlqeu shumë përshkrimi i gjallë që i bëtë Danielit. E njoha më mirë si person nga mënyra se si i kishit theksuar problemet dhe shqetësimet e tij. E kuptova më mirë se përse Jehovai e konsideronte kaq të dëshirueshëm. Gjatë tërë sprovave dhe persekutimeve të tij, ai nuk shqetësohej për veten. Meraku i tij kryesor ishte për Jehovain dhe për emrin e tij të bukur. Ju falënderoj që i theksuat këto pika.»—Xhoi.
«Ishte pikërisht ajo që pritnim! Kurrë më parë nuk ishte treguar se sa shumë zbatohet faktikisht libri i Danielit për secilin prej nesh. Pasi lexova një pjesë të mirë të librit të ri po atë mbrëmje që e mora, thjesht m’u desh ta ndërpritja leximin dhe të falënderoja Jehovain në lutje.»—Marku.
«Ajo që nuk prisnim ishte efekti që do të kishte ky libër te fëmijët tanë. Ata janë me moshë 5 dhe 3 vjeç. . . . Ndonëse tregimet për Danielin, Hananian, Mishaelin dhe Azarian kanë qenë gjithnjë mes tregimeve më të preferuara të tyre në Libri im i tregimeve biblike, paraqitja në librin Profecitë e Danielit ka ndikuar tek ata në një mënyrë që nuk e prisnim. Edhe pse janë të vegjël, ata duken se janë në gjendje ta identifikojnë veten me këta të rinj të drejtë. Sa shembuj të mrekullueshëm për t’u imituar nga fëmijët tanë! Çfarë mjeti të jashtëzakonshëm na keni dhënë! Faleminderit, faleminderit shumë!»—Bethel.
«Ndihesha sikur isha tamam atje me të rinjtë hebrenj, ndërsa kalonin sprovat e besimit të tyre dhe kjo gjë më inkurajoi të shqyrtoja besimin tim. Kutia e rishikimit me titull «Çfarë ke dalluar?» ta ngulit në zemër përmbajtjen e kapitullit. Edhe një herë, faleminderit për një kryevepër tjetër.»—Lidia.