Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Suksesi arrihet duke ngulmuar

Suksesi arrihet duke ngulmuar

Suksesi arrihet duke ngulmuar

NGULMIMI është bërë një cilësi e rrallë në kohët moderne. Shumë njerëz besojnë se suksesi ka të bëjë më shumë me faktin që ndodhesh në vendin e duhur dhe në momentin e duhur, sesa me ngulmimin. Kush mund t’i bëjë me faj për këtë? Mjetet e informacionit janë plot me slogane reklamash, të cilat në mënyrë tinëzare paraqesin mesazhin se gati çdo gjë që dëshiron një person mund ta marrë me minimumin e përpjekjeve dhe vetëm me ca para më shumë. Gazetat nxjerrin vazhdimisht një numër të madh historish për suksese të arritura brenda një nate dhe për fëmijë-gjeni sipërmarrës që fitojnë miliona lekë sapo dalin nga bankat e shkollës.

Gazetari Leonard Pits ankohet: «Në një shoqëri ku është bërë fiksim përshtypja që duhet të japë një person, madhështia duket shumë e lehtë. . . . Duket si diçka që mund ta arrinte çdokush, sikur t’ia dilte të kuptonte marifetin, të kishte aftësi ose të ishte ndriçuar papritur nga Zoti.»

Çfarë do të thotë të ngulmosh?

Të ngulmosh do të thotë të ‘kapesh fort dhe në mënyrë të qëndrueshme pas një qëllimi, gjendjeje ose sipërmarrjeje, pavarësisht nga pengesat ose nga sprapsjet’. Përfshin të vazhdosh me vendosmëri përballë vështirësive, duke qenë këmbëngulës, duke mos u dorëzuar. Bibla e thekson rëndësinë që ka kjo cilësi. Për shembull, Fjala e Perëndisë na këshillon: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë», «vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet», «ngulmoni në lutje» dhe «mbani fort atë që është e shkëlqyer».​—Mateu 6:33, BR; Luka 11:9, BR; Romakëve 12:12, BR; 1. Selanikasve [Thesalonikasve] 5:21, BR.

Një aspekt i rëndësishëm i ngulmimit është përballimi i sprapsjeve të pashmangshme. Te Proverbat (Fjalët e urta) 24:16 thuhet: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe me siguri do të ngrihet.» (BR) Në vend që të ‘heqë dorë’ kur has vështirësi ose dështime, ai që ngulmon ‘ngrihet’, ‘vazhdon’ dhe përpiqet përsëri.

Megjithatë, shumë janë të papërgatitur për vështirësitë dhe dështimet që mund të hasin. Pasi nuk e kanë kultivuar asnjëherë vullnetin për të ngulmuar, ata dorëzohen me lehtësi. «Shumë njerëz reagojnë ndaj dështimeve në një mënyrë që dëmton veten e tyre,​—vëren shkrimtari Morli Kallagan.​—Ata zhyten në vetëmëshirim, ia vënë fajin gjithkujt, lëndohen dhe . . . heqin dorë.»

Kjo është e mjerueshme. «Ne harrojmë,​—thekson Pits,​—se ka një arsye për ta kaluar një sprovë, ka një vlerë që mund ta gjejmë në vështirësi.» Çfarë vlere? Ai përfundon: «[Një person] mëson se dështimi nuk është fatal dhe as humbja nuk është e përjetshme. Kështu ai fiton mprehtësi dhe përgatitet.» Bibla e thotë thjesht: «Në çdo mundim ka një fitim.»​—Fjalët e urta 14:23.

Sigurisht, nuk është gjithnjë e lehtë të rifillosh përsëri pas një sprapsjeje. Disa herë hasim sfida që mund të duken sikur u rezistojnë të gjitha përpjekjeve tona për t’i kapërcyer ato. Në vend që t’i afrohen plotësimit, synimet tona mund të duken sikur fashiten dalëngadalë. Mund të ndihemi të mbytur, të paaftë e mund të shkurajohemi, madje ndoshta edhe të dëshpërohemi. (Fjalët e urta 24:10) Megjithatë, Bibla na inkurajon: «Le të mos lodhemi duke bërë të mirën, sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.»​—Galatasve 6:9.

