Ndihmohen njerëz të çdo lloji në Holandë
Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Ndihmohen njerëz të çdo lloji në Holandë
ABRAHAMI ishte një burrë me besim të jashtëzakonshëm. Apostulli Pavël tha se «kur u thirr», Abrahami iu bind zërit të Perëndisë dhe «u nis pa ditur se ku po shkonte». Pasi u transferua me gjithë familjen, Abrahami «banoi në tokën e premtuar si në një dhe të huaj» për njëqind vjetët e tjerë të jetës së tij.—Hebrenjve 11:8, 9.
Në mënyrë të ngjashme sot, shumë Dëshmitarë të Jehovait kanë pranuar sfidën për t’u transferuar në një vend tjetër, me qëllim që të shërbejnë atje ku nevoja është më e madhe. Të tjerë kanë mësuar një gjuhë të huaj, që të mund t’u japin dëshmi të huajve që kanë imigruar në vendin e tyre. Siç e tregojnë shembujt vijues, kjo frymë e shkëlqyer ka hapur «një derë të madhe që çon në aktivitet» në Holandë, ku, nga 15 milionë banorët, një milion janë nga shtete të tjera.—1. Korintasve 16:9, BR.
□ Bahrami, një ish-instruktor i artit kung fu (art luftimi kinez), vinte nga një vend i Lindjes së Mesme. Atij i ra në dorë një kopje e Biblës dhe disa botime të Watch Tower-it. Brenda një muaji, Bahrami kuptoi se kishte gjetur të vërtetën. Me të dhe me të shoqen u fillua një studim, por kishte një problem, pasi mësuesi i tyre i Biblës nuk e fliste gjuhën e tyre. Komunikonin me gjeste, duke folur «me këmbë e me duar», siç kujtojnë ata. Me kalimin e kohës, Bahrami dhe e shoqja patën mundësi të gjenin një kongregacion ku flitej gjuha e tyre amtare dhe pas kësaj bënë një progres shumë të shpejtë. Tani, Bahrami është një Dëshmitar i pagëzuar.
□ Një çift holandez pionierësh iu afruan një burri indonezian, i cili po qëndronte përballë një supermarketi. Për të qe një surprizë e këndshme kur çifti i foli në gjuhën e tij. Më pas u bënë përgatitje që çifti ta vizitonte në shtëpi. Morën vesh se ai kishte jetuar në Rusi për më shumë se 20 vjet dhe gjatë kësaj kohe ishte bërë gjinekolog. Ai deklaroi se ishte ateist, por e pranoi që sa herë ndihmonte në lindjen e një foshnjeje, nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të mrekullohej: «Sa i përsosur është trupi njerëzor! Çfarë mrekullie!» Ai pranoi të studionte Biblën dhe shpejt filloi të besonte se ekziston një Krijues që interesohet për njerëzimin. (1. Pjetrit 5:6, 7) Tani ai është një vëlla i pagëzuar dhe shërben në kongregacionin indonezian të Amsterdamit.
□ Në Roterdam, i cili është një nga portet detare më të mëdha të botës, një grup pionierësh janë bërë ekspertë për t’u predikuar grupeve të ndryshme gjuhësore që vijnë në port çdo ditë. Si rezultat i aktivitetit të këtij grupi entuziast predikuesish, disa marinarë, duke përfshirë edhe një kapiten anijeje, një oficer marine dhe një ish-truprojë, kanë pranuar të vërtetën. Tani, edhe ata ndihmojnë për të përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në mbarë botën.—Mateu 24:14.
Ashtu si në pjesë të tjera të botës, Dëshmitarët e Jehovait në Holandë janë të vendosur të bëjnë pjesën e tyre për t’ia shpallur lajmin e mirë të përhershëm çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.—Zbulesa 14:6.