Çfarë mund të na ndihmojë për të ngulmuar?

Hapi i parë për të ngulmuar në një drejtim që kemi zgjedhur, është të vendosim synime të vlefshme e të arritshme. Patjetër që apostulli Pavël e kuptonte këtë. Ai u tha korintasve: «Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt, kështu luftoj, por jo sikur rrah erën.» Pavli e dinte se po të donte që përpjekjet e tij të ishin të suksesshme, do t’i duheshin synime të qarta, ashtu si një vrapues në një garë, i cili e përqendron mendjen në kapërcimin e vijës së finishit. «A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtet vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni»,​—i nxiti ai. (1. Korintasve 9:24, 26) Si mund ta bëjmë këtë?

«Njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij»,​—thuhet te Fjalët e urta 14:15. Është e mençur që kohë pas kohe të rishqyrtojmë atë që kemi planifikuar të bëjmë në jetë, duke pyetur veten se për ku po drejtohemi dhe nëse duhen bërë disa ndreqje. Është jetësore ta kemi të qartë në mendje se çfarë duam të arrijmë dhe përse. Do të jemi më pak të prirur të dorëzohemi, nëse kemi të fiksuar fort në mendje një imazh të asaj që duam të arrijmë. Proverbi i frymëzuar nxit: «Sytë e tu le të shohin drejt», me qëllim që ‘të gjitha rrugët e tua [të mund] të jenë të caktuara mirë’.​—Fjalët e urta 4:25, 26.

Pasi të kesh identifikuar synimet e tua, hapi tjetër është të analizosh mënyrat se si mund t’i arrish këto synime. Jezui pyeti: «Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet?» (Luka 14:28) Në harmoni me këtë parim, një specialist i shëndetit mendor vërejti: «Një nga gjërat që kam vërejtur te njerëzit e suksesshëm është se kanë një kuptueshmëri të qartë për sa i përket lidhjes së shkakut dhe të pasojës në jetën e tyre. Njerëzit e suksesshëm e kuptojnë se nëse duan diçka, duhet të bëjnë çdo gjë të nevojshme për ta arritur atë.» Një kuptueshmëri e qartë e të gjithë hapave të nevojshëm që duhet të marrim për të arritur atë që duam, do të na ndihmojë të jemi të përqendruar. Gjithashtu, do të na e bëjë më të lehtë të mbledhim veten nëse pësojmë një sprapsje. Një analizë e tillë qe themelore për suksesin e Orvil dhe Uilbur Rait.

Prandaj, kur ndodh një sprapsje, bëj më të mirën tënde për ta parë atë pozitivisht dhe si një përvojë nga e cila mund të mësosh. Analizo situatën, kupto se ku ishte gabimi dhe pastaj korrigjoje atë ose ndreq dobësinë. Një ndihmë është të flasësh me të tjerë, meqë «planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla». (Fjalët e urta 20:18) Natyrisht, pas çdo përpjekjeje bëhesh më ekspert dhe zhvillon aftësi, të cilat në fund i kontribuojnë suksesit tënd.

Një aspekt i tretë thelbësor i ngulmimit është veprimi i vazhdueshëm. Apostulli Pavël na bën thirrje: «Në pikën ku kemi arritur, le të ecim sipas të njëjtit rregull.» (Filipianëve 3:16) Siç e tha një mësues, «me kalimin e kohës maturia dhe konsekuenca sjellin rezultate domethënëse». Kjo ilustrohet mirë në fabulën shumë të njohur të Ezopit për breshkën dhe lepurin. Breshka e fitoi garën edhe pse ishte shumë më e ngadaltë se lepuri. Përse? Sepse breshka mbante një hap të rregullt e me disiplinë. Ajo nuk e la garën, por zgjodhi një shpejtësi që mund ta mbante në mënyrë realiste dhe pastaj vazhdoi me këtë shpejtësi derisa kaloi vijën e finishit. Meqë personi i organizuar e i rregullt bën progres të vazhdueshëm, ai vazhdon të jetë i motivuar dhe ka më pak të ngjarë të dorëzohet ose të eliminohet nga gara. Po, ‘vrapo në mënyrë të tillë’ dhe do ta arrish synimin që i ke vënë vetes.

Të zgjedhim synime që ia vlejnë

Sigurisht, që ngulmimi të ketë vlerë, duhet të kemi synime që ia vlejnë. Shumë njerëz përpiqen për gjëra që nuk sjellin lumturi. Por Bibla thekson: «Ai që do të shikojë me vëmendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë dhe ngulmon në të, . . . do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.» (Jakobit 1:25) Në fakt, studimi për të kuptuar ligjin e Perëndisë të shkruar në Bibël është një synim shumë i vlefshëm. Përse? Kryesisht, sepse ligji i Perëndisë është i bazuar në normat e tij të përsosura e të drejta. Duke qenë Krijuesi, ai e di se çfarë është më e mira për krijesat e tij. Prandaj, nëse ngulmojmë për të mësuar udhëzimet e Perëndisë dhe për t’i zbatuar ato në jetën tonë, ky ngulmim do të na sjellë patjetër lumturi. «Ki besim te Zoti me gjithë zemër. . . . Pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua»,​—premtohet te Fjalët e urta 3:5, 6.

Përveç këtyre, Jezui thotë se marrja e njohurisë për Perëndinë dhe për vetë Jezuin «do të thotë jetë e përhershme». (Gjoni 17:3, BR) Profecitë e Biblës tregojnë se ne po jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi. (2. Timoteut 3:1-5; Mateu 24:3-13) Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë, pra, qeveria e tij e drejtë, do ta vendosë sundimin e vet mbi banorët e tokës. (Danieli 2:44; Mateu 6:10) Kjo qeveri do të sjellë për gjithë njerëzimin e bindur një epokë paqeje, begatie dhe mirëqenieje të paparë ndonjëherë. (Psalmi 37:10, 11; Zbulesa 21:4) «Perëndia nuk tregohet i anshëm»,​—thuhet te Veprat 10:34. Po, që të gjithë janë të ftuar të nxjerrin dobi.

Bibla është një libër i lashtë plot mençuri dhe domethënie. Duhet kohë dhe përpjekje për ta kuptuar atë. Por, me ndihmën e Perëndisë dhe nëse ngulmojmë duke kërkuar njohurinë e tij, ky libër do të jetë i hapur për ne. (Fjalët e urta 2:4, 5; Jakobit 1:5) Kuptohet, mund të jetë një sfidë të zbatojmë atë që mësojmë. Mund të na duhet të bëjmë rregullime në mendimet ose zakonet tona. Miqtë ose pjesëtarët e familjes, edhe pse me qëllimin e mirë, mund t’i kundërvihen studimit të Biblës që bëjmë. Prandaj, është thelbësore të ngulmojmë. Apostulli Pavël na kujton se Perëndia do t’u japë jetën e përhershme atyre që tregojnë «qëndrueshmëri në veprën që është e mirë». (Romakëve 2:7, BR) Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të kënaqur të të ndihmojnë për të arritur këtë synim.

Të jesh i sigurt se do të kesh sukses, po të ngulmosh për të mësuar rreth Perëndisë dhe rreth vullnetit të tij dhe po të vazhdosh të zbatosh atë që mëson.​—Psalmi 1:1-3.

[Figura në faqen 6]

Do të kesh sukses, nëse ngulmon për të mësuar rreth Perëndisë dhe rreth vullnetit të tij

[Burimi i figurës në faqen 4]

Culver Pictures